"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 118: Afatet e procedimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë vendos të arkivojë ankesën ose të fillojë hetimin për shkeljen e pretenduar, brenda tre muajve nga marrja e ankesës.

2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, brenda gjashtë muajve nga dita e marrjes së vendimit për fillimin e hetimit, fillon procedimin disiplinor duke i paraqitur Këshillit kompetent raportin e hetimit ose merr vendimin për mbylljen e hetimit.

3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të zgjasë afatin e hetimit, të parashikuar në pikën 2, të këtij neni, për tre muaj të tjerë në raste komplekse, për arsye të shtimit ose ndryshimit të objektit të hetimit, ose në rast sëmundjeje apo pamundësisë së magjistratit.

4. Në rastet kur, pas kalimit të afateve të parashikuara në pikat 2 ose 3, të këtij neni, dalin prova të reja, mbi bazën e të cilave ka shkaqe të arsyeshme të besohet se shkelja mund të ketë ndodhur, Inspektori i Lartë i Drejtësisë riçel hetimin, me kushtin që nuk janë parashkruar afatet, sipas përcaktimeve të pikave 1 dhe 4, të nenit 117, të këtij ligji.

5. Nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk zbaton afatet e parashikuara në pikat 1 deri në 4, të këtij neni, magjistrati ka të drejtën të ankimojë mosveprimin administrativ të tij te Këshilli përkatës.

Përmbajtja

      1. Neni 118 disiplinon sjelljen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), në funksion të kryerjes së veprimeve procedurale hetimore brenda afateve të caktuara nga ligji. Në këtë mënyrë synohet të garantohet procesi i rregullt ligjor i magjistratit brenda afateve të shpejta, duke shmangur edhe presionin e papërshtatshëm që ai mund të ndjejë në ushtrimin e detyrës për shkak të procedimit disiplinor. Nga ana tjetër, përmes afateve të caktuara për kryerjen e veprimeve nga ILD, garantohet interesi publik që institucionet publike të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre rregullisht sipas ligjit dhe që publiku të vihet në dijeni se ligji zbatohet dhe funksionon.

       

      1. Rëndësinë që organet disiplinore të veprojnë shpejt dhe brenda afateve të mirëpërcaktuara në rastin e gjyqtarëve, e ka vënë në dukje edhe Gjykata e Lartë, e cila është shprehur: “Është detyrim i organit administrativ (në mënyrë të veçantë i një organi të tillë siç është KLD që kontrollon dhe kërkon zbatimin e ligjit nga gjyqtarët) që të respektojë afatet dhe procedurat për shqyrtimin administrativ si pjesë e procesit të rregullt ligjor. Për më tepër, duke patur parasysh rolin e gjyqtarëve në shoqëri, kryerja sa më shpejt e procedimeve disiplinore ndaj tyre, ndikon në rritjen e besimit të publikut te drejtësia, në kushtet kur publiku informohet për masat e marra ndaj gjyqtarit të proceduar, brenda një afati të arsyeshëm nga data kur është paraqitur propozimi për procedimin disiplinor. E thënë ndryshe, një procedim disiplinor i propozuar nga Ministri i Drejtësisë ndaj një gjyqtari, humbet dhe vlerën dhe rëndësinë për publikun nëse shqyrtohet jashtë afateve të arsyeshme”[1].

       

      1. Afatet e nenit 118 mbajnë në konsideratë parësore mundësinë e organit displinor për të ushtruar funksionin në kryerjen e veprimeve procedurale gjatë procedurës hetimore, por gjithnjë pa anashkaluar edhe të drejtën e magjistratit për të patur një proces të rregullt ligjor, që është e papajtueshme me situatat e zgjatjes dhe të zvarritjes së procedurave.

       

      [1] Shih vendimin nr. 343, datë 08.06.2016 i Kolegjit Administrativ, N.Pengili k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore, paragrafi 29 dhe vendimin nr. 590, datë 20.12.2016 i Kolegjit Administrativ, E. Hoxha k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore, paragrafi 17

      1. Nga pikëpamja sistematike, neni 118 është listuar i dyti në Kreun II të Pjesës V “Procedurat hetimore”, menjëherë pas rregullave të parashkrimit shues të procesit disiplinor. Në këtë mënyrë, nxirret përfundimi se ILD është i detyruar që fazat e procedurës hetimore, të përshkruara në Kreun II, t’i përmbushë sipas rregullave mbi afatin të nenit 118, duke marrë masat për planifikimin e veprimeve të veçanta me afate të mirëpërcaktuara.

       

      1. Nga pikëpamja e strukturës, neni 118 është ndërtuar në 5 paragrafë, të cilët i japin zgjidhje afatit të shqyrtimit paraprak (pika 1), afatit të hetimit disiplinor (pika 2), rasteve përjashtimore të zgjatjes së afatit të hetimit disiplinor (pika 3), riçeljes së hetimit disiplinor (pika 4) dhe mbrojtjes së magjistratit në rastet e shkeljes së afateve të hetimit disiplinor (pika 5).
      1. Në procedimin administrativ të përgjegjësisë disiplinore të magjistratit, afati përcakton hapësirën kohore nga kryerja e një akti deri në kryerjen e aktit tjetër pasues të tij për procesin. Afati konceptohet në dy këndvështrime: së pari, nga këndvështrimi sasior ai tregon shumën e njësisë së kohës, e cila nevojitet të llogaritet përgjatë procedimit administrativ; dhe së dyti, nga këndvështrimi cilësor, ai tregon drejtësinë e procesit, pasi është pjesë e rëndësishme e procesit të rregullt ligjor, të mbrojtur nga neni 42 të Kushtetutës, neni 6 i KEDNj dhe neni 100 pika 1 shkronja a) të Ligjit për Statusin. Për rrjedhojë, mosrespektimi i afateve të caktuara nga neni 118 jashtë nivelit të arsyeshëm e shndërron procesin disiplinor në të parregullt dhe të cenueshëm në nivel kushtetues apo edhe në nivel të KEDNj-së. Për të kuptuar rëndësinë e zhvillimit shpejt të procedurës disiplinore vlen të kujtohet vendimi Mishgjoni k. Shqipërisë, 7 Dhjetor 2010, ku Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në paragrafin 60 arsyeton “Vonesa e përgjithshme prej pothuajse katër vjetësh e KLD-së për të rishqyrtuar rastin e kërkueses, nuk përmbushi kërkesën e “kohës së arsyeshme” sipas Konventës. Për pasojë, ka patur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës lidhur me gjatësinë e përgjithshme të procedurave të shkarkimit”[1].

       

      1. Duke analizuar natyrën e afateve të rregulluara nga neni 118 konstatohet se ato janë afate të zakonshme, që nënkupton se në rast të mosrespektimit të tyre, nuk preket vlefshmëria e aktit pasues të procedimit. Përkufizimi i afateve të zakonshme mund të huazohet nga doktrina e të drejtës procedurale gjyqësore, siç është edhe e drejta procedurale penale. Afatet e zakonshme fiksojnë një periudhë kohore, brenda të cilës duhet të përmbushet një akt, por pa sjellë pasojë, në planin e efikasitetit, tek akti që realizohet pas përfundimit të këtyre afateve. Arsyeja, për të cilën tejkalimi i afatit të zakonshëm nuk sjell pasoja në planin procedural, duhet identifikuar nga fakti që një afat i tillë synon të rregullojë zhvillimin e procesit dhe të nxisë, zellin në punë të zyrave gjyqësore[2]. Në këtë mënyrë, konkludohet se shkelja e afateve të procedimit të parashikuara nga neni 118 passjell efekte në vlerësimin e punës apo edhe në përgjegjësinë disiplinore të ILD-së.

       

      1. Në pikën 1 të nenit 118 caktohet afati 3 mujor, brenda të cilit ILD duhet të mbarojë fazën e parë të procedurës disiplinore, të filluar me ankesë ose kryesisht prej tij. Kjo fazë e parë përfshin shqyrtimin fillestar të ankesës (neni 121 i Ligjit për Statusin) dhe nëse është rasti, edhe verifikimin e saj (neni 122 i Ligjit për Statusin). Afati 3 mujor fillon nga dita e paraqitjes së ankesës dhe përfundon: (i) në ditën që ILD vendos arkivimin e ankesës sipas nenit 121 pika 2 shkronja a) ose sipas nenit 122 pika 4 të Ligjit për Statusin; apo (ii) në ditën kur ILD vendos fillimin e hetimit disiplinor sipas nenit 121 pika 2 shkronja c) ose sipas nenit 123 të Ligjit për Statusin. Është menduar që ky afat 3 mujor është i mjaftueshëm, sidomos në rastin kur ankesa nuk ka informacion të qartë dhe nevojitet verifikimi i saj nëpërmjet marrjes së informacioneve shtesë nga të tretët (duke mbuluar në këtë mënyrë veprimet për shqyrtimin fillestar, veprimet për identifikimin e informacionit që mungon apo është i paqartë, komunikimin me të tretët për marrjen e informacioneve të nevojshme, paraqitjen e informacionit nga të tretët dhe analizën e të gjitha të dhënave të grumbulluara për ankesën).

       

      1. Në pikën 2 të neni 118 caktohet afati 6 mujor për hetimin disiplinor nga ILD. Ky afat fillon në ditën kur ILD vendos fillimin e hetimit disiplinor sipas nenit 121 pika 2 shkronja c) ose nenit 123 të Ligjit për Statusin. Ai përfundon në ditën kur ILD vendos fillimin e procedimit disiplinor të magjistratit, duke i paraqitur Këshillit kompetent raportin e hetimit sipas nenit 138 pika 1 ose në ditën kur ILD vendos mbylljen e hetimit sipas nenit 134 të Ligjit për Statusin. Përgjatë këtyre 6 muajve, ILD kryen të gjitha veprimet për të identifikuar shkeljen, për të grumbulluar provat e nevojshme për shkeljen dhe rrethanat që lidhen me magjistratin, që kanë vlerë për procesin disiplinor, për dokumentimin e saktë të të gjitha veprimeve të kryera, për analizën ligjore të fakteve të pranuara, si dhe për përgatitjen e raportit që përfundon fazën e hetimit disiplinor me mbyllje të hetimit apo me fillim të procedimit disiplinor të magjistratit.

       

      1. Neni 118 ka parashikuar zgjatjen e afatit 6 mujor të hetimit edhe me 3 muaj të tjerë, për shkaqe të përcaktuara shprehimisht në pikën 3 të tij. Konkretisht, shkaqet për zgjatjen e afatit janë: (1) kompleksiteti i rastit që po hetohet; (ii) shtimi ose ndryshimi i objektit të hetimit, sipas nenit 125 të Ligjit për Statusin; dhe (iii) sëmundja apo pamundësia e magjistratit, që lidhet me pengesën që i del magjistratit për të marrë pjesë në hetimin disiplinor dhe për të ushtruar rregullisht të drejtat që i njihen nga neni 129 i Ligjit për Statusin. Është e rëndësishme të theksohet se zgjatja e afatit nuk është automatike, por nevojitet që ILD të nxjerrë një akt të veçantë të llojit vendim, ku të përcaktojë zgjatjen e afatit dhe shkakun e një vendimmarrjeje të tillë.

       

      1. Në pikën 4 të nenit 118 përcaktohet edhe një afat tjetër për hetimin disiplinor, i cili fillon me një akt formal të ILD, që është vendimi për riçeljen e hetimit. Ky vendim merret kur, pas kalimit të afatit të hetimit disiplinor (afatit fillestar prej 6 muaj ose afatit të zgjatur prej 9 muaj) kanë dalë prova të reja, mbi bazën e të cilave ka shkaqe të arsyeshme të besohet se shkelja mund të ketë ndodhur. Në këtë rast duhet të identifikohen dhe të dokumentohen saktësisht tre kushte: (i) dita e daljes së provës së re në raport me afatin e hetimit disiplinor. Kjo ditë duhet të jetë pas përfundimit të afatit hetimor sepse vetëm një shkak i tillë i hap rrugën nxjerrjes së vendimit për riçeljen e hetimit; (ii) të dalin prova të reja, në kuptimin që ILD, brenda përpjekjeve të arsyeshme të ketë qenë në pamundësi për zbulimin dhe grumbullimin e kësaj prove gjatë afatit të hetimit; dhe (iii) shkelja disiplinore të mos jetë parashkruar sipas afateve të vendosura nga neni 117 pika 1 dhe 4 të Ligjit për Statusin. Në pamje të parë, duket që ky rregull konflikton me nenin 134 pika 1 shkronja b) të Ligjit për Statusin, sipas të cilit ILD vendos mbylljen e hetimit kur provohet që çështja ka qenë objekt i një hetimi të mëparshëm që është mbyllur ose për të cilën është dhënë vendim i formës së prerë, në kuadër të një procedimi disiplinor. Duke i analizuar këto rregulla së bashku, nxirret përfundimi që vendimi për ri?eljen e hetimit disiplinor merret për aq kohë sa nuk është vendosur formalisht mbyllja e hetimit, por kur afati i procedimit ka kaluar. Në këtë mënyrë, vendimi për riçeljen e hetimit përbën në thelb një instrument për zgjatjen e afatit të hetimit.

       

      1. Përtej përmbajtjes së nenit 118, Ligji për Statusin parashikon edhe një zgjatje tjetër të afatit të hetimit disiplinor prej 1 muaji. Bëhet fjalë për rastin kur procedura disiplinore është në fazën e procedimit disiplinor përpara Këshillit dhe çështja nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe të rregullt, pa marrë në shqyrtim një ose disa pretendime të tjera për shkeljen disiplinore. Për këtë lloj situate, neni 136 pika 1 shkronja a) dhe neni 144 pika 1 shkronja b) të Ligjit për Statusin parashikojnë ndërprerjen e procedimit disiplinor, ndryshimin dhe shtimin e objektit të procedimit disiplinor, si dhe hetimin e pretendimeve e reja të paktën brenda 1 muaji.

       

      1. Lidhur me afatet e hetimit disiplinor të ILD, duhet evidentuar se Ligji për Statusin ka parashikuar edhe raste të ndërprerjes së tyre, që nënkupton se përllogaritja e afatit ndalon në një datë të caktuar dhe fillon të llogaritet në ditën në të cilën ka ndaluar, në kohën kur bie shkaku i ndërprerjes. Kështu, në nenin 126 pika 5 të Ligjit për Statusin përcaktohet se në rastin kur ILD vendos pezullimin e hetimit disiplinor, atëherë afatet e procedimit ndërpriten[3]. Është e qartë, që afatet e procedimit rifillojnë të ecin në ditën që ILD vendos heqjen e pezullimit të hetimit disiplinor. Thënë ndryshe për të llogaritur kohëzgjatjen e hetimit disiplinor në këto raste, veprohet duke zbritur nga periudha kohore “dita e fillimit të hetimit – dita e mbylljes së hetimit/dita e fillimit të procedimit disiplinor” periudhën kohore “pezullim i hetimit”.

       

      1. Në pikën 5 të nenit 118 është vendosur një rregull mbrojtës për magjistratin në rastin kur ILD nuk respekton afatet e hetimit disiplinor. Në këtë rast, magjistrati ka të drejtën të ankohet pranë Këshillit përkatës për mosveprimin administrativ të ILD-së.

       

      [1] Shih komentin nr. 15 të nenit 116 të Ligjit për Statusin

      [2] Shih D. Siracusano, A. Galati, G. Tranchina dhe E. Zappalà, Diritto processuale penale, Volume Primo, (botimi Irw, Giuffrè Editore, 2004), faqe 283-284.

      [3] Në fakt neni 126 pika 5 ka një pasaktësi sepse parashikon ndërprerjen e afateve, duke iu referuar afateve të procedimit, që është titulli i nenit 118, ndërsa si normë e referuar është neni 117 që vendos afatet e parashkrimit të shkeljes disiplinore. Pezullimi i afatit të parashkrimit nuk ka kuptim sepse përllogaritja e tij ka përfunduar në ditën që ILD ka nxjerrë vendimin për fillimin e hetimit disiplinor, që është një akt procedural që i paraprin vendimit për pezullimin e hetimit disiplinor sipas nenit 126

      1. Në Shqipëri, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, ligji nuk përcaktonte afate të shqyrtimit të ankesave apo të hetimit disiplinor të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Në këtë drejtim ishin bërë përpjekje në nivel nënligjor. Kështu, Rregullorja e Inspektoratit të KLD-së[1], në nenin 32 parashikonte një afat prej 30 ditësh, që mund të shtyhej, për shkaqe të përligjura, nga kryeinspektori. Arsyeja e këtij afati shpjegohej të ishte “në konsideratë të faktit se verifikimi i ankesave është një proces hetimor administrativ, si dhe në përmbushej të të drejtës së gjyqtarit, që jo vetëm procesi i shqyrtimit të procedimit disiplinor, por edhe procesi pararendës i tij të realizohet brenda një afati të arsyeshëm”[2]. Ndërsa lidhur me prokurorët, në nenin 9 pika 4 të Rregullores “Për kryerjen e inspektimit dhe fillimin e procedimit disiplinor”[3] parashikohej se “kryerja e inspektimit bëhet brenda afateve të përcaktuara në urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm. Me kërkesë të prokurorit/ve që ushtrojnë kontrollin, afati i përcaktuar mund të shtyhet për shkaqe të arsyeshme”.

       

      1. Ndonëse ligji nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së” pësoi disa shtesa dhe ndryshime me ligjin nr. 101/2014, sërish çështja e afateve të veprimtarisë paraprake hetimore të gjyqtarëve mbeti e pambuluar. Ligji nr. 101/2014 solli risi vetëm për afatin e shqyrtimit të procedimit disiplinor të gjyqtarëve, i cili u vendos “brenda një muaji nga data e depozitimit të dokumentacionit përkatës nga Ministri i Drejtësisë, pranë KLD-së”[4]. Ky ndryshim ishte hapi i parë në nivel ligjor për të garantuar më tej të drejtën e magjistratëve në aspektin e procesit të rregullt ligjor brenda një afati të arsyeshëm, por edhe për të nxitur veprimtarinë e shpejtë të organeve disiplinore. Ky lloj afati dhe natyra e tij, si afat i zakonshëm, është interpretuar edhe nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat janë shprehur “Në lidhje me pretendimin e ankueses se procedimi për dhënien e masës së re disiplinore, duhet të vlerësohet i gjatë dhe si pasojë pa efekte, [ ... ], Kolegjet e Bashkuara vlerësojnë se ky pretendim nuk është i bazuar. Për shkak se kjo kohëzgjatje ka ardhur si rezultat i verifikimit dhe i shqyrtimit të pretendimeve të shumta të ngritura nga ana e ankueses të cilat kanë kërkuar një hark kohor për t’u ekzaminuar. Për më tepër, ky pretendim nuk qëndron edhe për faktin se, nisur edhe nga interpretimi sistematik i kësaj dispozite ligjore, ajo nuk parashikohet në nenin 32 të këtij ligji, ku në fakt, parashikohen të drejtat e gjyqtarit që procedohet. Efektet e afatit të parashikuar prej kësaj dispozite janë të natyrës organizative dhe jo të natyrës së detyrueshme. Pra, qëllimi i parashikimit të afatit të shqyrtimit të procedimit sipas kësaj dispozite, është përshpejtimi i veprimtarisë së shqyrtimit të themelit të kërkesës për procedim disiplinor të gjyqtarit, duke mos parashikuar ndonjë pasojë në rast të kalimit të këtij afati përshpejtues dhe jo sanksionues, pra norma ka për qëllim garantimin e zhvillimit të procedurës brenda një afati sa më të arsyeshëm”[5].

       

      1. Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka vërejtur se “Afatet kohore, si periudhat e parashkrimit ose periudhat, brenda të cilave duhet të kryen veprimet dhe të merren vendime, nuk janë gjithmonë koherente ose mungojnë”[6]. Për t’iu përgjigjur kësaj problematike, Ligji për Statusin deklaron në relacionin shpjegues se “Procedura hetimore përcaktohet në mënyrë të qartë dhe të plotë në projektligj, duke parashikuar [ ... ], afatet e procedimit të shkeljes në Zyrën e Inspektorit të Lartë”[7]. E njëjta gjë është konfirmuar edhe në Raportin datë 03.10.2015 “Për projektligjin ‘për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSh”[8].

       

      1. Si përfundim, mund të thuhet se me Ligjin për Statusin, e drejta e procesit të rregullt ligjor të magjistratit është përmirësuar ndjeshëm, për shkak të rregullave të reja në nivel ligjor mbi afatet e procedimit të shkeljeve disiplinore nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Nga ana tjetër, është e pritshme që edhe veprimtaria e këtij të fundit të organizohet më mirë dhe të japë rezultate më të shpejta dhe efikase.

       

      [1] Rregullorja “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, është miratuar me vendimin nr. 195/2/a, datë 05.07.2006 të KLD-së, e ndryshuar

      [2] Shih Projekti i Binjakëzimit për Këshillat Gjyqësorë Itali, Spanjë dhe Shqipëri, “Mbështetje për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratin e tij”, (botimi I, Çelësi Design and Publicity, 2008), faqe 130-131

      [3] Rregullorja “Për kryerjen e inspektimit dhe fillimin e procedimit disiplinor” është miratuar me urdhrin nr. 78, datë 16.04.2010 të Prokurorit të Përgjithshëm dhe është ndryshuar me urdhrin nr. 74, datw 29.02.2016 të Prokurorit të Përgjithshëm

      [4] Shih nenin 33 pika 2/1 tw ligjit nr. 8811 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, i ndryshuar

      [5] Shih vendimin nr. 1, datë 05.10.2015 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, E.Gjoka k. KLD-së, ankim ndaj vendimit të shkarkimit nga detyra e gjyqtarit, paragrafi 35

      [6] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 73

      [7] Shih Relacionin shoqërues në http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 13, paragrafi 4, fjalia 2

      [8] Shih Raportin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, të datës 03.10.2016 “Për projektligjin ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/raporti_i_komisionit_te_posacem_parlamentar1.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 20, pika 4.6.3 Procedurat hetimore të shkeljeve disiplinore dhe respektimi i procesit të rregullt ligjor, paragrafi 2 fjalia 1

      1. Një prej dokumenteve bazë ndërkombëtare të përdorura në hartimin e rregullave për procedimin disiplinor, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, është Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, Hagë, 5 Qershor 2015. Ky Raport, ndër të tjera, shpjegon “Ekipi i Projektit konsideroi gjithashtu çështjen e afateve kohore për trajtimin e ankesës dhe arriti në përfundimit që ato duhet të jenë të shkurtra. Siç u vu re në pyetësor, shumica e vendeve kanë afate kohore për trajtimin e ankesave, të cilat në disa raste ishin të shkurtra dhe strikte (për shembull në Shqipëri, Poloni, Rumani, Sllovaki dhe Spanjë). Siguria juridike dhe ndershmëria zbatohen në trajtimin e ankesave, siç zbatohen edhe për afatet e paraqitjes së ankesave të diskutuara më lart. Nëse një sanksion duhet të caktohet, ai duhet të caktohet pa vonesë. Rrjedhimisht, rekomandohet që duhet të ketë një afat kohor për përfundimin e hetimit, për marrjen e vendimit dhe për caktimin e një sanksioni. Caktimi i një sanksioni duhet të bëhet menjëherë pas vendimit mbi themelin e çëshjes dhe në çdo rast, pa vonesë të papërshtatshme. Afatet mund të zgjaten vetëm në rrethana përjashtimore, siç janë kompleksiteti i hetimit, sëmundja e gjyqtarit ose hetimi penal”[1]. Ky diskutim i Ekipit të Projektit që ka hartuar këtë dokument është përkthyer më pas në standardin nr. 9, me këtë përmbajtje: “Duhet të ketë një afat për përfundimin e hetimit, për marrjen e vendimit dhe për caktimin e një sanksioni. Caktimi i një sanksioni duhet të bëhet menjëherë pas marrjes së vendimit mbi themelin e çështjes dhe në çdo rast, pa vonesë të papërshtatshme. Këto afate mund të zgjaten vetëm në rrethana përjashtimore, siç janë kompleksiteti i hetimit, sëmundja e gjyqtarit ose hetimi penal”[2].

       

      1. Standardi për të patur afate në procedurën disiplinore të magjistratëve është përfshirë në një numër të konsiderueshëm aktesh ndërkombëtare, ku spikasin: Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në nenin 6 garanton të drejtën për një proces të rregullt, duke përfshirë aspektin e kohëzgjatjes së arsyeshme; Parimet Themelore të Pavarësisë së Gjyqësorit, të miratuara nga OKB në vitin 1985, në paragrafin 17 për Disiplinën, Pezullimin dhe Shkarkimin nga detyra, shprehet “Një akuzë ose ankesë kundër një gjyqtari, në cilësinë e tij/saj profesionale dhe gjyqësore, duhet të procedohet me përshpejtim dhe ndershmëri sipas një procedure të përshtatshme”; Deklarata Universale e Pavarësisë së Drejtësisë (Deklarata e Montrealit) 1983, në paragrafët 2.32 për Disiplinën dhe Largimin nga Detyra, deklaron që “Një ankesë kundër një gjyqtari duhet të procedohet me përshpejtim dhe ndershmëri sipas një praktike të përshtatshme dhe gjyqtari duhet të ketë mundësinë për të komentuar mbi ankesën në fazën fillestare”; Standardet Ndërkombëtare për Pavarësinë Gjyqësore të Mount Scopus të miratuara në 2008 dhe të rishikuara në 2015, në nenin 5.1 për Shkarkimin nga Detyra dhe Disiplinën, përcaktojnë “Procedurat për disiplinën dhe shkarkimin nga detyra e gjyqtarëve do të kryhen me përshpejtim dhe ndërshmëri dhe do të sigurojnë ndershmëri për gjyqtarin, duke përfshirë edhe një mundësi të përshtatshme për t’u dëgjuar”.

       

      [1] Shih Raportin e ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, 5 Qershor 2015, në

      https://www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 29, paragrafi i fundit

      [2] Shih Raportin (nr. 12), faqe 41

  • Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    Rrjeti Evropian i Këshillave të Gjyqësorit, Standardet Minimale Gjyqësore V: Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve, 5 Qershor 2015 (Versioni në gjuhën angleze http://www.csm1909.ro/csm/linkuri/14_12_2015__77735_ro.pdf , vizituar për herë të fundit në datën 17.05.2017); 

    Këshilli i Evropës, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, 4 Nëntor 1950, (versioni në gjuhën shqipe http://www.echr.coe.int/Documents/Convention_SQI.pdf, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017); 

    Organizata e Kombeve të Bashkuara, Parimet Themelore të Pavarësisë së Gjyqësorit, 1985 (Versioni në gjuhën angleze

    http://www.ohchr.org/EN/ProfessionalInterest/Pages/IndependenceJudiciary.aspx vizituar për herë të fundit më 21.05.2017) 

    Konferenca e Parë Botërore për Pavarësinë e Drejtësisë, Deklarata Universale e Pavarësisë së Drejtësisë (Deklarata e Montrealit), 1983, (versioni në gjuhën angleze http://icj.wpengine.netdna-cdn.com/wp-content/uploads/2016/02/Montreal-Declaration.pdf, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017) 

    Shoqata Ndërkombëtare e Pavarësisë Gjyqësore, Standardet Ndërkombëtare për Pavarësinë Gjyqësore të Mount Scopus, 2008 (versioni në gjuhën angleze https://media.wix.com/ugd/a1a798_1ff8b15b7e4e471eb2c61226e4dc024d.pdf, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017);

    Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    Mishgjoni k. Shqipërisë, 7 Dhjetor 2010, nr. 18381/05

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017 

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , vizituar për herë të fundit më 17.05.2017 

    Raporti i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, datë 03.10.2016 për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/raporti_i_komisionit_te_posacem_parlamentar1.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017

  • Kushtetuta: 

    Neni 42 “të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor”; 

    Neni 140 pika 1 “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; 

    Neni 148/d pika 1 “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; 

    Neni 147/d pika 1 “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë  të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”.

     

    Ligji: 

    Neni  100 pika 1 shkronja a), neni 117, neni 121, neni 122, neni 123, neni 125, neni 126 pika 5, neni 129, neni 134, neni 136 pika 1 shkronja a), neni 138 pika 1, neni 144 pika 1 shkronja b) të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSh”; 

    Neni 195, neni 204, neni 207, neni 213 dhe neni 214 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendimi nr. 343, datë 08.06.2016 i Kolegjit Administrativ, N. Pengili k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore;

    Vendimi nr. 590, datë 20.12.2016 i Kolegjit Administrativ, E. Hoxha k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore.

    Vendimi nr. 1, datë 05.10.2015 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, E. Gjoka k. KLD-së, ankim ndaj vendimit të shkarkimit nga detyra e gjyqtarit

  • D. Siracusano, A. Galati, G. Tranchina dhe E. Zappalà, Diritto processuale penale, Volume Primo, (botimi I, Giuffrè Editore, 2004); 

    Projekti i Binjakëzimit për Këshillat Gjyqësorë Itali, Spanjë dhe Shqipëri, “Mbështetje për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratin e tij”, (botimi I, Çelësi Design and Publicity, 2008).

  • Ligje 

    Neni 33 pika 2/1 të ligjit nr. 8811 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, i ndryshuar

    Akte nënligjore 

    Rregullore “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, e miratuar me vendimin nr. 195/2/a, datë 05.07.2006 të KLD-së, e ndryshuar; 

    Rregullore “Për kryerjen e inspektimit dhe fillimin e procedimit disiplinor”, e miratuar me urdhrin nr. 78, datë 16.04.2010 të Prokurorit të Përgjithshëm dhe e ndryshuar me urdhrin nr. 74, datë 29.02.2016 të Prokurorit të Përgjithshëm.

Marsida Xhaferllari
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)