PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 33: "Fillimi dhe afati për zhvillimin e procedurës së vlerësimit paraprak dhe renditjes së kandidatëve"

1. Komisioni i Pavarur Ad Hoc, pas shpalljes zyrtarisht të kandidaturave, të cilat plotësojnë kushtet ligjore, mblidhet menjëherë për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve dhe bën renditjen e tyre jo më vonë se 10 ditë nga dita e mbledhjes.

2. Kandidatët, të cilët kanë fituar të drejtën për të kandiduar me vendim të gjykatës, sipas nenit 32, të këtij ligji, vlerësohen bashkë me kandidatët e tjerë.

3. Këshilli qëndron i mbledhur deri në përfundim të procesit të vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i nenit 33 është sërish i njëjtë me atë të dispozitave që i paraprijnë apo që vijojnë: të garantojë një proces përzgjedhjeje objektiv, transparent, të shpejtë dhe bazuar në meritë të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të lartë të Drejtësisë nga radhët e avokatëve.
      1. Neni 33 përmban dispozita procedurale që rregullojnë mbledhjen dhe përfundimin e vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve. Sipas këtyre dispozitave, komisioni ad hoc mblidhet menjëherë, qëndron i mbledhur deri në përfundim të procesit të vlerësimit dhe renditjes, vlerëson edhe kandidatët që janë ankuar në gjykatë për të cilët ka një vendim pozitiv gjyqësor dhe përfundon gjithë procesin brenda 10 ditëve.
      1. Sërish edhe këtu, si në nenet paraardhëse, afati prej 10 ditësh i caktuar për përfundimin e procedurës së vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve është afat rregullator dhe mosrespektimi i këtij afati nga ana e komisionit nuk sjell pasoja mbi vlefshmërinë e procedurës së përzgjedhjes. 
      1. Pika 3 e nenit 33 vendos rregullin e pandërmjetësisë së mbledhjes së Komisionit, e cila vazhdon gjer në përfundim të procesit të vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve. Duhet mbajtur parasysh, që teksti i dispozitës në pikën 3 ka lapsus, që është mbartur edhe në publikimin në Fletoren Zyrtare, pasi nuk bëhet fjalë për Këshillin, por për Komisionin, që qëndron i mbledhur deri në përfundim të procesit të vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve dhe jo “këshilli” siç është shkruar gabimisht në tekst.
      1. Norma është e relativisht e re. Dispozitat e këtij neni ndjekin logjikën e të gjithë këtij kapitulli e cila është garantimi i një procesi përzgjedhës transparent dhe të pavarur në mënyrë që Kuvendi të zgjedhë ndërmjet kandidaturave cilësore. Mënyra e mëparshme e zgjedhjes nuk parashikonte ndonjë procedurë “përzgjedhjeje”.
      1. Dispozitat e nenit 33, si dhe ato që e paraprijnë apo ndjekin në këtë nënseksion, mundohen të ndjekin sugjerimet e Komisionit të Venecias për të evituar “kapjen” e Këshillit të Lartë Gjyqësor nga politika. Opinioni final Nr. 824/2015 i Komisionit të Venecias, në paragrafin 16, vë në dukje se “propozimi” i anëtarëve jo-gjyqtarë në KLGJ është po aq i rëndësishëm sa edhe “zgjedhja” e tyre. Me qëllim ndjekjen e këtij propozimi nenet 31, 32, 33 dhe 34 mundohen të disiplinojnë deri në detaj dhe të garantojnë transparencën e plotë të proceseve të verifikimit dhe renditjes së kandidatëve.
  • Komisioni i Venecias, Opinion i ndërmjetëm mbi projekt-amendamentet kushtetuese për gjyqësorin për Shqipërinë, (824, 2015), paragrafi 55, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 27.09.2017; 

    Komisioni i Venecias, Opinioni final mbi projekt-amendamentet kushtetuese, të rishikuara për gjyqësorin për Shqipërinë, (824, 2015), paragrafi 16, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 27.09.2017.

  • Komisioni posaçëm për reformën në drejtësi, procesverbal i datës 19 shtator 2016, faqe 59 e vijues.

  • Nenet 32, 33 dhe 34 të Ligjit të Qeverisjes.

  • Asnjë koment
  • Vendimi nr. 41, datë 16.5.2017, i Gjykatës Kushtetuese, 1/5 e deputetëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit të Qeverisjes.

  • Asnjë koment
  • Neni 4, pika 2 e ligjit nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” i ndryshuar, sipas të cilit “2. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që zgjidhen nga Kuvendi, duhet të jenë juristë jo gjyqtarë me një përvojë jo më pak se 15 vjet në profesion.” 

    Neni 111 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me përmbajtjen si vijon:

    “1. Kandidaturat për në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen nga Kuvendi, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe në Kushtetutë ose në ligj, duhet të paraqiten me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë dhe të përmbajnë një curriculum vitae të kandidatit dhe pëlqimin e tij për kandidimin.

    1. Kandidaturat duhet të propozohen 45 deri në 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të organit dhe jo më vonë se 10 ditë pas shkarkimit të anëtarit të organit kushtetues apo të krijuar me ligj.
    2. Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tre javëve nga marrja e kërkesës.
    3. Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit.
    4. Në rastet kur zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj bëhet nga Kuvendi, me propozim të institucioneve të tjera, procedohet sipas pikës 3 të këtij neni. Kuvendi shqyrton kërkesën në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.
    5. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda 8 javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.
    6. Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur ka mangësi në dokumentacion për kandidaturën, komisioni i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për plotësimin e tyre.
    7. Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedura fillon me kandidatura të tjera nga e para, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.
Julian Hodaj
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)