1Brenda 1 muaji nga krijimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, magjistratët e interesuar për pozicionin e inspektorit në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i dorëzojnë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një kërkesë, me anë të së cilës shprehin interesin për kandidim, si dhe dokumentacionin për rivlerësimin, sipas ligjit për rivlerësimin. Rivlerësimi i tyre bëhet me përparësi.
2Çdo jurist tjetër i interesuar për pozicionin e inspektorit në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, brenda 1 muaji nga krijimi i Zyrës së Inspektorit të Lartë, dorëzon aplikimin pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
3Inspektori i Lartë i Drejtësisë verifikon plotësimin e kushteve dhe kritereve ligjore, sipas parashikimeve të këtij ligji, si dhe bën verifikimin e figurës dhe të pasurisë së kandidatëve jomagjistratë.
4Inspektori i Lartë i Drejtësisë paraqet kërkesë për informacion për verifikimin e figurës, sipas përcaktimeve të nenit 38, të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe çdo shkaku tjetër përjashtues, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, prokurorisë, organeve publike financiare, Byrosë Kombëtare të Hetimit, shërbimeve shtetërore informative, si dhe çdo organi disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e mëparshme të punës të kandidatit. Nëse vlerësohet e nevojshme, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të kërkojë informacione shtesë nga institucione të tjera.
5Inspektori i Lartë i Drejtësisë për kandidatin jomagjistrat bën vlerësimin e aftësive profesionale dhe morale, sipas kritereve të parashikuara për pozicionin e inspektorit.
6Inspektori i Lartë i Drejtësisë miraton një raport të arsyetuar me shkrim, bazuar në rezultatet e deklaratave të pasurisë, të vlerësimit të figurës, si dhe në përmbushjen e kushteve dhe kritereve ligjore të parashikuara në këtë ligj për kandidatin.
7Pas emërimit të tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike, përcakton një strukturë të zyrës me numrin minimal të anëtarëve të stafit dhe fillon marrjen në punë të nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë të nevojshëm për fazën fillestare, si dhe kërkon, nëse është e nevojshme, komandimin e magjistratëve, me qëllim sigurimin e të paktën 16 inspektorëve për fazën fillestare të 6 muajve pas krijimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Struktura përfundimtare përcaktohet brenda 6 muajve pas krijimit të zyrës, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
8Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë do të konsiderohet e krijuar ditën e parë të muajit që vjen pas emërimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga Kuvendi. Nëse kjo ditë është më pak se një javë pas emërimit, dita e parë e muajit pasardhës do të konsiderohet dita e krijimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
9Në ditën e krijimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë pushon së zhvilluari veprimtaria e inspektimit pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe përfundon mandati i Kryeinspektorit.
10Në ditën e krijimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryeinspektori dhe inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilët janë magjistratë, si dhe prokurorët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre për përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve pranë Zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme do të konsiderohen si inspektorë të Zyrës së Inpektorit të Lartë të Drejtësisë për një periudhë 6-mujore nga data e krijimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë. Në përfundim të kësaj periudhe ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë nëse plotësojnë kërkesat dhe kriteret për inspektor sipas parashikimeve të këtij ligji. Në këtë rast, mandati i tyre si inspektorë fillon me emërimin si inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ose Prokurorinë e Përgjithshme. Në rast se ata nuk i përmbushin kërkesat dhe kriteret, ata kanë të drejtën e rikthimit në pozicionin e mëparshëm 6 muaj pas krijimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ose të marrin pjesë në procedurat e transferimit dhe lëvizjes paralele, sipas rregullave të parashikuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
11Në ditën e krijimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të gjitha dosjet disiplinore në proces hetimi nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë të Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme kalojnë nga Kryeinspektori, drejtoritë përgjegjëse pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme në përgjegjësinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Çdo ankesë, në kuptim të këtij ligji, për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve i drejtohet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.