1Jo më vonë se 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, gjyqtarët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor paraqesin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar dhe dokumentacionin që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në rast se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk është krijuar ende, kërkesa depozitohet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
2Brenda të njëjtit afat të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, gjyqtarët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor i paraqesin Kryetarit të Gjykatës së Lartë dokumentacionin përkatës, sipas nenit 10 të këtij ligji. Kryetari i Gjykatës së Lartë vë në dispozicion të gjyqtarëve të interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit formularët tip të parashikuar nga shkronjat “b”, “c” dhe “e”, të nenit 10, të këtij ligji.
3Brenda 7 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit, sipas nenit 10, të këtij ligji, Kryetari i Gjykatës së Lartë verifikon përmbushjen e kritereve ligjore, sipas procedurave të parashikuara në nenin 11 të këtij ligji. Në rast se kandidati nuk i plotëson kriteret, Kryetari i Gjykatës së Lartë njofton kandidatin dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
4Brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të shprehjes së interesit dhe dokumentacionit, sipas pikës 1, të këtij neni, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bën rivlerësimin e gjyqtarëve që kandidojnë. Gjyqtari, i cili, me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk e kalon procedurën e rivlerësimit përjashtohet nga procesi i kandidimit, edhe kur ndaj vendimit të komisionit është ushtruar ankim. Zgjedhja e kandidatëve vazhdon pa pjesëmarrjen e këtij kandidati.
5 Jo më vonë se 3 ditë pas përfundimit të procedurës së rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Rivlerësimit i përcjell Kryetarit të Gjykatës së Lartë listën me emrat e kandidatëve gjyqtarë që e kaluan me sukses procedurën e rivlerësimit.
6Brenda 3 ditëve nga data e mbërritjes së listës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve. Procedura e zgjedhjes së anëtarëve gjyqtarë të Këshillit përfundon brenda 20 ditëve nga data e thirrjes.
7Anëtari i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, një nga anëtarët që vjen nga gjykatat e apelit, i zgjedhur me short, si dhe një nga anëtarët që vjen nga gjykatat e shkallës së parë, i zgjedhur me short, shërbejnë vetëm për një mandat 3-vjeçar.
8Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, strukturat përgjegjëse për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë jomagjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor fillojnë veprimet dhe procedurat e parashikuara nga ky ligj për përzgjedhjen e kandidatëve. Procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve përfundojnë brenda 4 muajve.
9Nëse Kryetari i Gjykatës së Lartë nuk e thërret Mbledhjen e Përgjithshme të gjyqtarëve për zgjedhjen e anëtarëve gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor brenda 3 ditëve pas përfundimit të procedurës së rivlerësimit të kandidatëve, mbledhjen e thërret një e dhjeta e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve. Në këtë rast mbledhjen e drejton gjyqtari më i vjetër në moshë i Gjykatës së Lartë.
10Mosthirrja e Mbledhjes së Përgjithshme të gjyqtarëve për zgjedhjen e anëtarëve gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose tejkalimi i afatit për thirrjen e saj, si dhe mosfillimi i procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor përbëjnë shkelje disiplinore për subjektet e parashikuara në pikat 8 dhe 9 të këtij neni.
11Deri në krijimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, detyrat e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas neneve 23 deri në 31 dhe neneve 33 dhe 34, të këtij ligji, ushtrohen nga një prej kryetarëve të Kolegjeve të Gjykatës së Lartë të zgjedhur me short.