PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 266: Konkurrimi dhe pranimi i kandidatëve për magjistratë

1Aplikantët i nënshtrohen konkursit, i cili zhvillohet nën monitorim. Testimi i dijeve gjatë konkursit të pranimit bëhet së paku me shkrim.

2Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, pasi merr mendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Ministrit të Drejtësisë, miraton rregulla të hollësishme, të qarta, transparente dhe objektive për kriteret dhe procedurat që do të ndiqen në vlerësimin e njohurive dhe aftësive të konkurrentëve, sipas profileve të kërkuara prej tyre dhe për mënyrën e korrigjimit të provimeve.

3Konkursi organizohet me dy faza, që pasohen nga një vlerësim psikologjik dhe i shëndetit mendor. Faza e parë është me natyrë kualifikuese dhe kryhet nëpërmjet një vlerësimi elektronik.

4Pas kalimit të vlerësimit elektronik, kandidatët futen në fazën e dytë të konkurrimit, që zhvillohet së paku me shkrim para një komisioni të përbërë, sipas rastit, nga 5 deri në 7 anëtarë, të caktuar nga Këshilli Drejtues, nga të cilët 2 deri në 3 janë pedagogë të brendshëm dhe 3 deri në 4 janë pedagogë të jashtëm, me eksperiencë mësimdhënieje në Shkollën e Magjistraturës mbi 5 vjet. Pedagogët e jashtëm nuk mund të jenë dy herë në mënyrë të njëpasnjëshme anëtarë të komisionit.

5Kandidatët që kualifikohen në fazën e dytë kalojnë në një vlerësim psikologjik dhe të shëndetit mendor që kryhet nga një komision i ngritur nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Ky komision përbëhet nga dy psikologë dhe dy mjekë psikiatër. Një pedagog i brendshëm i Shkollës së Magjistraturës merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e këtij komisioni gjatë gjithë vlerësimit.

6Në përfundim të dy fazave të konkurrimit dhe pas kryerjes së vlerësimit psikologjik dhe të shëndetit mendor, Shkolla e Magjistraturës përgatit listën e kandidatëve të renditur sipas rezultatit të testimit, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj, si dhe në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

7Mënyra e organizimit të konkurrimit në të dy fazat, rregullat e hollësishme që ndiqen për kryerjen e vlerësimit psikologjik dhe të shëndetit mendor, që zbatohet edhe gjatë viteve të shkollimit, procedurat që ndjekin dhe vlerësimi që kryejnë komisionet përkatëse, si dhe aspektet teknike të veprimtarisë së tyre përcaktohen në rregulloren e shkollës.

8Konkurrentët kanë të drejtën e ankimit me shkrim pranë Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës për rezultatet e testimit, vetëm për shkelje të karakterit procedural.

9Lista e konkurrentëve i dërgohet respektivisht Këshillit të Lartë Gjyqësor, për konkurruesit që kanë zgjedhur profilin e gjyqtarit në fazën e aplikimeve dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për konkurruesit që kanë zgjedhur profilin e prokurorit.

10Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kryejnë verifikimin e pasurisë dhe të figurës së konkurrentëve, në përputhje me ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe i dërgojnë Shkollës së Magjistraturës listën përfundimtare të kandidatëve të pranuar.

11Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës publikon për secilin profil një listë konkurrentësh. Me nënshkrimin e marrëveshjes së regjistrimit, e cila parashikon të drejtat dhe përgjegjësitë për frekuentimin e programit të formimit fillestar, kandidati për magjistrat konsiderohet i regjistruar në Shkollën e Magjistraturës.

12Kandidatët e pranuar janë të detyruar të frekuentojnë rregullisht programin dhe të respektojnë rregulloren e shkollës.

Përmbajtja

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment