1. Magjistrati gëzon të drejtën për pushime vjetore të paguara me kohëzgjatje 25 ditë pune.
2. Magjistrati që ushtron funksionin në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme, ka të drejtë të përfitojë pesë ditë pune shtesë leje vjetore.
3. Pushimet vjetore për magjistratin që autorizohet të punojë me kohë të pjesshme, zbriten në përpjesëtim me kohën e punës që kryen.
4. Në vitin kur magjistrati caktohet në pozicion ose largohet prej tij ose kur është me leje prindërore, gëzon të drejtën për pushime të pjesshme vjetore të paguara, të cilat përcaktohen në raport me kohëzgjatjen në funksion, si vijon:
a. 2 ditë pune leje për çdo muaj të plotë në funksion;
b. 2 ditë pune leje për një muaj jo të plotë, prej më shumë se 15 ditë pune;
c. 1 ditë pune leje për një muaj jo të plotë deri në 15 ditë pune.
5. Pushimet vjetore mund të merren njëherësh ose në periudha të ndryshme, sipas kërkesës së magjistratit dhe në përputhje me kërkesat e funksionit. Në çdo rast, pushimet duhet të përfshijnë një periudhë trejavore pa ndërprerje, gjatë muajit gusht, përveç kur kërkesat e ushtrimit të funksionit kërkojnë vazhdimin e aktiviteteve të gjykatës ose prokurorisë.
6. Magjistrati i sapocaktuar në pozicion përfiton pushime vjetore vetëm pasi ka ushtruar funksionin për një periudhë tremujore. Përjashtimisht, pushimet mund të miratohen para këtij afati, në raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara.
7. Magjistrati që kalon sëmundje gjatë pushimeve vjetore, të cilat mund ta pengonin atë në ushtrimin e funksionit nëse nuk do të ishte me pushime, përfiton shtyrje të kohëzgjatjes së pushimeve vjetore, të njëjtë me kohëzgjatjen e sëmundjes, me kushtin që kjo e fundit të vërtetohet me raport mjekësor.
8. Magjistrati që nuk merr pushimet e plota vjetore deri në fund të vitit përkatës kalendarik, për arsye që nuk lidhen me kërkesa të funksionit, mund të shtyjë kohëzgjatjen e mbetur të pushimeve në vitin pasardhës, me kushtin që kohëzgjatja e mbetur të jetë deri në pesë ditë. Leja e prapambetur mund të merret deri në fund të muajit mars të vitit pasardhës. Magjistrati që nuk ka marrë pushimet e plota vjetore në kohën e largimit nga funksioni, përfiton kompensim në pagesë, të barabartë me një të tridhjetën e pagës që merrte para largimit, për çdo ditë pushimi të mbetur. Shuma e përllogaritur, sipas kësaj pike, zbritet nga pagesa që magjistrati duhet të përfitojë, në rast se në kohën e largimit nga funksioni ka marrë më shumë pushime vjetore sesa ka pasur të drejtë deri në atë moment.
9. Magjistrati që ndërpret pushimet vjetore për shkak të kërkesave të funksionit ose që i anulohen këto pushime, gëzon të drejtën për t’u kompensuar për të gjitha shpenzimet e kryera, veçanërisht shpenzimet e transportit, nëse ato vërtetohen me dokumentacionin e nevojshëm.
10. Me përjashtim të rasteve të sëmundjes ose aksidentit, magjistrati nuk mund të kryejë mungesa në detyrë. Nëse magjistrati ka kryer mungesa në detyrë, të cilat nuk janë miratuar, ato zbriten nga periudha e pushimeve vjetore. Pavarësisht nëse jepet masë disiplinore ose jo, magjistrati nuk paguhet për ditët e munguara.
11. Pushimet vjetore jepen nga kryetari i gjykatës ose prokurorisë. Kërkesa për leje vjetore për një periudhë më shumë se tre ditë i drejtohet kryetarit të paktën një muaj para marrjes së tyre.