PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 36: "Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës"

1. Kuvendi zgjedh 2 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës.

2. Kandidatët e propozuar, sipas pikës 1, të këtij neni, duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a. të jenë shtetas shqiptarë;

b. të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë profesionale si jurist;

c. në kohën e kandidimit, të jenë pedagogë me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë (IAL) ose pedagogë të brendshëm ose të jashtëm jomagjistratë në Shkollën e Magjistraturës;

ç. të jenë personel akademik të kategorisë “profesor” ose “lektor”;

d. në kohën e kandidimit të mos jenë rektor ose Drejtor i Shkollës së Magjistraturës

dh. të mos kenë masë disiplinore në fuqi;

e. të mos kenë qenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

ë. të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike përpara kandidimit;

f. të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;

g. të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve inteligjente;

gj. në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.

3. Secili prej institucioneve të arsimit të lartë që kanë në përbërje të tyre si njësi kryesore fakultete të drejtësisë, të akredituar sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, përzgjedh jo më shumë se 3 kandidatë nga radhët e personelit akademik me kohë të plotë, me kushtin që të mos jenë propozuar nga radhët e avokatëve ose nga radhët e organizatave të shoqërisë civile.

4. Shkolla e Magjistraturës përzgjedh jo më shumë se një kandidat nga radhët e pedagogëve me kohë të plotë, jomagjistrat në detyrë, dhe pedagogëve me kohë të pjesshme me kushtin që të mos jenë magjistratë në detyrë, avokatë ose të punësuar me kohë të plotë në organizatat e shoqërisë civile.

5. Secili prej anëtarëve të personelit akademik të IAL-ve që plotëson kushtet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, dhe që siguron mbështetjen e së paku 3 pedagogëve nga personeli akademik me të drejtë vote, ka të drejtë të kandidojë.

6. Secili prej pedadogëve të Shkollës së Magjistraturës, që plotëson kushtet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, dhe që siguron mbështetjen e së paku 3 pedagogëve me të drejtë vote, ka të drejtë të kandidojë.

7. Rektori i IAL-it dhe Drejtori i Shkollës së Magjistraturës miratojnë formularët tip për dhënien e mbështetjes kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Formulari tip nënshkruhet nga anëtari i personelit akademik ose pedagogu i Shkollës së Magjistraturës me të drejtë vote që vendos të mbështesë kandidatin. Anëtari i personelit akademik ose pedagogu i Shkollës së Magjistraturës me të drejtë vote mund të mbështesë vetëm një kandidat.

8. Të gjithë anëtarët e personelit akademik me kohë të plotë, përfshirë edhe personelin e kategorisë “asistent lektor”, dhe të gjithë pedagogët me kohë të plotë dhe ata me kohë të pjesshme që nuk janë magjistratë në detyrë të Shkollës së Magjistraturës kanë të drejtë të mbështesin kandidatë dhe të votojnë për përzgjedhjen e kandidatëve nga institucionet përkatëse. 

Përmbajtja

      1. Neni 36 është norma e parë e kreut që parashikon procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor (në vijim KLGJ) nga trupa e pedagogëve të Fakulteteve të Drejtësisë (FD) dhe Shkollës së Magjistraturës (në vijim SHM). Me qëllim që të garantojë pavarësinë, përgjegjshmërinë, vlerat profesionale dhe etike të kandidatëve, transparencën dhe efiçiencën e vendimmarrjes së organeve pjesëmarrëse në këtë proces ky kre fillon pikërisht me këtë nen, i cili nga njëra anë parashikon kriteret që duhet të përmbushin kandidatët e propozuar dhe nga ana tjetër parashikon Institucionet nga të cilët do të vijnë këta kandidatë.

       

      1. Qëllimi i kësaj norme është garantimi i përfshirjes në procesin e kandidimit të një numri sa më të madh kandidatësh, të cilët duhet të vijnë si pasojë e një eksperience të caktuar dhe padyshim duke garantuar IAL përfaqësimin e tyre nëpërmjet dhënies së mbështetjes direkte për kandidatët.
      1. Norma ka si objekt si evidentimin e kushteve që duhet të plotësojnë kandidatët e propozuar për anëtar të KLGj-së po ashtu edhe standardet e kërkuara për Institucionet e Arsimit të Lartë (në vijim IAL) që kanë të drejtë të përzgjedhin kandidatë.

       

      1. Norma parashikon detyrime konkrete për IAL-të dhe SHM-në lidhur me procesin e përzgjedhjes si dhe detyrime për kandidatët që do të aplikojnë. Kjo normë është një normë materiale dhe procedurale. Teknika e ndjekur nga ligjvënësi është ajo e parashikimit në mënyrë shteruese të kushteve të kandidatëve dhe nga ana tjetër po në mënyrë shteruese parashikon prurjet, në numër maksimal që secili prej IAL-ve apo SHM-ë mund të sjellë përmes procesit të analizuar në dispozitat në vijim.
    • 1. Dallimi midis kritereve profesionale dhe të tjera

       

      1. Paragrafi 1 përcjell atë që Kushtetuta në nenin 147 paragrafi 4 parashikon se nga anëtarët jo-gjyqtarë Kuvendi zgjedh 2 anëtarë të KLGJ-së nga trupa e pedagogëve të FD-së dhe SHM-së. Lidhur me togfjalëshin “trupa e pedagogëve”, nisur nga paragrafi 3 dhe 4 e këtij neni arrijmë në konkluzionin se përbëhet nga radhët e personelit akademik me kohë të plotë për FD-në ndërsa për SHM-në kjo trupë përbëhet nga radhët e pedagogëve me kohë të plotë, jo-magjistratë në detyrë, dhe pedagogëve me kohë të pjesshme, me përjashtimet përkatëse.

       

      1. Paragrafi 2 parashikon kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët e propozuar duke detajuar kriteret në përmbushje të nenit 147 paragrafi 3 të Kushtetutës. Në analizë të kritereve të parashikuara i ndajmë ato në tre grupe; kriteret profesionale paragrafi b, c, ç, kriteret për të shmangur konfliktin e interesit paragrafi d dhe gj, kriteret për të garantuar pastërtinë e figurës dhe integritetin, paragrafi e, f dhe g, një kriter për të garantuar paanësinë politike paragrafi ë, si dhe parashikimin si kriter pasjen e shtetësisë shqiptare.

       

      1. Kriteret profesionale janë të lidhura ngushtë me eksperiencën akademike si pedagogë me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në FD-ë të një IAL-ë ose pedagogë të brendshëm ose të jashtëm jo-magjistratë në Shkollën e Magjistraturës. Por ndërkohë minimumi i eksperiencës profesionale duhet të jetë 15 vjet, në pozicione pune në të cilat në përshkrimin e punës kërkohet kryerja e detyrave si jurist. Neni 36 paragrafi ç parashikon si detyrim në të njëjtën kohë që personeli akademik duhet të jetë i kategorisë “profesor”[1] ose “lektor”[2].

       

      1. Në analizë të kritereve që garantojnë shmangien e konfliktit të interesit, paragrafi d dhe gj, ligjvënësi na i servir ato si kritere ndaluese. Përjashtimi i Rektorit të IAL-së ose Drejtorit të SHM-së ka si qëllim të shmangë konfliktin e interesit për arsye se roli i tyre është organizativ dhe vendimmarrës në procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve. Ndërkohë lidhur me kriterin tjetër ndalues, që në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes[3], kjo nënkupton që nuk duhet të jenë bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/esja dhe fëmijë në moshë madhore, si dhe të afërm të shkallës së parë[4], pra fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.

       

      1. Kriteret për të garantuar pastërtinë e figurës dhe integritetin e kandidatit, paragrafi e, f dhe g, nga njëra anë kërkojnë që kandidati të mos këtë qenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale por nga ana tjetër kërkon që të mos ketë qenë para 1991 dhe më pas të favorizuar, informatorë apo bashkëpunëtor të shërbimeve inteligjente. Përmbushja e tyre garantohet në mënyrë deklarative nga ana e kandidatit. Përsa i përket masave disiplinore në fuqi ato duhet të analizohen në përputhje me ligjin që rregullon marrëdhëniet e punës së kandidatit. Në varësi të saj afatet e shuarjes së masës disiplinore janë të ndryshme në ligje të ndryshme.

       

      1. Një nga kriteret ndaluese është dhe ai që kandidati të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike përpara kandidimit. Në analizë të kësaj pike të nenit, nevojitet të saktësohet se cilat janë funksionet që do të konsiderohen politike?

       

      1. Në analizë të legjislacionit në fuqi nuk e gjejmë të rregulluar me ligj të parashikuar se çfarë kuptojmë me termin funksion politik dhe për këtë arsye në këtë rast mund t’i referohemi nenin 2 paragrafi ç të Ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”[5].

       

      1. Paragrafi 3 identifikon nga njëra anë se cilat janë IAL-të që mund të përzgjedhin kandidatë, duke përfshirë këtu si IAL-të Publike dhe ato privatë, por që kanë njësi fakultete të Drejtësisë të akredituara sipas legjislacionit në fuqi. Nga ana tjetër kjo pikë e nenit parashikon dhe numrin maksimal të kandidatëve që mund të përzgjedh një IAL-ë, dhe konkretisht jo më shumë se 3, të cilët nuk duhet të jenë propozuar nga radhët e avokatëve apo të shoqërisë civile. Në ndryshim nga IAL-ja, Shkolla e Magjistraturës, përzgjedh jo më shumë se një kandidat. Në këtë rast kandidatët e përzgjedhur nuk duhet të jenë magjistratë në detyrë, avokatë ose të punësuar më kohë të plotë në organizatat e shoqërisë civile.

       

      1. Paragrafi 5-8 parashikon një procedurë konkrete, e cila mund të konsiderohet si një kriter që duhet të përmbushë kandidati, që ka të bëjë më mbështetjen që ai duhet të marrë. Sipas ligjit kandidati duhet nga të paktën tre anëtarë, të cilët kanë të drejtë të votojnë, të marrë mbështetje dhe konkretisht nga personelit akademik me kohë të plotë, përfshirë edhe personelin e kategorisë “asistent lektor”, dhe të gjithë pedagogët me kohë të plotë dhe ata me kohë të pjesshme që nuk janë magjistratë në detyrë të Shkollës së Magjistraturës. Nga mënyra se si është formuluar paragrafi 8 i këtij neni lë të kuptojë që në rastin e SHM-së mbështetja mund të jepet dhe nga pedagogë të jashtëm. Por duke u nisur nga fakti se bëhet fjalë për pedagogë që kanë të drejtë të votojnë, sipas nenit 44 paragrafi 8 i këtij ligji, është Këshilli Pedagogjik që ka të drejtë të votojë, për këtë arsye mbështetja e kandidatëve duhet të jetë nga anëtarët e Këshillit Pedagogjik.

       

      2. Mundësia për të kandiduar për më shumë se një pozicion

       

      1. Ndoshta pyetja e parë që duhet shtruar është nëse një kandidat mund te konkurrojë për 2 pozicione? A mund të mbështetet një kandidat që aplikon për pozicione të ndryshme nga të njëjtët persona para të njëjtit organ? Po nëse bëhet fjalë për të njëjtët pozicione, a mundet që dy persona të mbështeten nga të njëjtët persona, të cilët janë dhe pjesë e Asamblesë së Personelit akademik dhe në të njëjtën kohë pjesë e Këshillit Pedagogjik të Shkollës së Magjistraturës?

      Në procedurën e dhënies së mbështetjes, nëse bëhet fjalë për pozicione të ndryshme vakante, nuk paraqet ndalim mbështetja dhe nga të njëjtët persona pasi thuhet që një person mund të mbështesë vetëm një kandidat për një pozicion vakant. Por, në rast se bëhet fjalë për të njëjtët pozicione vakante por që propozimet do të vijnë nga IAL-ja dhe Shkolla e Magjistraturës një person mund të mbështesë vetëm një kandidat, pavarësisht se kush e përzgjedh, Asambleja e Personelit Akademik apo Këshilli Pedagogjik i SHM-së. Sipas pikës 6 të nenit 36 bëhet fjalë për mbështetje nga pedagogë me të drejtë vote dhe sipas pikës 7 mbështetja mund të jepet vetëm për një kandidat.

       

      1. Neni 36 paragrafi 7 përcakton përgjegjësinë dhe formatin e formularit tip të mbështetjes duke specifikuar dhe njëherë që mund ta japë ai pedagog që ka të drejtë vote. Për këtë arsye paragrafi 8 i normës përsërit dhe njëherë se cilët janë pedagogët që mbështesin por pa vënë specifikën e të drejtës që ata duhet të kenë për të votuar për përzgjedhjen e kandidatëve.

       

      [1] Shih nenin 59 paragrafi 3 të ligjit nr. 80/2015

      [2] Shih nenin 59 paragrafi 4 të ligjit nr. 80/2015

      [3] Shih nenin 21 të Ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003

      [4] Shih nenin 361 të Kodit Civil, i ndryshuar

      [5] Shih nenin 2 paragrafi ç të Ligjit nr.96/2016

      1. Konteksti historik në të cilin është miratuar dispozita (në fakt të gjitha dispozitat e Seksionit II të ligjit për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë) është ai i reformës së thellë kushtetuese e ligjore të sistemit të drejtësisë të vitit 2016. Dispozita që komentohet, si të gjitha dispozitat e tjera të Seksionit II, është një shfaqje e zbërthimit që ligji i bën nenit 147 të Kushtetutës[1]. Më konkretisht rregullimi i nenit 36 autorizohet nga urdhërimi kushtetues që “Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve (kandidatëve për anëtarë të KLGJ-së nga radhët e pedagogëve në rastin në fjalë) rregullohen me ligj”. Në këtë kontekst, legjislatori ka urdhëruar, midis të tjerash, krijimin e një skeme përzgjedhje paraprake të kandidatëve brenda secilit Institucion të Arsimit të Lartë.
      2. Në një përpjekje të mëtejshme për të kontekstualizuar dispozitën juridike që komentohet (neni 23), vlen të përmendet se reforma në drejtësi (në kuadrin e të cilës u miratua ligji për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë) u parapri nga dy dokumente të rëndësishëm strategjikë: (i) Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë[2]; dhe (ii) Strategjia e Reformës në Drejtësi[3]. PËR MË SHUMË INFORMACION NË LIDHJE ME PËRMBAJTJEN E KËTYRE 2 DOKUMENTEVE TE RËNDËSISHËM SHIH KOMENTET MBI NENIN 19, PARAGRAFËT 23, 24, 25 DHE 26 (HYPERLINK TO BE INSERTED HERE).

       

      [1] Vetë neni 147 u miratua në kuadër të reformës kushtetuese të miratuar nga Kuvendi në korrik 2016, në bazë të një marrëveshjeje mes të gjitha forcave politike kryesore në vend dhe pas një procesi të gjatë konsultimesh me bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet e specializuara në fushën e shtetit të së drejtës, veçanërisht Komisionin e Venecias (organ i Këshillit të Europës)

      [2] Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi

      [3] Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi

      1. Sa i takon të drejtës ndërkombëtare (të detyrueshme) relevante për procesin e përzgjedhjes paraprake të kandidatëve laikë për anëtarë të organeve të vetëqeverisjes së pushtetit gjyqësor SHIH KOMENTET MBI NENIN 19, PARAGRAFËT 26, 27 DHE 28 (HYPERLINK TO BE INSERTED HERE).
    1. Shih komentet mbi nenin 23 (paragrafët 23 – 28)
    1. Materialet legjislative kryesore relevante për nenin 36 janë raporti që shoqëron projektligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë[1] dhe procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, të datave 14, 19 dhe 20 shtator 2016, në të cilat u shqyrtua projektligji në fjalë.[2] PËR MË SHUMË INFORMACION NË LIDHJE ME MATERIALET LEGJISLATIVE SHIH KOMENTET MBI NENIN 19, PARAGRAFËT 33 – 36.

     

    [1] Shih www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/290616relacion-qeverisja-e-gjyqesorit.pdf

    [2] Shih reformanedrejtesi.al/procesverbale.

  • Neni 147 i Kushtetutës

  • Asnjë koment
    1. Gjykata Kushtetuese: Vendim nr. 41, datë 16.5.2017, 1/5 e deputetëve për kushtetutshmërinë e ligjit për organet e qeverisjes. Objekt i ankimit, midis të tjerave, ishte tërësia e neneve dhe seksioneve të Ligjit që rregullojnë procedurën e përzgjedhjes paraprake të anëtarëve jo magjistratë të KLGJ jashtë Kuvendit. Ankimi për këtë pikë nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese.
  • 22. Materiale relevante në lidhje me nevojën për ristrukturimin e organeve qeverisëse si dhe zgjidhjet e propozuara janë Dokumenti Analitik dhe Dokumenti Strategjik i Reformës në Sistemin e Drejtësisë, të miratuara nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar.[1] Shpjegimet më të plota në lidhje me zgjidhjet konkrete të materializuara në ligj gjenden në materialet legjislative të sipërcituara, dhe sidomos në Raportin e relatores së ligjit për amendamentet e paraqitura në sesionin plenar.

     

    [1] Shih reformanedrejtesi.al/dokumenti-analitik dhe reformanedrejtesi.al/dokumenti-strategjik-dhe-plani-i-veprimit.

    1. Ligji Nr. 8811, datë 17.5.2001 (ndryshuar me ligjin nr. 9448, datë 5.12.2005) “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

     

Alma Faskaj (Vokopola)
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)