1Gjyqtari ose prokurori ose subjektet e tjera, të cilët i nënshtrohen procedurës së rivlerësimit dhe që janë të interesuar për pozicionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, brenda një muaji nga krijimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i paraqesin komisionit një shkresë ku shprehin interesin për pozicionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe dokumentacionin për rivlerësimin, sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në rast se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk është krijuar ende, kërkesa depozitohet te Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Rivlerësimi i tyre bëhet me përparësi menjëherë me krijimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
2Çdo jurist tjetër i interesuar për pozicionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i dorëzon aplikimin për pozicionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili kryen vlerësimin e kandidatëve, mbështetur edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për aq sa është e mundur, për zbatimin e parashikimeve dhe procedurave të ligjit “Për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
3Në rast se kandidatët e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, nuk lejohen të kandidojnë me vendim të shkallës së parë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ata konsiderohen të papërshtatshëm për t’u zgjedhur, edhe kur ndaj vendimit është paraqitur ankim. Vlerësimi dhe renditja e kandidatëve nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëhet pa pjesëmarrjen e këtij kandidati. Në rast se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është krijuar, edhe kandidatët, procesi i rivlerësimit të të cilëve nuk ka përfunduar në datën 1 shkurt 2017, përjashtohen nga procesi i zgjedhjes.
4Pasi të gjithë kandidatët e përshtatshëm kanë kaluar procesin e rivlerësimit me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe i përcjell dosjen, me qëllim kryerjen e vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve.
5Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nis pa vonesë, por jo më vonë se data 1 shkurt 2017, procedurën për vlerësimin për përmbushjen e kritereve dhe renditjen e të gjithë kandidatëve për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe e përfundon këtë procedurë brenda 10 ditëve. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i përcjell Kuvendit pa vonesa raportin.