Parashikimet ligjore gjatë procedimit disiplinor të nenit 126, të këtij ligji, do të aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.
1. Kjo dispozitë, krahas dispozitave të tjera që rregullojnë procedimin disiplinor ndaj magjistratit, synon zhvillimin e njëprocedimi disiplinor tëdrejtë, bazuar në prova, duke respektuar parimet dhe të drejtat për një proces të rregullt ligjor. Këshillat, në rastin e pezullimit të procedimit disiplinor, mbajnë parasysh interesin për të garantuar mbrojtjen e integritetit dhe figurës së magjistratit nga akuza të pabaza si edhe rëndësinë që ka informimi i publikut në lidhje me akuzat e provuara në funksion të administrimit të drejtësisë (shih komentet për nenet 126 dhe100/2 të këtij ligji).
2. Përcaktimi i raporteve të qarta ndërmjet procedimit disiplinor,nga njëra anë, dhe hetimit penal ose procesit gjyqësor, nga ana tjetër, në drejtim të provueshmërisësë të njëjtave fakte dhe autoritetit të vendimeve gjyqësore ndaj procedimit disiplinor, i shërben sigurisë dhe parashikueshmërisë ligjore.
3. Nga pikëpamja e teknikës legjislative, si dispozitë referuese, neni 145 synon qartësinë dhe koherencën legjislative, nëpërmjet shmangies së përsëritjeve të parashikimeve normative të panevojshme.
4. Neni 145 bën pjesë te dispozitat procedurale të vendosura në kreun III “Fillimi i procedimit disiplinor”, të pjesës V të Ligjit për Statusin “Përgjegjësia Disiplinore, Civile dhe Penale”. Kynen rregullon pezullimin e procedimit disiplinor nëpërmjet referimit nëparashikimet ligjore të nenit 126 të këtij ligji (referencë normative e brendshme), ku rregullohet pezullimi i hetimit disiplinor. Rregullat e parashikuara në nenin e referuar zbatohen në kuptim të objektit të nenit 145, por, me kushtin për aq saato gjejnë zbatim. Për të vlerësuar këtë kusht duhen mbajturparasysh veçoritë që ka procesi i hetimit disiplinor nga ai i procedimit disiplinor.
5. Neni 126 i këtij ligji, në 6 pika (shih komentet për këtë nen),përcakton rastet kur hetimi disiplinor pezullohet, kushtet që duhen plotësuar, afatin e pezullimit, detyrimin e njoftimit të aktit të pezullimit dhe të akteve të institucioneve përkatëse, fuqinë detyruese të vendimit të formës së prerë ndaj procedimit disiplinor, ndikimin që ka pezullimi në afatet e procedimit disiplinor dhe moslejimin e ankimit ndaj aktit të pezullimit.
a) Organi, kushtet e pezullimit dhe e drejta e magjistratit
6. Neni 145 përcakton detyrimin për Këshillin (Këshillin e Lartë Gjyqësor ose Këshillin e Lartë të Prokurorisë) për të vendosur pezullimin e procedimit disiplinor nëse janë kushtet e parashikuara në nenin 126 të këtij ligji. Pezullimi iprocedimit disiplinor sipas nenit 145 nënkupton se Inspektori i Lartë i Drejtësisë(ILD) ka filluar procedimin disiplinor, duke paraqitur raportin e hetimit me dosjen hetimore në Këshillin përkatës, sipas nenit 138 të këtij ligji (shih komentet për këtë nen). Për marrjen e vendimit të pezullimit të procedimit disiplinor, Këshilli, siç parashikohet edhe për ILD-në, vlerëson dhe verifikon nëse plotësohen dy kushte në mënyrë kumulative: a) është duke u zhvilluar hetim penal ose një proces gjyqësor penal, administrativ ose civil, në të cilat, njëra nga palët është magjistrati, me cilësinë e zotësisë individuale; b) shkelja e dyshuar lidhet me të njëjtat fakte, për të cilat do të merret vendimi. Sipas kushtit të parë, duhet tëverifikohet ekzistenca e një procesi tjetër, që ka në objektin e tij vërtetimin e faktit dhe që zhvillohet nga një organ tjetër (gjykatë ose prokurori), të cilit me ligj i lejohet mbledhja e provave. Neni 126 i parashikon të tre llojet e proceseve gjyqësore që njeh legjislacioni procedural shqiptar: a) hetim paraprak dhe gjykim i veprave penale, të cilat janë në kompetencë të prokurorive dhe gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm ose të prokurorive dhe gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; b) gjykim administrativ, i cili është në kompetencë të gjykatave administrative; c) gjykim civil, i cili është në kompetencë të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm (shih komentet për nenin 126).
7. Rregullat e referuara në nenin 126 janë të zbatueshme edhe për magjistratin, ndaj të cilit ka filluar procedimi disiplinor. Ai, në zbatim të së drejtës për t’u mbrojtur përgjatë procedimit disiplinor, i referohet kësaj dispozite për të prapësuar mbi rregullshmërinë e procesit që zhvillohet ndaj tij (nenet 126, 129 dhe 141 të Ligjit për Statusin).
b) Detyrimet për njoftimet dhe afatet e procedimit
8. Këshilli, për vendimin e pezullimit të procedimit disiplinor, njofton ILD-në, ankuesin, magjistratin, gjykatën dhe prokurorinë përkatëse. Gjykata, prokuroria e interesuar ose institucione të tjera i dërgojnë Këshillit përkatës, pa vonesë, çdo vendim që merret gjatë hetimit dhe procesit përkatës. Referuar pikës 5 të nenit 126, vendimi për pezullimin e procedimit nga Këshilli përkatës nuk mund të ankimohet, duke e konsideruar atë si vendim të ndërmjetëm, i cili kontrollohet në përfundim të procesit. Gjykata dhe prokuroria e interesuar njoftohen për vendimin e pezullimit me qëllim të dyfishtë: nga njëra anë, përmes këtij njoftimi fillon bashkëpunimi ndërinstitucional midis tyre për shkëmbimin e informacioneve të duhura, që lidhet me faktet e çështjes. Nga ana tjetër, gjykata dhe prokuroria e interesuar marrin dijeni se ka një shkak të shtuar për të përshpejtuar procesin, nga i cili varet procedimi disiplinor (shih komentet për nenin 126).
9. Pezullimi i procedimit disiplinor, referuar pikës 5 të nenit 126 dhe neneve117&118 të këtij ligji, ndërpret afatet e parashkrimit dhe të procedimit të Këshillit. Përllogaritja e afatit ndalon ditën e nxjerrjes së vendimit të pezullimit dhe vazhdon të ecë, në ditën kur bie shkaku i ndërprerjes. Afatet e procedimit rifillojnë të ecin në ditën që Këshilli vendos heqjen e pezullimit të procedimit disiplinor.
10.Referuar pikës 2 të nenit 126, kohëzgjatja e pezullimit të procedimit disiplinor vazhdon deri në momentin kur vendimi i institucionit kompetent (prokuroria ose gjykata përkatëse), që përfundon procesin, merr formë të prerë. Forma e prerë e vendimit nënkupton momentin kur vendimi bëhet përfundimtar dhe i ekzekutueshëm (shih nenin 451 të Kodit të Procedurës Civile (KPC), që zbatohet në gjykimet civile dhe administrative, si dhe nenin 462, pika 3 të Kodit Procedurës Penale (KPP) që zbatohet në gjykimet penale) (shih komentet për nenin 126). Sipas kësaj pike, gjykata, prokuroria apo institucionet e tjera të interesuara kanë detyrimin për t’i përcjellë Këshillit përkatës pa vonesë çdo vendim që merret gjatë hetimit dhe procesit përkatës.Me marrjen e informacionit se vendimi ka marrë formë të prerë, procedimi disiplinor vazhdon të ecë aty ku është ndërprerë, si nga pikëpamja e afateve, ashtu edhe nga pikëpamja e veprimeve procedurale.
c) Faktet mbi të cilat bazohet vendimi i formës së prerë i gjykatës dhe procedimi disiplinor
11.Këshilli ashtu si edhe ILD-ja, sipas pikës 4 të nenit 126, i referohet vetëm fakteve mbi të cilat bazohet vendimi i formës së prerë i gjykatës, të cilat janë të detyrueshme në përcaktimin e faktit të shkeljes së pretenduar nga pikëpamja objektive. Kjo nënkupton se, nëse gjykata ka dhënë një vendim të favorshëm për magjistratin (pafajësie apo pushimi të procedimit) për shkak të elementeve subjektive të verifikuara në një proces gjyqësor, ky fakt nuk pengon procedimin disiplinor nga Këshilli për të përcaktuar përgjegjësinë disiplinore të magjistratit (shih komentet për nenin 126). Lidhur me natyrën dhe dallimin midis përgjegjësisë penale dhe asaj disiplinore, Gjykata Kushtetuese (GJK) është shprehur: “…Përgjegjësia penale dhe ajo disiplinore kanë natyrë dhe objektiva të ndryshëm, janë subjekt i standardeve të ndryshme mbi provën dhe kanë elemente përbërëse të ndryshme, po ashtu nuk përjashtojë njëra-tjetrën. Për rrjedhojë, autoritetet disiplinore nuk janë të detyruar të përfundojnë procedimin disiplinor kur fillon një çështje penale për të njëjtën shkelje. Për të evituar shkeljen e parimit ne bis in idem këto autoritete duhet të kenë mundësinë të përfundojnë procedurën nëse ata e konsiderojnë që çështja disiplinore ka natyrë penale (natyra e shkeljes dhe pesha e masës disiplinore korresponduese do të jenë kriteret drejtuese në dritën e jurisprudencës së GJEDNJ-së). Në rast se shkelja subjekt i procesit penal nuk është e njëjtë me shkeljen që lind nga fakte identike ose kur procesi disiplinor nuk ka natyrë penale, nuk ka arsye për të përfunduar procesin disiplinor për shkak të fillimit të procesit penal bazuar në të njëjtin material disiplinor…” .
12. Hetimi dhe procedimi disiplinor për magjistratët, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, rregullohej nga ligje të ndryshme për gjyqtarët dhe prokurorët. Përgjegjësia disiplinore për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të dytë rregullohej nga ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (ligji nr.8811), i ndryshuar, ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. Procedimi disiplinor për gjyqtarët kryhej nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) sipas neneve 31 – 35 të kreut V “Procedimi disiplinor” të ligjit nr. 8811/2001 dhe të vendimit nr. 137, datë 21.2.2003 të KLD-së “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”.
13. Procedimi dhe përgjegjësia disiplinore e prokurorëve, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm (PP), rregullohej nga ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenet 28-34. Kompetenca e fillimit të procedimit disiplinor dhe e dhënies së masave disiplinore i përkiste të njëjtit autoritet – Prokurorit të Përgjithshëm (neni 8, pika 1, shkronja “h” dhe neni 28).
14. Këto ligje nuk parashikonin rregullime për pezullimin edetyrueshëm të procesit të hetimit dhe procedimit disiplinor nëse ndaj të njëjtit gjyqtar ose prokuror, për fakte të njëjta, ishte duke u zhvilluar një hetim penal apo një proces gjyqësor penal, civil ose admnistrativ.Praktika e KLD-së dhe praktika gjyqësore ka mbajtur qëndrimin se procesi disiplinor mund të vijonte paralelisht me procesin gjyqësor, duke i vlerësuar ata si autonomë të njëri-tjetrit .
15. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka bërë një paraqitje të situatës së verifikimit të përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, por pa u ndalur tek aspektet specifike tëprocedimit disiplinor, siç është dhe rasti i pezullimit të këtij procedimi. Ligji për Statusin, duke reflektuar një qasje të re normative, ka bërë unifikimin e të drejtave dhe detyrimeve të gjyqtarit dhe prokurorit në një tekst ligjor të detajuar dhe, pothuajse, gjithëpërfshirës, ku bëjnë pjesë dhe ato për hetimin dhe procedimin disiplinor. Në relacionin shoqërues/shpjegues të Ligjit për Statusin është evidentuar se: “Procedimi disiplinor rikonceptohet si një sistem garantues ku janë të ndara përgjegjësitë e institucioneve që kryejnë hetimin, institucioneve që marrin vendimin dhe institucioneve që shqyrtojnë ankimin e ushtruar ndaj vendimeve për masat disiplinore, duke i garantuar magjistratit në të gjitha hallkat e kësaj procedure, të drejtën për një proces të rregullt” . Po në këtë kuptim, si një nga synimet e ligjit evidentohet se “bazuar në standardet ndërkombëtare, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe procedurale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve” . Në këtë Relacion nuk është evidentuar në mënyrë specifike si mangësi mungesa e rregullave për pezullimin e hetimit dhe procedimit disiplinor.
16. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore te Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i Rrjetit Europian për Këshillat e Gjyqësorit (ENCJ) “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, dhe Opinioni nr.3 (2002) i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, për rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën. Këto dokumente vendosin theksin tek parimi i procesit të rregullt disiplinor.
Shih standardet dhe referencat te komentet për nenin 126.
- Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf
- Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/07/Relacioni-1.pdf
Kushtetuta:
- Neni 140, pikat 1 dhe 2: “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit” dhe “gjyqtari shkarkohet kur...”. - Neni 148/d, pikat 1 dhe 2: “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit” dhe “prokurori shkarkohet kur...”. - Neni 147/a, pika 1, shkronja “b”: “KLGJ ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”. - Neni 149/a, pika 1, shkronja “b”: “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve”; dhe - Neni 147/d, pika 1: “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”.
Ligji:
- Neni 2, shkronja “ë”, neni 100, neni 126, neni 129, neni 130 pika 3 shkronja “a”, neni 133 pika 3 shkronjat “c” dhe “d”, neni 141, neni 142 pika 3 shkronja “a”, neni 160 pika 5, neni 172 pikat 3 dhe 4 të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”.
Vendime të Gjykatës Kushtetuese - Vendimi nr. 34, datë 10.4.2017 i Gjykatës Kushtetuese, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin.
Vendime të Gjykatës së Lartë - Vendimi nr. 5, datë 12.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara, kërkues N.T, për kundërshtimin e vendimit të KLD-së për shkarkimin e tij nga detyra e gjyqtarit.
Programi i Bashkimit Evropian, Euralius IV, “Manual për hetimet disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve”, versioni në gjuhën shqipe në adresën www.euralius.eu/images/2017/Manual-per-Hetimet-Disiplinore-ndaj-Gjyqtareve-dhe-Prokuroreve-AL-17-09-07.pdf
Ligje - Nenet 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016. - Ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. - Ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar. - Ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar.- Ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.