"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 139: Mbyllja e procedimit disiplinor pa seancë dëgjimore

1. Këshilli vendos mbylljen e procedimit disiplinor pa zhvilluar seancë dëgjimore nëse:

a. shkelja disiplinore është parashkruar në kohën kur ka filluar hetimi, sipas parashikimeve të nenit 117 të këtij ligji;

b. çështja ka qenë objekt i procedimit disiplinor që është zgjidhur me vendim të formës së prerë;

c. ka arsye të tjera për të mbyllur procedimin, në përputhje me parashikimet e nenit 134, pika 1, shkronjat “ç” dhe “d”;

ç. raporti i hetimit është depozituar pa u arsyetuar.

2. Dorëheqja e magjistratit nuk ndalon fillimin ose vazhdimin e procedimit disiplinor.

3. Këshilli mbyll procedimin disiplinor, sipas parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, me vendim të arsyetuar me shkrim. Ai njofton palët për shkaqet e mbylljes.

Përmbajtja

      1. Neni 139 rregullon procedurën e mbylljes së procedimit disiplinor të magjistratit pa zhvilluar seancë dëgjimore. Kjo dispozitë vjen në bazë të neneve 140, 148/d dhe 147/d të Kushtetutës. Sipas këtyre normave kushtetuese, gjyqtari/prokurori mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit, e cila hetohet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.

       

      1. Neni 139 përcakton vendimmarrjen e Këshillit, kur që në nisje të procedimit disiplinor të filluar nga ILD verifikohet një shkak ligjor që pengon vërtetimin e përgjegjësisë disiplinore dhe dhënien e sanksionit ndaj magjistratit. Për këtë arsye, neni 139 ofron në dispozicion të Këshillit një procedurë të thjeshtuar, që nga njëra anë shmang ngarkesën e panevojshme të punës së tij, ndërsa nga ana tjetër, i garanton magjistratit një shqyrtim të përshpejtuar të çështjes dhe mbyllje të procedimit disiplinor në ngarkim të tij. Rrjedhimisht, përmbajtja e nenit 139 frymëzohet nga parimi i procesit të rregullt ligjor, në aspektin e marrjes së një vendimi brenda një afati të arsyeshëm (neni 100 pika 1 shkronja ‘a’), si dhe nga parimi i ligjshmërisë (neni 100 pika 1 shkronja ‘b’) në procedimin disiplinor.
      1. Neni 139 bën pjesë tek Kreu III “Fillimi i Procedimit Disiplinor”, që i përket Pjesës V për Përgjegjësinë Disiplinore, Civile dhe Penale të magjistratit. Për këtë shkak, ky nen mbulon veprimet e Këshillit përgjatë procedimit disiplinor të magjistratit, pas fillimit të tij, me anë të depozitimit të raportit të hetimit prej ILD-së sipas nenit 138 të Ligjit për Statusin, pa u zhvilluar seancë dëgjimore. Nëse Këshilli ka caktuar dhe ka zhvilluar seancë dëgjimore për procedimin disiplinor sipas nenit 142 të Ligjit për Statusin, atëherë kjo dispozitë është e pazbatueshme. Siç e tregon edhe emërtimi i vetë dispozitës “Mbyllja e procedimit disiplinor pa seancë dëgjimore”, neni 139 rregullon një procedurë specifike vendimmarrëse të Këshillit, që zhvillohet pa seancë dëgjimore dhe që përfundon me mbylljen e procedimit disiplinor – pra me një vendim në favor të magjistratit. Gjithashtu, ai përshkruan me një listë shteruese shkaqet për mbylljen e procedimit, nga analiza e të cilave konstatohet se bëhet fjalë për pengesa objektive të shqyrtimit të themelit të përgjegjësisë disiplinore të magjistratit.

       

      1. Rregullat e nenit 139 strukturohen në dy pika dhe përmbajtja e tyre ka natyrë procedurale. Ato mbulojnë: llojin e procedurës dhe të vendimit që merr Këshilli (pjesa e parë e fjalisë së pikës 1); shkaqet për mbylljen e procedimit disiplinor (shkronjat ‘a’ – ‘ç’ të pikës 1); ndalimin e shprehur për zbatimin e kësaj procedure dhe vendimmarrjeje në rastin e dorëheqjes së magjistratit (pika 2); dhe aspektet formale të vendimit të Këshillit sipas kësaj dispozite (pika 4).
      1. Lidhur me subjektet, neni 139 i kundrejtohet në mënyrë të shprehur dhe të drejtpërdrejtë Këshillit, si autoriteti kompetent që shqyrton dhe jep vendim mbi procedimin disiplinor të magjistratit. Për termin “Këshillat” duhet zbatuar përkufizimi i dhënë në nenin 2 shkronja ë) të Ligjit për Statusin, sipas të cilit “Këshillat” janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Megjithatë, për zbatimin e kësaj dispozite, duhet mbajtur në konsideratë se secili nga Këshillat organizohet dhe funksionon në Mbledhje Plenare, si dhe në komisione vendimmarrëse (neni 147/a pika 2 dhe neni 149/a pika 2 të Kushtetutës), një prej të cilave është edhe Komisioni Disiplinor (nenet 62 dhe 160 të Ligjit për Qeverisjen). Nga ana tjetër, edhe palët e procedimit disiplinor – ILD dhe magjistrati, i referohen kësaj dispozite në perspektiva të ndryshme. ILD, si organi që fillon procedimin disiplinor dhe me interesin për të pasur një rezultat të suksesshëm, ka detyrimin që të verifikojë dhe të bindet që në momentin që dërgon raportin e hetimit pranë Këshillit, nuk ka shkaqe për mbylljen e procedimit disiplinor. Ndërsa magjistrati i referohet kësaj dispozite për të ngritur pretendime dhe për të paraqitur para Këshillit prova që vërtetojnë ekzistencën e shkaqeve të mbylljes së procedimit pa seancë dëgjimore.

       

      1. Në pikën 1 të nenit 139 përmendet koncepti i mbylljes së procedimit disiplinor, që është mënyra e përfundimit të një procedimi disiplinor, pa shqyrtuar themelin e çështjes, pa përcaktuar shkeljen disiplinore dhe rrjedhimisht, që nuk vërteton përgjegjësinë disiplinore të magjistratit dhe nuk cakton asnjë masë ndaj tij. Thënë ndryshe, mbyllja e procedimit disiplinor është një zgjidhje e favorshme për magjistratin. Mbyllja e procedimit disiplinor ndryshon me rrëzimin e kërkesës për procedim disiplinor të përcaktuar në nenin 146 pika 2 shkronja ‘a’ të Ligjit për Statusin, pasi ky rast i fundit është mënyrë përfundimi e një procedimi disiplinor, kur Këshilli ka shqyrtuar themelin e çështjes, në seancë disiplinore, publike apo me dyer të mbyllura. Në kushtet kur mbyllja e procedimit disiplinor disponohet pa shqyrtuar çështjen në themel, atëherë neni 139 pika 1 përcakton se Këshilli nuk zhvillon seancë dëgjimore.

       

      1. Pika 1 e nenit 139 në katër shkronjat ‘a’ – ‘ç’ liston në mënyrë shteruese 8 shkaqe të mbylljes së procedimit disiplinor. Duhet pasur parasysh, që shkronja ‘c’ përmban, me sistem reference, 5 shkaqe të mbylljes së procedimit. Karakteri shterues i listës tregon se kufijtë e vlerësimit të Këshillit shtrihen vetëm në drejtim të përcaktimit të faktit, që përbën rrethanë për mbylljen e procedimit disiplinor dhe se Këshilli nuk mund të krijojë rrethana, që në vlerësimin e tij, mund të pengojnë procedimin disiplinor të gjyqtarit.

       

      1. Është e vërtetë që ILD, kur kryen hetimin disiplinor, verifikon faktin e shkeljes disiplinore, mbledh prova, si dhe vlerëson nëse ka pengesa objektive për mbylljen e hetimit disiplinor, pa e filluar procedimin disiplinor (neni 134 i Ligjit për Statusin). Me përjashtim të mungesës së arsyetimit të raportit të hetimit, shkaqet formale për mbylljen e hetimit disiplinor nga ILD (parashkrimi, vdekja e magjistratit, hetimi disiplinor i përsëritur për të njëjtën shkelje apo mbarimi i statusit të magjistratit) janë thuajse të njëjta me ato që listohen nga neni 139 pika 1 për mbylljen e procedimit disiplinor nga Këshilli. Në këtë mënyrë, Ligji ka parashikuar një instancë të dytë – Këshillin, që zhvillon një rivlerësim dytë të pengesave formale, në një moment të dytë – pas fillimit të procedimit disiplinor. Arsyeja për këtë proces vlerësimi të dytë është e dyfishtë. Arsyeja e parë dhe e drejtpërdrejtë është që këto shkaqe mund të zënë vend ose mund të zbulohen me vonesë, pra pas fillimit të procedimit disiplinor. Nga ana tjetër, këto shkaqe të mbylljes së procedimit janë përcaktuar shprehimisht nga ligji si pengesa serioze për ecurinë e procedimit. Rrjedhimisht, nëse midis palëve në procedim – ILD-së dhe magjistratit – ka mosmarrëveshje për ekzistencën e tyre, atëherë Këshilli, duke qenë një organ me tiparet e një tribunali, kontrollon zbatimin e ligjit nga ILD.

       

      1. Pengesa e parë është parashkrimi i shkeljes disiplinore në kohën kur ka filluar hetimi, sipas parashikimeve të nenit 117 të Ligjit për Statusin. Neni 117 jep kohën e parashkrimit dhe pasojat e tij (pika 1), mënyrën e llogaritjes (pika 2), zgjatjen e afatit të parashkrimit (pika 3), si dhe kohën e ndryshme të parashkrimit, kur shkelja disiplinore përbën njëherazi edhe vepër penale (pika 4). Për më shumë informacion, mbi afatet e parashkrimit, referohu tek komentet e nenit 117. Parashkrimi shues pengon procedurën, pavarësisht fazës së saj (në hetim disiplinor apo pas fillimit të hetimit disiplinor përpara Këshillit). Në rastin konkret, Këshilli duhet të verifikojë kohën e kryerjes së shkeljes disiplinore dhe ta ballafaqojë atë me datën e vendimit të ILD-së për fillimin e hetimit disiplinor, të nxjerrë sipas neneve 123 ose 124 të Ligjit për Statusin.

       

      1. Pengesa e dytë, që përcaktohet nga shkronja ‘b’ e pikës 1 të nenit 117, është rasti kur çështja ka qenë objekt i procedimit disiplinor që është zgjidhur me vendim të formës së prerë. Kjo pengesë nuk është gjë tjetër veçse shmangia e procedimit dy herë për të njëjtën shkelje – që në shqyrtimin gjyqësor civil dhe administrativ njihet si ndalim i ne bis in idem. Qëllimi i këtij rregulli është të sigurojë koherencë dhe siguri juridike në vendimmarrje. Për efekte të këtij shkaku, nuk ka rëndësi mënyra se si është përfunduar procedimi i mëparshëm disiplinor, por vetëm nëse vendimi i përfundimit të tij ka marrë formë të prerë apo jo. Në këtë situatë, Këshilli duhet të verifikojë dy fakte: (i) nëse procedimi i filluar ka të njëjtin objekt (të njëjtën shkelje disiplinore të kryer nga i njëjti magjistrat); dhe (ii) nëse procedimi i mëparshëm disiplinor ka përfunduar me vendim të formës së prerë.

       

      1. Në kushtet, kur ky ndalim ka ekzistuar në ligj edhe përpara hyrjes në fuqi të Ligjit për Statusin, për identifikimin e çështjeve të njëjta disiplinore, mund të përdoret arsyetimi i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat janë shprehur:

       

      “21. Në mënyrë që të merret në shqyrtim një kërkesë nga organi procedues dhe të identifikohet objekti i saj dhe i procedimit, janë të nevojshëm këta elementë të kërkesës: 1) subjektet kërkuese, 2) subjektet ndaj të cilëve drejtohet kërkesa, 3) shkaku i kërkimit (causa petendi), qoftë në a) kuptimin e fakteve konstitutive mbi të cilët bazohet kërkesa; qoftë në praninë e b) shkakut ligjor ku bazohet kërkesa dhe cilësim ligjor i saj, 4) kërkimi (petitum), pra objekti se çfarë kërkohet me anë të kërkesës....

       

      22. Në rastin e procedimit disiplinor të gjyqtarit, elementët e nevojshëm për zhvillimin e procedimit disiplinor dhe njëkohësisht për identifikimin e njërit procedim nga tjetri, për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me “njëjtat akte dhe sjellje” janë: 1) subjekti kërkues, i cili, në bazë të ligjit është personi i legjitimuar për nisjen e procedimit disiplinor, domethënë subjekti nismëtar i procedimit për të paraqitur kërkesë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit është Ministri i Drejtësisë; 2) subjekti ndaj të cilit fillohet ndjekja disiplinore në rastin e procedimit disiplinor të gjyqtarëve, janë gjyqtarët të emëruar me dekret të Presidentit të Republikës që i përkasin gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të apelit; 3) shkaku i kërkimit të procedimit, është paraqitja e atyre akteve a fakteve, domethënë paraqitja e rrethanave konkrete si ato të: datës, vendit, mënyrës, që kanë shërbyer si shkak për paraqitjen e kërkesës për procedim disiplinor, me anë të së cilës pretendohet shkelje të natyrës disiplinore. Gjithashtu, si pjesë e shkakut të kërkimit është edhe baza ligjore, pra norma e së drejtës materiale, ku bazohet kërkesa për ndjekje disiplinore...” [1]

       

      1. Në shkronjën ‘c’ të pikës 1, jepen 5 shkaqe të mbylljes së procedimit disiplinor, për shkak të cilësive të veçanta të magjistratit, të cilat i japin shkak një procedure tjetër të mbarimit të statusit të magjistratit dhe që e kthejnë procedimin disiplinor pa subjekt. Shkaqet në shkronjën ‘c’ jepen me referenca të brendshme tek disa dispozita të tjera të Ligjit për Statusin (neni 134, pika 1, shkronjat “ç” dhe “d”; neni 64 pika 1 shkronjat “b” – “ç”; dhe neni 67), që lidhen me mbarimin e statusit të magjistratit. Të listuara, këto shkaqe janë: “kushtet e pazgjidhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit”, “mbushja e moshës së pensionit”; “shkarkimi nga funksioni për përgjegjësi disiplinore”[2]; “papërshtatshmëria e përhershme për funksionin për shkak të kushteve fizike ose mendore” dhe “vdekja e magjistratit”.

       

      1. Nga leximi i ndërthurur i dispozitave ligjore që përcaktojnë mbylljen e procedimit të lidhur me mbarimin e statusit të magjistratit, konstatohet se është përjashtuar rasti i dorëheqjes së magjistratit nga detyra. Këtë e konfirmon në mënyrë të shprehur dhe të drejtpërdrejtë pika 2 e nenit 139, sipas të cilës “dorëheqja e magjistratit nuk ndalon fillimin ose vazhdimin e procedimit disiplinor”. Qëllimi i këtij rregullimi të veçantë është të eliminojë rastet kur dorëheqja paraqitet pas momentit që hetimi disiplinor është i plotë dhe ka dyshime të bazuara që magjistrati ka kryer shkeljen disiplinore. Nga njëra anë mbrohet integriteti dhe energjitë e konsumuara gjatë hetimit disiplinor, ndërsa nga ana tjetër evitohet mundësia e riemërimit dhe caktimit në pozicion të një magjistrati të tillë apo edhe të emërimit të tij në funksione të tjera publike, të cilat kanë kushtin ndalues të emërimit “të mos ketë marrë masë disiplinore”.

       

      1. Një pengesë tjetër e procedimit disiplinor, e cila, nëse verifikohet, shkakton mbylljen e tij pa seancë dëgjimore, është paraqitja e raportit të hetimit të paarsyetuar prej ILD-së. Elementët minimalë formalë që duhet të përmbajë raporti i hetimit përcaktohen nga neni 133 pika 3 e Ligjit për Statusin, që janë: a) emrin dhe mbiemrin e inspektorit kompetent; b) shkaqet për të filluar hetimin, subjektin dhe objektin e hetimit të filluar, ndryshimin ose shtimin e objektit të hetimit; c) veprimet e kryera gjatë hetimit; ç) përmbledhjen e deklaratave të magjistratit përkatës dhe të personave të tjerë ose institucioneve; d) parashtrimin e fakteve të pranuara dhe të papranuara, ashtu si edhe të provave, si dhe vlerësimin e vërtetësisë dhe fuqisë provuese të tyre; dh) analizën ligjore të fakteve të pranuara që mbështesin përfundimin se shkelja disiplinore e pretenduar është kryer; e) propozimin për fillimin e procedimit disiplinor dhe propozimin për caktimin e masës disiplinore. Mungesa e arsyetimit të raportit nga ILD përbën një të metë thelbësore të procesit të rregullt që zhvillohet ndaj magjistratit dhe, për këtë arsye, ligjvënësi e ka lidhur me pasojën e mbylljes së procedimit disiplinor. Në këtë zgjidhje është mbajtur në konsideratë se fillimi i procedimit disiplinor jep disa efekte në karrierën e magjistratit dhe rrjedhimisht, akti që fillon këtë procedurë disiplinore duhet të demonstrojë qartësisht dyshimet e arsyeshme të bazuara në provat e mbledhura gjatë hetimit disiplinor që shkelja disiplinore është kryer nga magjistrati.

       

      1. Në pikën 3 të nenit 139 parashikohet detyrimi i Këshillit për të arsyetuar ai vetë vendimin që mbyll procedimin disiplinor. Pjesë e domosdoshme e këtij arsyetimi është tregimi i qartë i shkakut të mbylljes, pasi shkaku i mbylljes i duhet njoftuar palëve në procedim disiplinor – ILD-së dhe magjistratit.

       

      [1] Shih paragrafët 21-22 të vendimit nr. 1, datë 05.10.2015 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Ankuese E.Gj, për masën disiplinore të shkarkimit nga detyra e gjyqtarit

      [2] Kjo hipotezë përfshin rastin kur magjistrati, ndaj të cilit ka filluar procedimi disiplinor, ka pasur një procedim tjetër të filluar disiplinor më parë dhe në përfundim të tij është shkarkuar nga detyra

      1. Në Shqipëri, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, procedimi disiplinor për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit zhvillohej nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas neneve 31 – 35 të Kreut V “Procedimi disiplinor” të ligjit nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, i ndryshuar, dhe të vendimit nr. 137, datë 21.02.2003 të KLD-së “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”. Këshilli vepronte gjithnjë në seancë plenare, duke dëgjuar të dyja palët: Ministrin e Drejtësisë dhe gjyqtarin.

       

      1. Ndërsa në rastin e prokurorëve, procedura disiplinore parashikohej nga nenet 28-34 të ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar. Kompetenca e fillimit të procedimit disiplinor dhe e dhënies së masave disiplinore i përkiste të njëjtit autoritet – Prokurorit të Përgjithshëm (neni 8, pika 1 shkronja ‘h’ dhe neni 28). Prokurori i Përgjithshëm merrte mendimin e Këshillit të Prokurorisë, i cili zhvillonte seancë dëgjimore me prokurorin në procedim (neni 10 pika 3 shkronja ‘a’, neni 30 dhe neni 31).

       

      1. Për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, si dhe për Prokurorin e Përgjithshëm, parashikohej vetëm masa e shkarkimit nga detyra përmes një procedure të ngurtë parlamentare, nëse verifikohej shkelje e Kushtetutës, kryerja e një krimi, paaftësia mendore a fizike ose akte e sjellje që diskreditonin figurën e gjyqtarit/prokurorit[1].

       

      1. Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë kritikonte ndikimin e papërshtatshëm politik në KLD, mbivendosjen e inspektimeve dhe ekskluzivitetin e nismës së procedimit disiplinor që kishte Ministri[2]. Në vijim, ky Grup ka vërejtur se “hetimi disiplinor është pjesërisht nën ombrellën e ekzekutivit dhe pjesërisht në ombrellën e Inspektoratit të KLD-së, i cili ushtron funksionin e tij nën mbikëqyrjen e nënkryetarit të KLD-së. Rregullat procedurale janë të dobëta dhe nuk përkojnë plotësisht me standardet ndërkombëtare”[3]. Ndërsa për prokurorët konstatohej se “Masat disiplinore në ngarkim të prokurorëve merren vetëm nga prokurori i Përgjithshëm. Roli i Këshillit të Prokurorisë është vetëm këshillues dhe nuk korrespondon me rolin e KLD-së në gjyqësor. Ligji nuk përcakton sanksionet konkrete që zbatohen në rastin e mosdeklarimit të gjendjes së konfliktit të interesit nga ana e drejtuesit në konflikt. Kontrolli i jashtëm nga MD-ja është konsideruar si i papërshtatshëm, jo vetëm sepse në disa raste është provuar si i motivuar politikisht, por edhe sepse ky inspektim nuk mund të hyjë dot në themelin e çështjes. Efektiviteti dhe cilësia e kontrollit të veprimtarisë së prokurorëve ka mangësi”.[4]

       

      1. Ndryshimet kushtetuese të miratuara në gusht 2016 dhe Ligji për Statusin unifikuan regjimin disiplinor për gjyqtarët dhe prokurorët, duke përcaktuar rregulla të detajuara për çdo hap të procedurës disiplinore. Në relacionin shpjegues të Ligjit për Statusin është evidentuar se: “Procedimi disiplinor rikonceptohet si një sistem garantues ku janë të ndara përgjegjësitë e institucioneve që kryejnë hetimin, institucioneve që marrin vendimin dhe institucioneve që shqyrtojnë ankimin e ushtruar ndaj vendimeve për masat disiplinore, duke i garantuar magjistratit në të gjitha hallkat e kësaj procedure, të drejtën për një proces të rregullt”.[5]

       

      1. Në vijim, në relacionin shpjegues parashtrohet se “bazuar në standardet ndërkombëtare, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe procedurale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve. Standardet ndërkombëtare rekomandojnë që parashikimet normative të mos lenë hapësirë për paqartësi ose dykuptimshmëri, pasi në të kundërtën masat disiplinore nuk i shërbejnë qëllimit të tyre në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, por mund të përdoren në mënyrë abuzive si një mjet për të cenuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit”[6].

       

      [1] Shih nenet 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 30.01.2018, faqe 105

      [3] Shih Analizën (nr. 4), faqe 73

      [4] Shih Analizën (nr. 4), faqe 169

      [5] Shih faqen 5 të këtij relacioni në http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf, vizituar për herë të fundit më 30.01.2018

      [6] Shih  faqet 7-8 të Relacionit (nr. 7)

      1. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore tek Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, dhe Opinioni nr. 3(2002) i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, mbi rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti, etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën. Këto dokumente vendosin theksin kryesor tek parimi i ligjshmërisë së procedimit disiplinor, duke kërkuar që organi i përgjegjësisë disiplinore dhe procedurat e veprimit e të vendimmarrjes së tij, duhet të përcaktohen me ligj.

       

      1. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë, në Opinionin nr. 3(2002), ka sjellë në vëmendje të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës parimet dhe rregullat që udhëheqin sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti ato për etikën, sjelljen e papajtueshme dhe të paanësisë. Në paragrafin 77 pika ii) të këtij Opinioni thuhet “Lidhur me përgjegjësisë disiplinore, KKGjE (CCJE) vlerëson se mbi çdo procedim disiplinor i filluar duhet të vendosë një tribunal ose autoritet i pavarur, që zbaton një procedurë që garanton të drejta të plota të mbrojtjes”.

       

      1. Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, i miratuar në Hagë më 5 Qershor 2015 është në të njëjtën linjë për këtë çështje, kur përcakton standardin 7. Ndërsa shton në standardin 8, se çështja disiplinore e gjyqtarit duhet të shqyrtohet në mënyrë të përshpejtuar[1].

       

      [1] Shih Raportin e ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, 5 Qershor 2015, në

      https://www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, versioni në gjuhën angleze vizituar për herë të fundit më 30.01.2018, faqe 40

  • Rrjeti Evropian i Këshillave të Gjyqësorit, Standardet Minimale Gjyqësore V: Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve, 5 Qershor 2015 (Versioni në gjuhën angleze https://www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, vizituar për herë të fundit në datën 30.01.2018); 

    Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë, Opinioni Nr. 3(2002) për rregullat dhe parimet e qeverisjes së sjelljes profesionale të gjyqtarëve, veçanërisht etikës, paanshmërisë dhe papajtueshmërisë me detyrën i Këshillit (Versioni në gjuhën angleze https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CCJE(2002)OP3&Sector=secDGHL&Language=true, vizituar për herë të fundit më 30.01.2018);

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 30.01.2018; 

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , vizituar për herë të fundit më 30.01.2018.

  • Kushtetuta: 

    Neni 140 pika 1 “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; 

    Neni 148/d pika 1 “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; 

    Neni 147/a pika 1 shkronja b) dhe pika 2 “KLGj ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve” dhe “Ligji mund të parashikojë krijimin e komisioneve vendimmarrëse pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor” 

    Neni 149/a pika 1 shkronja b) dhe pika 2 “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve” dhe “Ligji mund të parashikojë krijimin e komisioneve vendimmarrëse pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë”; dhe 

    Neni 147/d pika 1 “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë  të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”; 

    Ligji: 

    Neni 2 shkronja ë), neni 100, neni 117, neni 64, neni 67, neni 133, neni 134, neni 137, neni 141, neni 142 dhe neni 172 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSh”; 

    Neni 62 dhe neni 160 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

  • Asnjë koment
  • Vendimi nr. 1, datë 05.10.2015 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Ankuese E.Gj, për masën disiplinore të shkarkimit nga detyra e gjyqtarit.

  • Asnjë koment
  • Ligje 

    Nenet 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016; 

    Neni 31 – 35 të ligjit nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, i ndryshuar; 

    Neni 8, pika 1 shkronja ‘h’, neni 10 pika 3 shkronja ‘a’, neni 28 - 34të ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar. 

    Akte nënligjore 

    Vendimi nr. 137, datë 21.02.2003 të KLD-së “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”.

Marsida Xhaferllari
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)