"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 146: Vendimet e këshillit për çështjet e disiplinës

1Këshilli merr çdo vendim në lidhje me:

aangazhimin e ekspertëve dhe përcaktimin e detyrave të tyre;

bshtyrjet e seancave;

cpranueshmërinë e provave;

çzgjidhjen e çështjes;

dçdo çështje tjetër që Këshilli e vlerëson të nevojshme ose të përshtatshme në trajtimin e çështjes.

2Pas shqyrtimit të fakteve dhe provave, Këshilli:

arrëzon kërkesën për procedim disiplinor, për shkak se faktet e pretenduara nuk kanë ndodhur ose ato nuk përbëjnë shkelje disiplinore;

bpranon kërkesën dhe vendos një ose më shumë masa disiplinore.

3Këshilli nuk është i detyruar t’i qëndrojë masës disiplinore të propozuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe jep vendim të arsyetuar me shkrim të paktën brenda dy javëve nga përfundimi i seancës.

Përmbajtja

    • 1. Kjo dispozitë synon rregullimin në mënyrë të qartë të kompetencave tëKëshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për çështjet e procedimit disiplinor, për të garantuar parashikueshmëri në procesin vendimmarrës dhe siguri juridike. Njëkohësisht, dispozita ngarkon me përgjegjësi Këshillin përkatës për tëzhvilluar një hetim të plotë për shkeljen disiplinore të pretenduar dhe për të marrë vendim lidhur me çdo çështje që e vlerëson të nevojshme dhe të përshtatshme për zgjidhjen e çështjes disiplinore.

      2. Krahas përcaktimit të kompetencave dhe përgjegjësive, dispozita synon të garantojë kërkesat e procesit të rregullt në vendimmarrjet lidhur me procedimin disiplinor, në harmoni me parimet e deklaruara në nenet 100, shkronjat “a”, “b”, “ë”, “dh”dhe 141 të këtij ligji (shih komentet për këto nene).Në funksion të përgjegjshmërisë dhe procesit të rregullt është dhe përcaktimi i detyrimit për arsyetimin e vendimit me shkrim brenda një afati të arsyeshëm.

      3. Kjo dispozitë bazohet dhe është në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga parashikimet e neneve 147/a, pika 1, shkronjat “b” dhe “ë” dhe 149/a, pika 1, shkronjat “b” dhe “e” të Kushtetutës .

       

    • 4. Kjo dispozitë, e strukturuar në tre pika/paragrafë,përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e Këshillit lidhur me vendimet për çështjet e disiplinës, në drejtim të marrjes dhe vlerësimit të provave, të vendimmarrjes në përfundim të procesit të shqyrtimit të provave, të masës disiplinore dhe të arsyetimit të vendimit me shkrim brenda një afati të arsyeshëm.

      5. Në pikën e parë, në mënyrë jo shteruese, listohen vendimet lidhur me marrjen dhe pranimin e provave. Në mënyrë specifike, për shkak të rëndësisë/natyrës që ka, është përcaktuar kompetenca e Këshillit për angazhimin e ekspertëve dhe përcaktimin e detyrave të tyre. Këshilli, sipas kësaj pike, mund të vendosë shtyrjen e seancës kur vlerësohet se duhet të merret një provë e re ose kur vlerësohet e nevojshme në funksion të debatit kontradiktor dhe hetimit të plotë. Këshilli, ka diskrecion, për të marrë vendim për çdo çështje që e vlerëson të nevojshme dhe të përshtatshme gjatë shqyrtimit disiplinor, duke respektuar kërkesat e procesit të rregullt.

      6. Sipas pikës 2 të dispozitës, Këshilli, në përfundim të shqyrtimit të fakteve dhe provave, ka vetëm dy opsione, të rrëzojë ose të pranojë kërkesën për procedim disiplinor. Vendimi për rrëzimin e kërkesës merret për dy shkaqe: a) kur faktet e pretenduara nuk kanë ndodhur; b) ose kur ato nuk përbëjnë shkelje disiplinore. Në rastin kur Këshilli pranon kërkesën duhet të vendosë të paktën një masë disiplinore. Masat disiplinore janë ato të parashikuara në nenin 105 (shih komentet për këtë nen).

      7. Pika 3 e dispozitës vendos tri rregulla. Së pari, kjo pikë i njeh diskrecionin Këshillit për të mos i qëndruar detyrimisht masës disiplinore të propozuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD). Kjo nënkupton se Këshilli, në rastin kur pranon kërkesën, mund të vendosë një masë më të lehtë ose më të rëndë nga ajo e propozuar nga ILD-ja, ose mund të japë disa masa njëkohësisht. Së dyti, vendimi i Këshillit duhet të jetë me shkrim dhe i arsyetuar. Kjo kërkesë duhet të zbatohet për të dyja opsionet, si në rastin kur vendoset rrëzimi i kërkesës ashtu dhe kur ajo pranohet. Së treti, vendimi i arsyetuar me shkrim duhet të jepet të paktën brenda dy javëve nga përfundimi i seancës.

      8. Parashikimet e kësaj dispozite duhet të lexohen dhe interpretohen bashkë me ato të neneve 138 dhe 141 (shih komentet për këto nene), ku përcaktohen detyrimi për seancën dëgjimore dhe të drejtat dhe detyrimet e palëve gjatë procedimit disiplinor.

    • a) Roli i Këshillit në shqyrtimin e fakteve dhe provave

      9. Siç u përmend më sipër, në pikën e parë të kësaj dispozite, në mënyrë jo shteruese, listohen vendimet lidhur me marrjen, pranimin dhe shqyrtimin e provave. Te mjetet e kërkimit të provës përfshihen deklaratat e subjektit ndaj të cilit ka filluar procedimi disiplinor, dëshmitarët, ekspertët, dokumentet, dokumente të tjera nëpërmjet mjeteve fotografike ose mjeteve të tjera teknike . Këshilli, për angazhimin e ekspertëve dhe përcaktimin e detyrave të tyre, mund të procedojë vetë, ose mund t’i kërkojë ILD-së që t’i thërrasë ata. Ky urdhër i Këshillit është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga ILD-ja (pika 4 e nenit 138- shih komentet për këtë nen).

      10.Këshilli, ka diskrecion, për të marrë vendim për çdo çështje që e vlerëson të nevojshme dhe të përshtatshme gjatë shqyrtimit disiplinor, duke respektuar kërkesat e procesit të rregullt. Kjo nënkupton se shqyrtimi i çështjes disiplinore nga Këshilli nuk ka kufizim në pikëpamje të përcaktimit të faktit apo të zbatimit të ligjit. I njëjti standard parashikohet edhe në pikën 4 të nenit 138 ku përcaktohet se Këshilli shqyrton të gjithë faktorët që kanë rëndësi për çështjen. Në këtë kuptim, ai duhet të identifikojë, përgjatë shqyrtimit të dokumentacionit dhe seancës, nëse ka nevojë për prova shtesë, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve apo të ekspertëve. Në një rast të tillë, ai mund të vendosë shtyrjen e seancës kur kjo vlerësohet e nevojshme në funksion të debatit kontradiktor dhe hetimit të plotë.

      11. Parashikimet dhe standardet e përmendura më sipër, në nenet 138, 143 dhe 146 të këtij ligji, i njohin Këshillit një rol inkuizitor në trajtimin e çështjeve disiplinore. Kjo nënkupton se Këshilli, edhe kryesisht, vlerëson për marrjen e vendimeve lidhur me provat dhe me çdo çështje që e konsideron të nevojshme në zgjidhjen e çështjes disiplinore, në funksion të një hetimi dhe shqyrtimi të plotë dhe objektiv si dhe të dhënies së një vendimi të ligjshëm. Ky është një parim i njohur nga e drejta administrative për rolin e organit publik gjatë procedimit administrativ . Nga ana tjetër, në ushtrimin e këtij funksioni Këshilli duhet të mbajë parasysh detyrimet që rrjedhin nga parimet e pavarësisë dhe paanshmërisë dhe respektimit të pavarësisë së magjistratit, të prezumimit të pafajësisë dhe nga standardi se dyshimi shkon në favor të magjistratit, subjekt i procedimit disiplinor (shih komentet për nenet 100/1 dhe 141). Gjithashtu, Këshilli duhet të garantojë mbrojtjen e integritetit dhe figurës së magjistratit nga akuzat e pabaza. Pra, në rastin kur Këshilli e konsideron të nevojshme marrjen e provave shtesë dhe vendos shtyrjen e seancës, sipas nenit në fjalë, mban parasysh detyrimet që rrjedhin nga parimet e përmendura më sipër.

