1Këshilli i Lartë Gjyqësor mblidhet sa herë është e nevojshme, por jo më pak se 1 herë në muaj.
2Kryetari i Këshillit vendos për datën dhe orarin e mbledhjeve.
3Kryetari mund të thërrasë mbledhje të tjera kur ai vlerëson se ato janë të nevojshme për veprimtarinë e Këshillit.
4Mbledhja e Këshillit mund të thirret edhe me kërkesën e jo më pak se 3 anëtarëve të Këshillit, të cilët përcaktojnë në kërkesë edhe çështjet që do të diskutohen në mbledhje. Kryetari vendos datën dhe orarin e mbledhjes jo më vonë se 7 ditë nga dita e paraqitjes së kërkesës.
5Kryetari siguron respektimin e procedurave për njoftimin me shkrim të çdo anëtari jo më vonë se 7 ditë përpara çdo mbledhjeje të Këshillit.
6Njoftimi shoqërohet me rendin e ditës, projektvendimet që propozohet të merren gjatë mbledhjes, së bashku me çdo të dhënë, projektakt, këshillë ligjore, si dhe çdo informacion apo dokument tjetër, i cili do të merret në shqyrtim në mbledhje apo i cili u shërben diskutimeve në mbledhje.
7Rregullat e parashikuara në pikën 6, të këtij neni, nuk përbëjnë pengesë për të miratuar kërkesa për ndryshimin e përmbajtjes së një projektvendimi që shoqëron rendin e ditës.
8Çdo vendim i Këshillit, që përbën akt administrativ individual në lidhje me statusin profesional të gjyqtarëve të veçantë ose të zyrtarëve të veçantë të administratës gjyqësore, nënshkruhet nga çdo anëtar i pranishëm në mbledhje, siç është rënë dakord. Refuzimi i një anëtari për të nënshkruar përmbajtjen e vendimit nuk përbën shkak për pavlefshmërinë e aktit. Aktet e tjera nënshkruhen nga Kryetari i Këshillit.
9"Në rastet kur Këshilli merr vendime administrative individuale në lidhje me statusin profesional të gjyqtarëve të veçantë ose të zyrtarëve të veçantë të administratës gjyqësore, anëtari i mbetur në pakicë mund të kërkojë që opinioni i tij t’i bashkëngjitet vendimit të Këshillit. Në këtë rast, anëtari është përgjegjës për hartimin dhe dorëzimin e opinionit të pakicës brenda afatit të caktuar nga Këshilli për zbardhjen e vendimit. "