"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 130: Ecuria e hetimeve

1Objekti i hetimit tregon qartë elementet e shkeljes së pretenduar, sipas përcaktimeve në vendimin për fillimin e hetimit, sipas parashikimeve të nenit 123 të këtij ligji.

2Inspektori i Lartë i Drejtësisë thërret dëshmitarë dhe mbledh të dhëna, dokumente dhe prova nga gjykata, prokuroria, institucione të tjera shtetërore, organizata, dëshmitarë dhe/ose magjistrati, dhe ndërmerr veprime të nevojshme për të hetuar dhe përcaktuar nëse shkelja e pretenduar ka ndodhur.

3Kur shkelja e pretenduar lidhet me çështje në proces në gjykatë ose në prokurori, hetimi duhet të jetë i tillë që të mos cenojë pavarësinë e magjistratit në gjykimin dhe hetimin e tyre dhe të mos konsiderohet si ndërhyrje. Në një rast të tillë Inspektori i Lartë i Drejtësisë:

apezullon hetimet, sipas rasteve të parashikuara në nenin 126 të këtij ligji;

bvazhdon me hetimin nëse shkelja e pretenduar ka të bëjë me fakte që nuk lidhen me ato për të cilat do të vendoset nga hetimi penal ose procesi penal, civil ose administrativ.

Përmbajtja

      1. Neni 130 ka si qëllim të garantojë zhvillimin e një procesi të rregullt hetimor nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për të arritur në përfundimin nëse shkelja ka ndodhur ose jo. Parashikimi i veprimeve kryesore hetimore që duhet të kryejë ILD-ja me qëllim hetimin e plotë dhe të paanshëm për verifikimin e shkeljes është në shërbim të transparencës dhe parashikueshmërisë së procesit hetimor. Gjithashtu, kjo dispozitë ka si qëllim të garantojë pavarësinë e magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit të tij, kur hetimi shtrihet ndaj fakteve ose rrethanave që lidhen me një çështje konkrete që është në gjykim ose hetim nga magjistrati.

       

      1. Neni 130 bën pjesë në kreun II “Procedurat hetimore”, i cili është përfshirë në pjesën V për Përgjegjësinë Disiplinore, Civile dhe Penale të magjistratit. Kjo dispozitë vjen e renditur pas neneve që parashikojnë aspekte të tjera të procedurës së hetimit disiplinor me qëllim vërtetimin ose jo të shkeljes së pretenduar. Konkretisht, në këtë kre janë parashikuar edhe subjektet që paraqesin ankesat (neni 119), kritereve të nevojshme me qëllim fillimin e hetimeve (neni 120), i ndjekur nga faza e shqyrtimit paraprak të ankesës nga ILD-ja (nenet 121-122), fillimi i hetimeve me nismë ose kryesisht (nenet 123-124), pezullimi i hetimeve (neni 126) dhe të drejtat dhe detyrimet e magjistratit gjatë hetimit (neni 129).

       

      1. Lidhur me strukturën e nenit 130, ajo përbëhet nga 3 pika. Në pikën 1, është parashikuar detyrimi i ILD-së për të përcaktuar qartë objektin e hetimit, pra elementet e shkeljes sipas parashikimit të nenit 123, duke referuar shprehimisht te kjo dispozitë. Në pikën 2 parashikohet mundësia e ILD-së për të thirrur dëshmitarë, si dhe për të mbledhur të dhëna dhe prova nga institucione publike dhe organizata apo burime të tjera, si dhe çdo veprim tjetër që ai e gjykon të nevojshëm në funksion të hetimit. Pika 3 ka të bëjë me garancinë e procesit të rregullt të hetimit për të mos ndikuar në vendimmarrjen e magjistratit kur ky i fundit është duke gjykuar një çështje me të cilën lidhet shkelja e pretenduar. Në raste të tilla ligjvënësi ka parashikuar pezullimin e hetimit.
      1. Subjektet
      2. Lidhur me subjektet që përfshihen në fushën e veprimit të nenit 130, ai, si edhe nenet e tjera të lidhur me procesin e hetimit disiplinor në këtë kre, i kundrejtohet ILD-së, i cili është organi përgjegjës për fillimin dhe kryerjen e plotë të hetimit, sipas nenit 194 të ligjit nr.115/2016,“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Gjithashtu, kjo dispozitëshërben edhe si bazë ligjore ku mund të referohet magjistrati nëse pretendon se garancitë e parashikuara në të, që shërbejnë për ruajtjen e pavarësisë së tij në vendimmarrje,janë cenuar nga ana e ILD-së gjatë hetimit.

       

      1. Objekti i hetimit
      2. Pika 1 e nenit 130 i kushtohet objektit të hetimit, i cili duhet të plotësojë një nga elementet kryesore të shtetit të së drejtës, qartësinë në përmbajtje. Në objektin e hetimit duhet të pasqyrohen qartë veprimet ose mosveprimet e magjistratit që klasifikohen ligjërisht si shkelje dhe për të cilat duhet të fillojë hetimi disiplinor. Kjo dispozitë referon teneni 123, i cili parashikon të gjitha elementet e vendimit për fillimin e hetimit nga ana e ILD-së, ku një prej tyre është edhe objekti i hetimit duke treguar shkeljen e dyshuar (neni 123, pika 3, shkronja “b”). Në këtë kuptim pika 1 e nenit 130 nuk sjell ndonjë të re, përveç detyrimit për qartësi në objektin e hetimit, gjë e cila në fakt indirekt përmendet edhe te pika 4 e nenit 123 kur parashikon mundësinë e përfshirjes në objekt të faktit kur sjellja është e përsëritur (shih komentin e nenit 123).
      3. Qartësia e objektit të hetimit të organit publik është një kërkesë sine qua nondhe detyron organin të përcaktojë në mënyrë të plotë dhe të detajuar çështjet që duhet të adresojë dhe veprimet që duhet të kryejë gjatë hetimit administrativ. Objekti i hetimit të organit hetimor duhet të jetë i përcaktuar, i specifikuar, i parashikueshëm dhe i kuptueshëm jo vetëm për subjektin ndaj të cilit zhvillohet hetimi, por edhe për ata që do të duhet të paraqesin prova, dëshmi, dokumente gjatë hetimit (sipas pikës 2 të këtij neni), si dhe për publikun i cili merr dijeni mbi mënyrën se si funksion hetimi disiplinor dhe se për cilat fakte apo rrethana po hetohet një magjistrat. Plotësimi i këtij detyrimi është në funksion të përmbushjes korrekte të misionit me të cilin është ngarkuar organi hetimor dhe respektimit të procesit të rregullt ligjor dhe shtetit të së drejtës[1].
      4. Veprimet hetimore
      5. Pika 2 e nenit 130 i kushtohet veprimeve konkrete që duhet të kryejë ILD-ja me qëllim mbledhjen e të gjitha provave gjatë hetimit për të provuar kryerjen e shkeljessë dyshuar ose për të pushuar hetimin nëse një gjë e tillë nuk arrin të provohet. Konkretisht, pika 2 parashikon se nga ana e ILD-së duhen bërë kryesisht këto veprime: (I) thirrja e dëshmitarëve; (II) mbledhja e të dhënave, dokumenteve dhe provave; (III) veprime të tjera të nevojshme në funksion të hetimit.Vlen të theksohet se mënyra e renditjes së veprimeve është e tillë që t’u japë rëndësinë e duhur në hetim. Megjithëse dëshmia nuk është veprimi më i besueshëm ose më i rëndësishëm hetimor[2], ligjvënësi e ka renditur të parin me qëllim që t’i japë një rol të rëndësishëm, sidomos kur hetimi nis mbi bazën e kërkesës. Pavarësisht dëshmive që merren nga organi hetimor ato nuk mund të vlerësohen të shkëputura, por duhen vlerësuar së bashku me të dhënat dhe provat e tjera dokumentare që mblidhen gjatë hetimit. Dëshmitë mund të jenë verbale ose dokumentare ose elektronike, ato ruhen sipas rregullave të përgjithshme për marrjen dhe ruajtjen e provave gjatë dëshmisë[3].Te dëshmitarët mund të përfshihen edhe ekspertët nëse thirrja e tyre konsiderohet e nevojshme për hetimin. Ndërsa tekategoria e dokumenteve mund të klasifikohen të gjitha ato materiale të shkruara ose që lënë gjurmë në forma të tjera (elektronike ose të tjera), si: foto, video, etj., që hedhin dritë mbi objektin e hetimit.
      6. Përveç veprimeve të mësipërme, ILD-ja mund të ndërmarrë edhe të tjera nëse një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme për hetimin. Në përgjithësi mund të thuhet se hapësira e veprimeve të parashikuara në këtë dispozitë është tipike gjatë një procesi hetimor. Po kështu, edhe burimet e marrjes së dëshmive, provave dhe dokumenteve konsiderohen si burime të lejueshme të mbledhjes së provave që mund të vërtetojnë kryerjen ose jo të shkeljes së pretenduar. Në funksion të lejueshmërisë dhe besueshmërisë së burimit të provave,pika 2 përcakton në mënyrë shteruese duke i renditur sipas rëndësisë së tyre burimet e marrjes së provave dhe dokumenteve. Kështu, përcaktohet se provat dhe të dhënat dokumentare merren nga: (I) gjykata; (II) prokuroria; (III) institucione të tjera shtetërore; (IV) organizata; (V) dëshmitarë; dhe/ose (VI) magjistrati. Pra, burimet janë renditur të tilla që imponojnë kryesisht marrjen e dokumenteve zyrtare, me përjashtim të tri burimeve: organizatave, dëshmitarëve dhe magjistratit. Për sa i takon organizatave, ato mund të paraqesin forma të shkruara ose jo të të dhënave ose provave, por mbetet në vlerësimin e ILD-së për t’i konsideruar ato si të tilla. Rrethi apo natyra e organizatave që mund të përfshihen në marrjen e provave apo dëshmive është i papërcaktuar në këtë dispozitë, por kjo nuk nënkupton që ILD-ja duhet t’i drejtohet çdo lloj organizate gjatë hetimit. I takon ILD-së të përcaktojë në fillim të hetimit, midis të tjerave, edhe organizatat të cilave mund t’i drejtohet për të marrë të dhëna lidhur me çështjen objekt hetimi. E njëjta gjë vlen edhe për dëshmitarët. Sa i takon marrjes së të dhënave apo dokumenteve provuese nga magjistrati, ligjvënësi e ka lënë si burim të fundit dhe opsional. Arsyeja për këtë parashikim ka të bëjë me faktin se magjistrati për të cilin ka filluar hetimi është i lirë të japë ose jo dëshmi para ILD-së apo të paraqesë ose jo prova dokumentare. Të drejtat procedurale që gëzon magjistrati gjatë hetimit janë të parashikuara në nenin 129, më konkretisht në pikën 2 të këtij neni parashikohet dhe mundësia (jo detyrimi) që magjistrati t’i paraqesë ILD-së informacione, prova dhe të dhëna të tjera (shih komentin e nenit 129).
      7. Garantimi i pavarësisë së magjistratit gjatë hetimit

