"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 140: Bashkimi i procedimeve disiplinore

1Kur Këshilli konstaton që procedimi disiplinor u referohet të njëjtave fakte dhe të njëjtit magjistrat, mund të vendosë bashkimin e procedimeve.

2Në raste kur një gjyqtar ose një prokuror janë të përfshirë në të njëjtën shkelje, Këshillat vendosin bashkimin e procedimeve. Këshillat miratojnë rregulla të përbashkëta për bashkimin e procedimeve.

Përmbajtja

    • 1. Kjo dispozitë synon zhvillimin e procedurave disiplinore në mënyrë të shpejtë dhe efektive, duke administruar në mënyrë sa më racionale burimet njerëzore dhe kohën për zhvillimin e këtyre procedimeve. Njëkohësisht,ajo synon të garantojë standarde të njëjta dhe të qëndrueshme për procedimin disiplinor të magjistratit, pa cenuar garancitë për proces të rregullt.

      2. Dispozita, me synimin për të krijuar standarde të njëjta në procedim për magjistratin, parashikon bashkimin e procedimeve në rastin kur për të njëjtën shkelje të pretenduar janë përfshirë gjyqtarë dhe prokurorë.

      3. Për të krijuar siguri dhe parashikueshmëri lidhur me kushtet dhe procedurat për bashkimin e procedimeve, dispozita ngarkon Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), (Këshillat), me detyrimin normativ për të nxjerrë rregulla të përbashkëta për këtë qëllim.

    • 4. Kjo dispozitë përcakton rastet dhe kushtet për bashkimin e procedimeve disiplinore dhe ngarkon Këshillat sipas nenit 140, parag. 2, fjalia 2, me detyrimin për nxjerrjen e rregullave të përbashkëta për bashkimin e procedimeve. Rregullimet e kësaj dispozite presupozojnë se në rastin kur kërkohet bashkimi i procedimeve, për këto të fundit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka vendosur veçmas fillimin e procedimit, sipas nenit 138, dhe nuk i ka bashkuar hetimet disiplinore sipas nenit 128 të këtij ligji (shih komentet për këto nene).

      5. Dy janë rastet e parashikuara për bashkimin e procedimeve. Në rastin e parë, procedimet e filluara, për të cilat mund të vendoset bashkimi, u referohen të njëjtave fakte dhe të njëjtit gjyqtar ose prokuror. Në këtë rast, secili nga Këshillat, respektivisht, mund të vendosë bashkimin e procedimeve që kanë filluar ndaj të njëjtit gjyqtar ose prokuror.Kushti i kërkuar është që procedimet e filluara ndaj të njëjtit gjyqtar ose prokuror t’u referohen të njëjtave fakte.

      6. Në rastin dytë, presupozohet se janë filluar dy ose më shumë procedime, veçmas për prokurorin nga ai për gjyqtarin, të cilët janë përfshirë në të njëjtën shkelje të pretenduar. Në këtë rast, kriteri mbi të cilën merret vendimi për bashkimin e procedimeve është shkelja e pretenduar. Për procedimet e filluara, secili nga Këshillat është përgjegjës respektivisht për gjyqtarin ose prokurorin. Kështu që vendimi për bashkimin e procedimeve nuk mund të merret vetëm nga njëri prej Këshillave, por duhet të vendoset në mënyrë të përbashkët. Për këtë arsye, dispozita ngarkon Këshillat për të nxjerrë rregulla të përbashkëta për bashkimin e procedimeve.

      7. Si rregull, bashkimi i procedimeve duhet të vazhdojë me numrin eregjistrimit (protokollit) të procedimit, i cili ka filluar i fundit. Në këtë mënyrë, përllogaritja e afateveduhet të jetë në përputhje me datën e vendimit për fillimin e procedimit, i cili është marrë i fundit.Kjo duhet parashikuar në mënyrë të shprehur në vendimin për bashkimin e procedimevedisiplinore.

      8. Dispozita, nga pikëpamja normative, ka natyrëprocedurale dhe parashikon rregullime për një aspekt të veçantë, sipas një rendi të caktuar, të procedurave disiplinore. Në këtë kuptim, interpretimi i kësaj dispozite duhet të bëhet në harmoni dhe në mënyrë sistematike me rregullimet e tjera të kreut “Fillimi i procedimit disiplinor”, të këtij ligji.

    • 9. Në këtë dispozitë janë identifikuar dy çështje, të cilat mund të shtrohen për sqarim dhe interpretim: a) nëse dy ose më shumë procedime kanë filluar ndaj gjyqtarëve ose prokurorëve të veçantë, por mbi bazën e të njëjtave fakte, a mund të vendoset bashkimi i procedimeve? b) bashkimi i procedimeve, sipas kushteve të parashikuara nga dispozita, është detyrim për Këshillat apo çmohet sipas rastit?

      a) Çështja e parë:bashkimi i procedimeve kur për të njëjtat fakte janë përfshirë dy ose më shumë magjistratë.

      10. Nga formulimi i paragrafit të parë, nëpërmjet interpretimit literal, mund të konkludohet se bashkimi i procedimeve nuk lejohet nëse nuk përmbushen të dyja kushtet në mënyrë kumulative:“të njëjtave fakte dhe të njëjtit magjistrat”. Ndërsa, paragrafi i dytë kërkon bashkimin e procedimeve kur për të njëjtën shkelje janë përfshirë gjyqtarë dhe prokurorë. Duke u nisur nga kushti sipas paragrafit të dytë, bashkimi i procedimeve, për më tepër, do të ishte i arsyeshëm që të bëhej nëse dy ose më shumë gjyqtarë janë përfshirë në të njëjtën shkelje të pretenduar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për procedimet ndaj prokurorëve.Pavarësisht se paragrafi i parë përdor kriterin“të njëjtave fakte”, ndërsa paragrafi i dytë “të njëjtën shkelje”, në thelb, nga pikëpamja praktike, këto dy koncepte kanë kuptim të njëjtë. Bëhet fjalë për fakte të pretenduara si shkelje dheshkelje të pretenduar nisur nga faktet mbi të cilat ka nisur procedimi.

      11. Këtë kuptim ka dhe neni 128 i këtij ligji, ku parashikohet bashkimi i procedimeve hetimore nga ILD-ja, kur hetimet e filluara u referohen të njëjtave fakte ose të njëjtit magjistrat. Kjo dispozitë, dy kushtet “të njëjtave fakte” dhe “të njëjtit magjistrat” i kërkon në mënyrë alternuese dhe jo kumulative.

      12. Pra, nëse dispozita do të interpretohet në mënyrë sistematike në lidhje edhe me nenin 128 të këtij ligji, bashkimi i procedimeve do të lejohet edhe për rastet kur procedimet u referohen të njëjtave fakte ku janë të përfshirë dy ose më shumë gjyqtarë/prokurorë. Ky interpretim është në harmoni edhe me qëllimin e dispozitës, për të garantuar standarde të njëjta dhe të qëndrueshme për procedimin disiplinor të magjistratit, pa cenuar garancitë për proces të rregullt.

      b) Çështja e dytë: bashkimi i procedimeve, detyrim apo diskrecion për Këshillat?

      13. Sipas paragrafit të parë të dispozitës, kur plotësohen kushtet e kërkuara, Këshilli mund të vendosë bashkimin e procedimeve. Pra, në kuptiminliteral, Këshilli çmon nëse duhet të bëhet bashkimi i procedimeve edhe kur këto procedime janë për të njëjtat fakte ose ndaj të njëjtit gjyqtar ose prokuror. Në këtë rast, Këshilli vlerëson nëse ka faktorë të tjerë dhe arsye legjitime, të cilat kërkojnë/imponojnë zhvillimin e procedimeve veçmas. Ndërsa, sipas paragrafit të dytë, Këshillat vendosin bashkimin e procedimeve nëse përmbushen kushtet e kërkuara. Nëse i përmbahemi formulimit literalisht, Këshillat, kur konstatohen dy kushtet,sipas parag. 2, fjalia 1,nuk kanë diskrecion për ta çmuar nëse duhet të bashkohen ose jo procedimet, por duhet të vendosin bashkimin.

      14. Nëse bazohemi vetëm në kuptimin literal, krijohet një paqartësi ndërmjet dy paragrafëve në lidhje me diskrecionin ose jo të Këshillit/Këshillave për të vendosur bashkimin e procedimeve. Duke bërë një interpretim sistematik/logjik të të dy paragrafëve të kësaj dispozite, përderisa Këshilli, sipas paragrafit të parë ka diskrecion për të vendosur bashkimin e procedimeve ose jo, aq më tepër ky kuptim duhet të zbatohet edhe për Këshillat sipas kushteve të paragrafit të dytë. Pra, Këshillat kanë diskrecion për të vlerësuar nëse është rasti për të vendosur bashkimin e procedimeve, apo jo. Rregullat e përbashkëta që duhet të miratohen nga Këshillat duhet të përcaktojnë kushtet dhe kriteret që duhet të çmohen për të vendosur bashkimin ose jo të procedimeve. Për analogji, Kodi i Procedurave Administrative (KPA) , ligji për gjykatat administrative , Kodi i Procedurës Penale (KPP) dhe Kodi i Procedurës Civile (KPC) bashkimin e procedimeve, sipas specifikave të fushës dhe çështjeve, e lë në çmimin e organit/gjykatës për të vlerësuar bashkimin ose jo.

       

    • 15. Hetimi dhe procedimi disiplinor për magjistratët, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, rregullohej nga ligje të ndryshme për gjyqtarët dhe prokurorët. Përgjegjësia disiplinore për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të dytë rregullohej nga ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (ligji nr.8811), i ndryshuar, ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. Procedimi disiplinor për gjyqtarët kryhej nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) sipas neneve 31 – 35 të kreut V “Procedimi disiplinor” të ligjit nr. 8811/2001 dhe të vendimit nr. 137, datë 21.2.2003 të KLD-së “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”. KLD vepronte gjithnjë në seancë plenare, duke dëgjuar të dyja palët: ministrin e Drejtësisë dhe gjyqtarin.

      16. Procedimi dhe përgjegjësia disiplinore e prokurorëve, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm (PP), rregullohej nga ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, nenet 28-34. Kompetenca e fillimit të procedimit disiplinor dhe e dhënies së masave disiplinore i përkiste të njëjtit autoritet – Prokurorit të Përgjithshëm (neni 8, pika 1, shkronja “h” dhe neni 28). PP merrte mendimin e Këshillit të Prokurorisë, i cili zhvillonte seancë dëgjimore me prokurorin në procedim (neni 10, pika 3, shkronja “a”, neni 30 dhe neni 31).

      17. Këto ligje nuk parashikonin mundësinë e bashkimit të procedimeve. Kjo ka qenë më shumë një çështje praktike që vlerësohej nga organet përkatëse të procedimit disiplinor rast pas rasti.

      18. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka bërë një paraqitje të situatës së verifikimit të përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, por pa u ndalur tek aspektet specifike të procedimit disiplinor, siç janë dhe rregullimet për bashkimin e procedimeve. Ligji për Statusin, duke reflektuar një qasje të re normative, ka bërë unifikimin e të drejtave dhe detyrimeve të gjyqtarit dhe prokurorit në një tekst ligjor të detajuar dhe pothuajse gjithëpërfshirës, ku bëjnë pjesë dhe ato për hetimin dhe procedimin disiplinor. Në relacionin shoqërues/shpjegues të Ligjit për Statusin është evidentuar se: “Procedimi disiplinor rikonceptohet si një sistem garantues ku janë të ndara përgjegjësitë e institucioneve që kryejnë hetimin, institucioneve që marrin vendimin dhe institucioneve që shqyrtojnë ankimin e ushtruar ndaj vendimeve për masat disiplinore, duke i garantuar magjistratit në të gjitha hallkat e kësaj procedure, të drejtën për një proces të rregullt” . Po në këtë kuptim, si një nga synimet e ligjit evidentohet se “bazuar në standardet ndërkombëtare, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe procedurale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve. Standardet ndërkombëtare rekomandojnë që parashikimet normative të mos lënë hapësirë për paqartësi ose dykuptimshmëri, pasi në të kundërtën masat disiplinore nuk i shërbejnë qëllimit të tyre në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, por mund të përdoren në mënyrë abuzive si një mjet për të cenuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit” . Në këtë relacion nuk janë përmendur të gjitha elementet e ligjit lidhur me rregullat për procedimin disiplinor, ku përfshihen dhe ato për bashkimin e procedimeve, por shënohet si risi e Ligjit për Statusin përcaktimi i plotë dhe i qartë i procedurës hetimore dhe disiplinore.

       

    • Asnjë koment
  • 19. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore te Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i Rrjetit Europian për Këshillat e Gjyqësorit (ENCJ) “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, dhe Opinioni nr.3 (2002) i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, për rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën. Këto dokumente vendosin theksin te parimi i procesit të rregullt disiplinor.

    20. Një sërë dokumentesh ndërkombëtare përcaktojnë standarde lidhur me pavarësisë dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku përfshihen dhe ato për kontrollin e përgjegjësisë disiplinore dhe garancitë përkatëse. Disa nga këto dokumente, ku bazohen dhe referohen edhe opinionet e Komisionet të Venecias për reformën kushtetuese e ligjore në sistemin të drejtësisë .

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf.
    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

  • Kushtetuta:
    Nenet:147, 147/a, 147/d, 149, 149/a.

    Ligji:
    Ligji nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”: nenet 100-147.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • A.Ligje

    - Kushtetuta, nenet 140 dhe 149, pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016;
    - ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
    - ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar;
    - ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar;
    - ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

    B. Akte nënligjore
    - Vendimi nr. 137, datë 21.2.2003 të KLD-së “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”.

Sokol Berberi
Sokol Berberi