"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 119: Ankesat

1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë shqyrton ankesat e paraqitura nga çdo person fizik ose juridik.

2. Në rastet kur ka të dhëna të besueshme që një magjistrat ka kryer shkelje disiplinore, ankesa paraqitet tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë nga subjektet e mëposhtme:

a. Ministri i Drejtësisë;

b. një anëtar i vetëm i Këshillit;

c. kryetari i gjykatës ose i prokurorisë.

3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka detyrimin të shqyrtojë ankesat, përveç atyre anonime. Ankuesi ka të drejtë të kërkojë ruajtjen e konfidencialitetit.

4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë i konfirmon ankuesit marrjen e ankesës brenda pesë ditëve nga marrja e saj. Inspektori i Lartë i Drejtësisë i njofton ankuesin vendimin për arkivimin e ankesës, për fillimin hetimit, shtimin ose ndryshimin e objektit të tij, si dhe mbylljen e hetimit, brenda pesë ditëve nga marrja e vendimit përkatës. Ankuesi ka të drejtë të ankimojë vendimet për arkivimin dhe mbylljen e hetimit.

5. Ankesa paraqitet personalisht, me postë të rregullt, postë elektronike ose faks.

6. Tërheqja e ankesës nga ankuesi nuk sjell arkivimin e ankesës, nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson që pretendimi ka shkaqe të mjaftueshme për kryerjen e hetimit me iniciativën e tij, si dhe nuk sjell mbylljen e një hetimi të filluar.

7. Ankesa mund të përmbajë prova dhe burime të dhënash për faktet dhe rrethanat e pretenduara.

8. Inspektori i Lartë i Drejtësisë publikon modelin e formularit të ankesës në faqen e tij zyrtare, me qëllim lehtësimin e paraqitjes së ankesave.

Përmbajtja

      1. Neni 119 i Ligjit për Statusin vendos rregulla mbi ankesën ndaj magjistratit për shkelje disiplinore. Këto rregulla, në përputhje me standardet ndërkombëtare[1], konfirmojnë të drejtën e qytetarit për t’u ankuar ndaj sjelljeve të papërshtatshme të magjistratit. Gjithashtu, ato synojnë të lehtësojnë aksesin e individit në procedurën e llogaridhënies së magjistratit.

       

      1. Në një shtet të së drejtës, ka një tërësi aktesh ligjore dhe një sistem ligjor që garanton aksesin e qytetarëve tek gjykatat, për të marrë shërbime. Në marrjen e shërbimit, qytetarët mund të kenë pakënaqësi, të cilat jo gjithmonë mund të zgjidhen nga kontrolli i brendshëm gjyqësor. Kjo situatë bën të nevojshme ankesën administrative dhe procedurën e shqyrtimit të saj, ku është thelbësore të kuptohet që hetimi i ankesave të të pakënaqurve nga shërbimi duhet të jetë, mbi të gjitha, i paanshëm. Po ashtu, duhet kuptuar që shqyrtimi administrativ i ankesës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) nuk janë dhe nuk mund të jenë zëvendësues të procesit gjyqësor dhe të gjykatës. Rolet, përgjegjësitë dhe efektet janë tërësisht të ndara. Në mënyrë të përgjithshme, mund të thuhet se aty ku sjellja e papërshtatshme e magjistratit hetohet në rrugë administrative dhe ekspozohet, merren masa të natyrës së ndryshme, të cilat nuk përbëjnë zgjidhje gjyqësore të çështjes gjyqësore, që ka ankuesi. Në varësi të sjelljes së papërshtatshme, masat që merren nga hetimi administrativ i ankesës janë të ndryshme (dhënia e masës disiplinore ndaj gjyqtarit, vlerësimi i ulët profesional dhe etik i magjistratit, ekspozimi i rastit si shembull për të mos u ndjekur nga magjistratët e tjerë gjer tek ndërmarrja e reformave të ndryshme që lidhen me sistemin e drejtësisë).

       

      [1] Shih paragrafët 23-26 për standardet ndërkombëtare

      1. Nga pikëpamja strukturore, neni 119 është ndërtuar me 8 pika, duke prezantuar rregulla për rrethin e personave që paraqesin ankesë (pikat 1 dhe 2), për ndalimin e shqyrtimit të ankesave anonime dhe për të drejtën e konfidencialitetit të ankuesit (pika 3), për të drejtat themelore të ankuesit (pika 4), për mënyrën e paraqitjes së ankesës (pika 5), për pasojat e tërheqjes së ankesës (pika 6), për aktet që mund të shoqërojnë ankesën (pika 7) dhe për formën standarde të ankesës (pika 8). Në këtë mënyrë, kjo normë orienton ankuesin për veprimet formale që duhet të kryejë nëse ai beson se magjistrati ka kryer një shkelje disiplinore, si dhe urdhëron ILD-në të përmbushë disa veprime procedurale për të lehtësuar veprimet e ankuesit.
      1. Për shkak të rëndësisë që ka ankesa dhe procedimi disiplinor i magjistratëve, është vetë Kushtetuta që i përmend ato tek rregullon ILD në nenin 147/d. Pika 1 e kësaj norme kushtetuese parashikon se “Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj”.

       

      1. Subjektet që mund të paraqesin ankesë ndaj sjelljes së papërshtatshme të magjistratit janë përcaktuar në pikat 1 dhe 2 të nenit 119. Këto subjekte përfshijnë çdo person fizik, ?do person juridik, Ministri i Drejtësisë, një anëtar i vetëm i secilit prej Këshillave të Lartë Gjyqësor ose të Prokurorisë, si dhe kryetari i gjykatës ose i prokurorisë. Ligji i ka ndarë këto subjekte në 2 pika të veçanta, për shkak të pozicionit që këto subjekte kanë në raport me mënyrën se si këto subjekte vijnë në dijeni të shkeljes dhe me pasojat që vijnë nga shkelja disiplinore.

       

      1. Në pikën 1 të nenit 119 janë përcaktuar si ankues “çdo subjekt fizik ose juridik”. Është e qartë që në këtë rast bëhet fjalë për ato subjekte që kanë pakënaqësi nga marrja e shërbimit në gjykatë, të cilët në rastin më të zakonshëm paraqiten në pozicionin e palëve ndërgjyqëse ose të subjekteve pjesëmarrëse në një proces gjyqësor. Gjithashtu, tek kjo kategori ankuesish përfshihen edhe ato subjekte, që mund të pësojnë dëm nga sjellja e papërshtatshme e magjistratit, që kryhet jashtë veprimtarisë gjyqësore.

       

      1. Ndërsa në pikën 2 janë listuar disa funksionarë publikë që shndërrohen në ankues ndaj sjelljes së papërshtatshme të magjistratit. Këto subjekte janë Ministri i Drejtësisë, një anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, një anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kryetari i gjykatës dhe kryetari i prokurorisë. Për kryetarin e gjykatës dhe kryetarin e prokurorisë, neni 194 pika 2 e ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (Ligji për Qeverisjen) saktëson se bëhet fjalë për kryetarin e gjykatës ose të prokurorisë, ku magjistrati që dyshohet se ka kryer shkeljen, ushtron detyrën e tij. Duke analizuar natyrën e funksionit që këta zyrtarë kryejnë është e qartë që secili prej këtyre ankuesve, gjatë ushtrimit të detyrës, është në pozicionin e marrjes së informacionit mbi sjellje të papërshtatshme të magjistratit, të cilin pika 2 e cilëson si “të dhëna të besueshme” dhe që duhet të jetë pjesë e ankesës që ata paraqesin tek ILD. Nga ana tjetër, funksioni publik që secili prej këtyre ankuesve ushtron, kërkon përgjegjshmërinë e secilit prej tyre për të mos u pajtuar me sjelljen e papërshtatshme të magjistratit dhe për të reaguar me ankesë, në shërbim të administrimit dhe qeverisjes së rregullt të sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Duke vepruar në këtë mënyrë ata zbatojnë parimin e akuzës të përcaktuar nga neni 100 pika 1 shkronja c) të Ligjit për Statusin, sipas të cilit çdo institucion shtetëror ose zyrtar duhet të veprojë kryesisht dhe të paraqesë një ankesë nëse ka prova të mjaftueshme për të besuar që ka ndodhur një shkelje disiplinore. Së fundmi, kjo detyrë e këtyre funksionarëve publikë i shërben edhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të besimit të ndërsjellë, që është pranuar prej disa vitesh tashmë se është problematik në Shqipëri[1].

       

      1. Roli i Ministrit të Drejtësisë në paraqitjen e ankesave ndaj magjistratëve rregullohet edhe nga ligje të tjera. Kështu, në nenet 71 pika 2 dhe 169 pika 2 të Ligjit për Qeverisjen konfirmohet se Ministri i Drejtësisë mund të paraqesë ankesë tek ILD për shkelje disiplinore të pretenduara të gjyqtarëve ose prokurorëve, si dhe mund të kërkojë nga ILD kryerjen e inspektimeve tematike në gjykata, në zyrat e Prokurorisë apo në Prokurorinë e Përgjithshme. Në të njëjtën linjë, ligji nr. 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, me ndryshimet e pësuara me ligjin nr. 40/2017, në nenin 4 pika 10 parashikon se: “Ministri i Drejtësisë mund të paraqesë ankesë tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë për shkelje disiplinore të pretenduara të magjistratëve, si dhe mund të kërkojë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryerjen e inspektimeve institucionale e tematike në gjykata dhe në prokurori. Ministri i Drejtësisë i përcjell Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kërkesën e motivuar për inspektim, vetëm pasi ka vlerësuar të gjithë informacionin e siguruar, në raport me disponimet ligjore në fuqi, që tregojnë se ka të dhëna të besueshme se magjistrati ka kryer shkelje disiplinore”.

       

      1. Përmbajtja e pikave 1 dhe 2 të nenit 119 duhet lexuar së bashku me nenin 194 pika 2 të Ligjit për Qeverisjen. Kjo dispozitë liston si subjekte ankuese: (a) çdo person fizik, juridik ose organ publik të interesuar; (b) Ministrin e Drejtësisë; (c) Prokurorin e Përgjithshëm; (?) çdo anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë; (d) kryetarin e gjykatës ku punon gjyqtari që dyshohet se ka kryer shkeljen disiplinore; (dh) drejtuesin e zyrës së prokurorisë ku punon prokurori që dyshohet se ka kryer shkeljen disiplinore. Është e dukshme që lista e ankuesve e nenit 119 pikat 1 dhe 2 të Ligjit për Statusin nuk është e njëjtë me listën e nenit 194 pika 2 të Ligjit për Qeverisjen. Megjithatë këto lista nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, pasi hipoteza e përcaktuar në pikën 1 të nenit 119 të Ligjit për Statusin “çdo person fizik ose juridik” kuptohet që mund të interpretohet se përfshin edhe “organin publik të interesuar” apo “Prokurorin e Përgjithshëm”. E vetmja pasojë që mund të rezultojë nga mospërputhja e përmbajtjes së këtyre dy normave të ligjeve të ndryshme është që “organi publik i interesuar” dhe “Prokurori i Përgjithshëm” nuk kanë detyrimin që në ankesën e tyre të arsyetojnë “të dhënat e besueshme”, por e paraqesin ankesën sipas kritereve që zbatohet për personat fizikë dhe juridikë.

       

      1. Përmbajtja e nenit 119 pika 2, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Statusin, është bërë objekt shqyrtimi edhe nga Gjykata Kushtetuese, me ankesë të Unionit të Gjyqtarëve, që pretendonte se neni 119/2 “siguron ndërhyrje të papërshtatshme të pushtetit ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, për faktin e mundësisë që është sanksionuar në shkronjën “b” për paraqitjen e ankesës në ILD nga një anëtar i Këshillit. Ky parashikim nuk jep të qartë rolin e organeve që kanë të drejtë të marrin masa ndaj magjistratëve, pasi paraqitja e kërkesës për caktimin e masës disiplinore nga ILD-ja, duhet të shoqërohet me dorëheqjen e këtij anëtari, pasi roli i tij vendimmarrës në këtë rast është thelbësisht i kompromentuar”[2]. Në përgjigje të këtij pretendimi, Kuvendi i Shqipërisë prapësoi se “neni 119, pika 2, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, që përcakton subjektet që mund të bëjnë ankesë pranë ILD-së, ndryshe nga sa pretendojnë kërkuesit, nuk bie ndesh me nenin 145 të Kushtetutës dhe nuk përbën ndërhyrje ose shkelje të pavarësisë, por përkundrazi garanton pavarësinë, paanësinë dhe profesionalizmin e gjyqtarëve”[3]. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi pretendimin për antikushtetutshmërinë e nenit 119 pika 2 të Ligjit për Statusin, me arsyetimin se pretendimet “nuk janë ngritur në nivel kushtetues, për rrjedhojë nuk mund të vijojë me analizën e mëtejshme të tyre”[4].

       

      1. Në pikën 3 të nenit 119 përcaktohet detyrimi i ILD për të shqyrtuar ankesat e paraqitura, që nënkupton detyrueshmërinë e ndjekjes disiplinore. Karakteri i detyrueshëm i ndjekjes disiplinore konfirmohet edhe nga përmbajtja e pikës 7 të nenit 119, që parashikon se tërheqja e ankesës nga ankuesi, nuk sjell mbylljen e procedurës nëse ILD vlerëson që pretendimi ka shkaqe të mjaftueshme për kryerjen e hetimit me iniciativën e tij. Është e kuptueshme, që detyrueshmëria e ndjekjes disiplinore frymëzohet nga interesi publik, që mbizotëron edhe në situatën kur normalizohen marrëdhëniet midis magjistratit që ka kryer shkeljen dhe qytetarit që ka pësuar dëm nga shkelja disiplinore.

       

      1. Tek ankesat e detyrueshme për t’u shqyrtuar, pika 3 e nenit 119 përjashton “ankesat anonime”, të cilat nuk identifikojnë personin që ka dërguar ankesën. Është e qartë që ky përjashtim, i cili është në përputhje me standardet ndërkombëtare[5], synon të mbrojë magjistratët nga ankesat abuzive, si dhe të ruajë integritetin dhe seriozitetin e procedurës disiplinore. Në zbatimin e këtij përjashtimi duhet bërë kujdes për të mos mbivendosur dy situata. Situata e parë është rasti kur ankesa anonime përmban të dhëna thelbësore, nga të cilat lind dyshimi se shkelja mund të jetë kryer. Në këtë situatë, ankesa anonime trajtohet si indicie që jep informacion të besueshëm dhe ILD vepron sipas nenit 123 të Ligjit për Statusin, duke nxjerrë vendimin për fillimin e hetimit disiplinor, me nismën e tij. Situata e dytë është kur ankuesi identifikohet nga ILD, por identiteti i tij mbahet anonim. Ky rast është i lejueshëm, pasi pika 3 e nenit 119 përcakton të drejtën e ankuesit për të kërkuar ruajtjen e konfidencialitetit. Rasti më i zakonshëm i kësaj procedure lidhet me zbatimin e ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i cili detajon procedurën e ruajtjes së anonimatit të personit që sinjalizon një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni[6].

       

      1. Rregullat e pikës 4 të nenit 119 synojnë t’i garantojnë ankuesit pjesëmarrjen në procedurën disiplinore, përmes detyrimit të ILD-së që t’i konfirmojë atij marrjen e ankesës dhe çdo vendim që merret gjatë procedurës hetimore që zhvillon ILD, me të cilat procedura hetimore kalon nga njëra fazë tek tjetra. Këto vendime i njoftohen ankuesit, që ai sipas rastit të paraqesë prova apo pretendime shtesë ose që ankuesi të ushtrojë të drejtën e ankimit, nëse procedura disiplinore nuk përfundon në favorin e tij. Tek vendimet që garantojnë të drejtën e paraqitjes së provave të ankuesit bëjnë pjesë vendimi për fillimin e hetimit disiplinor, vendimi për shtimin e objektit të hetimit dhe vendimi për ndryshimin e objektit të hetimit. Ndërsa tek vendimet që garantojnë të drejtën e ankimit të ankuesit bëjnë pjesë vendimi për arkivimin e ankesës dhe vendimi për mbylljen e hetimit. Rrjedhimisht, mund të thuhet që procedura disiplinore pranë ILD zbaton parimin e kontradiktoritetit, pasi merr në shqyrtim dhe vendos mbi pretendimet dhe provat e ankuesit përballë prapësimeve dhe provave të magjistratit, së bashku me provat që edhe vetë ILD grumbullon me nismën e tij.

       

      1. Pika 5 e nenit 119 parashikon mjetet e paraqitjes së ankesës: personalisht nga ankuesi, me postë të rregullt, postë elektronike ose faks. Është e qartë, që ky rregull synon të zgjerojë aksesin e ankuesve, pasi përfshin të gjitha mënyrat e paraqitjes së një akti në ILD, pa vendosur preferenca, por duke mbajtur në konsideratë që vetë ankuesi të përzgjedhë mënyrën më të lehtë të aksesit që ai ka në dispozicion.

       

      1. Tërheqja e ankesës rregullohet në pikën 6 të nenit 119, sipas të cilës kjo tërheqje mund të ndodhë në dy faza të procedurës disiplinore që zhvillon ILD. Kështu, nëse ankesa tërhiqet përpara se ILD të ketë vendosur fillimin e hetimit disiplinor sipas nenit 123 të Ligjit për Statusin, ILD ka detyrimin të analizojë përmbajtjen e ankesës, madje edhe të verifikojë përmbajtjen e saj, nëse ajo nuk është e qartë. Ky proces është i nevojshëm, pasi tërheqja e një ankese, e cila ka të dhëna të përshtatshme për të filluar hetimin disiplinor të magjistratit, e shndërron procedurën nga “procedurë hetimi me ankesë” në “procedurë hetimi me nismë të ILD-së”. Konkretisht, ILD vlerëson kriteret e përcaktuara në nenin 123 të Ligjit për Statusin, që janë: (i) të dhëna thelbësore, mbi bazën e të cilave lind dyshimi i arsyeshëm se shkelja mund të jetë kryer; (ii) faktet janë brenda afatit të parashkrimit të shkeljes disiplinore; (iii) bëhet ndaj sjelljes së magjistratit, i cili ka qenë në detyrë në kohën kur shkelja e pretenduar ka ndodhur; (iv) bëhet ndaj sjelljes së magjistratit, që parashikohej si shkelje disiplinore nga ligji në fuqi në kohën e kryerjes, por edhe nga ligji në fuqi në kohën e procedurës disiplinore.

       

      1. Faza e dytë kur mund të ndodhë tërheqja e ankesës është pasi ILD ka nxjerrë vendimin për fillimin e hetimit disiplinor. Në këtë rast, tërheqja e ankesës nuk shkakton mbylljen e hetimit, por mund të vlerësohet nga ILD si rrethanë që tregon marrëdhënien midis magjistratit dhe ankuesit, për t’u vlerësuar në kuadër të caktimit të rëndësisë së shkeljes së kryer.

       

      1. Në pikën 7 të nenit 119, i jepet mundësia ankuesit që ankesën ta shoqërojë me prova dhe burime të dhënash për faktet dhe rrethanat e pretenduara. Këto mund të jenë prova të llojit dokument, të cilat i bashkëngjiten ankesës, por mund të jenë edhe informacion mbi burimin e provave (duke treguar emrin e institucionit ku gjendet prova, llojin e provës, personat që kanë dijeni dhe duhen intervistuar). Duhet sqaruar se rregulli i pikës 7 të nenit 119 është një mundësi për ankuesin, që nga ana tjetër lehtëson edhe kryerjen e veprimeve nga ILD. Duke qenë një mundësi për ankuesin, mosparaqitja e tyre nuk pengon pranimin për shqyrtim të ankesës.

       

      1. Së fundmi, në pikën 8 të nenit 119 është parashikuar që ILD publikon modelin e formularit të ankesës në faqen e tij zyrtare, me qëllim lehtësimin e paraqitjes së ankesave. Ky model ankese duhet të përmbajë të gjitha rubrikat që lidhen me kriteret e pranueshmërisë së ankesës. Në periudhën tranzitore të Ligjit për Statusin, Inspektorati i KLD-së, me asistencën e Misionit Euralius IV, hartoi një formular ankese[7], të shoqëruar edhe me udhëzime të thjeshta për plotësimin e saj. Këto dy dokumente u publikuan në faqen zyrtare të KLD-së. Në përgatitjen dhe publikimin e formularit dhe të udhëzimeve u mbajt në konsideratë neni 160 pika 5 e Ligjit për Statusin, sipas të cilës: “Deri në krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm heton shkeljet disiplinore nëpërmjet inspektorëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, bazuar në procedurën dhe kriteret e pjesës V dhe dispozitës kalimtare të këtij ligji”.

       

      [1] Shih për shembull Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë në vitin 2016, në ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/pdf/key_documents/2016/20161109_report_albania.pdf, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017. Ky Raport në faqen 4, paragrafi 5, fjalia 5 për forcimin e luftës kundër korrupsionit shprehet se “Hetimet proaktive, vlerësimet sistematike të riskut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ka nevojë të përmirësohen”

      [2] Shih vendimin nr. 34, datë 10.04.2017, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin, paragrafi 3.3.3.4

      [3] Shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese në fusnotën nr. 3, paragrafi 4.9.1

      [4] Shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese në fusnotën nr. 3, paragrafët 118 dhe 120

      [5] Shih paragrafët 23-26 për standardet ndërkombëtare

      [6] Shih neni 4 shkronja b), neni 7 pika 2, neni 12 pika 1 shkronja d), neni 15, neni 16 dhe neni 17 pika 2 shkronja a) të Ligjit nr. 60/2016

      [7] Ky formular mund të shkarkohet në adresën www.kld.al/homepage/si-te-ankohem-prane-kld, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017

      1. Në Shqipëri, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, ligji nuk përmbante rregulla të detajuara për ankesat që mund të paraqiteshin ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kështu, ligji nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së” në nenin 16 listonte kompetencat e Inspektoratit të KLD-së, duke dhënë edhe disa elemente bazike që duhet të përmbante ankesa. Nga analiza e shkronjave a) dhe b) të pikës 1 të nenit 16 konstatohet se ndaj gjyqtarëve mund të paraqitej ankesë; se ankesa mund të paraqitej nga shtetasit ose subjekte të tjera; se ankesa mund të paraqitej në Inspektoratin e KLD-së ose në Ministrinë e Drejtësisë; se ankesa mund të bëhej për veprime të gjyqtarëve të vlerësuara në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës; se ankesa nuk duhet të përmbante pretendime që zgjidheshin nëpërmjet apelimit gjyqësor ose për përjashtimin e anëtarëve të trupit gjykues; se ankesa pranohej për verifikim vetëm nëse përmbante fakte dhe rrethana që mund të përbëjnë shkak ligjor për procedimin disiplinor, si dhe për vlerësimin moral e profesional të gjyqtarëve. Në plotësim të këtyre rregullave të pakta ligjore, Rregullorja e Inspektoratit KLD-së[1], në nenet 23-34, parashikonte rregulla të detajuara mbi ankesën, elementët formalë të saj dhe procedurën e shqyrtimit të saj nga Inspektorati[2].

       

      1. Situata ligjore për ankesat ndaj prokurorëve ishte më e paplotë. Ligji nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar nuk përmbante asnjë rregull për ankesën, sikundër as ligji nr. 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”. Në Rregulloren “Për kryerjen e inspektimit dhe fillimin e procedimit disiplinor”[3], ankesa përmendej në nenet 6, 7 dhe 8, ku përcaktohej se ankesat ndaj prokurorëve verifikoheshin nga strukturat e Prokurorisë së Përgjithshme; se verifikimi i ankesave ishte një proces për të njohur dhe konfirmuar vërtetësinë e pretendimeve mbi veprimtarinë e parregullt të prokurorit; dhe se ankesa mund të përbënte edhe shkak për inspektimin e veprimtarisë së prokurorit për të evidentuar dhe dokumentuar shkeljet disiplinore të prokurorit.

       

      1. Duke iu referuar materialeve legjislative që kanë shërbyer për hartimin dhe miratimin e Ligjit për Statusin konstatohet se në relacionin shpjegues deklarohet se: “Procedura hetimore përcaktohet në mënyrë të qartë dhe të plotë në projektligj, duke parashikuar ... procedurën e paraqitjes së ankesave pranë këtij Inspektori”[4]. E njëjta gjë është konfirmuar edhe në Raportin datë 03.10.2015 “Për projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSh”[5].

       

      1. Së fundmi, duhet evidentuar se roli i Ministrit të Drejtësisë në procesin disiplinor të magjistratëve ka qenë një nga pikat ky?e të Reformës në Drejtësi të vitit 2016, që preku edhe përmbajtjen e Kushtetutës, me qëllimin për të eleminuar ndikimin e papërshtatshëm politik në sistemin e drejtësisë. Përgjegjësitë e reformuara të Ministrit të Drejtësisë në nivel kushtetues u konsultuan edhe me Komisionin e Venecias, i cili në Opinionin Final mbi draftin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese të datës 15 janar 2016 shprehu qëndrimin që: “Ministri i Drejtësisë ruan pushtetin e një ankuesi të privilegjuar në çështjet e hetimit të një shkelje disiplinore të prezumuar nga një gjyqtar ose prokuror. Kështu, Ministri mund të paraqesë një ankesë tek Inspektori, i cili duhet të konsiderojë ankesën e Ministrit përveçse kur ajo është haptazi e pabazuar (neni 147/d). .... Kjo dispozitë sugjeron që Inspektori ka një lloj diskrecioni për të vendosur nëse duhet ose jo të fillojë hetimin, por ky diskrecion kufizohet kur ankesa paraqitet nga Ministri. A nënkupton kjo që Inspektori ka një diskrecion më të madh në rastin e ankesave të tjera (psh që vijnë nga ankuesit e zakonshëm)? Nëse po, a nënkupton kjo që Inspektori mund t’i refuzojë këto ankesa edhe kur ato nuk janë haptazi të pabazuara? Kjo nuk do të ishte një zgjidhje e përshtatshme: Inspektori nuk duhet të marrë funksionet e Këshillit Përkatës. Në të vërtetë, Inspektorit mund t’i besohet një verifikim paraprak i ankesave disiplinore dhe të shërbejë si një mekanizëm filtrimi; megjithatë, kjo duhet t’i referohet pranueshmërisë së ankesave dhe jo vendimit përfundimtar të themelit, që është një çështje për Këshillin përkatës. Rrjedhimisht, ose ankesat e Ministrit duhet të shqyrtohen në të njëjtën mënyrë me të tjerat (p.sh. Inspektori do të verifikojë prima facie pranueshmërinë e të gjitha ankesave) ose Ministrit duhet t’i jepet një e drejtë e pavarur për të paraqitur direkt ankesa tek Këshilli përkatës, pa kaluar përmes Inspektorit (nëse pozicioni i privilegjuar i Ministrit do të mbahet)”[6] dhe “Komisioni i Venecias konsideron që, me qëllim uljen e ndikimit të ekzekutivit mbi gjyqësorin, pushteti për të kryer inspektime vis-à-vis gjykatave dhe gjyqtarëve duhet të përqendrohet në duart e Inspektorit”[7]. Pas këtij konsultimi me Komisionin e Venecias, përmbajtja e nenit 147/d të Kushtetutës ndryshoi, duke hequr pozicionin e privilegjuar të Ministrit të Drejtësisë në paraqitjen e ankesave ndaj magjistratëve dhe në vijim, ligjet e miratuara siguruan që ankesa e tij të ndiqte të njëjtën rrjedhë procedurale si ankesat e tjera.

       

      [1] Rregullorja “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, është miratuar me vendimin nr. 195/2/a, datë 05.07.2006 të KLD-së, e ndryshuar

      [2] Shih për më shumë informacion mbi verifikimin e ankesave të gjyqtarëve, Projekti i Binjakëzimit për Këshillat Gjyqësorë Itali, Spanjë dhe Shqipëri, “Mbështetje për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratin e tij”, (botimi I, Çelësi Design and Publicity, 2008), faqe 128-131

      [3] Rregullorja “Për kryerjen e inspektimit dhe fillimin e procedimit disiplinor” është miratuar me urdhrin nr. 78, datë 16.04.2010 të Prokurorit të Përgjithshëm dhe është ndryshuar me urdhrin nr. 74, datë 29.02.2016 të Prokurorit të Përgjithshëm

      [4] Shih Relacionin shoqërues në www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 13, paragrafi 4, fjalia 2

      [5] Shih Raportin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, të datës 03.10.2016 “Për projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” në

      www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/raporti_i_komisionit_te_posacem_parlamentar_1.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 20, pika 4.6.3 Procedurat hetimore të shkeljeve disiplinore dhe respektimi i procesit të rregullt ligjor, paragrafi 2 fjalia 1

      [6] Shih Opinionin Final “Mbi draftin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese për gjyqësorin të 15 Janarit 2016 në Shqipëri”, Nr. 824/2015, CDL-AD(2016)009, 14 Mars 2016, paragrafi 31, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017

      [7] Shih Opinionin Final në fusnotën nr. 14, fjalia 4 e paragrafit 32

      1. Një prej dokumenteve bazë ndërkombëtare të përdorura në hartimin e rregullave për procedimin disiplinor, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, është Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, Hagë, 5 Qershor 2015. Ky Raport, ndër të tjera, shpjegon “Përgjigjet e pyetësorit dhe diskutimet gjatë mbledhjeve të punës të Ekipit të Projektit zbuluan një shumëllojshmëri të gjerë të praktikave vendase në lidhje me ata që mund të bëjnë ankesë dhe nëse një ankesë mund të jetë anonime. Në shumicën e vendeve nuk ishte aspak e mundur të bëje ankesë anonime (për shembull në Shqipëri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Francë, Irlandë, Itali, Lituani, Poloni, Rumani, Skoci, Serbi, Sllovaki, Suedi ose Spanjë). Në disa vende procedura e ankesave kërkonte që ankesa të ishte me shkrim, të identifikonte ankuesin (në Belgjikë, Francë, Lituani dhe Skoci). Disa vende kishin një procedurë për pranimin e ankesave anonime (për shembull në Austri, Kroaci, Gjermani ose Hungari). Në vende të tjera, nëse bëheshin ankesa anonime, megjithëse nuk kishte procedurë për ankesat anonime, çështja mund të hetohej përmes mënyrës, për shembull, të një hetimi ex officio (për shembull në Republikën Çeke, Angli dhe Uells, Hollandë, Irlandë e Veriut, Norvegji, Portugali, Slloveni ose Turqi). Në disa prej këtyre vendeve, gjyqtari mund të hetohej edhe pa pasur një ankesë formale. Në diskutimet e projektit u ngritën shqetësime serioze mbi mundësinë që të filloje procedurën disiplinore dikush që nuk ka interes në procedura. Megjithatë, Ekipi i Projektit ra dakord që standardi minimal nuk duhet të heqë të drejtat ekzistuese të individëve për të filluar procedurën disiplinore. Lidhur me ankesat anonime, Ekipi i Projektit përgjithësisht ra dakord që ato janë të padëshirueshme, por standardi minimal duhet të formulohet në mënyrë të tillë që të reflektojë se kjo praktikë është e lejuar në disa vende, sidomos nëse çështja që lind nga një ankesë anonime të mund të hetohet në mënyrën e një hetimi ex officio. Në përputhje me këtë, standardi minimal deklaron që, përveçse aty ku ka një traditë të krijuar dhe të provuar, një ankues normalisht duhet të identifikohet. Për më tepër, rekomandohet që, nëse ankuesi identifikohet ose jo nëse një ankesë mund të bëhet nga kushdo, atëherë ka nevojë për të patur një mekanizëm ose procedurë të shkurtuar, me të cilën ankesa mund të refuzohet ose që një vendim mund të merret se ankesa nuk duhet të procedohet më tej. Procedura duhet të jetë në kontrollin e një gjyqtari ose të një trupe gjyqtarësh ose të një personi, që përgjigjet direkt tek Gjyqësori. Qëllimi i këtij mekanizmi apo procedure të shkurtuar në kontroll të një personi ose organi direkt përgjegjës tek Gjyqësori është të sigurojë që pretendimet shqetësuese ose pretendimet pa substancë të mund të refuzohen në mënyrë të përshpejtuar dhe konsistente me disa prej burimeve ndërkombëtare të analizuara nga Ekipi i Projektit”[1].

       

      1. Këto diskutime të Ekipit të Projektit, që ka hartuar këtë dokument, janë përkthyer më pas në standardet nr. 4, 5 dhe 6, me këtë përmbajtje: “4. Duhet të ketë një organ të ndarë përgjegjës për pritjen e ankesave dhe administrimin e tyre, i pavarur nga Ministria e Drejtësisë dhe përgjegjës vetëm tek Gjyqësori. 5. Një ankues normalisht duhet të identifikohet, megjithatë nëse një ankesë mund të bëhet nga kushdo, ka nevojë të ketë një mekanizëm ose procedurë të shkurtuar me të cilën ankesa mund të refuzohet ose mund të merret një vendim që ankesa nuk duhet të procedohet më tej. Procedura duhet të jetë në kontrollin e një gjyqtari ose një trupe gjyqtarësh ose të një personi përgjegjës direkt tek Gjyqësori. 6. Duhet të ketë një person ose organ përgjegjës tek Gjyqësori, i cili ka pushtetin për të hetuar ankesat. Hetimi duhet të përfshijë mundësinë e pritjes së provave të shkruara dhe/ose me gojë”[2].

       

      1. Një dokument tjetër që është përdorur në hartimin e rregullave për procedimin disiplinor të magjistratëve është edhe Opinioni nr. 3(2002), i cili ka sjellë në vëmendje të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës parimet dhe rregullat që udhëheqin sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti ato për etikën, sjelljen e papajtueshme dhe të paanësisë. Në paragrafin 67, ky dokument shprehet “Një çështje e rëndësishme lidhet me hapat që mund të merren nga personat që pretendojnë se kanë vuajtur për shkak të gabimeve profesionale të gjyqtarit. Këta persona duhet të kenë të drejtë të paraqesin çdo ankesë që ata kanë tek personi ose organi përgjegjës për fillimin e procedurës disiplinore. Megjithatë, ata nuk mund të kenë vetë të drejtën për të filluar apo për të këmbëngulur për procedurën disiplinore. Duhet të ketë një filtër, pasi gjyqtarët mund ta gjejnë veten shpesh përballë procedurave disiplinore, të paraqitura nga palët ndërgjyqëse të zhgënjyera”.

       

      1. Standardet për ankesën ndaj gjyqtarëve janë përfshirë në një numër të konsiderueshëm aktesh ndërkombëtare, ku spikasin Karta Evropiane për Statusin e Gjyqtarit, e cila në parimin 5.3 shprehet “Çdo individ duhet të ketë mundësinë për të paraqitur pa formalitete të veçanta një ankesë që lidhet me dështimin e drejtësisë në një rast të caktuar tek një organ i pavarur”; Standardet Minimale të Pavarësisë Gjyqësore të vitit 1982, të cilat në pikën 4 shkronja a) përcaktojnë “Ekzekutivi mund të marrë pjesë në disiplinën e gjyqtarëve vetëm duke referuar ankesa kundër gjyqtarëve ose në fillimin e procedurave disiplinore, por jo në gjykimin e këtyre çështjeve. Pushteti për të disiplinuar ose shkarkuar nga detyra një gjyqtar duhet t’i jepet një institucioni, i cili është i pavarur nga Ekzekutivi. Pushteti për të shkarkuar nga detyra një gjyqtar preferohet t’i jepet një tribunali gjyqësor”; Rekomandimet e Kievit të OSBE-së mbi Pavarësinë Gjyqësore në Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore japin rekomandimin 14 me këtë përmbajtje “14. Kryetarët e gjykatave mund të depozitojnë një ankesë tek organi, i cili është kompetent për marrjen e ankesave dhe kryerjen e hetimeve disiplinore (shih paragrafin 5.a). Për të siguruar një shqyrtim të pavarur dhe objektiv të ankesës, kryetarët e gjykatave nuk duhet të kenë autoritetin për të nisur apo për të miratuar një masë disiplinore”; Standardet Ndërkombëtare për Pavarësinë Gjyqësore të Mount Scopus të miratuara në 2008 dhe të rishikuara në 2015, në nenin 5.8 “Shkarkimi nga detyra dhe disiplina” shprehen: “5.8 Çdo juridiksion duhet të përcaktojë procedurën e ankesave të qytetarëve për t’i lejuar qytetarëve të paraqesin ankesave kundër sjelljeve të papërshtatshme apo të parregullta të gjyqtarëve”; dhe Masat për Zbatimin Efektiv të Parimeve të Bangalorit për Sjelljen Gjyqësore 2010, në nenin 15.2 “Disiplina e Gjyqtarit” përcaktojnë “15.2 Një person që pretendon se ai ose ajo ka pësuar një dëm për shkak të një sjelljeje të rëndë të papërshtatshme të gjyqtarit duhet të ketë të drejtën për t’u ankuar tek personi ose organi përgjegjës për fillimin e procesit disiplinor”.