       

      1. pikën 3 të nenit 130 parashikohet një element garancie për magjistratin, konkretisht shmangia e çdo forme presioni ndaj magjistratit gjatë hetimit disiplinor. Kjo situatë mund të ndodhë nëse çështja për të cilën ka filluar hetimi ndaj magjistratit është në gjykim ose hetim nga ky i fundit. Nëse hetimi nga ana e ILD-së ka filluar, atëherë ai ka dy mundësi: (I) të pezullojë hetimin deri në përfundimin e gjykimit/hetimit të çështjes nga magjistrati; (II) të vazhdojë hetimin nëse shkelja e pretenduar lidhet me fakte të ndryshme nga ato për të cilat po zhvillohet gjykimi/hetimi nga magjistrati. Mundësia e parë, pra pezullimi i hetimit nga ana e ILD-së kur një procesi gjyqësor ose hetimit penal në gjykatë ose prokurori i cili ka lidhje me shkeljet të cilat janë objekt hetimi nga ana e ILD-së është një kompetencë që i është dhënë atij nga neni 126i këtij ligji. Lidhja midis hetimit disiplinor dhe procesit penal, civil ose administrativ duhet të ekzistojë sipas nenit 126 duke u shfaqur në dy forma: (I) kur vetë magjistrati është palë në proces; (II) kur shkelja e dyshuar lidhet me të njëjtat fakte, për të cilat do të merret vendimi në procesin që po shqyrton prokurori apo gjyqtari. Këto raste shtrihen ndaj çdo procesi penal, civil administrativ (shih komentin e nenit 126). Në rast se ILD-ja nuk ndodhet para kushteve të pikës 3, shkronja “a” të këtij neni (në bashkëveprim me nenin 126, pika 1, shkronja “a”), ai mund të vazhdojë hetimin disiplinor.Nëse lidhja midis fakteve që hetohen dhe një procesi penal, civil apo administrativ mbi to ngjall dyshime se ekziston qoftë edhe pjesërisht, ILD-ja duhet të argumentojë në mënyrë bindëse vendimin e tij me qëllim moskrijimin e dyshimit të arsyeshëm për mosrespektim të pavarësisë së magjistratit gjatë hetimit. I tillë p.sh. mund të jetë rasti kur një person mund të jetë proceduar penalisht dhe po gjykohet për korrupsion aktiv ndaj magjistratit për të cilin ILD-ja ka filluar hetimin disiplinor për të njëjtin shkak. Në këtë rast, ILD-ja mund të pezullojë hetimin deri në përfundimin e gjykimit penal ndaj personit që akuzohet për korrupsion aktiv ndaj magjistratit, duke argumentuar që rezultati i gjykimit do të ishte vendimtar për ecurinë e procedimit disiplinor. Në çdo rast vendimi i ILD-së njoftohet sipas pikës 3 të nenit 126.

       

      [1] Shih për më tepër vendimet e GJK-së lidhur me hetimin që zhvillon komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e funksionarëve publikë: vendimet nr.18/2003; nr.20/2007; nr.12/2008.

      [2]Shih për më tepër Jon Smibert, “Parimet e provave”, 2014, fq. 15 e në vijim. Prishtinë, botim online në: file:///C:/Users/User/Dropbox/e-commentary/status%20law/marrja%20e%20provave-Jon%20Smibert.pdf

      [3]NenET11, 213, 223, 224të Kodit të Procedurës Civile për marrjen e provave.

      1. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, verifikimi apo inspektimi[1] i përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të dytë rregullohej nga ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i ndryshuar dhe ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. Ndërsa verifikimi i përgjegjësisë disiplinore të prokurorëve, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm parashikohej nga ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, i ndryshuar. Në këto ligje nuk parashikohej mundësia e pezullimit të detyrueshëm të procesit të verifikimit nga inspektorati. Jo vetëm kaq, por praktika e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe praktika gjyqësore eci në drejtimin që pranonte se procesi disiplinor mund të vijonte paralelisht me procesin gjyqësor (penal, civil apo administrativ), duke i vlerësuar ata si autonomë të njëri-tjetrit. Kështu, në një rast të tillë, Gjykata e Lartë[2] gjatë shqyrtimit të ankimit të një gjyqtari ndaj vendimit të KLD-së për shkarkimin e tij nga detyra, e refuzuan kërkesën për pezullimin e çështjes deri në përfundimin e procedimit penal ndaj gjyqtarit, duke arsyetuar shprehimisht: “Procedimi nga ana e organit të akuzës për hetimin e një fakti penal dhe përgjegjësia penale nuk lidhet dhe nuk ndikon në procesin që zhvillohet për hetimin dhe vërtetimin nëse ekziston apo jo përgjegjësia disiplinore, jo vetëm sepse organet që verifikojnë faktet janë të ndryshme dhe veprojnë në bazë të rregullave procedurale të ndryshme, por edhe sepse sanksionet që aplikohen për secilin rast janë të ndryshme dhe kanë shkaqe ligjore të ndryshme. Procedimi penal apo disiplinor mund të zhvillohen edhe njëkohësisht, por ata nuk shuajnë apo përjashtojnë njëri-tjetrin për të vepruar secili organ sipas të drejtave dhe kompetencave të përcaktuara në ligjet specifike[3]”.

       

      1. Në kuadër të reformës në drejtësi, ligjet e reja në funksion të organizimit dhe funksionimit të organeve që do të qeverisnin sistemin e drejtësisë, midis të tjerave, kishin në fokus edhe parashikimin e procedurave të posaçme për kontrollin periodik dhe të vazhdueshëm të magjistratëve, me qëllim ngritjen dhe funksionimin e sistemit të llogaridhënies. Në këtë kontekst, si ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ku parashikohet roli dhe misioni i ILD-së, ashtu edhe ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, plotësojnë procedurën e hetimit disiplinor që zhvillon ILD-ja. Pjesë e rëndësishme e procedurës është edhe parashikimi i elementeve të hetimit disiplinor për të shmangur çdo mundësi abuzimi apo formë presioni ndaj pavarësisë në vendimmarrje të magjistratit gjatë hetimit të këtij të fundit nga ILD-ja.

       

       

      [1] Procedura e shqyrtimit administrativ për mbledhjen e provave dhe vërtetimin e fakteve të shkeljes disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët emërtohej proces verifikimi ose inspektimi, ndërsa termi “hetim disiplinor” u prezantua për herë të parë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, si dhe me Ligjin për Statusin.

      [2] Vendimi nr. 5, datë 12.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, kërkues N.T për kundërshtimin e vendimit të KLD-së për shkarkimin e tij nga detyra, faqe 9, parag. 1.

      [3] Vendimet nr.15/2011 dhe nr.22/2008 të Gjykatës Kushtetuese, cituar në vendimin e mësipërm të Gjykatës së Lartë.

    • Asnjë koment
  • 12.Karta Europiane mbi Statusin e Gjyqtarëve dhe Memorandumi Shpjegues i Këshillit të Europës, Strasburg, 8-10 korrik 1998:5.3. Çdokujt duhet t’i jepet mundësia e paraqitjes pa formalitete specifike të një ankese lidhur me mosfunksionimin si duhet të sistemit të drejtësisë në një rast të caktuar para një organi të pavarur. Ky organ duhet të ketë kompetencën të referojë çështjen tek autoriteti disiplinor, nëse pas një hetimi dhe verifikimi të kujdesshëm dhe të thellë vërtetohet se ndodhet para një sjellje të diskutueshme të gjyqtarit.”

     

    Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore te Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, standardet 7-9, dhe Opinionin nr. 3(2002), pg.77 i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, mbi rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën. Këto dokumente vendosin theksin kryesor te parimi i ligjshmërisë së procedimit disiplinor, duke kërkuar që organi hetimor i përgjegjësisë disiplinore dhe procedurat e veprimit e të vendimmarrjes së tij, duhet të përcaktohen me ligj.

     

  • Asnjë koment
    1. Kushtetuta:

    Neni 140, pika 1: “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 148/d, pika 1: “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 147/a, pika 1, shkronja “b”: “KLGJ ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”; neni 149/a, pika 1, shkronja “b”: “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve”; neni 147/d, pika 1: “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”.

     

    1. Ligji për Statusin: neni 123,neni 126, neni 129.

    Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”: neni 194.

    Kodi i Procedurës Civile: nenet 11, 213, 223, 224.

     

    Vendime të Gjykatave

     

    Vendimii Gjykatës Kushtetuese, nr.15/2011, kërkues A.O, objekti:“Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr.541, datë 7.7.2010”, “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Komunës Kolsh”.

     

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nr.22/2008, kërkues A.S, objekti: “Shfuqizimi si antikushtetues i vendimit të Këshillit të Ministrave nr.729, datë 28.5.2008”, “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Komunës Kashar”.

     

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nr.18/2003, kërkues: “Një Grup prej 32 Deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, me objekt: “Interpretimi përfundimtar i nenit 77, pika 2 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.

     

    Vendimi i Gjykatës së Lartë, nr. 5, datë 12.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, kërkues N.T për kundërshtimin e vendimit të KLD-së për shkarkimin e tij nga detyra.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi