PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 32: Ankimet kundër vendimeve të përjashtimit të kandidatëve

1. Ankimet kundër vendimeve për përjashtimin e kandidatëve, vetëm për shkelje të rënda procedurale, bëhen në Gjykatën Administrative të Apelit jo më vonë se 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të kundërshtuar.

2. Gjykata Administrative e Apelit vendos brenda 7 ditëve nga dita e dorëzimit të ankimit. Vendimi i saj është përfundimtar dhe i formës së prerë;

3. Ankimi nuk pezullon zhvillimin e procedurës së vlerësimit dhe të verifikimit paraprak të kryer nga Komisioni i Pavarur Ad Hoc, sipas nenit 33 të këtij ligji.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i normës është i dyfishtë. Nga njëra anë, ajo garanton objektivitetin e verifikimit të përmbushjes së kushteve ligjore nga ana e kandidatëve, ndërsa nga ana tjetër garanton shpejtësinë dhe zhvillimin e pandërprerë të këtij procesi.
      1. Parashikimi i mundësisë së ankimit të ndërmjetëm, pra i kontrollit gjyqësor mbi procedurën administrative, së bashku me parashikimet se ankimi nuk ndërpret procedurën e vlerësimit dhe renditjes dhe se vendimi i gjykatës në këtë rast është përfundimtar dhe i formës së prerë, garanton objektivitet në procesin e verifikimit dhe eliminon mundësinë e zgjatjes së procesit përzgjedhjes me anë të ankimeve para organeve gjyqësore. Për më tepër, duke qenë se në këtë fazë nuk ekziston ndonjë diskrecion nga ana e komisionit ad hoc, pasi kriteret janë të parashikuara qartë nga ligji dhe objektivisht të verifikueshme, kontrolli gjyqësor mbi procedurat e ndjekura eleminon mundësinë e zbatimit jo-korrekt të dispozitave të ligjit.

       

      1. Neni 32 përbëhet nga dispozita procedurale që diktojnë afatet, organin para së cilit paraqitet ankimi dhe efektet e paraqitjes së tij mbi procedurën e vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve të parashikuar nga nenet pasardhëse. Në mungesë të një parashikimi të tillë, aktivitetit i komisionit ad hoc në këtë fazë do të mund të goditej në përfundim të fazës përzgjedhëse, duke vënë në rrezik ecurinë dhe besueshmërinë e procesit.
      1. Pavarësisht shprehjes së përdorur nga titulli i nenit apo paragrafi i parë “ankimet kundër vendimit të përjashtimit të kandidatëve”, duhet pasur parasysh se komisioni nuk merr vendime për përjashtimin e kandidatëve. Nga dispozitat e nenit paraardhës rezulton se komisioni ad hoc merr dy lloje vendimesh: (i) vendim për shpalljen e kandidatëve që plotësojnë kushtet. Ky lloj vendimi presupozohet të jetë vendim unik që përmbyll procesin e verifikimit; (ii) lloji i dytë i vendimeve janë vendime individuale për verifikimin e përmbushjes së kushteve ligjore për secilin nga kandidatët. Është pikërisht kundër këtij vendimi që kandidati mund të ushtrojë ankim, brenda afateve të caktuara, para Gjykatës Administrative të Apelit.

       

      1. Shkelje të rënda procedurale, që përdoret nga legjislatori në nenin 32 meriton pak shpjegim për dy arsye: së pari, nuk ekziston ndonjë përkufizim ligjor se çfarë është një shkelje procedurale e rëndë dhe çfarë është një shkelje procedurale e lehtë; dhe së dyti, i lihet në diskrecion gjykatës të vendosë rast pas rasti se cila mund të jetë një shkelje procedurale e rëndë. Pavarësisht se lista e mëposhtme nuk mund të jetë shteruese, duhet të konsiderohen shkelje të rënda procedurale të gjitha ato që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa asnjë ekuivok në procesin e vendimmarrjes së komisionit ad hoc. Të tilla mund të jenë shkeljet e normave që përcaktojnë përbërjen e komisionit, thirrjen dhe kuorumin për vlefshmërinë e mbledhjeve, votimin dhe pasqyrimin e tij në procesverbalet përkatës, formën e vendimit individual, mungesën e arsyetimit dhe shkeljen e detyrimit për komunikimin me kandidatin. E fundit por jo më pak e rëndësishme, duhet të konsiderohet shkelje e rëndë procedurale mungesa e kontrollit të integritetit të kandidatëve sipas procedurës së parashikuar nga paragrafit 2 të nenit 31.