       

      [1] Shih Raportin e ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, 5 Qershor 2015, në

      www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017, faqe 25

      [2] Shih Raportin në funsotën nr. 16, faqe 40

  • Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    Komisioni Evropian, Raporti i Progresit për Shqipërinë, 9.11.2016, versioni në gjuhën angleze në

    ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/pdf/key_documents/2016/20161109_report_albania.pdf, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017; 

    Komisioni i Venecias: “Opinion final mbi draftin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese për gjyqësorin të 15 janarit 2016”, (824, 2016), CDL-AD(2016)009 (versioni në gjuhën angleze

    www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2016)009-e, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017); 

    Rrjeti Evropian i Këshillave të Gjyqësorit, Standardet Minimale Gjyqësore V: Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve, 5 Qershor 2015 (Versioni në gjuhën angleze www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, vizituar për herë të fundit në datën 17.05.2017); 

    Këshilli i Evropës, mbledhja shumëpalëshe mbi statutin e gjyqtarëve në Evropë, Karta Evropiane për Statusin e Gjyqtarit, (versioni në gjuhën angleze

    wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&id=1766485&direct=true, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017); 

    Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë, Opinioni Nr. 3(2002) për rregullat dhe parimet e qeverisjes së sjelljes profesionale të gjyqtarëve, veçanërisht etikës, paanshmërisë dhe papajtueshmërisë me detyrën i Këshillit (versioni në gjuhën angleze wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CCJE(2002)OP3&Sector=secDGHL&Language=true , vizituar për herë të fundit më 21.05.2017); 

    Shoqata Ndërkombëtare e Avokatisë, Standardet Minimale të Pavarësisë Gjyqësore, 1982 (versioni në gjuhën angleze

    vizituar për herë të fundit më 21.05.2017); 

    OSBE dhe Instituti Max Planck, Rekomandimet e Kievit mbi Pavarësinë Gjyqësore në Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore, 2010 (versioni në gjuhën angleze www.osce.org/odihr/kyivrec?download=true, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017); 

    Shoqata Ndërkombëtare e Pavarësisë Gjyqësore, Standardet Ndërkombëtare për Pavarësinë Gjyqësore të Mount Scopus, 2008 (versioni në gjuhën angleze media.wix.com/ugd/a1a798_1ff8b15b7e4e471eb2c61226e4dc024d.pdf, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017); 

    Grupi i Integritetit Gjyqësor, Masat për Zbatimin Efektiv të Parimeve të Bangalorit për Sjelljen Gjyqësore, 2010, (versioni në gjuhën angleze www.yargitay.gov.tr/sayfa/uluslararasi-belgeler/documents/bangaloreetigi.pdf, vizituar për herë të fundit më 21.05.2017).

     

  • Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , vizituar për herë të fundit më 17.05.2017;

    Raporti i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, datë 03.10.2016 Për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/raporti_i_komisionit_te_posacem_parlamentar_te_projektligjit_1.pdf, vizituar për herë të fundit më 17.05.2017.

  • Kushtetuta: 

    Neni 140 pika 1 “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; 

    Neni 148/d pika 1 “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; 

    Neni 147/d pika 1 “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”. 

    Ligji: 

    Neni 100 pika 1 shkronja c), neni 123 dhe neni 160 pika 5 e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSh”; 

    Neni 71 pika 2, neni 169 pika 2, neni 194 pika 2 e ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”; 

    Neni 4, pika 10 e Ligjit nr. 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar me Ligjin nr. 40/2017; 

    Neni 4 shkronja b), neni 7 pika 2, neni 12 pika 1 shkronja d), neni 15, neni 16 dhe neni 17 pika 2 shkronja a) të Ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendimi nr. 34, datë 10.04.2017, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin.

  • Projekti i Binjakëzimit për Këshillat Gjyqësorë Itali, Spanjë dhe Shqipëri, “Mbështetje për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratin e tij”, (botimi I, Çelësi Design and Publicity, 2008)

  • Ligje 

    Ligji nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, i ndryshuar; 

    Ligji nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar; 

    Ligji nr. 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i pandryshuar me ligjin nr. 40/2017. 

    Akte nënligjore 

    Rregullorja “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, miratuar me vendimin nr. 195/2/a, datë 05.07.2006 të KLD-së, e ndryshuar;

    Rregullorja “Për kryerjen e inspektimit dhe fillimin e procedimit disiplinor”, miratuar me urdhrin nr. 78, datë 16.04.2010 të Prokurorit të Përgjithshëm dhe ndryshuar me urdhrin nr. 74, datë 29.02.2016 të Prokurorit të Përgjithshëm.

Marsida Xhaferllari
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)