      b) Vendimmarrja e Këshillit në përfundim të shqyrtimit të provave

      12. Këshilli, në përfundim të shqyrtimit të provave dhe verifikimit të fakteve, kur çmon se hetimi është i plotë dhe nuk është e nevojshme shtyrja e seancës për marrjen e provave shtesë, vendos rrëzimin ose pranimin e kërkesës për procedim disiplinor. Vendimi për rrëzimin e kërkesës merret për dy shkaqe: a) kur faktet e pretenduara nuk kanë ndodhur; b) ose kur ato nuk përbëjnë shkelje disiplinore. Në rastin e parë, Këshilli, në bazë të provave të shqyrtuara, krijon bindjen se fakti i pretenduar nuk ka ndodhur. Për shembull, në një rast ndaj magjistratit mund të ketë filluar procedimi disiplinor me pretendimin se ka kryer shkelje disiplinore për shkak të shoqërimit me një person që është në procedim penal (neni 103/ç i Ligjit për Statusin). Në përfundim të shqyrtimit të provave nuk arrihet të verifikohet se magjistrati është shoqëruar me personin që është në procedim penal ose personi me të cilin është shoqëruar magjistrati nuk provohet se është në procedim penal. Në rastin e dytë kur vendoset rrëzimi i kërkesës, faktet e pretenduara vërtetohen se kanë ndodhur, por ato nuk cilësohen si shkelje disiplinore. Në shembullin më sipër, nëse fakti i shoqërimit të magjistratit me një person që është në procedim penal verifikohet se ka ndodhur,por provohet edhe fakti se ky person është i afërm në lidhje gjaku me magjistratin atëherë Këshilli do të rrëzonte kërkesën me argumentin se fakti nuk përbën shkelje disiplinore (neni 103/ç i ligjit për Statusin)

      13. Në rastin kur Këshilli pranon kërkesën duhet të vendosë dhe të paktën një masë disiplinore. Masat disiplinore janë ato të parashikuara në nenin 105 (shih komentet për këtë nen). Këto masa janë: a) vërejtje konfidenciale; b) vërejtje publike; c) ulje e përkohshme e pagës: i) deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit; ii) në rastin e magjistratëve që kanë dhënë dorëheqjen, gjobë në një masë të barabartë me uljen e përkohshme të pagës; ç) ulje në detyrë nga një pozicion më i lartë në një më të ulët ose nga një pozicion në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme në një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm ose në një prokurori tjetër; d) pezullim nga detyra për një periudhë nga tre muaj deri në dy vjet, me të drejtë për përfitimin e pagës minimale, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave; dh) shkarkim nga detyra. Kuptohet që masa më e rëndë është “shkarkimi nga detyra” dhe kjo jepet si masë e vetme, përveç kur shoqërohet me një masë disiplinore plotësuese, sipas nenit 112 të këtij ligji(shih komentet për këtë nen). Këshilli mund të vendosë më shumë se një masë disiplinore nëse nuk vendos ‘shkarkimin nga detyra’.

      14. Këshilli, sipas pikës 3 të kësaj dispozite, nuk është i detyruar t’i qëndrojë masës disiplinore të propozuar nga ILD-ja. Kjo nënkupton, së pari, se Këshilli ka vendosur pranimin e kërkesës për procedim disiplinor. Së dyti, ILD-ja, me paraqitjen e raportit të hetimit së bashku me dosjen hetimore, sipas nenit 138 të këtij ligji, duhet të propozojë dhe masën disiplinore për magjistratin ndaj të cilit ka filluar procedimi disiplinor. ILD-ja mund të propozojë një ose disa masa nga ato të parashikuara në nenin 105, përveç rastit kur kërkon “shkarkimin nga detyra”. Së treti, Këshilli mund të vendosë masën disiplinore të propozuar nga ILD-ja, mund të vendosë një masë më të lehtë se ajo e propozuar ose mund të vendosë një masë më të rëndë. Në caktimin e rëndësisë së shkeljes disiplinore dhe llojit të masës disiplinore, Këshilli merr parasysh këto kritere: a) llojin dhe rrethanat e shkeljes; b) shkallën e fajësisë dhe motivin; c) pasojat e shkeljes; ç) të dhënat profesionale, të çështjeve disiplinore dhe të dhëna kriminale të magjistratit; d) masën e ndonjë rreziku të shkaktuar nga shkelja disiplinore; dh) çdo rrethanë e rëndësishme që ka lidhje me shkeljen; e) rrethana të lidhura me gjendjen shëndetësore të magjistratit; ë) sjelljen e magjistratit pas kryerjes së shkeljes dhe pas fillimit të hetimit; f) sjelljen e magjistratit gjatë procedimit disiplinor dhe qëndrimin që mban ndaj tij; g) çdo çështje tjetër që Këshilli e konsideron të rëndësishme (shih komentet për nenin 115, pika 1, të këtij ligji).

      c) Arsyetimi i vendimit me shkrim brenda një afati të arsyeshëm

      15. Këshilli, sipas pikës 3 të kësaj dispozite, lidhur me kërkesën për procedim disiplinor, jep vendim të arsyetuar me shkrim. Detyrimi për arsyetimin e vendimit me shkrim nuk kushtëzohet nga fakti nëse kërkesa rrëzohet apo pranohet.

      16. Kërkesa për arsyetimin e vendimit është një element thelbësor që imponohet nga të drejtat për një proces të rregullt ligjor, të parashikuara nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).Gjykata Kushtetuese (GJK), në jurisprudencën e saj ka theksuar domosdoshmërinë e arsyetimit të vendimit gjyqësor (detyrim i sanksionuar në nenin 142 të Kushtetutës) si një garanci për procesin e rregullt ligjor. Vendimi duhet të mbështetet vetëm mbi faktet që janë paraqitur gjatë procesit gjyqësor dhe duhet të përmbajë bazën ligjore mbi të cilën bazohet zgjidhja e mosmarrëveshjes, analizën e provave dhe mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjes. Arsyetimi i vendimeve është element thelbësor i një vendimi të drejtë. Vendimi mund të kontrollohet nga një gjykatë më e lartë sipas procedurave përkatëse dhe, që kjo të jetë e mundur, duhet bërë arsyetimi i vendimit, në të cilin gjyqtari tregon me qartësi faktet dhe ligjin e zbatueshëm, të cilat e kanë çuar në bërjen e një zgjedhjeje ndërmjet disa mundësive. Pra, gjyqtari duhet të shpjegojë arsyet e vendimeve të tij, duke iu referuar fakteve për të cilat është zhvilluar procesi, ligjeve të zbatueshme dhe kërkesave të ndryshme të palëve .

      17. Kërkesa për arsyetimin e vendimit, në zbatim të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, është reflektuar në nenin 100, pika 1, shkronja “a”, si edhe në nenin 115 të këtij ligji, në pikën 2, ku parashikohet se Këshilli, kur vendos masën disiplinore, duhet të arsyetojë parimin e proporcionalitetit dhe duhet të marrë parasysh çdo rrethanë lehtësuese ose rënduese.

      18. Vendimi i Këshillit për procedim disiplinor është një akt me natyrë administrative. Në këtë kuptim, kërkesat e përgjithshme për përmbajtjen dhe arsyetimin e aktit administrativ me shkrim, sipas Kodit të Procedurave Administrative (KPA) janë të zbatueshme edhe për vendimet e Këshillit me këtë objekt. Referuar KPA-së, vendimi i Këshillit duhet të përmbajë:a)pjesën hyrëse, që përmban: I) emrin e organit publik që nxjerr aktin; II) palët të cilave u drejtohet akti; III) datën e miratimit; IV) bazën ligjore; b) pjesën arsyetuese; c) dispozitivin që tregon: I) pjesën urdhëruese që tregon çfarë është vendosur; II) kohën e hyrjes në fuqi të aktit; III) të drejtën e ankimit, përfshirë organin publik apo gjykatën ku mund të paraqitet ankimi, mjetet e ankimit, afatin dhe mënyrën e përllogaritjes së tij për paraqitjen e ankimit. Arsyetimi i aktit administrativ duhet të jetë i qartë dhe përmban: a) shpjegimin e situatës faktike mbi të cilën është marrë akti; b) shpjegimin e përmbledhur të rezultatit të hetimit administrativ dhe të vlerësimit të provave; c) bazën ligjore të aktit dhe një shpjegim pse kushtet ligjore për zbatimin e tij plotësohen në këtë rast; ç) në rastin e diskrecionit, shpjegimin pse diskrecioni është përdorur në mënyrën e përcaktuar. Përmbushja e këtyre kërkesave lidhet me ligjshmërinë e aktit administrativ të shkruar.

      19. Arsyetimi i vendimit të Këshillit, lidhur me procedimin disiplinor, buron, gjithashtu, nga parimi për “administrim të mirë”, sipas të cilit organi publik ka detyrimin për të shpjeguar se në ç’mënyrë dhe pse ka marrë vendimin që përmban akti administrativ i shkruar. Kjo kërkesë i shërben disa funksioneve: së pari, detyrimi për të dhënë një arsyetim vjen nga roli i qytetarit si partner i organit publik, në vëzhgimin e administrimit të drejtësisë, për të garantuar përgjegjshmërinë dhe ruajtjen e besimit të publikut; së dyti, arsyetimi i vendimit i shërben palëve për pranimin e vendimit dhe besimit te paanshmëria dhe objektiviteti në vlerësimin e Këshillit; së treti, kjo kërkesë i shërben mbrojtjes ligjore (në rrugën gjyqësore), pasi me arsyetimin palët kanë mundësinë të vlerësojnë argumentet dhe mundësinë e suksesit, ndërsa organi gjyqësor që rishikon vendimin e Këshillit ka një bazë më të mirë për shqyrtimin e ankimit; së katërti, kjo kërkesë i shërben transparencës kundrejt publikut në përgjithësi; dhe së fundi, arsyetimi i vendimit i shërben Këshillit për vetëkontroll dhe e detyron që të shqyrtojë me kujdes çdo rast konkret, duke vendosur standarde të qarta dhe të qëndrueshme. Njëkohësisht kjo i shërben dhe magjistratëve për të qenë të qartë dhe për të shmangur keqkuptimet lidhur me shkeljet disiplinore .

      20. Sipas pikës 3 të dispozitës, vendimi i arsyetuar me shkrim duhet të jepet të paktën brenda dy javëve nga përfundimi i seancës. Kjo kërkesë buron nga standardi për t’u gjykuar dhe për të marrë një vendim brenda një afati të arsyeshëm, si element i të drejtave për një proces të rregullt. Ky standard, i deklaruar/përcaktuar në nenin 100, pika 1, shkronja “a”, të këtij ligji, imponon Këshillin për të marrë masat për respektimin e tij.

      21. Nga formulimi në këtë pikë i shprehjes “të paktën brenda dy javëve nga përfundimi i seancës”, nga pikëpamja literale, mund të krijohet keqkuptim dhe paqartësi për afatin brenda të cilit duhet të shpallet vendimi i arsyetuar. Duke u nisur nga interpretimi teleologjik/ sipas qëllimit të kësaj rregulle, ajo duhet të kuptohet se detyron Këshillin të japë vendimin me shkrim të arsyetuar në një kohë sa më të shkurtër, por jo më vonë se brenda dy javëve nga përfundimi i seancës.

    • 22. Hetimi dhe procedimi disiplinor për magjistratët, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, rregullohej nga ligje të ndryshme për gjyqtarët dhe prokurorët. Përgjegjësia disiplinore për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të dytë rregullohej nga ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (ligji nr. 8811), i ndryshuar, ligji nr. 9877/2008,“Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. Procedimi disiplinor për gjyqtarët kryhej nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) sipas neneve 31 – 35 të kreut V “Procedimi disiplinor” të ligjit nr. 8811/2001 dhe të vendimit nr. 137, datë 21.2.2003 të KLD-së “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”. KLD vepronte gjithnjë në seancë plenare, duke dëgjuar të dyja palët: ministrin e Drejtësisë dhe gjyqtarin.

      23. Procedimi dhe përgjegjësia disiplinore e prokurorëve, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm (PP), rregullohej nga ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenet 28-34. Kompetenca e fillimit të procedimit disiplinor dhe e dhënies së masave disiplinore i përkiste të njëjtit autoritet – Prokurorit të Përgjithshëm (neni 8, pika 1, shkronja “h” dhe neni 28). PP merrte mendimin e Këshillit të Prokurorisë, i cili zhvillonte seancë dëgjimore me prokurorin në procedim (neni 10 pika 3 shkronja ‘a’, neni 30 dhe neni 31).

      24. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka bërë një paraqitje të situatës së verifikimit të përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, por pa u ndalur tek aspektet specifike të procedimit disiplinor, siç janë dhe rregullimet për bashkimin e procedimeve. Ligji për Statusin, duke reflektuar një qasje të re normative, ka bërë unifikimin e të drejtave dhe detyrimeve të gjyqtarit dhe prokurorit në një tekst ligjor të detajuar dhe, pothuajse, gjithëpërfshirës, ku bëjnë pjesë dhe ato për hetimin dhe procedimin disiplinor. Në relacionin shoqërues/shpjegues të Ligjit për Statusin është evidentuar se: “Procedimi disiplinor rikonceptohet si një sistem garantues ku janë të ndara përgjegjësitë e institucioneve që kryejnë hetimin, institucioneve që marrin vendimin dhe institucioneve që shqyrtojnë ankimin e ushtruar ndaj vendimeve për masat disiplinore, duke i garantuar magjistratit në të gjitha hallkat e kësaj procedure, të drejtën për një proces të rregullt” . Po në këtë kuptim, si një nga synimet e ligjit evidentohet se “bazuar në standardet ndërkombëtare, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe procedurale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve” . Në këtë relacion nuk janë përmendur të gjitha elementet e ligjit lidhur me rregullat për procedimin disiplinor, por shënohet si risi e Ligjit për Statusin përcaktimi i plotë dhe i qartë i procedurës hetimore dhe disiplinore.

       

    • 25. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore te Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i Rrjetit Europian për Këshillat e Gjyqësorit (ENCJ) “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, dhe Opinioni nr. 3 (2002) i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, për rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën. Këto dokumente vendosin theksin tek parimi i procesit të rregullt disiplinor.

  • Shih standardet dhe referencat te komentet për nenin 138.

  • - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf.

    - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

     

  • Kushtetuta:
    Nenet: 147, 147/a, 147/d, 149, 149/a.

    Ligji:
    Ligji nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”, nenet 100-147.

    Vendime
    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.11, datë 2.4.2008; nr.7, datë 9.3.2009; nr.23, datë 23.7.2009; nr.38, datë 30.12.2010.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • • Komentar mbi Reformën në Sistemin e Drejtësisë (2016), Botim i Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”& Instituti për Studimet Publike & Ligjore, 2019. 

    • Komentar i Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë, botim i SIGMA & OECD, Tiranë, 2018. 

  • Kushtetuta:

    - Kushtetuta, nenet 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016. 

    Ligje:

    - Ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

    - Ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar.

    - Ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar.

    - Ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

     Akte nënligjore

    - Vendimi nr. 137, datë 21.2.2003 i KLD-së “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”.

     

Sokol Berberi
Sokol Berberi