"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 128: Bashkimi i procedimeve hetimore

Inspektori i Lartë i Drejtësisë bashkon procedimet, në rastet kur konstaton se ankesat ose hetimet e filluara u referohen të njëjtave fakte ose të njëjtit magjistrat.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i nenit 128 është përcaktimi i rregullave procedurale për të bërë më efikas hetimin nga ana e ILD-së nëpërmjet bashkimit të procedimeve hetimore për të njëjtat fakte ose për të njëjtin magjistrat. Synimi final i kësaj dispozite është të rrisë efikasitetin dhe të ulë koston njerëzore dhe financiare të hetimeve paralele me të njëjtin objekt, pa cenuar trajtimin e barabartë dhe objektivitetin gjatë verifikimit të ankesave.
      1. Neni 128 bën pjesë në Kreun II “Procedurat hetimore”, i cili është përfshirë në Pjesën e V për Përgjegjësinë Disiplinore, Civile dhe Penale të magjistratit. Kjo dispozitë vjen e renditur pas neneve që parashikojnë aspekte të tjera të procedurës hetimore me qëllim vërtetimin e shkeljes së pretenduar nga magjistrati. Konkretisht, në këtë kre janë parashikuar afatet e parashkrimit (neni 117), afatet e procedimit nga ana e ILD-së (neni 118), subjektet që paraqesin ankesat (neni 119), kritereve të nevojshme me qëllim fillimin e hetimeve (neni 120), i ndjekur nga faza e shqyrtimit paraprak të ankesës nga ILD (nenet 121-122). Nenet 123-124 lidhen me vendimin e fillimit të hetimit nga ILD, ndërsa nenet 125-128 i kushtohen aspekteve të ndryshme procedurale të kryerjes së hetimit, ku bën pjesë edhe e drejta e inspektorit për të bashkuar procedimet hetimore.

       

      1. Lidhur me strukturën e nenit 128, ajo përbëhet vetëm nga një fjali, e cila lejon inspektorin të bashkojë hetimet kur konstaton se ato lidhen me të njëjtat fakte e rrethana ose me të njëjtin magjistrat.

       

    • 4.Lidhur me subjektet që përfshihen në fushën e veprimit të nenit 128, mund të thuhet se edhe kjo dispozitë i kundrejtohet në radhë të parë ILD, i cili është organi përgjegjës për shqyrtimin paraprak të fakteve dhe fillimin e hetimeve disiplinore sipas nenit 194 të ligjit nr.115/2016 Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Megjithëse në dukje kjo dispozitë lidhet me rregulla procedurale të funksionimin të brendshëm të ILD, ajo mbart pasoja më të gjera, pasi siç u përmend edhe më lart, qëllimi i kësaj dispozite ka të bëjë në tërësi me menaxhimin sa më të mirë edhe efikas të burimeve njerëzore dhe financiare të ILD, për të arritur rezultate të njëjta me kosto më të ulët në disa aspekte. Gjithashtu, vlen të theksohet se kjo dispozitë mundëson në mënyrë indirekte edhe unifikimin e sjelljes së inspektorëve për të mos pasur rezultate të ndryshme hetimi për fakte dhe rrethana apo magjistratë të njëjtë, gjë e cila jo vetëm është në të mirë të praktikës vendimmarrëse të ILD por në radhë të parë është në favor të subjektit që hetohet, i cili ka garanci të shtuara në rast se vendimmarrja është e konsoliduar dhe e qartë, sidomos parimin e sigurisë juridike i cili bazohet tek parashikueshmëria dhe qartësia e veprimeve gjatë procedimit disiplinor.

       

      1. Neni 128 lejon bashkimin e procedimeve në dy raste: (i) kur ankesat u referohen të njëjtave rrethana ose të njëjtit magjistrat, (ii) kur hetimet e filluara u referohen të njëjtave rrethana ose të njëjtit magjistrat. Pra, pavarësisht nëse kanë filluar apo jo hetimet, pra edhe nëse ankesa është ende në kushtet e verifikimit, ajo mund të bashkohet me ankesa të tjera ose t’i bashkëngjitet hetimittë filluar për të njëjtat fakte ose për të njëjtin magjistrat. Megjithatë është e rëndësishme që ankesa të jetë shqyrtuar dhe të jetë vendosur se ajo është e pranueshme, në kuptim të nenit 120. E kundërta nuk do të kishte kuptim, pasi një ankesë e papranueshme nuk mund të hetohet më tej dhe aq më pak të bashkohet me procedime për të cilat ka filluar hetimi.
      2. Në rastet e bashkimit të ankesave është me rëndësi të përcaktohet nga inspektori se kur do të fillojë afati për marrjen e vendimit të fillimit të hetimit ose të arkivimit të ankesës, sipas nenit 118 pika 1 dhe pika 2 e ligjit. Kjo pikë paraqet rëndësi duke pasur parasysh se data e ankesave dhe e vendimeve për fillimin e hetimeve për të njëjtat shkelje ose për të njëjtin magjistrat mund të jenë të ndryshme, si pasojë edhe veprimet e tjera procedurale si nga ana e inspektorit ashtu edhe nga ana e magjistratit që hetohet do t’i referohen këtyre afateve. Këtë detyrim inspektori duhet ta zbatojë duke e pasqyruar në vendimin që do të marrë, duke respektuar edhe parashikimin e bërë në pikën 3 të po këtij neni, sipas të cilit ILD mund të zgjasë afatin e hetimit për tre muaj në raste komplekse apo për arsye të shtimit ose ndryshimit të objektit të hetimit.

       

      1. Në kuadër të reformës në drejtësi, ligjet e reja në funksion të organizimit dhe funksionimit të organeve që do të qeverisnin sistemin e drejtësisë, midis të tjerave, kishin në fokus edhe parashikimin e procedurave të posaçme për kontrollin periodik dhe të vazhdueshëm të magjistratëve, me qëllim ngritjen dhe funksionimin e sistemit të llogaridhënies. Në këtë kontekst, si ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ku parashikohet roli dhe misioni i ILD, ashtu edhe ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, plotësojnë procedurën e hetimit disiplinor që zhvillon ILD.

       

    • Asnjë koment
    1. Nuk ka standarde ndërkombëtare sa i takon mënyrë së verimeve procedurale që lidhen me shqyrtimin për pranueshmërinë e ankesës për shqyrtim, pjesë së cilës mund të jetë dhe bashkimi i procedimeve për ankesa me të njëjtin objekt ose me objekt të ngjashëm.
    1. Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf ,

     

    1. Procesverbal datë 24.06.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf.

     

    1. Kushtetuta

    Neni 140, pika 1: “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 148/d, pika 1: “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 147/a, pika 1, shkronja “b”: “KLGJ ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”; neni 149/a, pika 1, shkronja “b”: “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve”; neni 147/d, pika 1: “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”.

     

    1. Ligji për Statusin

    Neni 118, neni 119, neni 120, neni 121.

    Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”: neni 194.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi