"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 125: Shtimi ose ndryshimi i objektit të hetimit

1Në rast se gjatë hetimit ngrihen dyshime të arsyeshme se ka ndodhur një shkelje tjetër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë merr vendim për të shtuar ose ndryshuar objektin e hetimit, në zbatim të nenit 124 të këtij ligji.

2Rregullat e parashikuara në pikat 2 deri në 4, të nenit 123, të këtij ligji, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i nenit 125 është parashikimi i diksrecionit me qëllim ushtrimin e detyrës në përputhje me ligjin në funksion të një hetimi sa më efektiv nga ana e ILD-së. Në këtë mënyrë, minimizohet mundësia që veprime të tjera që mund të përbëjnë shkelje disiplinore të mbeten pa u përfshirë në hetim, nëse një gjë e tillë nuk është bërë në fillim. Ky parashikim është në funksion të qasjes proaktive të organit administrativ hetimor, i cili nuk duhet të mjaftohet vetëm me kontrollin formal të ankesës, por gjithashtu duhet të vlerësojë dhe të ndërmarrë hapa të nevojshëm për të përfshirë edhe shkelje të tjera nëse del e nevojshme. Kjo zgjidhje është në funksion të një vendimmarrje të drejtë dhe objektive nga ana e tij.

       

      1. Neni 123 bën pjesë në kreun II “Procedurat hetimore”, i cili është përfshirë në pjesën V për “Përgjegjësinë disiplinore, civile dhe penale” të magjistratit. Kjo dispozitë vjen e renditur pas neneve që parashikojnë aspekte të tjera të procedurës hetimore me qëllim vërtetimin e shkeljes së pretenduar nga magjistrati. Konkretisht, në këtë kre janë parashikuar afatet e parashkrimit (neni 117), afatet e procedimit nga ana e ILD-së (neni 118), subjektet që paraqesin ankesat (neni 119), kritereve të nevojshme me qëllim fillimin e hetimeve (neni 120), i ndjekur nga faza e shqyrtimit paraprak të ankesës nga ILD (nenet 121-122). Ndërsa nenet 123-125 lidhen me vendimin e fillimit të hetimit dhe formulimin e objektit të hetimit nga ILD.

       

      1. Lidhur me strukturën e nenit 125, ajo paraqitet e thjeshtë, me dy pika. Në pikën e parë, është parashikuar kompetenca e ILD-së për të shtuar ose ndryshuar objektin e hetimit, nëse konstatohet se është kryer një shkelje tjetër ose shkelja e kryer duhet rikualifikuar për t’iu përshtatur objektit të hetimit. Ndërsa në pikën 2 sanksionohet detyrimi i ILD-së për të respektuar rregullat që lidhen me njoftimin e vendimit, përmbajtjen e vendimit, si dhe rastet kur bëhet fjalë për veprime të përsëritura të parashikuara në pikat 2-4 të nenit 123.

       

    • 4.Duke qenë se në pjesën e subjekteve dhe të rregullave të tjera lidhur me hetimin kjo dispozitë është e ngjashme me nenet 123 dhe 124 të ligjit, është me vend të ndalemi vetëm në çështjet e veçanta që trajton, ndërsa për pjesën tjetër mund t’i referoheni komentit të nenit 124. Konkretisht, pika 1 lidhet me diskrecionin e ILD-së të bazuar në dyshimin e arsyeshëm (shih komentin e nenit 123 për përkufizimin e dyshimit të arsyeshëm): (I) për të zgjeruar objektin e hetimit dhe (II) për të ndryshuar objektin e hetimit.

       

      1. ILD vlerëson nëse është rasti për të zgjeruar objektin e hetimit nëse: a) inspektori gjatë hetimit konstaton se përveç shkeljes e cila është bërë shkak për nisjen e hetimit, ka ndodhur edhe një shkelje tjetër nga magjistrati; b) inspektori gjatë hetimit konstaton se sjellja e magjistratit përbën shkelje të një natyre të ndryshme nga ajo për të cilën ka filluar hetimi. Në të dyja këto raste, inspektori harton raportin shpjegues duke sqaruar rrethanat dhe faktet që imponojnë ndryshimin e objektit të hetimit. Mbi bazën e këtij raporti, hartohet edhe vendimi sipas nenit 125, pika 1. Edhe në këtë rast vendimi i ILD-së përmban të gjitha elementet formale dhe substanciale për hartimin e këtij akti procedural sipas kërkesave të nenit 124, pika 2, sidomos pjesën arsyetuese lidhur me nevojën e shtimit ose të ndryshimit të objektit të hetimit, në funksion të transparencës dhe ligjshmërisë.

       

      1. Meqë përmbajtja e pikës 2 është e ngjashme me parashikimin e nenit 124, pika 3 dhe 123, pika 3, është me vend të konsultohet komenti i këtyre neneve. Të dyja këto raste të parashikuara nga neni 125 kanë rëndësi për sa i takon parimit të ligjshmërisë në përcaktimin e saktë të objektit të hetimit dhe mbledhjes së provave dhe fakteve vetëm brenda kufijve të objektit të hetimit. Qartësia dhe saktësia e objektit të hetimit nga ana e ILD-së i shërben gjithashtu edhe magjistratit ndaj të cilit zhvillohen hetimet për të qenë i mirëinformuar lidhur me shkeljet për të cilat hetohet dhe për të pasur mundësi të paraqesë parashtrimet e tij të plota, në përputhje me objektin e hetimit, në funksion të garantimit të procesit të rregullt ligjor.

       

      1. Në kuadër të reformës në drejtësi, ligjet e reja në funksion të organizimit dhe funksionimit të organeve që do të qeverisnin sistemin e drejtësisë, midis të tjerave, kishin në fokus edhe parashikimin e procedurave të posaçme për kontrollin periodik dhe të vazhdueshëm të magjistratëve, me qëllim ngritjen dhe funksionimin e sistemit të llogaridhënies. Në këtë kontekst, si ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ku parashikohet roli dhe misioni i ILD-së, ashtu edhe ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, plotësojnë procedurën e hetimit disiplinor që zhvillon ILD.

       

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    1. Nuk ka standarde të unifikuara ndërkombëtare sa i takon procedurave lidhur me shqyrtimin e ankesave apo indicieve nga një organ administrativ. Përgjithësisht ato parashikohen në masë të tillë që t’i përgjigjen funksionimit sa më eficient të organeve dhe ekonomisë buxhetore, pa cenuar të drejtën për proces të rregullt ligjor (shih komentin e nenit 124).

     

    1. Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

     

    1. Procesverbali datë 24.6.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf.
    1. Kushtetuta

    Neni 140, pika 1: “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 148/d, pika 1: “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 147/a, pika 1, shkronja “b”: “KLGJ ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”; neni 149/a, pika 1, shkronja “b”: “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve”; neni 147/d, pika 1: “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”.

     

    1. Ligji për Statusin

    Neni 118, neni 119, neni 120, neni 121, neni 123.

    Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”: neni 194.

    Kodi i Procedurave Administrative: neni 99 dhe 100.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi