1. Në përfundim të procesit të votimit, anëtarët e komisionit të votimit hapin kutinë në prani të të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje. Njëri nga anëtarët e komisionit të votimit lexon me zë të lartë rezultatin e secilës fletë votimi dhe rezultatin e votimit.
2. Votat që gjykohen të pavlefshme rivlerësohen nga komisioni i votimit në fund të procesit të numërimit. Në rast mosmarrëveshjeje mes anëtarëve të komisionit të votimit për vlefshmërinë e votave, vendimet merren në fund të procesit të rivlerësimit me shumicën e votave. Votat që gjykohen të vlefshme në fund të procesit të rivlerësimit u shtohen kandidatëve përkatës.
3. Vota të pavlefshme janë fletët e votimit kur:
a. fleta e votimit nuk ka të njëjtat elemente të miratuara nga komisioni i votimit;
b. në fletën e votimit janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve;
c. është votuar për më shumë se një nga kandidatët;
ç. nuk është votuar për asnjë nga kandidatët;
d. nuk është e qartë se për cilin kandidat është votuar;
dh. është votuar për një person që nuk është regjistruar si kandidat në fletën e votimit.
4. Në përfundim të procesit të votimit dhe numërimit të votave, anëtarët e komisionit të votimit hartojnë një procesverbal, i cili tregon numrin e votave të hedhura, numrin e votave të pavlefshme, në qoftë se ka të tilla, numrin e votave për secilën kategori kandidatësh, numrin e votave për çdo kandidat dhe emrat e kandidatëve të përzgjedhur. Rastet e mosmarrëveshjeve për vlefshmërinë e votave dhe mënyra e zgjidhjes së tyre shënohen në procesverbal. Në procesverbal shënohet edhe numri i fletëve të votimit që janë zëvendësuar për shkak të dëmtimit.
5. Quhen të përzgjedhur 7 kandidatët nga IAL-et publike ose Shkolla e Magjistraturës dhe 3 kandidatët nga IAL-et jopublike që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në qoftë se dy ose më shumë kandidatë kanë marrë të njëjtin numër votash, fituesi përcaktohet me short midis tyre. Në qoftë se nuk ka kandidatë të mjaftueshëm nga IAL-et jopublike për të plotësuar kuotat e parashikuara në këtë pikë, vendet e mbetura bosh plotësohen nga kandidatët e IAL-ve publike.
6. Vendimi për shpalljen e kandidaturave shpallet në faqen zyrtare të Kuvendit.
7. Procesverbali origjinal, që tregon numrin e pjesëmarrësve në mbledhjen e posaçme të rektorëve dhe dekanëve dhe rezultatin e numërimit të votave, i nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit të votimit, i përcillet zyrtarisht Kuvendit.
8. Krahas listës me emrat e kandidatëve të përzgjedhur, mbledhja e posaçme harton një raport të vlerësimit të shkallës së përmbushjes së kritereve etike e profesionale të kandidatëve. Vlerësimi i kritereve etike dhe profesionale të kandidatëve bëhet duke zbatuar, për aq sa është e mundur dhe me ndryshimet e nevojshme, kërkesat e nenit 34 të këtij ligji.