1. Paga e magjistratit caktohet sipas përkatësisë së magjistratit në grupin dhe nivelin e pagës.
2. Paga e magjistratit ndahet sipas grupeve të pagave (G), bazuar në këto tregues:
a. magjistrati që ushtron funksionin në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ ose prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë (G1);
b. magjistrati që ushtron funksionin në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ, prokuroritë pranë gjykatave së apelit, magjistratët që ushtrojnë funksionin në gjykatën e posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar shkalla e parë (G2);
c. magjistrati që ushtron funksionin në Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, ashtu si dhe magjistratët që ushtrojnë funksionin në Gjykatën e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Prokurorinë e Posaçme (G3).
3. Shtesa për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim.
4. Në rastin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të emëruar nga radhët e juristëve që nuk vijnë nga karriera gjyqësore, për efekt të përcaktimit të vjetërsisë së ushtrimit në detyrë, shtesa për vjetërsi llogaritet në mënyrë të barasvlershme me atë të 15 vjetëve karrierë gjyqësore.
5. Paga mujore bruto e magjistratit përbëhet nga elementet si vijon:
a. paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me “pagën për funksion” të punonjësve të shërbimit civil të kategorisë së parë, klasa e tretë në pozicionin e drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, ose me çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave. Referimi i pagës mujore bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë me “pagën për funksion”, sipas përcaktimeve të mësipërme, nuk ka si qëllim të përcaktojë vlerën relative të funksioneve gjyqësore dhe të prokurorisë me pozicionet e punës në shërbimin civil ose të mundësojë klasifikimin e tij në kategorinë ose klasën përkatëse;
b. shtesa për pagën në grup, e cila është shuma që rezulton nga shumëzimi i pagës referuese bazë me koeficientin në përqindje, sipas funksionit që magjistrati ushtron, referuar pikës 2, të këtij neni, përkatësisht: i) G1 90 për qind; ii) G2 98 për qind; iii) G3 106 për qind;
c. shtesa për vjetërsi, e llogaritur mbi pagën referuese bazë, sipas pikave 3 dhe 4 të këtij neni;
ç. shtesa për pozicionin drejtues, e përcaktuar sipas parashikimeve të nenit 14 të këtij ligji;
d. shtesë për vështirësi pune, sipas parashikimeve të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.