"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 113: Masa plotësuese për trajnim

Në mbështetje të nenit 112, pika 2, shkronja “a”, të këtij ligji, Këshilli mund të vendosë masën disiplinore plotësuese të ndjekjes së detyrueshme të trajnimeve profesionale të specifikuara, nëse shkelja e kryer mund të korrigjohet nëpërmjet pjesëmarrjes në programet e detyrueshme të trajnimit. Në këtë rast, në vendim përcaktohet përmbajtja dhe kohëzgjatja e programit të detyrueshëm të trajnimit.

Përmbajtja

    • Qëllimi i nenit 113 është të garantojë zbatimin e parimit të ligjshmërisë në procedimin disiplinor, pra të parashikimit të të gjitha rasteve që klasifikohen si masa disiplinore, sipas nenit 105 dhe 112 të këtij ligji. Gjithashtu, qëllimi i këtij neni është edhe të ofrojë mundësi alternative për riparimin e mangësive profesionale të magjistratit, nëse janë të tilla që mund të riaftësohen nëpërmjet kësaj mase plotësuese. Ky parashikim është në funksion të vendosjes së masave disiplinore proporcionale në raport me shkeljen, gjë e cila i shërben garantimit të ofrimit të një drejtësie cilësore dhe efektive nga magjistratë me integritet të lartë profesional (shih komentin e nenit 100).

    • Neni 113 është një prej dispozitave që përshkruajnë llojet e masave disiplinore plotësuese, të cilat janë vendosur te dispozitat e përgjithshme të pjesës V për “Përgjegjësinë disiplinore, civile dhe penale” të magjistratit. Ajo vjen e renditur pas nenit që parashikon masat disiplinore plotësuese (neni 112). Konkretisht në pikën 2 të tij sanksionohet se ndaj magjistratit, përveç masave të parashikuara në nenet 106-111 të këtij ligji, mund të vendosen edhe këto masa: a) ndjekja e detyrueshme e trajnimeve profesionale, si dhe b) largimi nga detyra e kryetarit. Masa e parë parashikohet më e detajuar në nenin 113, ndërsa masa e dytë plotësuese detajohet në nenin 114 të ligjit.

      1. Subjektet

       Lidhur me subjektet, neni 113 i kundrejtohet në mënyrë të shprehur, së pari Këshillave që në përfundim të procedimit disiplinor, krahas masave disiplinore të parashikuara në nenet 106-111, kanë të drejtë të japin edhe një prej masave plotësuese. Së dyti, ai i kundrejtohet edhe ILD-së, pasi bazuar në nenin 138 e në vijim bën hetimin disiplinor dhe propozon masën disiplinore nëse arrin në përfundimin se magjistrati ka kryer shkelje gjatë detyrës (neni 133, pika 3, shkronja “e” dhe neni 142, pika 3, shkronja “a” i ligjit). Së treti, dispozita ka për subjekt edhe vetë magjistratin, ndaj të cilit vendoset masa disiplinore plotësuese. Së fundmi, lidhur me subjektet, duhet evidentuar se neni 113 është i zbatueshme për të gjithë magjistratët, në të gjitha nivelet.

       

      1. Rëndësia dhe efekti i kësaj mase disiplinore

        Masa disiplinore plotësuese për trajnim ka si qëllim thelbësor jo thjesht të deklarojë përgjegjësinë disiplinore të magjistratit për shkak të shkeljes disiplinore që ai ka kryer, por fokusohet specifikisht te përmirësimi i nivelit të tij profesional. Duke mbajtur parasysh që trajnimi profesional, i bazuar në programe të detyrueshme për magjistratë të cilët rezultojnë se kanë kryer shkelje apo veprime jo në përputhje me ligjin për shkak të mangësive të tyre profesionale, mban parasysh kryesisht eliminimin e dobësive apo boshllëqeve që ka magjistrati, të cilat mund të sjellin pasoja negative për gjykimin dhe palët pjesëmarrëse në të. Gjithashtu, kjo masë ka si qëllim sigurimin apo forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për shmangien e mangësive që vijnë për shkak të mospërgatitjes së duhur profesionale të magjistratit. Së fundmi, kjo masë disiplinore ka edhe efekt parandalues të përgjithshëm ndaj magjistratëve të tjerë, duke dhënë mesazhin se trajnimi i vazhdueshëm i tyre është me rëndësi parësore për një sistem drejtësie efikas dhe profesional dhe si e tillë ajo asnjëherë nuk konsiderohet e tejkaluar apo e pavend.

       

      1. Kushtet e dhënies së kësaj mase

        Masa plotësuese për trajnim, nisur nga vetë titulli i saj, megjithëse parashikohet në grupin e masave disiplinore, nuk mund të jepet e shkëputur nga masat e tjera. Pra, Këshillat mund ta marrin këtë masë vetëm pasi të kenë vendosur një nga masat klasike disiplinore të parashikuara në nenin 105, me përjashtim të rastit kur ndaj magjistratit është vendosur masa e “shkarkimit nga detyra ose “vërejtje konfidenciale”. Pra, në rastet kur jepet masa më e lehtë ndaj magjistratit, nuk është konsideruar me vend të jepet edhe masa plotësuese për trajnim, gjë e cila është e kuptueshme pasi gjen zbatim parimi i proporcionalitetit të masës me qëllimin final. Ndërsa kur jepet masa e shkarkimit nga detyra çdo masë tjetër është e pakuptimtë, pasi në këtë rast vërtetohet përgjegjësia disiplinore e magjistratit për një shkelje shumë të rëndë, që e bën atë të papërshtatshëm ose të padenjë për të vazhduar ushtrimin e funksionit. Po kështu edhe në rastin e masës vërejtje konfidenciale, e cila i bëhet e ditur vetëm magjistratit për shkak të shkallës së ulët të shkeljes, e tillë që lidhet me sjelljen e papërshtatshme të magjistratit e pa shoqëruar me ndonjë pasojë të konsiderueshme. Në të gjitha rastet kur nga Këshillat jepen masa të tjera disiplinore, këta të fundit mund të vlerësojnë nëse shkelja ka ardhur apo jo (edhe) si pasojë e mangësive në formimin profesional të gjyqtarit, konstatim i cili e justifikon dhënien e masës plotësuese për trajnim.

       
      Fjalia e parë e nenit 113 parashikon kompetencën e Këshillit për të vendosur masën disiplinore të ndjekjes së detyrueshme të trajnimeve profesionale të specializuara. Nisur nga përmbajtja e saj, rezulton se ILD-ja dhe Këshilli, pavarësisht diskrecionit që kanë përkatësisht për të propozuar dhe vendosur masën plotësuese për trajnim, duhet të hetojnë dhe vlerësojnë sa reale është nevoja për trajnim profesional të detyrueshëm dhe a mund të shmangen mangësitë profesionale me anë të trajnimit të detyrueshëm apo jo. Nëse nga hetimi i ILD-së dhe vlerësimi i mëtejshëm i Këshillit rezulton se magjistrati ka “paaftësi të rëndë dhe të dukshme”, gjë e cila është e pamundur të ndreqet me anë të trajnimit të detyrueshëm profesional dhe të specializuar, atëherë në këtë rast, kjo masë jo vetëm që nuk mund të jepet, por duhet vlerësuar nëse është rasti për të propozuar/vendosur ndaj magjistratit shkarkimin nga detyra, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 111. Kjo dispozitë e lidh masën e shkarkimit me hipotezën kushtetuese “shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit/prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës” të parashikuara nga nenet 140, pika 2, shkronja “a” dhe 148/d, pika 2, shkronja “a” të Kushtetutës. Termat “e rëndë” dhe e “dukshme” tregojnë shkallën më të rëndë të paaftësisë, që e bën të papërshtatshëm magjistratin për të ushtruar funksionin. Rasti më i zakonshëm i verifikimit të aftësive profesionale të papërshtatshme për pozicionin ka lidhje me hetimin disiplinor të magjistratit nga ILD-ja bazuar në raportin e vlerësimit profesional dhe etik të miratuar nga Këshilli për magjistratin. Kjo është arsyeja, që neni 95, pika 6 e këtij ligji, që përshkruan vendimin e Këshillit për vlerësimin profesional dhe etik të magjistratit, përcakton shprehimisht se kur magjistrati ose kryetari vlerësohet “i pamjaftueshëm” (që është niveli më i ulët i vlerësimit), atëherë Këshilli i dërgon raportin e vlerësimit ILD-së.

       Masa plotësuese për trajnim e parashikuar nga neni 113 i ligjit për statusin është e ngjashme me masën e parashikuar nga neni 58, pika 1, shkronja “b” i ligjit nr. 84/2016Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” (më poshtë: ligji për rivlerësimin), i cili parashikon si një nga masat disiplinore edhe ndjekjen e detyrueshme të programit të trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës. Kjo masë jepet nga komisioni i pavarur i kualifikimit nëse konstatohet se subjekti ka treguar cilësi të papranueshme në punë, gjykim të dobët, nuk ka respektuar palët ose viktimat, nuk është efektiv, por jo në atë shkallë saqë trajnimi i detyrueshëm është joefektiv për ta mënjanuar këtë nivel joprofesional të magjistratit[1]. Një masë e tillë ka për qëllim mbajtjen e magjistratit brenda sistemit të drejtësisë me kusht që ai të mënjanojë mangësitë profesionale të evidentuara gjatë ushtrimit të detyrës[2].

       Kjo dispozitë në mënyrë të tërthortë detyron Shkollën e Magjistraturës për të hartuar dhe ofruar trajnime specifike sipas tematikave të ndryshme për kategorinë e magjistratëve ndaj të cilëve merret masa plotësuese për trajnim. Në përfundim të këtij trajnimi, Shkolla bën edhe vlerësimin e saj, mbi bazë të të cilit këshilli vendos nëse magjistrati është apo jo i përshtatshëm për të ushtruar detyrën[3].

       Fjalia e dytë e nenit 113 parashikon që në vendimin e Këshillit për dhënien e kësaj mase duhet të bëjë pjesë edhe përmbajtja dhe kohëzgjatja e programit të detyrueshëm të trajnimit. Këtu mund të ngrihen disa çështje, si p.sh.: “Sa shterues duhet të jetë programi ose përmbajtja e trajnimit? Mjafton vetëm përcaktimi i profilit të fushës së të drejtës apo nevojiten përcaktime më të detajuara? A ka kufij për kohëzgjatjen? Është e detyrueshme që magjistrati të japë provim në përfundim apo masa quhet e kryer edhe nëse ai është i pranishëm gjatë gjithë kohës në kurs? A duhet të kufizohet programi trajnues në njohuritë dhe aftësitë profesionale (lëndore) apo të ketë për objekt edhe aftësitë sociale (p.sh., një kurs trajnimi për parandalimin e korrupsionit apo etikën në marrëdhënie me palët? Referuar kompetencave për hartimin dhe organizimin e trajnimit vazhdues, pjesë e të cilit është edhe trajnimi i detyruar si masë disiplinore plotësuese, Shkolla e Magjistraturës dhe Këshillat duhet të miratojnë edhe programin përkatës për këtë rast (shih nenin 272 të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”). Programi i detyruar që do të ndjekë magjistrati duhet të jetë i lidhur ngushtë me mangësitë e konstatuara gjatë inspektimit të zhvilluar nga ILD-ja, të cilat duhet të gjejnë pasqyrim në vendimin e Këshillave nëse jepet kjo masë. Lidhur me kohëzgjatjen vlen të theksohet se neni 150, pika 2, shkronja “a” përcakton afatin e shuarjes dhe fshirjes nga regjistri disiplinor i masës së trajnimit të detyrueshëm, i cili është dy vjet. Nga kjo nënkuptojmë që programi i trajnimit duhet të realizohet brenda këtij harku kohor dhe nuk mund të shtrihet si kohëzgjatje më tej. Megjithatë, kohëzgjatja e trajnimit duhet të jetë në raport të drejtë jo vetëm me mangësitë e konstatuara, por edhe me funksionimin sa më efektiv të sistemit të drejtësisë për të mos penguar gjykimin e çështjeve tej afatit të arsyeshëm.

       

      [1] Shih vendimin nr.187, datë 24.7.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

      [2] Shih procesverbalin e komisionit ad hoc për reformën në sistemin e drejtësisë, datë 23.9.2016, ku është diskutuar mbi masat disiplinore të parashikuara në projektligjin për statusin.

      [3] Shih për më tepër edhe Komentarin mbi Reformën Kushtetuese në Sistemin e Drejtësisë 2016, fq. 567.

    • Në Shqipëri, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, sanksionet disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve përcaktoheshin nga ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH”, i ndryshuar dhe ligji nr.  8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH”, i ndryshuar. Kështu në nenin 33, pika 2, të ligjit nr. 9877/2008 listoheshin gjithsej 5 masa, ndër të cilat nuk bënte pjesë ndonjë masë e ngjashme me trajnimin e detyrueshëm.

    • Asnjë koment
    1. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore te Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, dhe Opinioni nr. 3(2002) i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, mbi rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën.

     

    1. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Europianë në Opinionin nr. 3(2002) ka sjellë në vëmendje të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës parimet dhe rregullat që udhëheqin sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti ato për etikën, sjelljen e papajtueshme dhe të paanësisë. Në paragrafin 77, pika VI), ky opinion arrin në përfundimin se “sanksionet në dispozicion të një autoriteti të tillë në rast të shkeljes së provuar duhet të përcaktohen, sa më shumë të jetë e mundur në kushte specifike, nga statuti apo karta themelore e gjyqtarëve, si dhe duhet të zbatohen në mënyrë proporcionale”.

     

    1. Një nga parimet e Bangalorit për Sjelljen Gjyqësore 2010, është kompetenca dhe përgjegjshmëria, sipas të cilit gjyqtari duhet të jetë i përkushtuar si ndaj funksioneve gjyqësore dhe vendimmarrjes, ashtu edhe ndaj detyrave të tjera të lidhura me funksionin e gjyqtarit ose veprime të tjera brenda gjykatës[1]. Gjyqtari është përgjegjës për administrimin efikas të drejtësisë brenda gjykatës së tij, i cili konsiston jo vetëm në zhvillimin e seancave gjyqësore dhe marrjen e vendimeve[2].

     

    1. Rrjeti Evropian i Këshillave të Gjyqësorit, Standardet Minimale Gjyqësore V: Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve, 5 Qershor 2015 (Versioni në gjuhën angleze https://www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf;

     

    1. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Europianë, Opinioni nr. 3(2002) për rregullat dhe parimet e qeverisjes së sjelljes profesionale të gjyqtarëve, veçanërisht etikës, paanshmërisë dhe papajtueshmërisë me detyrën i Këshillit (Versioni në gjuhën angleze https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CCJE(2002)OP3&Sector=secDGHL&Language=lanEnglish&Ver=original&BackColorInternet=FEF2E0&BackColorIntranet=FEF2E0&BackColorLogged=c3c3c3&direct=true.

     

    1. Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës, Rekomandimi nr. (2010)12 për shtetet anëtare për gjyqtarët: pavarësia, eficenca dhe përgjegjësitë (Versioni në gjuhën angleze https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CM/Rec(2010)12&Language=lanEnglish&Ver=original&BackColorInternet=C3C3C3&BackColorIntranet=EDB021&BackColorLogged=F5D383&direct=true , vizituar për herë të fundit më 28.1.2018).

     

    1. Këshilli i Europës, mbledhja shumëpalëshe mbi statutin e gjyqtarëve në Europë, Karta europiane për statusin e gjyqtarit, (versioni në gjuhën angleze

    https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&id=1766485&direct=true.

     

    1. Komiteti i Ekspertëve me Gjyqtarë dhe Prokurorë, Projekt parimet mbi pavarësinë e gjyqësorit (Parimet e Sirakuzës), 1981 (versioni në gjuhën angleze http://www.cristidanilet.ro/docs/Siracusa%20Principles.pdf.

     

    [1] Shih parimin 6, nënpikën 6.2 të Parimeve të Bangalorit.

    [2] UN Basic Principles on the Independence of the Judiciary, Principle 17. The Universal Charter of the Judge, art. 11. Recommendation CM/Rec (2010) 12 of the Committee of Ministers to Member States on Judges: Independence, Efficiency and Responsibilities, at § 69. CCJE Opinion No. 3 to the Attention of the Committee of Ministers of the Council of Europe on the Principles Governing Judges’ Professional Conduct, in particular Ethics, Incompatible Behaviour and Impartiality, at para 69. Measures for the Effective Implementation of the Bangalore Principles of Judicial Conduct, art. 15.

    1. Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf.

     

    1. Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf

     

    1. Procesverbali datë 24.6.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf.
    1. Kushtetuta:

    Neni 140, pika 1: “Gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 148/d, pika 1 “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 147/a, pika 1, shkronja “b” “KLGJ ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”; neni 149/a, pika 1, shkronja “b” “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve”; neni 147/d, pika 1 “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë  të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”.

     

    1. Ligji për Statusin: neni 95; neni 100; neni 105; neni 112; neni 115; neni 133, pika 3 shkronja “e”.

    Ligji nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”: neni 58, pika 1, shkronja “b”.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
    1. Komentar mbi Reformën Kushtetuese në Sistemin e Drejtësisë 2016. Botuar nga ISPL dhe Fondacioni Soros, Tiranë, (2019).
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi