"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 117: Afatet e parashkrimit

1. Shkeljet disiplinore parashkruhen brenda pesë vjetëve. Nëse një ankesë, sipas nenit 119, të këtij ligji, paraqitet pas 5 vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk verifikon ankesën për shkak të parashkrimit. Nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë merr të dhëna, sipas nenit 124, të këtij ligji, pas 5 vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar, ai nuk fillon hetimin për shkak të parashkrimit.

2. Afati i parashkrimit fillon nga momenti kur shkelja e pretenduar është kryer.

3. Nëse magjistrati kryen shkelje tjetër të së njëjtës natyrë brenda afatit të parashkrimit, afati zgjatet deri në një vit.

4. Pavarësisht parashikimeve të pikave 1 dhe 3, të këtij neni, për shkeljet disiplinore që përbëjnë njëkohësisht vepra penale, afatet e parashkrimit përllogariten sipas parashikimeve të Kodit Penal, vetëm nëse në këtë Kod parashikohen afate parashkrimi më të gjata se pesë vjet.

Përmbajtja

      1. Neni 117 rregullon institutin e parashkrimit shues të procesit disiplinor, duke synuar të garantojë parimin e sigurisë juridike në fushën e përgjegjësisë disiplinore të magjistratëve. Qëllimi i kësaj norme mund të shpjegohet në dy perspektiva. Nga perspektiva e interesit publik, rregullat e parashkrimit nxisin organet disiplinore të reagojnë dhe të veprojnë në kohën e duhur të përcaktuar nga ligji, për të identifikuar shkeljen disiplinore, për të grumbulluar provat e nevojshme dhe për të filluar hetimin disiplinor ndaj magjistratit. Kur organet disiplinore veprojnë në kohën e duhur, i shërbejnë interesit publik sepse shkelja disiplinore është ende aktuale dhe provat, që e dokumentojnë atë janë në nivel cilësor, të padëmtuara apo të pazbehura për shkak të kalimit të kohës. Në këtë mënyrë, afati i parashkrimit shërben si pasojë ndëshkuese për neglizhencën në përmbushjen e detyrave nga organet disiplinore. Nga perspektiva e magjistratit që ka kryer shkeljen, rregullat e parashkrimit synojnë të zgjidhin konfliktin me anë të mbylljes së procedimit disiplinor, për shkak të kalimit të kohës. Në këtë mënyrë, koha e gjatë e kaluar nga shkelja ka shërbyer si një lloj sanksioni ndaj magjistratit, pritshmëria e të cilit ka qenë konstante për fillimin e procesit disiplinor ndaj tij, si një gjendje ankthi e vijueshme.
      1. Neni 117 është listuar i pari në Kreun II të Pjesës V “Procedurat hetimore” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSh” (Ligji për Statusin). Kjo normë në përmbajtje jep kohën e parashkrimit dhe pasojat e tij (pika 1), mënyrën e llogaritjes (pika 2), zgjatjen e afatit të parashkrimit (pika 3), si dhe kohën e ndryshme të parashkrimit, kur shkelja disiplinore përbën njëherazi edhe vepër penale (pika 4). Për shkak të vendosjes sistematike të kësaj norme, parashkrimi shues pengon procedurën hetimore, pavarësisht fazës se ku gjendet procedimi (në shqyrtim fillestar, në verifikim, në hetim disiplinor apo gjatë procedimit përpara Këshillit). Ndonëse, në pikën 1 të nenit 117 evidentohen vetëm fazat e verifikimit dhe të fillimit të hetimit, të cilat pengohen nga parashkrimi, në të vërtetë në vijim të Ligjit për Statusin, parashkrimi përmendet si rrethanë që pengon ecurinë e procedimit në çdo fazë (neni 134 pika 1 shkronja ‘c’ urdhëron mbylljen e hetimit nga ILD për shkak të parashkrimit dhe neni 139 pika 1 shkronja ‘a’ urdhëron mbylljen e procedimit disiplinor pa seancë dëgjimore nga Këshilli për shkak të parashkrimit).
      1. Parashkrimi shuan të drejtën e organit disiplinor të hetojë dhe të japë vendim për masë disiplinore ndaj magjistratit për shkak të kalimit të një kohe të gjatë nga koha e kryerjes së shkeljes disiplinore. Kjo shuarje e të drejtës për të vepruar me procedimin disiplinor vjen për shkak të mosveprimit, brenda një periudhe të caktuar kohore, të titullarit të kësaj të drejte – organit disiplinor, për të ushtruar këtë të drejtë, e cila për shkak të kalimit të kohës e ka humbur aktualitetin dhe rëndësinë e saj. Në këtë mënyrë, parashkrimi shues tregon se organi disiplinor ka dështuar për të ushtruar në kohën e duhur, se ndjekja e shkeljes disiplinore nuk ka më interes dhe nuk është efektive (në drejtim të interesit publik, të kostove të burimeve njerëzore dhe financiare) dhe se për magjistratin që ka kryer shkeljen, koha e kaluar ka shërbyer si një sanksion i mjaftueshëm. Nga ana tjetër, duhet pranuar se pika e dobët e rregullave të parashkrimit qëndron në faktin që disa raste, të cilat në themelin e tyre janë dukshëm të bazuara apo që kanë sjellë pasoja të dëmshme tek të tretët, mbeten të paproceduara. Sistemi i parashkrimit është produkt i ndërthurjes së dy lloj politikave konkurruese: atyre që mbështesin shuarjen e pretendimeve që iu ka kaluar koha me ato që inkurajojnë zgjidhjen e të gjitha pretendimeve, pavarësisht nëse janë në kohën e duhur ose jo, në themelin e tyre. Një kuptim i plotë i të dy lloj politikave është i vlefshëm për të gjithë pjesëmarrësit në sistemin ligjor[1].