       

      1. Neni 32 parashikon dy afate: një afat prej 5 ditësh brenda të cilit duhet të paraqitet ankimi, dhe një afat prej 7 ditësh brenda të cilit Gjykata Administrative e Apelit duhet të vendosë mbi ankimin e paraqitur. Afati prej 5 ditësh ka natyrë prekluzive që do të thotë se kandidati e humbet të drejtën për të paraqitur ankim dhe për rrjedhojë vendimi i komisionit ad hoc mbi verifikimin e kushteve ligjore nuk është më i cenueshëm. Ky afat ndjek logjikën normale që ndiqet në të gjitha dispozitat ku parashikohet ankim i veçantë dhe gjykohet se ky afat është më se i mjaftueshëm që kandidati të paraqesë një ankim të plotë dhe të shoqëruar me gjithë dokumentacionin e nevojshëm mbështetës. Afati, si të gjitha afatet administrative dhe procedurale, fillon nga e nesërmja e ditës së njoftimit. Nëse dita e fundit është ditë pushimi, zbatohen rregullat e përgjithshme mbi shtyrjen e tij në ditën e parë pasardhëse të punës. Nga ana tjetër afati prej 7 ditësh brenda të cilit gjykata duhet të vendosë është afat rregullator. Kjo do të thotë se mosrespektimi i tij nga ana gjykatës nuk cenon vlefshmërinë e ankimit apo paragjykon të drejtat dhe interesat e ligjshëm të kandidatit. E vetmja pasojë e mosrespektimit të këtij afati mund të jetë përgjegjësia disiplinore e magjistratit në lidhje me vonesën.

       

      1. Në pikën 2 të nenit 32 përdoret koncepti vendim përfundimtar dhe i formës së prerë. Në këtë pikë legjislatori ka përdorur këto dy shprehje për të evituar çdo lloj keqkuptimi në lidhje me natyrën e këtij vendimi. Vendim përfundimtar do të thotë që vendimi e zgjidh çështjen përfundimisht dhe ndaj tij nuk mund të ushtrohet ankim apo rekurs. Vendim i formës së prerë do të thotë që vendimi është menjëherë i ekzekutueshëm.

       

      1. Në pikën 3 të nenit 32 parashikohet mos-pezullimi i procedurës së vlerësimit. Me anë të këtij parashikimi legjislatori përforcon logjikën e ndjekur edhe në nenin e mëparshëm nëpërmjet afateve të vendosura duke treguar preferencën e theksuar për të garantuar shpejtësinë e procesit të verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve.
      1. Dispozitat e këtij neni ndjekin logjikën e të gjithë këtij kapitulli e cila është garantimi i një procesi përzgjedhës transparent dhe të pavarur në mënyrë që Kuvendi të kishte mundësi të zgjidhte ndërmjet kandidaturave cilësore. Mënyra e mëparshme e zgjedhjes nuk parashikonte mundësinë që individi të vetë-kandidonte, të kishte ndonjë garanci “procedurale” apo procedura të kishte ndonjë kriter transparence.
      1. Sipas sugjerimeve të Komisionit të Venecias në Opinionin Përfundimtar nr. 824/2015, për projektamendamentet kushtetuese të rishikuara të Shqipërisë, mënyra e propozimit të anëtarëve jo-gjyqtarë është po aq e rëndësishme sa edhe zgjedhja e tyre. Me qëllim rritjen e standardit në “propozimin” e këtyre anëtarëve, neni objekt komenti parashikon edhe një procedurë ankimi kundrejt vendimeve të komisionit ad hoc në fazën e verifikimit të përmbushjes së kushteve ligjore. Kontrolli gjyqësor mbi procedurat e ndjekura nga komisioni, dhe eventualisht ndryshimi i vendimit të tij për rezultatin e verifikimit, përbën një garanci më shumë për individët në drejtim të paanësisë, pavarësisë dhe transparencës së procedurës së verifikimit.
  • Komisioni i Venecias, Opinion i ndërmjetëm mbi projekt-amendamentet kushtetuese për gjyqësorin për Shqipërinë, (824, 2015), paragrafi 55, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 13.10.2017; 

    Komisioni i Venecias, Opinioni final mbi projekt-amendamentet kushtetuese, të rishikuara për gjyqësorin për Shqipërinë, (824, 2015), paragrafi 16, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 13.10.2017.

  • Komisioni i Posaçëm për Reformën në drejtësi, procesverbal i datës 19 shtator 2016, faqe 59 e vijues, vizituar për herë të fundit më 13.10.2017

  • Nenet 31, 33 dhe 34 të Ligjit të Qeverisjes.

  • Asnjë koment
  • Vendimi nr. 41, datë 16.05.2017, i Gjykatës Kushtetuese, 1/5 e deputetëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit të Qeverisjes.

  • Asnjë koment
  • Neni 4, pika 2 e ligjit nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” i ndryshuar, sipas të cilit “2. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që zgjidhen nga Kuvendi, duhet të jenë juristë jo gjyqtarë me një përvojë jo më pak se 15 vjet në profesion.” 

    Neni 111 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me përmbajtjen si vijon: 

    1. Kandidaturat për në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen nga Kuvendi, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe në Kushtetutë ose në ligj, duhet të paraqiten me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë dhe të përmbajnë një curriculum vitae të kandidatit dhe pëlqimin e tij për kandidimin.
    2. Kandidaturat duhet të propozohen 45 deri në 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të organit dhe jo më vonë se 10 ditë pas shkarkimit të anëtarit të organit kushtetues apo të krijuar me ligj.
    3. Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tre javëve nga marrja e kërkesës.
    4. Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit.
    5. Në rastet kur zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj bëhet nga Kuvendi, me propozim të institucioneve të tjera, procedohet sipas pikës 3 të këtij neni. Kuvendi shqyrton kërkesën në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.
    6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda 8 javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.
    7. Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur ka mangësi në dokumentacion për kandidaturën, komisioni i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për plotësimin e tyre.
    8. Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedura fillon me kandidatura të tjera nga e para, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.
Gent Ibrahimi
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)