1. Gjatë procedimit disiplinor, magjistratit ose përfaqësuesit të tij u sigurohet aksesi në dosje në masën që nuk cenon:
a. interesat ligjorë të palëve ose personave të tretë;
b. funksionet e organit vendimmarrës;
c. qëllimin e procedimit.
2. Kur magjistrati njoftohet se ndaj tij ka filluar procedim disiplinor, duhet që t’i bëhen të ditura të drejtat:
a. për të paraqitur një parashtresë me shkrim në afatin e caktuar;
b. për të marrë pjesë në seancë dëgjimore;
c. për të thirrur dëshmitarë që mund të dëshmojnë fakte me interes për çështjen;
ç. për të paraqitur dokumente;
d. për të marrë masa të tjera për paraqitjen e provave në mbështetje të mbrojtjes së tij;
dh. për t’u përfaqësuar, sipas parashikimeve në Kodin e Procedurave Administrative;
e. për kompensimin e shpenzimeve të arsyeshme ligjore të tij/saj në raste kur nuk vendoset masë disiplinore.
3. Këshilli mund t’i kërkojë magjistratit të paraqesë të dhëna, dokumente ose çdo lloj prove, si dhe të marrë pjesë në seancë dëgjimore.
4. Palët kanë të drejtë të njoftohen për çdo vendim të Këshillit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.