       

      1. Në pikën 1 të nenit 117 parashikohet se afati i parashkrimit për shkeljet disiplinore është 5 vjet, i cili mund të jetë i plotësuar në kohën e paraqitjes së parashkrimit ose mund të plotësohet gjer në ditën kur vendoset fillimi i hetimit disiplinor (shih komentin në pikën 11 të këtij neni). Nëse vërtetohet se nga koha e kryerjes së shkeljes kanë kaluar 5 vjet, atëherë procedura disiplinore nuk mund të vijojë më. Përjashtimisht, nga ky rregull i përgjithshëm, koha e parashkrimit është 6 vjet kur zbulohet një shkelje tjetër disiplinore e natyrës së ngjashme, si dhe më e lartë se 5 vjet, kur shkeljet disiplinore përbëjnë edhe vepër penale, ndjekja penale e të cilës ka një afat parashkrimi më të lartë se 5 vjet (shih komentet në pikat 13 – 15 të këtij neni).

       

      1. Në kushtet kur parashkrimi është një afat, është me vlerë të thuhet se bëhet fjalë për afat të prerë, me pasojë humbjen e të drejtës për ndjekjen disiplinore të magjistratit. Kuptimi i afateve të prera është i njëjtë në çdo degë të të drejtës procedurale (administrative, penale apo civile). Afatet e prera janë ato që parashikojnë përmbushjen e një akti brenda dhe jo më tej një periudhe kohore, me mbarimin e të cilës kalohet në dekadencë[2]. Karakteristikë e tyre është parashikimi taksativ nga ligji, i cili mund ta vendosë një afat të tillë me shprehjen “afat i prerë” ose duke parashikuar shprehimisht humbjen e të drejtës, që ushtrohet brenda afatit.

       

      1. Ndonëse shkaku ligjor për përfundimin e procedurës disiplinore është i njëjtë: “parashkrimi i shkeljes disiplinore”, emërtimi i vendimeve dhe baza e tyre ligjore janë të ndryshme. Ndryshimi i parë lidhet me organin, që ka kompetencën për të vendosur përfundimin e procedurës disiplinore. Në këtë pikëpamje, kompetencën e ka organi disiplinor, ku ndodhet dosja me materialet e procedurës disiplinore. Nëse parashkrimi vërtetohet se është plotësuar gjatë hetimit disiplinor, atëherë vendos Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD), ndërsa nëse ky fakt vërtetohet pas fillimit të procedimit disiplinor, atëherë vendos Këshilli i Lartë përkatës.

       

      1. Në varësi të fazës, ku gjendet shqyrtimi i ankesës nga ILD, vendimet për përfundimin e procedurës disiplinore emërtohen ndryshe dhe kanë bazë ligjore të ndryshme procedurale. Nëse fakti i kalimit të afatit 5 vjeçar vërtetohet që në momentin e parë të paraqitjes së ankesës, atëherë ILD është i detyruar të vend ose arkivimin e ankesës pas shqyrtimit fillestar të ankesës bazuar në nenet 117 pika 1 dhe 121 pika 2 shkronja a) të Ligjit për Statusin me arsyetimin se ankesa nuk është e pranueshme për shkak se nuk përmbush kriterin e pranueshmërisë “për t’iu referuar fakteve që kanë ndodhur brenda afatit të parashkrimit për hetimin disiplinor” të përcaktuar në nenin 120 pika 1 shkronja b) të Ligjit për Statusin.

       

      1. Mund të ndodhë, që koha e kryerjes së shkeljes të mos jetë e qartë dhe kjo situatë, i jep shkas ILD të procedojë me vendim për verifikimin e ankesës, duke ndjekur rregullat e nenit 122 për të vlerësuar nëse ka vend për të zbatuar rregullat e parashkrimit ose jo. Nëse në përfundim të procesit të verifikimit, vërtetohet se nga koha e kryerjes së shkeljes kanë kaluar 5 vjet, atëherë ILD është i detyruar të vendosë arkivimin e ankesës pas verifikimit të ankesës bazuar në nenin 117 pika 1 të Ligjit për Statusin me arsyetimin se ankesa nuk përmbush kriterin për të filluar hetimin disiplinor “për t’iu referuar fakteve që kanë ndodhur brenda afatit të parashkrimit për hetimin disiplinor” të përcaktuar në nenin 120 pika 1 shkronja b) të Ligjit për Statusin.

       

      1. Një rast i tretë për të nxjerrë vendim nga ILD është shkak të parashkrimit, është atëherë kur koha e parashkrimit nga kryerja e shkeljes vërtetohet se është plotësuar gjatë hetimit disiplinor. Në këtë rast, ILD është i detyruar të vendosë mbylljen e hetimit disiplinor bazuar në nenin 134 pika 1 shkronja c) të Ligjit për Statusin, me arsyetimin se provat e mbledhura dhe rezultatet e hetimit të çojnë drejt përfundimit se çështja është parashkruar në kohën kur ka filluar hetimi, për shkak të kalimit të afateve.

       

      1. Plotësimi i afatit të parashkrimit mund të vërtetohet pas momentit kur ILD fillon procedimin disiplinor, duke paraqitur raportin e hetimit së bashku me dosjen hetimore në Këshillin përkatës. Në këtë rast, Këshilli përkatës vendos mbylljen e procedimit disiplinor pa seancë dëgjimore bazuar në nenin 139 pika 1 shkronja a) me arsyetimin se shkelja disiplinore është parashkruar në kohën kur ka filluar hetimi.

       

      1. Pika 2 e nenit 117 rregullon përllogaritjen e afatit të parashkrimit vetëm për pikën e fillimit, duke heshtur për pikën e fundit të tij. Pika e fillimit të afatit të parashkrimit është koha e shkeljes disiplinore. Përcaktimi i kohës së shkeljes është i thjeshtë, kur shkelja është e atëçastme, që konsiston në një akt të vetëm. Ndërsa kur bëhet fjalë për shkelje të vazhdueshme, atëherë si kohë e shkeljes konsiderohet dita e fundit e saj, që është çasti i fundit kohor i gjendjes së paligjshme. Lidhur me pikën e fundit të afatit të parashkrimit, vlejnë nenet 120 pika 1 shkronja b), 134 pika 1 shkronja c dhe 139 pika 1 shkronja a). Përmbajtja e këtyre tre dispozitave ka të njëjtin koncept për kohën e përfundimit të afatit të parashkrimit – atë të fillimit të hetimit disiplinor të shkeljes, që nuk është gjë tjetër veçse dita kur nxirret vendimi nga ILD për fillimin e hetimit disiplinor me ankesë sipas nenit 123 apo për fillimit të hetimit disiplinor me iniciativën e ILD-së sipas nenit 124 të Ligjit për Statusin.

       

      1. Për mënyrën e përllogaritjes së afateve, zbatohet edhe pika 3 dhe 4 e nenit 56 i KPA.

       

      1. Në pikën 3 të nenit 117 përcaktohet afati 6 vjeçar i parashkrimit, si rast përjashtimor kur magjistrati kryen shkelje tjetër disiplinore. Afati i parashkrimit bëhet 6 vjet me plotësimin e dy kushteve: (i) kushti i parë është që magjistrati të kryejë një shkelje tjetër disiplinore të të njëjtës natyrë. Në këtë rast, duhet bërë kujdes për të identifikuar që bëhet fjalë për shkelje tjetër me të njëjtën natyrë[3], që ka qëllim të ndryshëm dhe qëndron e mëvetësishme nga shkelja disiplinore, me të cilën po krahasohet (shih komentin në pikën 28 të nenit 115 të Ligjit për Statusin). Në të kundërt, nëse fakti tjetër është pjesë e një shkeljeje vazhduese, atëherë ky rregull nuk zbatohet dhe afati i parashkrimit fillon të ecë nga koha e aktit të fundit të shkeljes disiplinore; (ii) kushti i dytë është që koha e shkeljes tjetër duhet të jetë brenda afatit 5 vjeçar të parashkrimit, që nënkupton se shkelja tjetër është kryer më vonë në kohë. Ky përjashtim i afatit të parashkrimit lidhet me natyrën komplekse që mbart një procedim i tillë, që në thelb kërkon veprime të dyfishta të organeve disiplinore për të identifikuar saktë shkeljet dhe për të grumbulluar provat e nevojshme. Situata më e zakonshme që mund të kërkojë zbatimin e këtij rregulli, është ajo kur organi disiplinor ka filluar hetimin e shkeljes së dytë disiplinore dhe gjatë hetimit konstaton kryerjen e shkeljes së parë, që ka të njëjtën natyrë. Pikërisht natyra e njëjtë krijon lidhjen organike midis dy shkeljeve dhe justifikon një kohëzgjatje më të madhe të parashkrimit. Nëse do të mungonte kushti, që të dyja shkeljet të kenë të njëjtën natyrë, atëherë mund të krijoheshin situata abuzimi të papërshtatshme, ku organi disiplinor për të siguruar një afat më të gjatë parashkrimi, mund të shtonte objektin e hetimit disiplinor për shkelje të llojeve të tjera.

       

      1. Në pikën 4 të nenit 117 parashikohen afate të tjera parashkrimi, që zbatohen kur shkeljet disiplinore përbëjnë njëkohësisht edhe vepra penale. Në këtë rast, afatet e parashkrimit përllogariten sipas parashikimeve të Kodit Penal, vetëm nëse në këtë Kod parashikohen afate parashkrimi më të gjata se 5 vjet. Kjo do të thotë se nëse Kodi Penal vendos se vepra penale (faktet e të cilës janë në themel të shkeljes disiplinore) parashkruhet për një afat më të shkurtër parashkrimi se 5 vjet, atëherë afati i parashkrimit të shkeljes disiplinore është 5 vjet; nëse afati i parashkrimit për veprën penale është më i gjatë se 5 vjet, atëherë ky afat më i gjatë vlen edhe për shkeljen disiplinore. Aktualisht, afatet e parashkrimit të ndjekjes penale përcaktohen nga nenet 66 dhe 67 të Kodit Penal[4] si më poshtë:

      a) 40 vjet në rastin e krimeve që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm;

      b) 20 vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se 10 vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë;

      c) 10 vjet për krimet që parashikojnë dënim nga 5 gjer në 10 vjet burgim;

      ç) 5 vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në 5 vjet burgim ose gjobë;

      d) 3 vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në 2 vjet burgim;

      dh) 2 vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.

      e) asnjë afat për veprat penale të vrasjeve me dashje, duke përfshirë edhe vrasjet në rrethanat e cilësuara (nenet 76 - 79/c të Kodit Penal)

      ë) asnjë afat për krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit.

       

      1. Nga përmbajtja aktuale e Kodit Penal, është e qartë se afatet e parashkrimit të shkeljes disiplinore mund të shndërrohen, në varësi të faktit të shkeljes disiplinore, në 40 vjet, 20 vjet apo 10 vjet. Madje, mund të ndodhë që shkelja disiplinore të jetë edhe e paparash-krueshme fare, nëse faktet e shkeljes disiplinore përbëjnë vepra penale të paparashkrueshme (vrasjet me dashje, krimet e luftës apo kundër njerëzimit).

       

      1. Së fundmi, lidhur me afatet e parashkrimit duhet evidentuar situata kur shkelja është kryer përpara datës 22 nëntor 2016, kur ka hyrë në fuqi Ligji për Statusin dhe procedura disiplinore zhvillohet sipas rregullave të reja të Ligjit për Statusin. Kjo situatë hap debatin mbi natyrën e parashkrimit, nëse ai ka natyrë materiale apo procedurale dhe në varësi të natyrës së tij, veprojnë parimet e efektit prapaveprues dhe ligjit më të favorshëm.

       

      1. Studiuesit e të drejtës penale, në të cilën parashkrimi gjen zbatimin e tij më energjik, pranojnë se parashkrimi është një koncept i të drejtës materiale, megjithëse nuk mungon as ideja që për shkak të karakterit pengues që ai ka, parashkrimi duhet trajtuar si koncept i të drejtës procedurale[5]. Për diskutimin mbi këtë çështje ka vlerë Opinioni nr. 523/2009 “Komente mbi prapaveprueshmërinë e parashkrimit në Gjeorgji” i Komisionit të Venecias, i cili në paragrafin 11. 1&2 shprehet “Praktika gjyqësore e GJEDNj ka vendosur se, nëse ligji vendas i shtetit e trajton ligjin për parashkrimin më shumë si material se sa procedural, atëherë është e lejueshme të ndryshosh ligjin e parashkrimit për ta zgjatur afatin e parashkrimit me efekt prapaveprues për ato vepra penale ku afati i parashkrimit nuk është plotësuar në kohën e ndryshimit ligjor. GjEDNj nuk ka vendosur nëse një zgjatje prapavepruese është e lejueshme në rastet e krimeve ku periudha e parashkrimit ka përfunduar... Natyrisht, kjo nuk pengon një shtet të miratojë një ligj, sipas të cilit kalimi i afateve të parashkrimit i jep shkak të drejtave materiale në raport me të drejtat procedurale dhe në këtë rast, një zgjatje e afatit të parashkrimit me efekt prapaveprues nuk mund të lejohet”.

       

      1. Duke iu kthyer situatës së Ligjit për Statusin, konkludohet se sistemi shqiptar i përgjegjësisë disiplinore ka përkrahur traditën për ta konsideruar parashkrimin si institut të të drejtës materiale. Ky konkluzion mbështetet tek teksti i nenit 117 pika 1, që e lidh parashkrimin me shkeljen disiplinore, duke e përcaktuar si rrethanë që shkeljen disiplinore e bën të pasanksionueshme. Në të njëjtën linjë, nenet 121 pika 2 shkronja a), 134 pika 1 shkronja c) dhe 139 pika 1 shkronja a) të Ligjit për Statusin, e referojnë parashkrimin si rrethanë që nuk lejon vazhdimin e procedimit disiplinor. Në këtë mënyrë, Ligji për Statusin ka ndjekur modelin e degëve të tjera të së drejtës në Shqipëri, ku parashkrimi është përfshirë në ligjet materiale[6]. Një argument tjetër lidhet edhe me referencën që vetë neni 117 pika 1 e Ligjit për Statusin bën tek një ligj tjetër material – Kodi Penal. Si përfundim, meqë rregullat ligjore për parashkrimin e shkeljes disiplinore kanë natyrë materiale, atëherë bëhen të zbatueshme pikat 3 dhe 4 të nenit 172 të Ligjit për Statusin, sipas të cilave “3. Për shkeljet disiplinore të parashikuara sipas këtij ligji, që kanë ndodhur para hyrjes në fuqi të tij, dhe që parashikoheshin si të tilla në kohën e kryerjes së tyre, do të zbatohen dispozitat e këtij ligji, me përjashtim të parashikimeve të pikave 1 dhe 2 të këtij neni. 4. Organet kompetente për procedimin disiplinor zbatojnë parimin e ligjit më të favorshëm për magjistratin që ka kryer shkeljen disiplinore”.

       

      [1] Shih Tyler T. Ochoa and Andrew Wistrich, The Puzzling Purposes of Statutes of Limitation, 28 Pac. L. J. 453 (1997), në: http://digitalcommons.law.scu.edu/facpubs/81, versioni në gjuhën angleze vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 453-454. Në këtë artikull, shpjegohen me hollësi qëllimet që frymëzojnë rregullat mbi parashkrimin, të tilla si nxitja e qetësisë, minimizimi i dëmtimit të provave, barazia e palëve, nxitja e vlerave kulturore të përkushtimit në punë, inkurajimi i zbatimit në kohë të ligjit material, shmangia e zbatimit prapaveprues të standardeve bashkëkohore dhe ulja e volumit të konflikteve

      [2] Shih D. Siracusano, A. Galati, G. Tranchina dhe E. Zappalà, Diritto processuale penale, Volume Primo, (botimi I, Giuffrè Editore, 2004), faqe 283 

      [3] Natyra e njëjtë e shkeljes lidhet me tipologjinë e sjelljes dhe emrin ligjor të saj, por në thelb qëllimi i kryerjes së shkeljeve, koha e tyre dhe pasojat e tyre janë të veçanta

      [4] Afatet e parashkrimit të nenit 66 të Kodit Penal ndryshuan me ligjin nr. 36/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal”, hyrë në fuqi më 21.05.2017, ku u zgjat afati për krimet e dënueshme me burgim të përjetshëm, si dhe u ndalua parashkrimi për veprat penale të parashikuara në nenet 76 – 79/c

      [5] Shih Vlado Kambovski, E drejta penale, Pjesa e Përgjithshme, Përkthyes Afrim Osmani dhe Ismail Zejneli), (Shtëpia Botuese “Furkan ISM”, Botimi I, Shkup, 2006) faqet 1066-167

      [6] Rastet me ilustruese lidhen me rregullat e parashkrimit në Kodin Civil, nenet 112-128, si dhe ato të parashkrimit në Kodin Penal, nenet 66-68.

      1. Në Shqipëri, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, instituti i parashkrimit të ndjekjes disiplinore ka qenë i rregulluar veçmas për gjyqtarët dhe për prokurorët në legjislacionin respektiv. Kështu, në nenin 34 pika 2 të ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh” parashikohej se fillimi i procedimit disiplinor mund të bëhet jo më vonë se 1 vit nga data e konstatimit të shkeljes nga organi që ka të drejtën për fillimin e këtij procedimi, por jo më vonë se 5 vjet nga data e kryerjes së shkeljes. Ndërsa në nenin 28 pika 2 fjalia e fundit të ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar, parashikohej se procedimi i prokurorit fillon kur nga çasti i vënies re të shkeljes nuk kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj dhe nga çasti i kryerjes së shkeljes nuk kanë kaluar më shumë se tre vjet. Siç konstatohet lehtësisht, rregullat e parashkrimit kishin natyrë procedurale sepse i referoheshin drejtpërdrejt veprimtarisë procedurale të organeve disiplinore. Një konstatim i dytë, lidhet me ndryshimin rregullator të procedimeve të gjyqtarëve ndaj atyre të prokurorëve, ku afatet për këta të fundit ishin më të shkurtra.

       

      1. Nga ana tjetër, instituti i parashkrimit disiplinonte me pasojë shuarjen e procedimit disiplinor edhe rastin kur veprimtaria e magjistratit ishte inspektuar, shkelja ishte zbuluar dhe dokumentuar, por organi disiplinor nuk merrte nismën për fillimin e procedimit disiplinor. Në këtë rast, ligji parashikonte se kjo situatë nuk mund të zgjaste më shumë se 1 vit ndaj gjyqtarit dhe më shumë se 6 muaj në rastin e prokurorit. Këto rregulla ishin të nevojshme, pasi organet që kishin nismën e procedimit disiplinor (Ministri i Drejtësisë në rastin e gjyqtarëve dhe Prokurori i Përgjithshëm në rastin e prokurorëve) nuk mbanin përgjegjësi disiplinore për detyrën e tyre, por përgjigjeshin politikisht përpara Kuvendit. Me Ligjin për Statusin nuk u përkrah ideja për të patur një afat disiplinues parashkrimi të kësaj natyre, duke vlerësuar se veprimtaria e organit disiplinor ILD, duke përfshirë edhe llogaridhënien e tij, rregullohet në mënyrë të qartë dhe të plotë nga ligji.

       

      1. Rëndësia e afateve të parashkrimit të ndjekjes disiplinore është vënë në dukje edhe nga Gjykata e Lartë përgjatë shqyrtimit të disa çështjeve gjyqësore. Kështu, Kolegji Administrativ i kësaj Gjykate është shprehur se “afati 1 vjeçar i parashikuar nga ligjvënësi ne nenin 34 pika 2 të ligjit nr. 9877/2008, (nga momenti i konstatimit te shkeljes) është afati maksimal i lejueshëm, lidhur me një shkelje disiplinore të konstatuar në punën e gjyqtarit. Ky afat 1 vjeçar është caktuar nga ligjvënësi si afati maksimal brenda të cilit organi që ka nismën disiplinore, Ministri i Drejtësisë të fillojë procedimin disiplinor. Këtij të fundit nuk i është dhënë diskrecion i pakufizuar për të vijuar ose jo me inspektimet, për të filluar ose jo nismat disiplinore dhe për të gjykuar propozimin për masa disiplinore kur ato ta çmojnë të arsyeshme. Respektimi i këtij afati të parashikuar shprehimisht në ligj, jo vetëm është një detyrim ligjor për t’u zbatuar nga ana e këtyre organeve në kuadrin e zhvillimit të një procesi të rregullt administrativo-ligjor por është dhe një garanci për respektimin e parimit aq të rëndësishëm të sigurisë juridike në procedimin administrativ të gjyqtarit” dhe “në asnjë rast afati për shqyrtimin e kërkesave të këtij lloji, (aq më tepër kur bëhet për procedimin e gjyqtarëve), nuk mund të lihet në diskrecionin e organit procedues në mënyrë që ky i fundit ta shqyrtojë atë kur të dojë. Në rast se do të ndodhte një gjë e tillë do të kishim (i) një proces jo të rregullt ligjor, (ii) cenim të sigurisë juridike në veprimtarinë e gjyqtarit, (iii) marrjen e masave disiplinore jo efektive (iv) si dhe mundësinë e abuzimit apo presionit që mund të ushtrohej ndaj gjyqtarit nga organi procedues gjatë ushtrimit të detyrës së tij”[1].

       

      1. Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka vërejtur se “Afati 5-vjeçar i parashkrimit nga dita e kryerjes së shkeljes është tepër i gjatë… Afatet kohore, si periudhat e parashkrimit ose periudhat, brenda të cilave duhet të kryen veprimet dhe të merren vendime, nuk janë gjithmonë koherente ose mungojnë. Periudha e parashkrimit për inicimin e hetimeve disiplinore është përcaktuar me pesë vjet nga kryerja e shkeljes”[2]. Për t’iu përgjigjur kësaj problematike, Ligji për Statusin deklaron në relacionin shpjegues se “Procedura hetimore përcaktohet në mënyrë të qartë dhe të plotë në projektligj, duke parashikuar afatet e parashkrimit të hetimit të shkeljes disiplinore”[3]. E njëjta gjë është konfirmuar edhe në Raportin datë 03.10.2015 “Për projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSh”[4].

       

      1. Përmbajtja e nenit 117, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Statusin, është bërë objekt shqyrtimi edhe nga Gjykata Kushtetuese, me ankesë të Unionit të Gjyqtarëve, që pretendonte se neni 117 “nuk i kategorizon shkeljet disiplinore, por dispozita shton një rregull të ri që e zgjat afatin e parashkrimit me një vit kur gjyqtari kryen të njëjtën shkelje dhe nëse shkelja përbën vepër penale, afatet e parashkrimit llogariten sipas Kodit Penal. Edhe ky parashikim bie ndesh me nenin 17 të Kushtetutës, pasi afatet e parashkrimit për një shkelje disiplinore që nuk përbën vepër penale nuk mund të jenë më të gjata se ato që parashikon KP-ja në nenin 66, i cili i kategorizon afatet në varësi të rëndësisë së shkeljes penale”[5]. Në përgjigje të këtij pretendimi, Kuvendi i Shqipërisë prapësoi se “Qëllimi dhe afatet e parashkrimit synojnë mbrojtjen e të dënuarit. Për shkeljet disiplinore afati i parashkrimit është 5 vjet, thuajse sa në shumicën e vendeve europiane apo edhe në Gjeorgji. Madje në Austri kuadri ligjor nuk parashikon afat të tillë”[6]. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi pretendimin për antikushtetutshmërinë e nenit 117 të Ligjit për Statusin, me arsyetimin se pretendimet “nuk janë ngritur në nivel kushtetues, për rrjedhojë nuk mund të vijojë me analizën e mëtejshme të tyre”[7].

       

      1. Si përfundim, mund të thuhet se me Ligjin për Statusin, instituti i parashkrimit të shkeljeve disiplinore ka pësuar ndryshime thelbësore. Së pari, rregullat kanë marrë natyrë materiale, duke lejuar në këtë mënyrë zbatimin e parimit të efektit prapaveprues dhe më favorizues. Së dyti, rregullat janë unifikuar për gjyqtarët dhe për prokurorët, ku për këta të fundit afatet e parashkrimit janë zgjatur ndjeshëm. Së treti, rregullat e reja lejojnë hetimin disiplinor në afate më të gjatë, kur magjistrati kryen një shkelje tjetër disiplinore apo kur shkelja disiplinore përbën edhe vepër penale, ndjekja e së cilës ka afat më të gjatë se 5 vjet.

       

      [1]Shih vendimin nr. 343, datë 08.06.2016 të Kolegjit Administrativ, N. Pengili k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore, paragrafët 23 dhe 28, si dhe vendimin nr. 590, datë 20.12.2016 të Kolegjit Administrativ, E. Hoxha k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore, paragrafi 16. Në të njëjtën linjë është edhe arsyetimi i vendimit nr. 266, datë 05.05.2015 të Kolegjit Administrativ, E.Tahiri k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore, dy paragrafët e fundit të arsyetimit

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 73

      [3] Shih Relacionin shoqërues në http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 13, paragrafi 4, fjalia 2

      [4] Shih Raportin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, të datës 03.10.2016 “Për projektligjin ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/raporti_i_komisionit_te_posacem1.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 20, pika 4.6.3 Procedurat hetimore të shkeljeve disiplinore dhe respektimi i procesit të rregullt ligjor, paragrafi 2 fjalia 1

      [5] Shih vendimin nr. 34, datë 10.04.2017, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin, paragrafi 3.3.8.4

      [6] Ibid, paragrafi 4.8

      [7] Ibid, paragrafët 118 dhe 120

      1. Një prej dokumenteve bazë ndërkombëtare të përdorura në hartimin e rregullave për procedimin disiplinor, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, është Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, Hagë, 5 Qershor 2015. Ky Raport, ndër të tjera, shpjegon: “Lidhur me paraqitjen e një ankese do të ishte e padrejtë për një gjyqtar që të mungonte shpejtësia. Duhen caktuar afate kohore për të garantuar sigurinë juridike. Në disa vende, si Danimarka, Anglia dhe Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Irlanda, ka një pushtet të kufizuar për të zgjatur afatin kohor në rrethana përjashtimore. Në diskutimin nëse duhet të ekzistojë e drejta për të zgjatur afatet kohore, pati mendime të ndryshme. U ra dakord që çdo zgjatje e afatit duhet të lejohet vetëm në rrethana përjashtimore”[1]. Ky diskutim i Ekipit të Projektit që ka hartuar këtë dokument është përkthyer më pas në standardin nr. 8, me këtë përmbajtje: “Për paraqitjen e një ankese duhet të ketë një afat, i cili duhet të zgjatet vetëm në rrethana përjashtimore”[2].

       

      [1] Shih Raportin e ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, 5 Qershor 2015, në

      https://www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 29, paragrafi 2

      [2] Shih Raportin (nr. 14), faqe 40

  • Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    Komisioni i Venecias: “Komente mbi prapaveprueshmërinë e parashkrimit në Gjeorgji”, 523, 2009) (versioni në gjuhën angleze

    http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL(2009)048-e, vizituar për herë të fundit në datën 18.05.2017)

     

    Rrjeti Evropian i Këshillave të Gjyqësorit, Standardet Minimale Gjyqësore V: Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve, 5 Qershor 2015 (Versioni në gjuhën angleze http://www.csm1909.ro/csm/linkuri/14_12_2015__77735_ro.pdf , vizituar për herë të fundit në datën 17.05.2017)

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017. 

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , vizituar për herë të fundit më 17.05.2017 

    Raporti i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, datë 03.10.2016 për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/raporti_i_komisionit_te_posacem_parlamentar1.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017

  • Kushtetuta: 

    Neni 140 pika 1 “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; 

    Neni 148/d pika 1 “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; 

    Neni 147/a pika 1 shkronja b) “KLGj ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”; 

    Neni 149/a pika 1 shkronja b) “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve”; dhe 

    Neni 147/d pika 1 “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë  të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”. 

     

    Ligji: 

    Neni 120 pika 1 shkronja b), neni 121 pika 2 shkronja a), neni 122, neni 134 pika 1 shkronja ‘c’, neni 139 pika 1 shkronja a), neni 172 pikat 3 dhe 4 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSh”; 

    Neni 56 i Kodit të Procedurave Administrative; 

    Nenet 66 dhe 67 të Kodit Penal.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendimi nr. 34, datë 10.04.2017, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin;

    Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendimi nr. 266, datë 05.05.2015 i Kolegjit Administrativ, E. Tahiri k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore; 

    Vendimi nr. 343, datë 08.06.2016 i Kolegjit Administrativ, N. Pengili k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore; 

    Vendimi nr. 590, datë 20.12.2016 i Kolegjit Administrativ, E. Hoxha k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore.

  • Tyler T. Ochoa and Andrew Wistrich, The Puzzling Purposes of Statutes of Limitation, 28 Pac. L. J. 453 (1997), në: http://digitalcommons.law.scu.edu/facpubs/81, versioni në gjuhën angleze vizituar për herë të fundit më 17.05.2017 

    Vlado Kambovski, E drejta penale, Pjesa e Përgjithshme, Përkthyes Afrim Osmani dhe Ismail Zejneli), (Shtëpia Botuese “Furkan ISM”, Botimi I, Shkup, 2006) 

    D. Siracusano, A. Galati, G. Tranchina dhe E. Zappalà, Diritto processuale penale, Volume Primo, (botimi I, Giuffrè Editore, 2004),

  • Neni 34 pika 2 e ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”, i ndryshuar; 

    Neni 28 pika 2 fjalia e fundit të ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar.

Marsida Xhaferllari
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)