PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 34: Kriteret profesionale dhe morale për renditjen e kandidatëve

1. Komisioni i Pavarur Ad Hoc bën renditjen e kandidatëve në bazë të meritave të tyre profesionale bazuar në:

a. rezultatet e vlerësimit profesional dhe të etikës të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, ose rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën përkatëse që lidhet me veprimtarinë e institucionit për të cilën kandidon;

b. vlerësimin e rëndësisë së punimeve akademike, studimeve shkencore, shkrimeve dhe ligjëratave profesionale, botimeve, si dhe pjesëmarrjen në aktivitete shkencore, pjesëmarrjen në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit dhe çdo angazhim tjetër profesional të kandidatit përgjatë 5 viteve të fundit në fushën e së drejtës;

c. rezultatet gjatë studimeve në ciklet e arsimit të lartë;

ç. ecurinë në punë dhe pjesëmarrjen në trajnimet profesionale dhe në kurse të tjera të certifikuara brenda dhe jashtë vendit.

2. Komisioni bën renditjen e kandidatëve në bazë të meritave të tyre morale bazuar në:

a. reputacionin që gëzon kandidati në shoqëri dhe midis kolegëve;

b. cilësitë morale, të tilla si ndershmëria, përpikmëria në ushtrimin e detyrave, përgjegjshmëria, besueshmëria, paanësia, dinjiteti dhe prirja për të marrë përsipër përgjegjësi, etika profesionale, përdorimi i të gjitha mjeteve të ligjshme për mbrojtjen me besnikëri të të drejtave të personave që përfaqësohen prej tij;

c. angazhimin e provuar në ndjekje të kauzave të shoqërisë civile.

3. Komisioni bën renditjen e kandidatëve në bazë të meritave të tyre organizative, drejtuese dhe menaxheriale bazuar në:

a. cilësinë e platformës dhe të vizionit që paraqesin;

b. aftësitë e provuara për të marrë vendime dhe përgjegjësi bazuar në përvojat e mëparshme profesionale dhe shoqërore;

c. aftësitë e komunikimit;

ç. aftësitë e të punuarit në grup dhe në mjedise multidisiplinore ose multikulturore;

d. aftësitë e përfaqësimit në publik.

4. Krahas kritereve të parashikuara në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij neni, në vlerësimin e kandidatëve mbahen parasysh edhe:

a. mbajtja e titujve akademikë;

b. kryerja e studimeve dhe trajnimeve afatgjata jashtë vendit;

c. njohja e gjuhëve të huaja. languages.

5. Komisioni interviston kandidatët dhe angazhon ekspertë për verifikimin e aftësive të tyre, sidomos për të verifikuar nivelin e zotërimit të gjuhëve të huaja.

6. Në zbatim të dispozitave të këtij kreu, Komisioni i Pavarur Ad Hoc miraton rregulla për detajimin e mëtejshëm të kritereve dhe për caktimin e peshës specifike të tyre në renditjen e kandidatëve.

7. Në marrjen e vendimeve për renditjen e kandidatëve, komisioni vepron sipas kritereve të parashikuara në pikat 1 deri në 5, të këtij neni, dhe harton një raport ku arsyeton renditjen e kandidatëve.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i dispozitave të këtij neni është të vlerësojë dhe promovojë cilësinë e kandidatëve që do ti përcillen Kuvendit për t’u zgjedhur si anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve. Një qëllim dytësor është edhe përgjegjësimi i Kuvendit në zgjedhjet që do kryejë, kjo duke pasur parasysh edhe përbërjen e komisionit ad hoc.
      1. Neni 34 mundohet të listojë disa kritere dhe parametra në bazë të të cilave komisioni ad hoc do të procedojë në vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve. Dispozitat kanë natyrë të përzier ku shumica ka natyrë materiale.
      1. Neni 34 rregullon kriteret e vlerësimit. Vlerësimi i kandidatëve do të mbështetet në tre shtylla dhe përkatësisht në merita profesionale, cilësi morale dhe aftësi drejtuese-menaxheriale. Kriteret specifikë të listuara për secilin nga këto tre blloqe janë taksativë; neni 34 nuk lë “klauzola të hapura”. Për rrjedhojë, komisioni do të marrë parasysh vetëm ato kritere të listuara aty. Pavarësisht këtij fakti, listat për secilin nga blloqet janë mjaft shteruese dhe vështirë të imagjinohet ndonjë kriter apo parametër i lënë jashtë.

       

      1. Pavarësisht listës gati shteruese të kritereve dhe parametrave të vlerësimit, neni 34 i lë mundësinë komisionit të miratojë rregulla më të detajuar qoftë për kriteret qoftë për peshën dhe rëndësinë specifike të secilit prej tyre. Ky është një detaj mjaft kuptimplotë dhe i mirëmenduar. Ndërsa nga njëra anë, vështirë se mund të imagjinohet ndonjë detajim i mëtejshëm i kritereve, duket me mjaft rëndësi fakti që pesha e secilit vendoset nga vetë komisioni. Kjo dukuri garanton veprimin e ligjit në kohë, pasi lejon një adaptim më të mirë të zbatimit të tij kundrejt nevojave ambientale dhe sociale të momentit specifik (p.sh. nëse sot është prioritet ana morale e kandidatëve, nesër mund të jetë ajo profesionale).

       

      1. Angazhimi i ekspertëve është një pikë tjetër që mundohet të legjitimojë procesin e përzgjedhjes dhe të vërë para përgjegjësisë Kuvendin. Nëse veprimtaria e komisionit mbështetet edhe nga opinionet e ekspertëve të njohur të fushave të ndryshme, atëherë rritet besueshmëria dhe cilësia e procesit të vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve nga komisioni ad hoc.
      1. Si të gjitha normat që e paraprijnë, edhe normat e këtij neni vijnë si një nevojë e rritjes së pavarësisë dhe profesionalitetit të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Formula e mëparshme e zgjedhjes së anëtarëve jo-gjyqtarë me propozim nga deputetet dhe zgjedhje nuk garantonte pavarësi dhe profesionalizëm.
      1. Dispozitat e këtij neni si dhe ato që e paraprijnë apo ndjekin në këtë nënseksion mundohen të ndjekin sugjerimet e opinionit të Komisionit të Venecias për të evituar “kapjen” e Këshillit të Lartë Gjyqësor nga politika. Opinioni Përfundimtar nr. 824/2015l i Komisionit të Venecias vë në dukje se “propozimi” i anëtarëve jo-gjyqtarë në KLGJ është po aq i rëndësishëm sa edhe “zgjedhja” e tyre. Me qëllim ndjekjen e këtij propozimi nenet 31, 32, 33 dhe 34 mundohen të disiplinojnë deri në detaj dhe të garantojnë transparencën e plotë të proceseve të verifikimit dhe renditjes së kandidatëve.
  • Komisioni i Venecias, Opinion i ndërmjetëm mbi projekt-amendamentet kushtetuese për gjyqësorin për Shqipërinë, (824, 2015), paragrafi 55, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 13.10.2017; 

    Komisioni i Venecias, Opinioni final mbi projekt-amendamentet kushtetuese, të rishikuara për gjyqësorin për Shqipërinë, (824, 2015), paragrafi 16, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 13.10.2017.

  • Komisioni i Posaçëm për Reformën në drejtësi, procesverbal i datës 19 shtator 2016, faqe 59 e vijues, vizituar për herë të fundit më 13.10.2017.

  • Nenet 32, 33 dhe 34 të Ligjit të Qeverisjes.

  • Asnjë koment
  • Vendimi nr. 41, datë 16.05.2017, i Gjykatës Kushtetuese, 1/5 e deputetëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit të Qeverisjes.

  • Asnjë koment
  • Neni 4, pika 2 e ligjit nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” i ndryshuar, sipas të cilit “2. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që zgjidhen nga Kuvendi, duhet të jenë juristë jo gjyqtarë me një përvojë jo më pak se 15 vjet në profesion.” 

    Neni 111 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me përmbajtjen si vijon: 

    1. Kandidaturat për në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen nga Kuvendi, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe në Kushtetutë ose në ligj, duhet të paraqiten me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë dhe të përmbajnë një curriculum vitae të kandidatit dhe pëlqimin e tij për kandidimin.
    2. Kandidaturat duhet të propozohen 45 deri në 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të organit dhe jo më vonë se 10 ditë pas shkarkimit të anëtarit të organit kushtetues apo të krijuar me ligj.
    3. Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tre javëve nga marrja e kërkesës.
    4. Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit.
    5. Në rastet kur zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj bëhet nga Kuvendi, me propozim të institucioneve të tjera, procedohet sipas pikës 3 të këtij neni. Kuvendi shqyrton kërkesën në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.
    6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda 8 javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.
    7. Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur ka mangësi në dokumentacion për kandidaturën, komisioni i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për plotësimin e tyre.
    8. Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedura fillon me kandidatura të tjera nga e para, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.
Gent Ibrahimi
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)