"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 142: Seanca disiplinore

1Seanca dëgjimore për procedimet disiplinore është publike.

2Këshilli, kryesisht ose me kërkesë të palëve, mund të vendosë zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura, në rastet:

akur publiciteti i seancës mund të dëmtojë moralin e shoqërisë ose mund të bëjë publike të dhëna sekrete në interes të sigurisë kombëtare, nëse kjo kërkohet nga autoritetet kompetente;

bkur është e nevojshme të mbrohet e drejta e jetës private, të mbrohen të dhënat personale të magjistratit ose një personi tjetër;

ckur nga publiku ka shfaqje që prishin zhvillimin normal të seancës dëgjimore.

3Në seancë dëgjimore para Këshillit:

aInspektori i Lartë i Drejtësisë paraqet argumentet që shkelja disiplinore është kryer dhe propozon masat disiplinore që duhet të merren;

bmagjistrati ose përfaqësuesi i tij paraqesin argumentet mbrojtëse.

4"Përmbajtja e parashtrimeve me shkrim nuk përsëritet gjatë seancës dëgjimore. "

Përmbajtja

    • 1. Dispozita, në paragrafin 1, për të garantuar transparencën, vëzhgiminpublik dhe përgjegjshmërinë gjatë procedimit disiplinor, si rregull, parashikon zhvillimin e seancave dëgjimore publike. Si përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm, siç veprohetedhe në procedimet gjyqësore, me synimin për të mbrojtur moralin e shoqërisë, sigurinë kombëtare dhe jetën private,në paragrafin 2 parashikohet mundësia për zhvillimin e seancave me dyer të mbyllura. Zhvillimi i seancës me dyer të mbyllura mund të vendoset edhe për të ruajtur qetësinë dhe normalitetin gjatë seancës.

      2. Për të respektuar parimin e kontradiktoritetit dhe të drejtat e palëve në procedimin disiplinor dispozita në paragrafin 3 parashikon të drejtën dhe radhën e ndërhyrjes së palëve në seancën e procedimit disiplinor si dhe të argumenteve përkatëse.

      3. Përpos qëllimeve të përmendura më sipër, dispozita në paragrafin 4 synon që seanca e procedimit disiplinor të jetë sa më efektive dhe koha të miradministrohet nëpërmjet detyrimit për mospërsëritjen e parashtrimeve me shkrim gjatë seancës.

    • 4. Kjo dispozitë, në katër pika,rregullon disa aspekte/elemente/drejtime të seancave dëgjimore për procedimin disiplinor: zhvillimin e seancave publike dhe përjashtimet nga rregulli i përgjithshëm; debatin kontradiktor dhe radhën e paraqitjes së argumenteve; miradministrimin e kohës dhe efektivitetin në paraqitjen e parashtrimeve/argumenteve.

      5. Dispozita, si rregull të përgjithshëmnë paragrafin 1, përcakton detyrimin për zhvillimin e seancave dëgjimore për procedimet disiplinorepublike. Kydetyrim imponon Këshillin përkatës për të krijuar kushtet e nevojshme për personat e interesuar nga publiku për të pasur akses, qoftë fizikisht në sallë ose nëpërmjet një platforme elektronike ku seanca transmetohet drejtpërsëdrejti, për shkak të kufizimeve të hapësirës fizike.

      6. Si përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, Këshilli përkatësnë bazë të paragrafit 2, mund të vendosë zhvillimin e seancës dëgjimore me dyer të mbyllura për katër arsye: së pari, për të mbrojtur moralin e shoqërisë; së dyti, për të mos bërë publike të dhëna sekrete në interes të sigurisë kombëtare, nëse kjo kërkohet nga autoritetet kompetente; së treti, për të mbrojtur të drejtën e jetës private, të dhënat personale të magjistratit ose të një personi tjetër; dhe së katërti, për të mos lejuar prishjen e zhvillimit normal të seancës dëgjimore. Këshilli përkatës ka diskrecionin për të vlerësuar nëse janë kushtet për zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura. Rastet e përcaktuara nga dispozita janë shteruese, në kuptimin që Këshilli përkatës nuk mund të vendosë për arsye tej atyre të përcaktuara nga kjo dispozitë.

