"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 124: Fillimi i hetimeve me iniciativën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

1Inspektori i Lartë i Drejtësisë fillon hetimin me iniciativën e tij, bazuar në të dhëna thelbësore mbi fakte që rezultojnë nga burime të besueshme, mbi bazën e të cilave lind dyshimi i arsyeshëm se shkelja mund të jetë kryer. Informacionet që përftohen nga media ose nga ankues anonimë mund të shërbejnë si indicie për të filluar një hetim kryesisht nëse përmbushen kriteret e parashikuara në nenin 120, pika 1, shkronjat “b”, “ç”, “d” dhe “dh”.

2Inspektori i Lartë i Drejtësisë vendos me vendim të arsyetuar për fillimin e hetimit me iniciativën e tij, duke parashtruar rrethanat faktike të verifikueshme.

3Rregullat e parashikuara në pikat 2 deri në 4, të nenit 123, të këtij ligji, zbatohen edhe në rastin e fillimit të hetimit me iniciativën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i nenit 124 është përcaktimi i kushteve për fillimin e hetimit disiplinor me iniciativën e ILD-së, me qëllim zbatimin e parimit të ligjshmërisë dhe efikasitetit të hetimit, sipas nenit 100 përkatësisht pika 1, shkronja “b” (parimi i ligjshmërisë, kur ka shkaqe të mjaftueshme) dhe pika 1, shkronja “c” (parimi i të vepruarit kryesisht kur ka prova të mjaftueshme). Ky parashikim është në funksion të qasjes proaktive të organit administrativ hetimor, i cili nuk duhet të mjaftohet vetëm me pritjen e ankesave nga subjektet e caktuara në ligj, por gjithashtu duhet të vlerësojë dhe të ndërmarrë hapa të nevojshëm për fillimin e hetimit kur ka kushte për këtë gjë. Gjithashtu, kjo i shërben edhe rritjes së besimit të publikut ndaj magjistratëve dhe detyrimit për llogaridhënie edhe në rastet kurakuzat dhe pretendimet për sjellje antiligjore vijnë nga media ose burime të tjera të ngjashme.
      1. Neni 124 bën pjesë në kreun II “Procedurat hetimore”, i cili është përfshirë në pjesën V për “Përgjegjësinë disiplinore, civile dhe penale” të magjistratit. Kjo dispozitë vjen e renditur pas neneve që parashikojnë aspekte të tjera të procedurës hetimore me qëllim vërtetimin e shkeljes së pretenduar nga magjistrati. Konkretisht, në këtë kre janë parashikuar afatet e parashkrimit (neni 117), afatet e procedimit nga ana e ILD-së (neni 118), subjektet që paraqesin ankesat (neni 119), kritereve të nevojshme me qëllim fillimin e hetimeve (neni 120), i ndjekur nga faza e shqyrtimit paraprak të ankesës nga ILD-ja (nenet 121-122). Ndërsa nenet 123-125 lidhen me vendimin e fillimit të hetimit nga ILD-j.

       

      1. Lidhur me strukturën e nenit 124, ajo përbëhet nga 3 pika:

       

      Në pikën e parë është parashikuar kompetenca e ILD-së për të vendosur fillimin e hetimit kryesisht, pa ankesë ose kur ankesa është anonime apo kur informacionet përftohen nga “burime të besueshme” dhe prej tyre lind dyshimi i arsyeshëm. Këtu janë parashikuar gjithashtu edhe disa nga burimet e informacionit si dhe kushtet kur mund të fillojë hetimi kryesisht.

       

      Në pikën 2 parashikohet detyrimi i ILD-së për të marrë vendim të arsyetuar për fillimin e hetimeve kryesisht. Për këtë ai duhet të deklarojë faktet përkatëse.

       

      Pika3 referon te rregullimet e nenit 123,pika 2-4 që lidhen me hetimin mbi bazë ankese

      1. Subjektet
      2. Lidhur me subjektet që përfshihen në fushën e veprimit të nenit 124, mund të thuhet se ai i kundrejtohetILD-së, i cili është organi përgjegjës për hetimin e shkeljeve mbi bazën e një shqyrtimi paraprak të fakteve për këtë qëllim. Në këtë rast hetimi fillon me iniciativën e tij dhe jo mbi bazën e ankesavetë paraqitura, sipas nenit 119 të ligjit. Në radhë të dytë, mund të thuhet se kjo dispozitë, në pikën 3, i drejtohet indirekt edhe Këshillave dhe magjistratit, të cilët njoftohen në lidhje me marrjen e vendimit të fillimit të hetimit si dhe me paraqitjen e dokumenteve apo parashtresave, sipas rastit, gjatë hetimit (neni 123, pika 3, shkronja “dh”).

       

      1. Neni 124 është hartuar në funksion të parashikimit të bërë në nenin 194, pika 3 e ligjit nr.115/2016,“Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, sipas të cilit, ILD mund të hetojë shkeljet e dyshuara edhe kryesisht, bazuar në të dhëna publike ose të siguruara në kuadrin e inspektimeve institucionale dhe tematike, sipas kushteve të parashikuara në ligjin për statusin. Inspektimet institucionale e tematike ILD mund t’i kryejë mbi çdo aspekt të punës së gjykatave, administratës gjyqësore, zyrave të prokurorisë me kërkesë të KLGJ-së, KLP-së, ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, por edhe sipas planit vjetor për inspektimet (neni 194, pika 4 e ligjit nr.115/2016.)[1]. Nisur nga këto parashikime të nenit 194, pika 3 dhe 4 të ligjit nr.115/2016, është rritur mjaft mundësia e mbledhjes së informacionit të nevojshëm me qëllim fillimin e hetimit kryesisht sipas nenit 124 të Ligjit për Statusin. Këtu shtohet edhe mundësia e marrjes së indicieve edhe nga mjetet e informimit publik, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në zbulimin e fakteve dhe rrethanave që mund të justifikojnë nxitjen e fillimit të hetimit nga ILD-ja. Megjithatë, duhet të mbahet parasysh që edhe në këtë rast, pavarësisht diskrecionit të ILD-së në mbledhjen e fakteve dhe provave, ai duhet të mbajë në vëmendje kërkesat e nenit 120, pika 1, shkronjat “b”, “ç” “d” dhe “dh”, ashtu si në rastin kur hetimi fillon me ankesë.
      2. Nisur nga sa më lart, nëse ILD nga burime të ndryshmekrijon bindjen seka dyshime dhe indicie të mjaftueshme të mbështetura në fakte e prova për të filluar hetimin, atëherë, bazuar në nenin 124 pika 1,ai fillon hetimin[2].Në këtë rast ai duhet të marrë një vendim të arsyetuar, ku të parashtrojë faktet dhe rrethanat që e kanë detyruar të marrë këtë vendim (pika 2). Kjo kërkesë e ligjit është e njëjtë edhe në rastin kur hetimi fillon me ankesë (nenit 123, pika 3). Më tej, neni 124 ka invokuar të gjitha rregullat procedurale të parashikuara për hetimin mbi bazën e ankesës të parashikuar nga neni 123, me qëllim që të zbatohen të njëjtat standarde procedurale pavarësisht faktit nëse hetimi fillon kryesisht apo me ankesë. Kështu, është i detyrueshëm të respektohet standardi i vendimit të arsyetuar dhe i përbërë nga të gjitha elementet e përcaktuara në pikën 3 të nenit 123, të zhvillohet hetim i pavarur dhe i pandërlidhur me procese të tjera gjyqësore ose administrative (neni 123, pika 2), të njoftohen magjistrati për fillimin e hetimit (neni 123, pika 3, shkronja “dh”); të hetohet nëse sjelljet e magjistratit janë apo jo të përsëritura brenda periudhës kohore të hetimit (neni 123, pika 4).
      3. Për sa i takon elementeve përbërëse të vendimit për fillimin e hetimeveedhe në këtë rast zbatohet pika 3 e nenit 123. Elementet që duhet të përmbajë vendimi i fillimit të hetimit është tipik për vendimet që marrin organet administrative. Konkretisht, neni 99 dhe 100 i KPA-së ka thuajse të njëjtat elemente për aktet administrative me karakter urdhërues. Ato i shërbejnë subjektit të hetimit për t’u njohur me shkeljen që i atribuohet, bazën ligjore, faktet dhe rrethanat e pretenduara, provat ku mbështetet ILD-ja për fillimin e hetimit si dhe aspekti tjetër i rëndësishëm, periudha mbi të cilën shtrohet hetimi. Gjithashtu, këto elemente janë orientuese dhe kufizuese edhe për ILD-në, i cili nuk duhet të tejkalojë kufijtë kohorë dhe substancialë të hetimit për secilin rast.

       

      1. Vlen të sillet në vëmendje se një nga risitë e ligjeve të reformës në drejtësi të vitit 2016 është transparenca dhe publiciteti i vendimmarrjes, me qëllim jo vetëm informimin e publikut të gjerë, por sidomos respektimin e të drejtave procedurale të personave të interesuar. Në këtë këndvështrim, është parashikuar edhe detyrimi i ILD-së për t’ia njoftuar magjistratit dhe Këshillit përkatës vendimin e fillimit të hetimit brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit, sipas nenit 119, pika 4. Ky afat vlen për të gjitha vendimet që merr ILD gjatë shqyrtimit paraprak të ankesës. Ky njoftim i shërben magjistratit për të ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit (neni 123, pika 3, fjalia e parë, sipas referimit të bërë në nenin 124, pika 3), por edhe Këshillit për të qenë në dijeni lidhur me fillimin e një hetimi disiplinor, i cili mund të kërkojë vendimmarrjen e tij më pas. Gjithashtu, marrja dijeni nga magjistrati ka të bëjë edhe me të drejtën e tij për të paraqitur dokumentacion, parashtresa apo materiale të tjera që do të mund të ndihmojnë hetimin e paanshëm dhe tërësor të fakteve të pretenduara si shkelje (neni 123, pika 3, shkronja “dh”, sipas referimit të bërë në nenin 124, pika 3).

       

       

      [1]Vihet re se ka një mospërputhje midis subjekteve të parashikuara nga neni 194, pika 4 e ligjit nr.115/2016 dhe nenit 119, pika 2 e ligjit nr.96/2016, konkretisht tek i pari është përfshirë edhe Prokurori i Përgjithshëm, ndërsa tek i dyti mungon. Megjithatë kjo nuk konsiderohet mangësi, zbatimi i të parit, pra i ligjit organik të ILD-së  ka përparësi në këtë rast, duke qenë se ILD shqyrton shkeljet si ndaj gjyqtarëve ashtu edhe ndaj prokurorëve, duke legjitimuar në këtë mënyrë edhe të drejtën e Prokurorit të Përgjithshëm për të vënë në lëvizje ILD për fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurorëve.

      [2]Shih komentin e nenit 123 lidhur me konceptin e “dyshimit të arsyeshëm” në nisjen e hetimit nga ILD-ja.

      1. Në kuadër të reformës në drejtësi, ligjet e reja në funksion të organizimit dhe funksionimit të organeve që do të qeverisnin sistemin e drejtësisë, midis të tjerave, kishin në fokus edhe parashikimin e procedurave të posaçme për kontrollin periodik dhe të vazhdueshëm të magjistratëve, me qëllim ngritjen dhe funksionimin e sistemit të llogaridhënies. Në këtë kontekst, si ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ku parashikohet roli dhe misioni i ILD-së, ashtu edhe ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, plotësojnë procedurën e hetimit disiplinor që zhvillon ILD-ja. Kështu, në nenin 100 të Ligjit për Statusin parashikohen disa parime të procedimit disiplinor, mes të cilave është edhe parimi i akuzës, sipas të cilit çdo institucion shtetëror ose zyrtar duhet të veprojë kryesisht dhe të paraqesë një ankesë nëse ka prova të mjaftueshme për të besuar që ka ndodhur një shkelje disiplinore (pika 1, shkronja “c”.
    • Asnjë koment
    1. Parimet Themelore të Pavarësisë së Gjyqësorit, miratuar në Kongresin e 7-të të OKB-së “Për parandalimin e krimit dhe trajtimin e shkelësve”, 1985:“17. Disiplina, pezullimi dhe shkarkimi: akuza ose ankesa ndaj një gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës së tij duhet të shqyrtohet në një proces të drejtë, të thellë dhe të përshtatshëm. Gjyqtari gëzon të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Verifikimi i fakteve në fazën fillestare duhet të jetë konfidencial, përveç rastit kur gjyqtari kërkon që ajo të bëhet publike. Të gjitha proceset disiplinore, pezullimi ose shkarkimi nga detyra duhet të jenë në përputhje me standardet e sjelljes gjyqësore. Vendimet që merren gjatë këtyre procedurave duhet t’i nënshtrohen rishikimit nga një organ i pavarur. Ky parim mund të mos gjejë zbatim nëse vendimi merret nga gjykatat më të larta ose nga organi legjislativ, kur bëhet fjalë për procedurën e impeachment ose të ngjashme me të.”

     

    1. Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

     

    1. Procesverbali datë 24.6.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf.

     

    1. Kushtetuta

    Neni 140, pika 1: “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 148/d, pika 1: “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 147/a, pika 1, shkronja “b”: “KLGJ ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”; neni 149/a, pika 1, shkronja “b”: “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve”; neni 147/d, pika 1: “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”.

     

    1. Ligji për Statusin

    Neni 118, neni 119, neni 120, neni 121, neni 123.

    Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”: neni 194.

    Kodi i Procedurave Administrative: neni 99 dhe 100.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi