"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 135: Marrëveshje e përbashkët e pranimit

1Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe magjistrati në çdo kohë mund të dakordësojnë marrëveshjen e përbashkët të pranimit lidhur me shkeljen disiplinore që i atribuohet magjistratit.

2Palët mund të bien dakord për llojin e shkeljes disiplinore që magjistrati pranon, si dhe masën disiplinore të përshtatshme.

3Palët hartojnë me shkrim dhe nënshkruajnë marrëveshjen, e cila dorëzohet në Këshillin përkatës.

4Marrëveshja duhet të përmbajë:

apërmbledhje të fakteve dhe shkeljes që pranon magjistrati;

bmasën disiplinore që palët kanë rënë dakord;

cnjë deklaratë se magjistrati është i vetëdijshëm se marrëveshja duhet të miratohet nga Këshilli.

5Këshilli përkatës pranon marrëveshjen me vendim të arsyetuar, nëse:

amarrëveshja është nënshkruar nga të gjitha palët dhe përmban elementet e parashikuara në pikën 4 të këtij neni;

bnëse rezulton se magjistrati e ka kuptuar marrëveshjen dhe përmbajtjen e saj, si dhe nëse ai ka dhënë pëlqimin me shkrim me vullnetin e tij të lirë;

cmasat disiplinore kryesore dhe plotësuese, për të cilat kanë rënë dakord Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe magjistrati, të jenë në përputhje me këtë ligj.

6Këshilli përkatës refuzon marrëveshjen me vendim të arsyetuar, nëse:

amarrëveshja nuk nënshkruhet nga të gjitha palët ose nuk përmban elementet e parashikuara në pikën 4 të këtij neni;

bmagjistrati i thirrur rregullisht nuk merr pjesë në seancë dhe nuk paraqet shkaqe të arsyeshme për mungesën e tij;

cprovat e mbledhura janë në kundërshtim haptazi me deklarimin e magjistratit për pranimin e kryerjes së shkeljes disiplinore;

çmasat disiplinore kryesore dhe plotësuese, për të cilat kanë rënë dakord Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe magjistrati, nuk janë në përputhje me këtë ligj;

dmagjistrati është detyruar të pranojë marrëveshjen;

dhmagjistrati tërheq pëlqimin për marrëveshjen.

7Nëse Këshilli e pranon marrëveshjen, ajo do të konsiderohet si një vendim i formës së prerë i procedimit disiplinor, e cila nuk ankimohet.

8Nëse Këshilli refuzon marrëveshjen, atëherë çdo pohim i bërë nga palët që lidhet me shkeljen disiplinore, në kuadër të hartimit të marrëveshjes, si dhe para Këshillit gjatë seancës për pranimin ose jo të marrëveshjes, nuk mund të përdoret në favor ose kundër këtyre palëve.

9Nëse marrëveshja refuzohet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të fillojë ose vazhdojë veprimet hetimore disiplinore ndaj magjistratit, brenda një muaji nga dita e refuzimit të kësaj marrëveshje.

10Nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk zbaton afatet e parashikuara në pikën 9, të këtij neni, magjistrati ka të drejtë të ankimojë mosveprimin administrativ të tij te Këshilli përkatës.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i nenit 135 është ofrimi i mundësisë për të siguruar efektivitetin e organit të hetimit disiplinor, duke shkurtuar kohën dhe koston e hetimit nëpërmjet arritjes dhe pranimit të një marrëveshje midis tij dhe magjistratit lidhur me shkeljen e pretenduar. Rregullimi i kushteve në të cilat arrihet dhe miratohet marrëveshja është gjithashtu një garanci për magjistratin, i cili ka të drejtë në çdo kohë të tërhiqet prej saj, pa e paragjykuar përgjegjësinë e tij. Synimi edhe i kësaj dispozite është garantimi i efektivitetit, qartësisë, paanshmërisë dhe transparencëssë procesit të procedimit disiplinor në çdo fazë dhe gjatë gjithë kohës, duke përfshirë edhe rastin e marrëveshjes së pranimit.
      1. Neni 135 bën pjesë në kreun II “Procedurat hetimore”, i cili është përfshirë në pjesën V për Përgjegjësinë Disiplinore, Civile dhe Penale të magjistratit. Kjo dispozitë vjen e renditur pas neneve që parashikojnë aspekte të tjera të procedurës hetimore me qëllim vërtetimin e shkeljes së pretenduar nga magjistrati. Konkretisht, në këtë kre janë parashikuar afatet e parashkrimit (neni 117), afatet e procedimit nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) (neni 118), subjektet që paraqesin ankesat (neni 119), kritereve të nevojshme me qëllim fillimin e hetimeve (neni 120), i ndjekur nga faza e shqyrtimit paraprak të ankesës nga ILD-ja (nenet 121-123), më pas vijnë fillimi i hetimit (nenet 124-128) dhe veprimet hetimore dhe mbyllja e hetimit (130-134). Neni 135 ofron një mundësi të re për të përfunduar në një kohë më të shkurtër procesin e hetimit, kur për këtë bien dakord të dyja palët dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë dispozitë.

       

      1. Struktura e nenit 135 është e ndërtuar në 10 pika dhe e klasifikon atë në një kategori të dispozitave të gjata dhe komplekse. Arsyeja për këtë qëndron te specifika e çështjes që rregullon dhe tendencës për të qenë shteruese në parashikimin e të gjitha situatave me të cilat mund të përballen palët gjatë marrëveshjes. Duke analizuar përbërjen e nenit 135, në mënyrë të përmbledhur vihet re se pika 1 parashikon mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për pranimin e shkeljes midis ILD-së dhe magjistratit, pa përcaktuar kufi të shprehur në kohë, por duke e lidhur me kushtin e mospërfundimit të hetimit dhe para sedosja hetimore të dërgohet në Këshill për vendimmarrje të mëtejshme. Në pikën 2 parashikon objektin e marrëveshjes, konkretisht marrëveshja duhet të përmbajë llojin e shkeljes dhe masën disiplinore përkatëse. Ndërsa pika 3kërkon formën e shkruar të marrëveshjes, nënshkrimin e saj nga të dyja palët dhe miratimin e saj nga këshilli përkatës. Më tej, në pikën 4 parashikohen edhe elemente të tjera të marrëveshjes, tej objektit që përcaktohet në pikën 2 të këtij neni (shkelja dhe masa disiplinore), konkretisht faktet e mbledhura nga ILD-ja dhe miratimin e marrëveshjes nga Këshilli. Pika 5 parashikon kushtet që duhet të plotësojë marrëveshja me qëllim që ajo të miratohet nga Këshilli. Ndërsa pika 6 parashikon kushtet për të kundërtën, pra refuzimin e marrëveshjes kur nuk plotësohen kryesisht kushtet e parashikuara në pikën 5 me përjashtim të tri rasteve (shkronjat “b”, “c” dhe “d” që do shtjellohen më poshtë). Pika 7 e konsideron marrëveshjen e pranuar nga Këshilli si vendim të formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim, ndërsa pika 8 rregullon situatën kur marrëveshja nuk pranohet nga Këshilli, efekti i së cilës është pavlefshmëria e të gjitha pohimeve të bëra nga të dyja palët gjatë hartimit të marrëveshjes. Në këtë rast ILD-ja ka të drejtë që brenda një muaji nga vendimi i Këshillit të fillojë ose të vazhdojë hetimin e ndërprerë (pika 9). Nëse ILD-ja nuk vepron brenda këtij afati atëherë magjistrati mund të ushtrojë ankim ndaj mosveprimit të ILD-së te Këshilli përkatës (pika 10).

       

      1. Subjektet

      4.Neni 135 i drejtohet tri subjekteve: a) ILD-së, i cili është organi përgjegjës për kryerjen e hetimit ndaj magjistratit (neni 194 i ligjit nr.115/2016 për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë), b) magjistratit ndaj të cilit ka filluar hetimi dhe është një nga palët e marrëveshjes, si dhe c) Këshilli, i cili në çdo rast duhet të shqyrtojë kushtet e marrëveshjes dhe të vendosë pranimin ose refuzimin e saj. Të tria këto subjekte janë të parashikuara përkatësisht me të drejtat dhe detyrimet e tyre në kuadër të arritjes dhe miratimit të marrëveshjes së pranimit, e cila sjell pasoja të njëjta me ato të përfundimit të hetimit në kushte të zakonshme nga ana e ILD-së.

       

      1. Kuptimi dhe përmbajtja e marrëveshjes së pranimit
      2. Marrëveshja e pranimit është një institut i ri që parashikohet për herë të parë në kuadrin ligjor që lidhet me procedimin disiplinor të funksionarëve publikë. Si i tillë ai meriton një vëmendje të posaçme lidhur me kuptimin, rolin dhe efektet që ajo mund të sjellë jo vetëm për palët që e lidhin marrëveshjen, por në tërësi për procesin e hetimit disiplinor. Ky institut nuk është mjaft i përhapur në Europë[1], arsyeja mund të jetë fakti që është institut i ri dhe si i tillë nuk ka arritur të bëhet pjesë e legjislacioneve të konsoliduara që lidhen me përgjegjësinë disiplinore të magjistratit. Siç u tha, marrëveshja e pranimit është një alternativë për t’u përdorur nga palët me qëllim që procesi i hetimit të mos zgjatet pa nevojë, nëse të dyja palët janë dakord se faktet e mbledhura që shkojnë në drejtimin e konfirmimit të kryerjes së shkeljes nga magjistrati, janë të bazuara.
      3. Një nga çështjet me rëndësi këtu është përcaktimi i momentit të arritjes së marrëveshjes, pra cila është periudha kohore gjatë së cilës mund të arrihet një marrëveshje? Pika 1e nenit 135 përcakton se marrëveshja mund të dakordësohet “në çdo kohë”. Megjithatë, brenda këtij marzhi kohor të papërcaktuar ka një moment fillimi dhe fundi, tej të cilave marrëveshja nuk mund të arrihet. Së pari, duke qenë se ILD-ja është organi kompetent për kryerjen e hetimit ai ka vetëm dy mundësi për të vepruar kur merr një ankesë: a) të arkivojë ankesën ose b) të fillojë hetimin (nenet118/1, 121të ligjit). Pra, momenti kohor më i hershëm për të arritur një marrëveshje është fillimi i hetimit. Në këtë përfundim logjik arrihet edhe për faktin se marrëveshja duhet të pasqyrojë edhe fakte të cilat provojnë kryerjen e shkeljes (pika 4 e nenit 135). Së dyti, ILD-ja edhe në rastin kur përfundon hetimin ka dy mundësi: a) të mbyllë hetimin nëse provat janë të pamjaftueshme ose pretendimet e pabazuara ose b) të vendosë procedimin disiplinor dhe të propozojë masën konkrete (neni 133, pika 3, shkronja “e”). Kjo nënkupton që momenti kohor fundor për të arritur marrëveshjen me magjistratin është para se ILD-ja të vendosë mbylljen e hetimit dhe fillimin e procedimit disiplinor duke dërguar dosjen hetimore në Këshillin përkatës. Si përfundim, termi “në çdo kohë” nënkupton që marrëveshja duhet të arrihet në periudhën kohore që nis nga momenti i fillimit të hetimeve deri në momentin e përfundimit të tyre me propozimin për procedim disiplinor dhe marrjen e masës përkatëse nga Këshilli.
      4. Elementet përmbajtjesore të marrëveshjes janë të parashikuara në pikën 2 të nenit 135, konkretisht: shkelja dhe masa e përshtatshme. Nisur nga kjo, rezulton që së pari duhet të jetë plotësuar kushti që faktet e mbledhura shkojnë në drejtim të përgjegjësisë së magjistratit për një shkelje të kryer prej tij, pavarësisht nëse ajo është e njëjta për të cilën ka filluar hetimi apo është rikualifikuar gjatë hetimit. Prandaj ligjvënësi ka parashikuar mundësinë e dakordësimit lidhur me llojin e shkeljes, e cila duhet të bazohet te faktet e mbledhura deri në momentin e arritjes së marrëveshjes nga palët. Përveç kësaj, masa disiplinore jo vetëm duhet të dakordësohet nga palët por ajo duhet t’i përgjigjet shkeljes, ndryshe bie ndesh me ligjin, konkretisht me nenin 100, pika 1 shkronja “e” (parimin e proporcionalitetit) dhe nenin 115, pika 1 (kriteret për caktimin e masës disiplinore) të ligjit.
      5. Marrëveshja duhet të ketë disa elemente formale dhe përmbajtjesore. Konkretisht, elementet formale janë të parashikuara në pikën 3: a) hartimi në formë të shkruar; b) nënshkrimi nga palët, pra ILD-ja dhe magjistrati ose përfaqësuesi i tij nëse ka[2] dhe c) dërgimi i saj te Këshilli përkatës.
      6. Përveç këtyre, marrëveshja duhet të ketë edhe disa elemente përmbajtjesore me qëllim vlefshmërinë e saj. Në pikën 4 parashikohen këto elemente: a) faktet dhe shkeljen që pranon magjistrati; b) masën disiplinore për të cilën është rënë dakord dhe c) deklaratën e magjistratit se është i vetëdijshëm se marrëveshja duhet të miratohet nga Këshilli. Në fakt, pika 4 duket se bën një përsëritje të pikës 2 të këtij neni, pasi përmban të njëjtat elemente: llojin e shkeljes dhe masën disiplinore. Elementi i shtuar është deklarata e magjistratit, e cila në fakt nuk mund të konsiderohet si element i shtuar, pasi miratimi i marrëveshjes nga Këshilli është detyrim ligjor dhe vetëm ky fakt mjafton që magjistrati të jetë i vetëdijshëm edhe pa pasur nevojë për deklaratë në formë të shkruar.
      7. Në dy pikat e tjera, 4 dhe 5, ligjvënësi ka parashikuar kushtet që çojnë përkatësisht në pranimin (pika 4) ose refuzimin (pika 5) të marrëveshjes së dakordësuar nga palët. Këto dy pika kanë thuajse të njëjtat elemente, dallimi qëndron te prania ose mungesa e tyre të cilat çojnë përkatësisht në pranimin ose refuzimine marrëveshjes. Kushtet e njëjta që kanë këto dy pika janë: a) nënshkrimi ose jo i marrëveshjes; b) pranimi ose jo i marrëveshjes me vullnet të lirë të magjistratit; c) masat disiplinore të dakordësuaratë jenë ose jo në përputhje me ligjin. Kushtet shtesë që përmban pika 5 me pasojë refuzimin e marrëveshjes janë: a) mosparaqitja e magjistratit në seancën që zhvillon Këshilli dhe b) provat e mbledhura janë në kundërshtim me deklarimet e magjistratit; dhe c) magjistrati tërheq pëlqimin për marrëveshjen. Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se kushtet për pranimin e marrëveshjes nga Këshilli janë: pranimi me vullnet të lirë i marrëveshjes nga magjistrati dhe ligjshmëria e masës së dakordësuar e cila i përshtatet shkeljes së bërë të bazuar në fakte. Në rast të kundërt Këshilli nuk e pranon marrëveshjen.
      8. Efektet e pranimit ose refuzimit të marrëveshjes nga Këshilli
      9. Megjithëse marrëveshja bazohet në vullnetin e lirë dhe pëlqimin e palëve midis të cilave ajo lidhet, pra ILD-ja dhe magjistrati (pika 1), me qëllim ardhjen e pasojave juridike ajo kërkon domosdoshmërisht pranimin ose konfirmimin nga ana e Këshillit përkatës. Arsyeja për këtë qëndron te fakti se organi kompetent për procedimin disiplinor dhe caktimin e masës disiplinore ndaj magjistratëve është Këshilli, organ i ndarë dhe i pavarur nga procesi i zhvilluar prej organit hetimor, ILD. Për këtë arsye, pavarësisht dakordësimit të shkeljes dhe masës nga palët, Këshilli duhet të certifikojë këtë marrëveshje jo vetëm për të ushtruar kompetencën e tij funksionale, por edhe për të garantuar zbatimin e ligjshmërisë në procesin disiplinor ndaj magjistratit. Ligjshmëria e procedimit disiplinor nënkupton jo vetëm ndëshkimin e sjelljeve në kundërshtim me ligjin por edhe raportin e drejtë midis shkeljes dhe masës ndëshkimore, si dhe vullnetin e lirë të magjistratit në pranimin e përgjegjësisë dhe si pasojë edhe të masës disiplinore, pavarësisht rrethanave.
      10. Pas verifikimit të të gjitha elementeve të marrëveshjes, Këshilli vendos: a) pranimin ose b) refuzimin e marrëveshjes. Nëse vendoset pranimi i marrëveshjes, atëherë vendimi i Këshillit për pranimin konsiderohet i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim (pika 7). Nëse Këshilli refuzon marrëveshjen për arsyet e parashikuara në pikën 6 të këtij neni, atëherë çdo thënie apo pohim i palëve në marrëveshjen me shkrim apo gjatë seancës së zhvilluar në Këshill konsiderohet i pavlefshëm dhe nuk mund të përdoret kundër ose në favor të asnjërës palë (pika 8). Ky vendim pra bën nul marrëveshjen, por edhe pohimet verbale të bëra para Këshillit. Pyetja lind: a konsiderohen të pavlefshme edhe faktet e provat e mbledhura gjatë hetimit të bërë nga ILD-ja deri në atë çast? Pika 8 përmend vetëm termin “pohim” dhe jo “fakte” ose “prova”. Në këto kushte, ILD-ja, brenda një muaji pas vendimit të refuzimit nga Këshilli, mund të vendosë vazhdimin e hetimit ndaj magjistratit (pika 9), në të kundërt, në rast mosveprimi, magjistrati ka të drejtë të ushtrojë ankim në Këshill (pika 10). Ky parashikim nënkupton që ILD-ja është e detyruar të hetojë më tej dhe të dalë me një përfundim për procedimin e magjistratit, proces i cili i nënshtrohet rregullave të zakonshme të vendimmarrjes.

       

      [1] Disa nga vendet që e njohin marrëveshjen e pranimit në forma dhe hapësira të ndryshme janë Bullgaria, Irlanda… shih për më tepër: https://www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf

      [2]Shih nenin 129, pika 3 lidhur me përfaqësimin e magjistratit gjatë hetimit.

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
    1. Kushtetuta: Neni 140, pika 1: “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 148/d, pika 1: “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 147/a, pika 1, shkronja “b”: “KLGJ ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”; neni 149/a, pika 1, shkronja “b”: “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve”; neni 147/d, pika 1: “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”.

     

    1. Ligji për statusin: Neni 118, 122.

    Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”: neni 100 dhe 194.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi