Këshilli mund të shtyjë seancën kur e konsideron të nevojshme marrjen e provave shtesë, por jo më shumë se një muaj.
1. Kjo dispozitë synon zhvillimin e një hetimi dhe procedimi disiplinor të plotë dhe të drejtë në funksion tëtë drejtave për një proces të rregullt ligjor.Këshillat, në rastin kur çmojnë shtyrjen e seancës dëgjimore për marrjen e provave shtesë, duhet të mbajnë parasysh interesin për të garantuar mbrojtjen e integritetit dhe figurës së magjistratit nga akuza të pabaza, si edhe rëndësinë që ka informimi i publikut në lidhje me akuzat e provuara në funksion të administrimit të drejtësisë (shih komentet për nenin 100/2 të këtij ligji).
2. Dispozita, nga ana tjetër, reflekton dhe kërkesat për zhvillimin e procedimit disiplinor brenda një afati të arsyeshëm dhe administrimin e drejtësisë me efektivitet, duke parashikuar mundësinë e shtyrjes së seancës dëgjimore, por jo më shumë se një muaj (shih komentet për nenin 100/1/a).
3. Dispozita, në një paragraf, rregullon rastin kur seanca dëgjimore e procedimit disiplinor mund të shtyhet për marrjen e provave shtesë. Ajo përcakton organin që vendos për shtyrjen e seancës, arsyen e shtyrjes dhe kufirin kohor brenda të cilit seanca mund të shtyhet.
4. Dispozita i jep kompetencën Këshillit, që nënkupton Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) ose Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), sipas nenin 2/ë të këtij ligji, të çmojë kur është e nevojshme shtyrja e seancës dëgjimore për marrjen e provave shtesë. Pra, Këshilli ka diskrecion për tëvlerësuar nëse është e nevojshme shtyrja apo jo e seancës dëgjimore. Shtyrja e seancës mund të bëhet për marrjen e provave shtesë, të cilat lidhen me faktet që duhen të provohen ose kundërshtohen të pretenduara si shkelje disiplinore. Këshilli, për shtyrjen e seancës dëgjimore, mund të niset nga kërkesat e palëve në proces, por mund të çmohet kryesisht edhe nga vetë ai. Shtyrja e seancës, për marrjen e provave shtesë, nuk mund të bëhet më shumë se një muaj, që do të thotë nga data e paracaktuar për t’u zhvilluar seanca dëgjimore deri në të njëjtën datë të muajit pasardhës.
5. Dispozita, nga pikëpamja normative, ka natyrë procedurale dhe parashikon rregullime për një aspekt të veçantë, sipas një rendi të caktuar, të procedurave disiplinore. Në këtë kuptim, interpretimi i kësaj dispozite duhet të bëhet në harmoni dhe në mënyrë sistematike me rregullimet e tjera të kreut “Fillimi i procedimit disiplinor”, të këtij ligji.
Roli i Këshillit dhe standardi i provueshmërisë në procedimin disiplinor
6.Këshilli, sipas dispozitave ligjore që rregullojnë procedimin disiplinor, ka rol aktiv në drejtim tëprovueshmërisë së shkeljeve të pretenduara. Ai mund të marrë prova shtesë, duke përfshirë dhe thirrjen e dëshmitarëve dhe të ekspertëve (shih komentet për nenin 138/4 të këtij ligji) dhe vendos për çdo çështje tjetër që e vlerëson të nevojshme ose të përshtatshme në trajtimin e çështjes (shih komentet për nenin 146/1 të këtij ligji).Në ushtrimin e këtij funksioni Këshilli duhet të mbajë parasysh detyrimet që rrjedhin nga parimet e pavarësisë dhe paanshmërisëdhe respektimit të pavarësisë së magjistratit, tëprezumimit të pafajësisë dhe nga standardi se dyshimi shkon në favor të magjistratit, subjekt i procedimit disiplinor (shih komentet për nenin 100/1). Gjithashtu, Këshilli duhet të garantojë mbrojtjen e integritetit dhe figurës së magjistratit nga akuzat e pabaza. Pra, në rastin kur Këshilli e konsideron të nevojshme marrjen e provave shtesë dhe vendos shtyrjen e seancës, sipas nenit në fjalë, mban parasysh detyrimet që rrjedhin nga parimet e përmendura më sipër.
7.Këshilli i merr vetë provat shtesë, duke përfshirë thirrjen e dëshmitarëve dhe ekspertëve, duke përcaktuar dhe detyrat për këta të fundit, ose këtë ia kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Në çdo rast, provat shtesë duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit dhe debatit midis palëve përpara se Këshilli të vendosë për zgjidhjen e çështjes.
8. Hetimi dhe procedimi disiplinor për magjistratët, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, rregullohej nga ligje të ndryshme për gjyqtarët dhe prokurorët. Përgjegjësia disiplinore për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të dytë rregullohej nga ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (ligji nr.8811), i ndryshuar, ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. Procedimi disiplinor për gjyqtarët kryhej nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) sipas neneve 31 – 35 të kreut V “Procedimi disiplinor” të ligjit nr. 8811/2001 dhe të vendimit nr. 137, datë 21.2.2003 të KLD-së, “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”. KLD vepronte gjithnjë në seancë plenare, duke dëgjuar të dyja palët: ministrin e Drejtësisë dhe gjyqtarin.
9. Procedimi dhe përgjegjësia disiplinore e prokurorëve, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm (PP), rregullohej nga ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenet 28-34. Kompetenca e fillimit të procedimit disiplinor dhe e dhënies së masave disiplinore i përkiste të njëjtit autoritet – Prokurorit të Përgjithshëm (neni 8, pika 1, shkronja “h” dhe neni 28). PP merrte mendimin e Këshillit të Prokurorisë, i cili zhvillonte seancë dëgjimore me prokurorin në procedim (neni 10, pika 3, shkronja “a”, neni 30 dhe neni 31).
10. Këto ligje nuk parashikonin rregullime specifike për rastet kur seancat dëgjimore mund të shtyheshin për marrjen e provave shtesë. Kjo ka qenë më shumë një çështje praktike që vlerësohej nga organet përkatëse të procedimit disiplinor rast pas rasti.
11. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka bërë një paraqitje të situatës së verifikimit të përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, por pa u ndalur tek aspektet specifike të procedimit disiplinor, siç janë dhe rregullimet për bashkimin e procedimeve. Ligji për Statusin, duke reflektuar një qasje të re normative, ka bërë unifikimin e të drejtave dhe detyrimeve të gjyqtarit dhe prokurorit në një tekst ligjor të detajuar dhe, pothuajse, gjithëpërfshirës, ku bëjnë pjesë dhe ato për hetimin dhe procedimin disiplinor. Në relacionin shoqërues/shpjegues të Ligjit për statusin është evidentuar se: “Procedimi disiplinor rikonceptohet si një sistem garantues ku janë të ndara përgjegjësitë e institucioneve që kryejnë hetimin, institucioneve që marrin vendimin dhe institucioneve që shqyrtojnë ankimin e ushtruar ndaj vendimeve për masat disiplinore, duke i garantuar magjistratit në të gjitha hallkat e kësaj procedure, të drejtën për një proces të rregullt” . Po në këtë kuptim, si një nga synimet e ligjit evidentohet se “bazuar në standardet ndërkombëtare, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe procedurale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve” . Në këtë relacion nuk janë përmendur të gjitha elementet e ligjit lidhur me rregullat për procedimin disiplinor, ku përfshihen dhe ato për seancat dëgjimore dhe marrjen e provave shtesë, por shënohet si risi e Ligjit për Statusin përcaktimi i plotë dhe i qartë i procedurës hetimore dhe disiplinore.
12. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore te Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i Rrjetit Europian për Këshillat e Gjyqësorit (ENCJ) “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, dhe Opinioni nr.3 (2002) i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, për rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën. Këto dokumente vendosin theksin te parimi i procesit të rregullt disiplinor.
Shih standardet dhe referencat te komentet për nenin 138.Shih standardet dhe referencat te komentet për nenin 138.
Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf. Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .
Kushtetuta: Kushtetuta: Nenet: 147, 147/a, 147/d, 149, 149/a. Ligji: Ligji nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”, nenet 100-147.
- Vendimi nr. 137, datë 21.2.2003 iKLD-së “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”.
Kushtetuta: Kushtetuta:
- Kushtetuta, nenet 140 dhe 149, pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016.
Ligje:
- Ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. - Ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar. - Ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. - Ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.