"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 11: Parimet e caktimit të pagës dhe përfitimeve financiare të magjistratit

1. Paga e magjistratit dhe përfitimet e tjera financiare duhet të jenë në përputhje me dinjitetin e detyrës së magjistratit dhe të përshtatshme për të garantuar pavarësinë dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrim të funksionit të tyre.

2. Paga e magjistratit caktohet në bazë të kritereve të mëposhtme:

a. shkalla e gjykatës ose prokurorisë ku magjistrati ushtron funksionin;

b. vjetërsia në ushtrimin e funksionit;

c. fusha e veçantë e kompetencës lëndore në të cilën magjistrati ushtron funksionin;

ç. pozicioni drejtues.

3. Përfitimet e tjera financiare përfshijnë:

a. kompensim për transferimin e përkohshëm ose skemën e delegimit;

b. shpërblim për aftësi;

c. pension shtetëror suplementar, sipas parashikimit të këtij ligji dhe legjislacionit për pensionet shtetërore suplementare;

ç. çdo përfitim tjetër, duke u bazuar në kushtet e veçanta të punës ose gjendjen personale dhe atë familjare të magjistratit, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Përmbajtja

    • 1. Kushtetuta, në nenin 138, ka përcaktuar pagën si një nga garancitë kryesore për të siguruar parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe ushtrimin e pavarur të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale. Gjykata Kushtetuese[1] ka arsyetuar që garancitë e nenit 138 të Kushtetutës u njohin gjyqtarëve një trajtim specifik jo vetëm në pagë, por edhe në elementë të tjerë që burojnë nga ushtrimi i funksionit të tyre. Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Në këto kushte, neni 11 ka si qëllim të përcaktojë parimet e caktimit të pagës dhe përfitimeve të tjera financiare si pjesë thelbësore e statusit të magjistratëve dhe sistemit të garancive të pavarësisë dhe paanshmërisë së sistemit gjyqësor.

      2. Siç është përcaktuar në relacionin shpjegues të ligjit “paga dhe trajtimi financiar aktual i gjyqtarit nuk mbajnë parasysh në masë të mjaftueshme dinjitetin e detyrës e të profesionit, natyrën e përgjegjësive të funksionit gjyqësor, shkallën e vështirësive në përmbushjen e tij, numrin e lartë të papajtueshmërive dhe ndalimeve të posaçme për të kryer veprimtari të tjera që sjellin të ardhura, nevojën për ta mbrojtur nga presionet dhe ndikimet në veprimtarinë e tij gjyqësore e në sjelljen e tij në tërësi, si edhe nevojat e integrimit social të tij dhe të familjes në shoqëri”. Në këtë kuptim, ligjvënësi nëpërmjet kësaj dispozite dhe dispozitave të kreut III ka pasur si qëllim “përmirësim rrënjësor të trajtimit financiar dhe të masave mbështetëse gjatë dhe pas lënies së detyrës, duke u mbështetur në parimin se niveli i shpërblimit për magjistratët duhet të jetë i tillë që t’i mbrojë ata nga presionet që dëmtojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit”.

       

      [1] Shih vendimin nr. 31, datë 02.12.2009 të Gjykatës Kushtetuese, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor, paragrafi 3, faqe 8

    • 3. Dispozita rregullon parimet e caktimit të pagës së magjistratëve, kriteret në bazë të të cilave caktohet paga si dhe përfitimet e tjera financiare, të ndryshme nga paga. Dispozita është e zbatueshme për të gjithë magjistratët, pavarësisht shkallës së gjykatës ose prokurorisë ku ushtrojnë funksionin, vjetërsisë, kompetencës lëndore ose funksionit drejtues. Secili prej tyre ka të drejtë të përfitojë pagë në përputhje me dinjitetin e detyrës së magjistratit dhe të përshtatshme për të garantuar pavarësinë dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e jashtme gjatë ushtrimit të funksioneve të tij.

      4. Dispozita, në ndryshim nga rregullimet ligjore të mëparshme, i ka njohur një rol të posaçëm edhe përfitimeve të tjera financiare dhe shoqërore të magjistratëve të cilat shërbejnë si garanci shtesë në ruajtjen e pavarësisë dhe paanësisë së sistemit gjyqësor.

    • 5. Në përputhje me standardet ndërkombëtare, në nenin 11 pika 1, nëpërmjet një norme të përgjithshme me natyrë deklarative, janë përcaktuar parimet në caktimin e pagës dhe përfitimeve të tjera financiare të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Rrjedhimisht, paga duhet të jetë në përputhje me dinjitetin e detyrës së magjistratit dhe e përshtatshme për të garantuar pavarësinë dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrim të funksionit të tyre.

      6. Paga e magjistratëve caktohet duke u bazuar në kritere objektive, të cilat shmangin çdo lloj vlerësimi subjektiv të kryetarit të gjykatës apo të Këshillave në caktimin e saj. Kështu, sipas nenit 11 pika 2 të ligjit paga caktohet duke u bazuar në shkallën e gjykatës ose prokurorisë ku magjistrati ushtron funksionin, vjetërsinë në ushtrimin e funksionit, fusha e veçantë e kompetencës lëndore në të cilën magjistrati ushtron funksionin dhe pozicionin drejtues.

      7. Paga dhe përfitimet e magjistratëve kanë pësuar ndryshime thelbësore me Ligjin për Statusin, i cili ka përcaktuar edhe një regjim të ve?antë për hyrjen në fuqi të tyre. Duke marrë në konsideratë barrën e rëndë që ka rritja e pagave për buxhetin e shtetit dhe nevojën për ta planifikuar këtë rritje, dispozitat kalimtare kanë vendosur që për magjistratët paga dhe përfitimet e tjera financiare dhe shoqërore janë të zbatueshme për magjistratët në asnjë rast jo më shpejt se 1 janari 2019. Gjatë kësaj periudhe, pagat dhe përfitimet e tjera financiare do të rregullohen nga parashikimet ligjore përpara hyrjes në fuqi të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (shiko pikën 1 për ligjet që rregullojnë pagat gjatë kësaj periudhe). Përveç kësaj, si kusht tjetër për përfitimin e pagës sipas ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligji kishte parashikuar që magjistratët, duhet të kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit, siç përcaktohet nga ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në rast se pas datës 1 janar 2019, magjistrati nuk i ishte nënshtruar rivlerësimit, do të vijonte të përfitonte pagën sipas ligjit të vjetër, dhe në rast se e kalonte me sukses atë, do të mund të përfitonte diferencën mes pagës dhe përfitimeve të tjera para hyrjes në fuqi të ligjit me ato sipas këtij ligji. Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 34, datë 8.03.2017 ka arritur në përfundimin se “rregullimi ligjor i fjalisë së fundit të pikës 5 të nenit 196 dhe ai i pikës 6 të po këtij neni krijojnë kushtet për trajtim të pabarabartë të magjistratëve që ndodhen në kushte të njëjta, pa përligje objektive dhe të arsyeshme. Për më tepër, Gjykata çmon se trajtimi financiar i pabarabartë i magjistratëve pas datës 1 janar 2019 nuk është mjeti i duhur për të përmbushur objektivin e ligjvënësit për të siguruar dinjitetin e profesionit dhe një pagë të përshtatshme si domosdoshmëri për të mbrojtur gjyqtarët nga ndërhyrje të jashtme të papërshtatshme”[1]. Me këtë arsyetim, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar fjalinë e fundit të pikës 5 dhe pikën 6 të nenit 196.

       

      [1] Shih paragrafin 100 të vendimit nr. 34, datë 8.3.2017 të Gjykatës Kushtetuese, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin

    • 8. Neni 26 i ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor), përcaktonte pagën e gjyqtarit të shkallës së parë të barabartë me 60 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

      9. Pika 2 e nenit 26 rregullonte pagën për funksion e gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda e cila ishte e barabartë me 60 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi pagën për funksion, për kushte të veçanta pune, shtohet 10 për qind. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

      10. Pika 3 përcaktonte pagën për funksion e kryetarit të gjykatës së shkallës së parë është e barabartë me 60 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi pagën për funksion jepet një shtesë për drejtim në masën 10 për qind. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

      11. Neni 26 pika 4 përcaktonte pagën për funksion e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë dhe e kryetarit të gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda e cila është e barabartë me 60 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi pagën për funksion, për kushte të veçanta të punës, shtohet 10 për qind dhe për drejtimin e gjykatës shtohet 10 për qind. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

      12. Neni 27 i ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor përcaktonte pagën e gjyqtarit dhe e kryetarit të gjykatës së apelit. Sipas pikës 1 të këtij neni paga për funksion e gjyqtarit të gjykatës së apelit ishte e barabartë me 75 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 15 vjet vjetërsie në shërbim, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

      13. Në pëputhje me pikën 2 të nenit 27 të ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor paga për funksion e gjyqtarit të gjykatës së apelit të krimeve të rënda është e barabartë me 75 për qind të pagës të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi pagën për funksion, për kushte të veçanta pune, shtohet 10 për qind. Pas 15 vjet vjetërsie në shërbim, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Ndërkohë që pika 3 e këtij neni caktonte pagën për funksion e kryetarit të gjykatës së apelit të barabartë me 75 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi pagën për funksion jepet një shtesë për drejtim në masën 10 për qind. Pas 15 vjet vjetërsie në shërbim, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga për funksion e Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Tiranë dhe e kryetarit të gjykatës së apelit të krimeve të rënda është e barabartë me 75 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Mbi pagën për funksion, për kushte të veçanta të punës, shtohet 10 për qind dhe për drejtimin e gjykatës shtohet 10 për qind. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

      14. Lidhur me prokurorët, neni 52 i ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (ligji për organizimin e prokurorisë) përcaktonte që paga e Prokurorit të Përgjithshëm është e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që paga e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme është e barabartë me pagën e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Drejtuesit e hallkave që janë prokurorë në strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme kishin të drejtë të merrnin një shtesë prej 5 për qind me e lartë se paga e prokurorëve të kësaj prokurorie. Në rastin e prokurorit ose drejtuesit të prokurorisë së shkallës së parë dhe të apelit paga bazë si dhe shtesa për vjetërsi apo vështirësi në shërbim e tyre, është e barabartë me pagën dhe shtesën e vjetërsisë dhe të vështirësisë së gjyqtarit e të kryetarit të gjykatës, pranë së cilës funksionon prokuroria, ku ai është emëruar.

      15. Neni 22 i ligjit Nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” (ligji për Gjykatën e Lartë) parashikon që paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë është e barabartë me pagën e ministrit, ndërsa ajo e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, 20 për qind më e lartë se paga e gjyqtarit të kësaj gjykate. Neni 4 i ligjit nr. 9584, datë 17.07.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj” (ligji për pagat dhe shpërblimet) përcakton që pagat e funksionarëve të lartë shtetërorë të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, mandati i të cilëve është me kohë të plotë, përcaktohen në raport me pagën e Presidentit të Republikës, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Lidhja 1 përcakton që raporti i pagës së Ministrit ndaj asaj të Presidentit të Republikës është 0.68.

      16. Sipas nenit 3 të ligjit për pagat dhe shpërblimet paga e Presidentit të Republikës përcaktohet çdo vit në ligjin vjetor të Buxhetit të Shtetit, sipas propozimit të Këshillit të Ministrave. Në përputhje me nenin 12 të ligjit nr. 130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017” paga e Presidentit të Republikës është 257 000 lekë në muaj dhe rritet gjatë vitit, sipas përcaktimeve që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

      17. Në praktikë ishte konstatuar se pagat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve nuk ishin në nivelin e duhur. Ky konstatim përshkruhet edhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, ku Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë në faqen 75 shënon “Sistemi i pagave, shpërblimeve dhe kujdesit social e shëndetësor të gjyqtarëve, si një nga mjetet për garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së tyre në detyrë, nuk i përgjigjet domosdoshmërisë së trajtimit financiar adekuat dhe dinjitoz të tyre. Paga dhe trajtimi financiar aktual i gjyqtarit nuk mban parasysh në masë të mjaftueshme dinjitetin e detyrës e të profesionit, natyrën e përgjegjësive të funksionit gjyqësor, shkallën e vështirësive në përmbushjen e tij, numrin e lartë të papajtueshmërive dhe ndalimeve të posaçme për të kryer veprimtari të tjera që sjellin të ardhura, nevojën për t’i mbrojtur nga presionet dhe ndikimet në veprimtarinë e tyre gjyqësore e në sjelljen e tyre në tërësi, si edhe nevojat e integrimit social të tij dhe të familjes në shoqëri. Sistemi aktual i pagave dhe trajtimit financiar nuk garanton respektimin e parimit të paprekshmërisë së tyre, përderisa në nivelin neto më se njëherë, pa u deklaruar dhe motivuar nga qeveria, ato kanë pësuar ulje efektive, edhe për shkak të ndryshimeve të herëpashershme të politikës fiskale shtetërore”. I njëjti konstatim konfirmohet edhe në faqen 4 të Relacionit Shoqërues të Ligjit për Statusin, si dhe diskutimet parlamentare të dokumentuara në procesverbalet e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.

    • 18. Neni 11 i Ligjit për Statusin dhe grupi i dispozitave të tjera vijuese mbi pagën dhe përfitimet e magjistratëve janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, që kërkojnë pagesën e magjistratit në përputhje me dinjitetin e detyrës dhe rëndësinë e përgjegjësive të tij. Kështu, Rekomandimi nr. (2010)12 i Komitetit të Ministrave për shtete anëtare për gjyqtarët: pavarësia, eficenca dhe përgjegjësitë, në paragrafët 53 – 54 thekson se “Rregullat kryesore të sistemit të pagës për gjyqtarët profesionistë duhet të përcaktohet me ligj. Paga e gjyqtarëve duhet të jetë në përputhje me profesionin dhe përgjegjësitë e tyre, si dhe të jetë e mjaftueshme për t’i mbrojtur ata nga tërheqja për t’u ndikuar në vendimet e tyre”. Detyrimi për të përcaktuar me ligj një pagë të përshtatshme për gjyqtarët konfirmohet edhe nga paragrafi 11 i Parimeve Bazë mbi Pavarësinë e Gjyqësorit, nga paragrafët 6.1-6.2 të Kartës Evropiane mbi Statusin e Gjyqtarëve, nga paragrafët 61-62 të Opinionit Nr. 1 (2001) të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, mbi standardet rreth pavarësisë së gjyqësorit dhe palëvizshmërisë së gjyqtarëve dhe në paragrafin 16(a) të Deklaratës Singhvi.

  • Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, Rekomandimi CM/Rec (2010) 12 i Komitetit të Ministrave për shtete anëtare për gjyqtarët: pavarësia, eficenca dhe përgjegjësitë, paragrafët 53, 54 dhe 55, versioni në gjuhën angleze në https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CM/Rec(2010)12&Language=true, vizituar për herë të fundit në datë 24.04.2017

    Kongresi i shtatë i Kombeve të Bashkuara për parandalimin e krimit dhe trajtimin e kriminelëve, Milano, Itali 26 gusht – 6 shtator 1985, mbështetur nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën 40/32 të 29 nëntorit 1985 dhe 40/146 të 13 dhjetorit 1985, Parimet Bazë mbi Pavarësinë e Gjyqësorit, paragrafët 6.1 dhe 6.2, versioni në gjuhën angleze në http://www.ohchr.org/EN/ProfessionalInterest/Pages/IndependenceJudiciary.aspx, vizituar për herë të fundit në datë 24.04.2017

    Këshillit i Evropës, DAJ/DOC (98) 23, Karta Evropiane mbi Statusin e Gjyqtarëve, paragrafi 6.1 dhe 6.2 https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&id=1766501&Site=COE&direct=true, vizituar për herë të fundit në datë 24.04.2017

    Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë, Opinioni Nr. 1 (2001), mbi standardet rreth pavarësisë së gjyqësorit dhe palëvizshmërisë së gjyqtarëve, paragrafi 61 dhe 62, versioni në gjuhën angleze https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CCJE(2001)OP1&Language=true, vizituar për herë të fundit në datë 24.04.2017

    Draft Deklarata Universale mbi pavarësinë e Gjyqësorit (Deklarata e Sighvi), mbështetur nga Nën-Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Diskriminimit dhe Mbrojtjen e Minoriteteve me rezolutën nr. 1989/32, paragrafi 16 (a) http://repository.un.org/handle/11176/351453, vizituar për herë të fundit në datë 24.04.2017

  • Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Analizë e Sistemit të Drejtësisë, faqe 75 në http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip.pdf, e vizituar për herë të fundit 24.04.2017

    Relacioni Shoqërues i Ligjit për Statusin, faqe 4, në http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf, e vizituar për herë të fundit 24.4.2017

    Procesverbal datë 24.06.2016 për shqyrtimin e projekt-Ligjit për Statusin i Komisionit të Posaçëm  për Reformën në Drejtësi, faqja 17 e në vazhdim, http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf , e vizituar për herë të fundit 24.4.2017.

    Procesverbal datë 23.09.2016 për shqyrtimin e projekt-Ligjit për Statusin i Komisionit të Posaçëm  për Reformën në Drejtësi, faqja 5,  http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_23.09.2016.pdf, e vizituar për herë të fundit 24.4.2017.

  • Neni 138 i Kushtetutës 

    Neni 196 i Ligjit për Statusin

  • Asnjë koment
  • Vendimi nr. 34, datë 8.03.2017 i Gjykatës Kushtetuese, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin. 

    Vendimi nr. 31, datë 02.12.2009 i Gjykatës Kushtetuese, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor.

  • Asnjë koment
  • Neni 26-27 i ligjit nr.  9877/2008 “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Repulikën e Shqipërisë”. 

    Neni 52 i ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. 

    Neni 22 i ligjit nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”. 

    Neni 3 dhe 4 i ligjit nr. 9584, datë 17.07.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura  kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të  krijuara me ligj”, i ndryshuar. 

    Neni 12 të ligjit nr. 130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017”.

Besmir Beja
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)