      7. Në lidhje me debatin kontradiktor në seancën dëgjimore përpara Këshillit, dispozita në pikën 3, përcakton radhën e paraqitjes së argumenteve. Fillimisht, Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) paraqet argumentet që mbështesin kryerjen e shkeljes disiplinore. Ai duhet të propozojë dhe masat disiplinore përkatëse që duhet të merren nga Këshilli. Pas ILD-së, magjistrati ose përfaqësuesi i tij ka të drejtë të paraqesë argumentet mbrojtëse. Palët, ILD-ja dhe magjistrati ndaj të cilit ka filluar procedimi disiplinor, në seancë, duhet t’i shmangen përsëritjeve të panevojshme të përmbajtjes së parashtrimeve të depozituara me shkrim. Kjo presupozon se palët i kanë marrë parashtrimet me shkrim përpara seancës dhe kanë pasur kohën e nevojshme që të njihen me to. Kështu që, seanca për të qenë më efektive, përqendrohet në argumentet kryesore dhe kundërshtuese duke i dhënë hapësirë/kohë secilës palë në mënyrë të barabartë.

      8. Parashikimet e kësaj dispozite duhet të lexohen bashkë me ato të neneve 138 dhe 141 (shih komentet për këto nene), ku përcaktohen detyrimi për seancën dëgjimore dhe të drejtat dhe detyrimet e palëve gjatë procedimit disiplinor.

    • a) Paragrafi 1: Seancë dëgjimore publike

      9. Seanca dëgjimore e procedimit disiplinor është element thelbësor i këtij procedimi. Ajo është e detyrueshme për t’u zhvilluar nga Këshilli dhe përbën një aspekt të rëndësishëm të procesit të rregullt, me përjashtim të rasteve të mbylljes së procedimit disiplinor sipas nenit 139 të këtij ligji.Seanca dëgjimore presupozon praninë e palëve, pjesëmarrjen nëpërmjet parashtrimeve dhe mbrojtjes dhe dëgjimit nga ana e Këshillit. Pra, nuk mund të merret një vendim për procedim disiplinor, mbi bazë dokumentesh, pa zhvilluar seancë dëgjimore. Siç parashikohet edhe në nenet138 dhe 141, pjesëmarrja në seancë dëgjimore është njëe drejtë e magjistratit ndaj të cilit ka filluar procedimi disiplinor. Nga ana tjetër, kjo mund të jetë dhe një kërkesë e Këshillit ndaj magjistratit, në funksion të garancive që imponon procesi i rregullt dhe qëllimit për një vendimmarrje të drejtë.Në këtë drejtim, si aspekt i të drejtave për një proces të rregullt në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese (GJK) është shprehur se: “E drejta e një personi të akuzuar për të qenë i pranishëm në seancën dëgjimore të akuzave të ngritura kundër tij është thelbësore për një proces të drejtë. Kjo përfshin jo vetëm praninë fizike, por edhe aftësinë për të dëgjuar dhe ndjekur procedimet, për të kuptuar provat dhe argumentet, për të orientuar përfaqësuesit ligjorë dhe për të dhënë fakte .

      10. Seanca dëgjimore për procedimin disiplinor është publike. Sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme , me fjalën “publike” kuptojmë: “që bëhet para një publiku, në prani të të gjithëve, botor; që bëhet me pjesëmarrjen e gjerë të popullit, i përgjithshëm; popullor”. Zhvillimi i seancës dëgjimore publike është në funksion të transparencës, vëzhgimit publik dhe përgjegjshmërisë gjatë procedimit disiplinor.Qytetarët kanë të drejtë të jenë në dijeni kur integriteti i një magjistrati është vënë seriozisht në diskutim, dhe hapja e procesit ndaj vëzhgimit publik do të ndihmojë për të siguruar që procesi tëduket dhe të jetëi ndershëm. Duke vendosur këtë standard, ligji i kushton më rëndësi besimit të publikut te kyproces, si dhe edukimit të tij, në raport meinteresin për ruajtjen e mundur .

      11. Kërkesa për seancën dëgjimore publike, në kuadrin e një gjykimi ndaj akuzave të ngritura, është aspekt i të drejtave për një proces të rregullt ligjor, i parashikuar nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) . Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), ka theksuar sekarakteri publik i procedimit mbron palët kundrejt administrimit të drejtësisë në fshehtësi pa iu nënshtruar mbikëqyrjes publike; ajo është gjithashtu një nga mjetet nëpërmjet të cilës besimi te gjykatat mund tëruhet. Duke e kthyer administrimin e drejtësisë të dukshëm, publiciteti kontribuon për realizimin e qëllimit të nenin 6/1, procesine drejtë, garantimi i së cilës është një nga parimet bazë të një shoqërie demokratike .

      12. Kërkesa për zhvillimin e seancave dëgjimore publike, si rregull i përgjithshëm, për analogji, parashikohet edhe nga legjislacioni për procedurat dhe gjykimet administrative , procedura civile , penale dhe ajo kushtetuese .


      b) Paragrafi 2: Zhvillimi i seancës dëgjimore me dyer të mbyllura: kufizimet

      13. Si përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, seanca dëgjimore mund të zhvillohet me dyer të mbyllura. Për një rast të tillë, Këshilli vendos kur e çmon vetë kryesisht. Gjithashtu, Këshilli mund të vendosë për zhvillimin e seancës dëgjimore me dyer të mbyllura kur kërkohet nga palët. Kërkesa e palëve nuk është e detyrueshme për Këshillin, por, çmohet, rast pas rasti, duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe duke dhënë arsyetimin përkatës.

      14. “Seanca me dyer të mbyllura” nënkupton se persona nga publiku nuk mund ta ndjekin seancën drejtpërsëdrejti, qoftë fizikisht në sallë ose nëpërmjet transmetimit elektronik. Këtu duhet të bëhet dallimi nga palë dhe subjektet në procedimin disiplinor, pjesë e Këshillit dhe administratës përkatëse, qëkanë detyrimin dhe lejohen të marrin pjesë në procedim.Në rast se vendoset që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, kykufizim shtrihet edhe për procesverbalin e seancës dëgjimore, që duhet të administrohet sipas rregullave për dokumentet e klasifikuara dhe mbrojtjen e të dhënave personale . Në çdo rast, vendimi i Këshillit në përfundim të procedimit disiplinor bëhet publik (shih komentet për nenin 146 të këtij ligji) .

      15. Këshilli përkatës, mund të vendosë zhvillimin e seancës dëgjimore me dyer të mbyllura për katër arsye/motive: së pari, për të mbrojtur moralin e shoqërisë; së dyti, për të mos bërë publike të dhëna sekrete në interes të sigurisë kombëtare, nëse kjo kërkohet nga autoritetet kompetente; së treti, për të mbrojtur të drejtën e jetës private, të dhënat personale të magjistratit ose të një personi tjetër; dhe së katërti, për të mos lejuar prishjen e zhvillimit normal të seancës dëgjimore.

      16. Rregullime të ngjashme për rastet e zhvillimit të seancave dëgjimore me dyer të mbyllura janë parashikuar edhe në legjislacionin procedural për gjykimet administrative , penale e civile .

      17. Paragrafi 2, nr. 1, alt. 1: Motivi i parë, sipas shkronjës “a”, të pikës 2 të këtij neni, lidhet me interesin për të mos dëmtuar “moralin e shoqërisë”.Sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme, me “moralin e shoqërisë”, kuptohet: “Tërësia e parimeve, e normave dhe e rregullave që janë krijuar historikisht në kushte të caktuara ekonomiko-shoqërore dhe që përcaktojnë sjelljen e veprimtarinë e njerëzve në shoqëri”. Ky është një koncept i gjerë, që ndryshon në kohë e hapësirë dhe vlerësohet brenda një konteksti të caktuar.

      18. Paragrafi 2, nr. 1, alt. 2: Motivi dytë që mund të justifikojë zhvillimin e seancës dëgjimore me dyer të mbyllura lidhet me interesin për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Për të sqaruar kuptimin e koncepteve “të dhëna sekrete”, “në interes të sigurisë kombëtare” dhe “autoritet kompetent” mund t’i referohemi ligjit për sekretin shtetëror. Me “të dhënë sekrete” do të kuptojmë njëinformacion të klasifikuar sipas këtij ligji, ekspozimi i paautorizuar i të cilit mund të rrezikojë sigurimin kombëtar;me “sigurinë kombëtare” kuptojmë mbrojtjen e pavarësisë, integritetit territorial, renditkushtetues dhe marrëdhënieve me jashtë të Republikës sëShqipërisë ;dhe me “autoritet kompetent” do të kuptojmë institucionin nga buron informacioni i klasifikuar apozotëruesit e tij, për ta mbrojtur nga çdo e drejtë njohjeje e paautorizuar .

      19. Paragrafi 2, nr. 2: “e drejta e jetës private” dhe “mbrojtja e të dhënave personale”, sipas shkronjës “b” të pikës 2 të këtij neni, janë motive të tjera që justifikojnë kufizimin e publicitetit të seancës dëgjimore. Këto janë të drejta të përcaktuara/njohura nga Kushtetuta dhe KEDNJ-ja (shih komentet për nenin 100/2 të këtij ligji).Për të sqaruar kuptimin e këtyre të drejtave në funksion të zbatimit të kësaj dispozite na shërben jurisprudenca përkatëse kushtetuese dhe ajo e GJEDNJ-së .

      20. Paragrafi 2, nr. 3: Motivi i fundit, sipas shkronjës “c” të pikës 2 të këtij neni, i shërben qëllimit për të garantuar zhvillimin normal të seancës dëgjimore.Vendimi për ta zhvilluar seancën me dyer të mbyllura mbi bazën e këtij motivi duhet të jetë si masa e fundit dhe duhet të justifikohet nga parimi i nevojshmërisë, teksa masa të tjera, më pak kufizuese, nuk e kanë arritur qëllimin e mësipërm. Preferenca duhet t’i jepet alternativave më pak kufizuese në raport me ato më strikte, kur këto alternativa realizojnë të njëjtin qëllim . Ndaj këtij vendimi nuk parashikohet ankim i veçantë. Në kuptim të nenit 147 të këtij ligji, pretendimet për cenim të rregullit procedural të parashikuar nga pika 1 e kësaj dispozite, mund të ngrihen vetëm së bashku me ankimin ndaj vendimit të Këshillit për çështjen disiplinore, sipas përcaktimit, nga magjistrati ose Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD).

       

    • 21. Hetimi dhe procedimi disiplinor për magjistratët, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, rregullohej nga ligje të ndryshme për gjyqtarët dhe prokurorët. Përgjegjësia disiplinore për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të dytë rregullohej nga ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (ligji nr.8811), i ndryshuar, ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. Procedimi disiplinor për gjyqtarët kryhej nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) sipas neneve 31 – 35 të kreut V “Procedimi disiplinor” të ligjit nr. 8811/2001 dhe të vendimit nr. 137, datë 21.2.2003 të KLD-së “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”. KLD-ja vepronte gjithnjë në seancë plenare, duke dëgjuar të dyja palët: ministrin e Drejtësisë dhe gjyqtarin.Seanca nuk ka qenë e hapur për publikun.

      22. Procedimi dhe përgjegjësia disiplinore e prokurorëve, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm (PP), rregullohej nga ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikëne Shqipërisë”, i ndryshuar, nenet 28-34. Kompetenca e fillimit të procedimit disiplinor dhe dhënies së masave disiplinore i përkiste të njëjtit autoritet – Prokurorit të Përgjithshëm (neni 8, pika 1, shkronja “h” dhe neni 28). PP merrte mendimin e Këshillit të Prokurorisë, i cili zhvillonte seancë dëgjimore me prokurorin në procedim (neni 10, pika 3, shkronja “a”, neni 30 dhe neni 31).Seanca nuk ka qenë e hapur për publikun.

