1. Jo më vonë se 45 ditë nga dita kur përfundon afati për dorëzimin e shprehjeve të interesit për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Komisioni i Pavarur Ad Hoc verifikon plotësimin e kushteve ligjore nga kandidatët. Në ushtrimin e përgjegjësive të tij për verifikimin paraprak të plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët, komisioni ndihmohet nga administrata e Avokatit të Popullit.
2. Për kontrollin e integritetit të kandidatëve, kryetari i komisionit i përcjell menjëherë Prokurorisë së Përgjithshme formularët e vetëdeklarimit, të plotësuar nga kandidatët, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Prokuroria e Përgjithshme kryen verifikimet brenda 30 ditëve nga paraqitja e formularëve.
3. Për kontrollin e kushteve të tjera ligjore, kryetari i komisionit dërgon kërkesa me shkrim në adresë të subjekteve publike dhe private, sipas nevojës.
4. Për kontrollin e plotësimit të kushteve të parashikuara nga shkronjat “c” deri në “e”, të nenit 19, të këtij ligji, nëse është e nevojshme, kryetari i komisionit i drejtohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë për saktësimin e informacionit të deklaruar nga kandidati.
5. Me përfundimin e procedurës së verifikimit paraprak, komisioni shpall menjëherë emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit, të Kuvendit dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Në të njëjtën kohë, komisioni i komunikon individualisht kandidatëve, rezultatin e verifikimit të të dhënave të deklaruara.
6. Komisioni i Pavarur Ad Hoc e ushtron veprimtarinë e tij në mënyrë kolegjiale, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e organeve kolegjiale, për aq sa nuk është parashikuar ndryshe në këtë ligj.