1Brenda 30 ditëve nga konstituimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhen anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues, të cilët do të plotësojnë vendet që krijohen për efekt të këtij ligji. Me zgjedhjen e Kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, këta janë edhe anëtarë të Këshillit Drejtues.
2Drejtori dhe pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës qëndrojnë në detyrë, përveç rasteve kur nuk kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit ose largohen nga detyra bazuar në shkaqe të tjera të ligjshme.
3Në përputhje me ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Shkolla e Magjistraturës ngarkohet me organizimin e një konkursi jashtë radhe për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë, respektivisht për vitin akademik 2016-2017 dhe 2017-2018. Ndarja e profilit si gjyqtar dhe prokuror për kandidatët fitues për secilin vitin akademik do të jetë 15 gjyqtarë dhe 10 prokurorë, në rast të mungesës se një marrëveshjeje ndërmjet Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm ose ndërmjet institucioneve kompetente të tjera, që duhet të arrihet jo më vonë se 4 javë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
4Viti akademik 2016-2017 në Shkollën e Magjistraturës fillon pas përfundimit të konkursit, por, në çdo rast, jo më vonë se 4 javë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
5Konkursi i pranimit për vitin akademik 2017-2018 do të zhvillohet në muajin prill 2017, sipas parashikimeve të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.