1Pjesa mbi të drejtat dhe detyrimet e magjistratit zbatohet menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij ligji, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë nen.
2Magjistrati ka detyrim që, brenda 3 muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të marrë masat për të përmbushur kërkesat në lidhje me papajtueshmërinë dhe kufizimet në detyrë, sipas neneve 6 dhe 7 të këtij ligji.
3Magjistrati informon për gjendjen e papajtueshmërisë ambientale brenda një muaji nga krijimi i Këshillave respektivë.
4Magjistrati njofton për detyra jashtë funksionit, për të cilat duhet marrë leje, në përputhje me këtë ligj, brenda një jave nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nëse vazhdon të kryejë detyrën dhe kërkon leje pa vonesë për aktivitetet e ardhshme jashtë funksionit të tij.
5Pjesa II, kreu III, i këtij ligji, për pagat dhe për përfitime të tjera është i zbatueshëm për magjistratin, i cili kalon me sukses procesin e rivlerësimit, siç përcaktohet nga ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, pavarësisht kësaj, në asnjë rast jo më shpejt se 1 janar 2019. Përjashtim nga ky rregull bëjnë magjistratët në institucionet për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilët përfitojnë pagat dhe përfitimet e tjera, sipas këtij ligji, me caktimin në mënyrë të përhershme në këtë pozicion. Gjatë periudhës së rivlerësimit, për magjistratin, i cili ende nuk është rivlerësuar, do të zbatohen parashikimet ligjore përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji në lidhje me pagat dhe përfitime të tjera.
6Magjistrati që ka kaluar procesin e rivlerësimit pas datës 1 janar 2019 gëzon të drejtën për të marrë diferencën mes pagës dhe përfitimeve të tjera, sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe pagës dhe përfitimeve të tjera, sipas parashikimeve të këtij ligji, brenda tre muajve nga vendimi i formës së prerë të rivlerësimit.