      23. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka bërë një paraqitje të situatës së verifikimit të përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, por pa u ndalur te aspekte specifike të procedimit disiplinor, siç janë dhe rregullimet për bashkimin e procedimeve. Ligji për Statusin, duke reflektuar një qasje të re normative, ka bërë unifikimin e të drejtave dhe detyrimeve të gjyqtarit dhe prokurorit në një tekst ligjor të detajuar dhe pothuajse gjithëpërfshirës, ku bëjnë pjesë dhe ato për hetimin dhe procedimin disiplinor. Në relacionin shoqërues/shpjegues të Ligjit për Statusin është evidentuar se: “Procedimi disiplinor rikonceptohet si një sistem garantues ku janë të ndara përgjegjësitë e institucioneve që kryejnë hetimin, institucioneve që marrin vendimin dhe institucioneve që shqyrtojnë ankimin e ushtruar ndaj vendimeve për masat disiplinore, duke i garantuar magjistratit në të gjitha hallkat e kësaj procedure, të drejtën për një proces të rregullt” . Po në këtë kuptim, si një nga synimet e ligjit evidentohet se “bazuar në standardet ndërkombëtare, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe procedurale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve. Standardet ndërkombëtare rekomandojnë që parashikimet normative të mos lënë hapësirë për paqartësi ose dykuptimshmëri, pasi, në të kundërtën, masat disiplinore nuk i shërbejnë qëllimit të tyre në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, por mund të përdoren në mënyrë abuzive si një mjet për të cenuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit” . Në këtë relacion nuk janë përmendur të gjitha elementet e ligjit lidhur me rregullat për procedimin disiplinor, ku përfshihen dhe ato për bashkimin e procedimeve, por shënohet si risi e Ligjit për Statusin përcaktimi i plotë dhe i qartë i procedurës hetimore dhe disiplinore.

       

    • 24. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore te Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i Rrjetit Europian për Këshillat e Gjyqësorit (ENCJ) “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve” 5 qershor 2015, dhe Opinioni nr.3 (2002) i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë (CCJE) për rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën. Këto dokumente vendosin theksin te parimi i procesit të rregullt disiplinor.

      25. Një sërë dokumentesh ndërkombëtare përcaktojnë standarde lidhur me pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku përfshihen dhe ato për kontrollin e përgjegjësisë disiplinore dhe garancitë përkatëse. Disa nga të cilat, ku bazohen dhe referohen edhe opinionet e Komisionit të Venecias për reformën kushtetuese e ligjore në sistemin e drejtësisë .

  • Asnjë koment
  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf.
    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

     

  • Kushtetuta: Kushtetuta: Nenet 35, 36,37,42, 147, 147/a, 147/d, 149, 149/a.  
    Ligji: Ligji nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”, nenet 100-147.

  • Asnjë koment
  • Vendime tëGJK-së

    - Vendimi nr.40/2016, F.(G.)Z.; “Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimeve nr.118, datë 19.7.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë; nr.148, datë 26.9.2000 të Gjykatës së Apelit Vlorë; nr.26, datë 17.1.2001 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.”.
    - Vendimi nr. 16/2004, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 34 të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.
    - Vendimi nr. 4/2011, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) të ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
    - Vendimi nr. 5/2011, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë; Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet; Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, Shpallja si të papajtueshme me nenet 16/1, 17, 19, 20 dhe 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të: - termit “kombësi”, të përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8; - termit “kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, të përcaktuar në nenin 42/2, germa “e”;- nenit 58, tërësisht, të ligjit nr. 10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”.
    - Vendimi nr. 2/2017, Jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i ligjit nr.84/2016, datë 30.8.2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    Vendime tëGJEDNJ-së

    - Riepan kundër Austrisë, datë 24.6.2005, parag. 27.
    - Krestovskiy kundër Rusisë, datë 28.10.2010, parag. 24.
    - Sutter kundër Zvicrës, datë 22.2.1984, parag.26.
    - Marckx kundër Belgjikës, 13 qershor 1979.
    - Gaskin kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989.
    - Gillberg kundër Suedisë, 3 prill 2012.
    - Lebois kundër Bullgarisë, 19 tetor 2017.
    - Denisov kundër Ukrainës, 25 shtator 2018.

  • Asnjë koment
  • A. Ligje

    - Kushtetuta, nenet 140 dhe 149, pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016.
    - Ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
    - Ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar.
    - Ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar.
    - Ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

    B. Akte nënligjore

    - Vendimi nr. 137, datë 21.2.2003 iKLD-së “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”.

     

Sokol Berberi
Sokol Berberi