PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 52: Ankimet kundër vendimeve të mbledhjes së posaçme

1. Ankimet për shkelje të procedurës që lidhen me thirrjen e mbledhjes, verifikimin e pjesëmarrjes, të votimit dhe numërimit të votave, të konstatimit dhe shpalljes së votave të pavlefshme dhe të shpalljes së rezultatit gjatë mbledhjes së posaçme bëhen në Gjykatën Administrative të Apelit jo më vonë se 5 ditë nga dita e shpalljes së vendimit në faqen zyrtare të Kuvendit.

2. Gjykata Administrative e Apelit vendos brenda 7 ditëve nga dita e dorëzimit të ankimit. Gjykata mund të vendosë përsëritjen e mbledhjes së posaçme vetëm në qoftë se shkeljet procedurale, të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, vërtetohen dhe janë të tilla që kanë ndikuar ose mund të kishin ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Vendimi i saj është përfundimtar dhe i formës së prerë.

3. Në rast se Gjykata Administrative e Apelit vendos përsëritjen e zgjedhjeve, ato zhvillohen jo më vonë se 7 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të gjykatës.

Përmbajtja

      1. Neni 52 parashikon të drejtën e ankimit të kandidatëve për fazën e tretë të procesit dhe pikërisht të vendimmarrjes së Mbledhjes së Posaçme për përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së nga trupa e IAL-ve dhe SHM-së. Qëllimi i normës është parashikimi i rregullave të posaçme për të ushtruar të drejtën e ankimit si për subjektet ankimuese ashtu dhe kufijtë e shqyrtimit të ankimit nga ana e organit kompetent.
      1. Norma ka për objekt të rregullojë elementë shumë të rëndësishëm të kufijve të kontrollit që mund të ushtrohet ndaj vendimmarrjes së organeve përgjatë këtij procesi të përzgjedhjes. Ajo parashikon afatin brenda të cilit mund të ushtrohet e drejta e ankimit, mjetet ligjore të ankimit, shkakun e padisë, kufijtë e shqyrtimit gjyqësor, duke i dhënë këtyre elementëve një rregullim të posaçëm ligjor. Nga pikëpamja e teknikës legjislative kjo normë ka karakter procedural dhe material në të njëjtën kohë.
      1. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtar të KLGJ-së nga trupa e IAL-ve dhe SHM-së kalon nëpër disa faza deri në momentin që kandidaturat i kalojnë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, dhe më pas kalohet në vendimmarrje për këtë qëllim.

       

      1. Pika 1 e normës parashikon të drejtën e ankimit të kandidatit vetëm për shkelje procedurale duke specifikuar se cilat janë këto shkelje, me konkretisht shkelje që lidhen me mosrespektimin e rregullave për thirrjen e mbledhjes, verifikimin e pjesëmarrjes, të votimit dhe numërimit të votave, të konstatimit dhe shpalljes së votave të pavlefshme dhe të shpalljes së rezultatit gjatë mbledhjes së posaçme. Ligjvënësi nëpërmjet këtij rregullimi ka parashikuar se në këtë rast subjekti mund t’i drejtohet vetëm gjykatës dhe më konkretisht Gjykatës Administrative të Apelit. Parashikimi i ankimit vetëm në Gjykatën e Apelit është në përputhje të plotë me standardet e kërkuara nga neni 13 i KEDNJ-së dhe neni 43 i Kushtetutës[1].

       

      1. Në ndryshim nga neni 41 dhe 46 që nuk parashikojnë afatin për ushtrimin e ankimit kjo normë parashikon afatin 5 ditor nga dita e shpalljes së vendimit në faqen e Kuvendit. Po kështu, ligjvënësi ka parashikuar një afat për paraqitjen e padisë, në ndryshim nga rregulli që e drejta për të kërkuar pavlefshmërinë absolute të një akti nuk parashkruhet. Nuk gjen zbatim në këtë rast rregulli që e drejta për të kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit mund të bëhet në çdo kohë, pasi qëllimi i ligjvënësit është që procesi të përfundojë brenda një kohe sa më të shkurtër. Gjithashtu, synohet që të parashikohet një mjet ligjor për kontrollin e veprimtarisë dhe për këtë qëllim është vendosur që kompetente të jetë gjykata e apelit. Më tej, kjo dispozitë, në pikën 3 të saj, parashikon dhe afat brenda të cilit kjo gjykatë duhet të marrë vendim. Pra, në tërësinë e tij neni ka për qëllim që gjykata të vendosë sa më shpejt në mënyrë që procesi të vijojë pa penguar respektimin e afateve të caktuara ligjore.

       

      1. Norma nxjerr në pah faktin se ky lloj gjykimi ka disa elementë që e bën atë të veçantë për arsye se paditësi mund të ngrejë padi vetëm për çështje që kanë të bëjnë me pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ, jo për çdo shkak por vetëm për shkelje të caktuara procedurale. Dispozita e orienton kontrollin gjyqësor, duke parashikuar se jo çdo shkelje procedurale e listuar në pikën 1 të këtij neni sjell automatikisht pavlefshmërinë absolute të aktit dhe rrjedhimisht përsëritjen e zgjedhjeve. Shkelja procedurale duhet të jetë e tillë që ka ndikuar ose mund të kishte ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Në këtë analizë gjykata duhet të mbajë në konsideratë gjithashtu parashikimin e bërë në nenin 44/4 të ligjit 49/2012.

       

      [1] Në vendimin nr.1/2017 Gjykata Kushtetuese citon: “….Gjykata thekson se shteti nuk ka detyrim të parashikojë më shumë se një shkallë ankimi, për sa kohë që ka një ankim në një gjykatë të parashikuar me ligj, në kuptim të nenit 43 të Kushtetutës si dhe nenit 13 të KEDNJ-së…

      1. Analiza e sistemit të Drejtësisë konstatoi ndër të tjera cilësinë e dobët të anëtarësisë së KLD-së si rezultat i mangësive të procedurave dhe kritereve për përzgjedhjen e anëtarëve të KLD-së. Në Dokumentin e Strategjisë së Reformës në Drejtësi, u përcaktua objektivi 3, Mirëqeverisja e gjyqësorit në funksion të pavarësisë, përgjegjshmërisë, efiçencës dhe transparencës së tij. Si rrjedhojë, u vendos që të parashikohej një formulë për emërimin e anëtarëve jogjyqtarë të KLD-së që zvogëlon diskrecionin e Kuvendit, duke përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve propozime nga avokatia, akademia, shoqëria civile, Shkolla e Magjistraturës etj., dhe shqyrtimin kandidaturave dhe renditjen e tyre nga një komitet këshillimor ad hoc.

       

      1. Relacioni shpjegues i projektligjit për organet e qeverisjes konstatoi se projektligji parashikon një sërë garancish që mundësojnë gjithpërfshirjen e gjyqtarëve të tre niveleve dhe një proces nominimi dhe përzgjedhje sa më transparente ku:
      1. Shprehja e interesit për të kandiduar për anëtarë të KLGJ-së është publike për të gjithë anëtarët gjyqtarë dhe jogjyqtarë;
      2. Verifikimi dhe shpallja e kandidaturave është transparente dhe gjetjet janë publike;
      3. Parashikohet e drejta e ankimit ndaj vendimeve për përjashtimin e kandidaturave, si dhe procedurën e votimit të anëtarëve në Gjykatën Administrative;
      4. Kriteret që duhet të përmbushin kandidatët janë të përcaktuara në ligj;
      5. Integriteti i figurës dhe profesionalizmi janë kritere të përcaktuara qartë.

       

      1. Si përfundim, referuar këtij rregullimi si dhe neneve të tjera që lidhen me procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së, mund të thuhet se ligji garanton standardet e kërkuara për një proces transparent dhe gjithpërfshirës.
    • Asnjë koment
    1. Sa i takon të drejtës ndërkombëtare (të detyrueshme) relevante për procesin e përzgjedhjes paraprake të kandidatëve laikë për anëtarë të organeve të vetëqeverisjes së pushtetit gjyqësor SHIH KOMENTET MBI NENIN 19, PARAGRAFËT 26, 27 DHE 28.
    1. Materialet legjislative kryesore relevante për nenin 52 janë raporti që shoqëron projektligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë[1] dhe procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të datave 14, 19 dhe 20 shtator 2016, në të cilat u shqyrtua projektligji në fjalë.[2] PËR MË SHUMË INFORMACION NË LIDHJE ME MATERIALET LEGJISLATIVE SHIH KOMENTET MBI NENIN 19, PARAGRAFËT 33 – 36.

     

    [1] Shih http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/290616relacion-qeverisja-e-gjyqesorit.pdf

    [2] Shih http://reforma ne drejtesi.al/procesverbale.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
    1. Vendim nr. 41, datë 16.5.2017 i Gjykatës Kushtetuese, me kërkesë të 1/5 së deputetëve për kushtetutshmërinë e ligjit për organet e qeverisjes. Objekt i ankimit, midis të tjerave, ishte tërësia e neneve dhe seksioneve të ligjit që rregullojnë procedurën e përzgjedhjes paraprake të anëtarëve jo magjistratë të KLGJ-së jashtë Kuvendit. Ankimi për këtë pikë nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese.
  • Asnjë koment
  • Ligji Nr. 8811, datë 17.5.2001 (ndryshuar me ligjin nr. 9448, datë 5.12.2005) “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Alma Faskaj (Vokopola)
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)