"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 24: Pushimet e tjera

1. Përveç pushimeve vjetore, magjistrati gëzon të drejtën të marrë në përputhje me Kodin e Punës:

a. pushime të tjera;

b. leje prindërore.

2. Leja e veçantë miratohet nga kryetari i gjykatës ose prokurorisë. Këshillat miratojnë lejen prindërore, pasi kanë marrë mendimin e kryetarit të gjykatës ose prokurorisë.

3. Magjistrati mund të kërkojë leje të papaguar deri në 2 vjet për qëllime kualifikimi profesional dhe specializime në një institucion trajnimi, ose për arsye familjare ose shëndetësore. Leja e papaguar mund të merret e gjitha njëherësh ose në periudha të ndryshme sipas kërkesës së magjistratit.

4. Këshillat mund të japin lejen e papaguar pasi kanë marrë mendimin e kryetarit të gjykatës ose prokurorisë, nëse leja nuk bie ndesh me interesat kryesorë të funksionit dhe nuk vë në rrezik në tërësi përmbushjen e funksionit me efiçencë dhe në kohë, në gjykatë ose në prokurori.

5. Periudha e lejes së papaguar nuk merret në konsideratë për vjetërsinë në punë ose për efekt të përfitimeve të tjera.

6. Këshilli përcakton rregulla më të detajuara për kriteret dhe procedurat për dhënien e lejes së papaguar.

Përmbajtja

    • 1. Ligji për Statusin, si pjesë e sistemit të garancive të parashikuara nga neni 138 i Kushtetutës që kanë si qëllim të sigurojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor, përveç pushimeve vjetore, ka parashikuar edhe të drejtën e magjistratit për të përfituar pushime të tjera. Ne këtë kuptim, neni 24 ka si qëllim që, nëpërmjet përcaktimit të llojeve të pushimeve të tjera dhe rregullave për marrjen e tyre, të krijojë kushtet e përshtatshme për të pasur një sistem gjyqësor efektiv dhe funksional, i cili nuk është privilegj apo qëllim në vetvete por shërben për të garantuar një proces të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 42 pika 2 e Kushtetutës[1]. Në krahasim me ligjin e mëparshmëm, neni 24 ka zgjeruar rrethin e përfitimeve të tjera të gjyqtarit të parashikuara nga neni 138 i Kushtetutës duke zgjeruar tërësinë e të drejtave që magjistratët përfitojnë për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.

      2. Nga ana tjetër dispozita ka pasur si qëllim edhe të mbrojë të drejtën e pushimeve të tjera nëpërmjet parashikimit të drejtpërdrejtë në ligj si dhe të njësojë këtë të drejtë, si element i sistemit të garancive funksionale, për gjyqtarët dhe për prokurorët.

       

      [1] Shih vendimin nr. 31/2009 të Gjykatës Kushtetuese, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Pushtetin Gjyqësor, paragrafi 2, faqe 7

    • 3. Neni 24 ka përfshirë pushimet e tjera (të ndryshme nga pushimet vjetore) në listën e sistemit të garancive të nenit 138 si elementët përbërës të statusit të magjistratëve të cilët kanë si qëllim të garantojnë ushtrimin e pavarur të funksionit të tyre. Ky nen përcakton llojet e pushimeve të tjera që magjistratët gëzojnë të drejtën për të marrë si dhe kriteret dhe procedurat për marrjen e tyre. Gjithashtu, dispozita i ka deleguar Këshillit të drejtën për të rregulluar në mënyrë të posaçme kriteret dhe procedurat për dhënien e lejes së papaguar.

      4. Dispozita krijon garanci dhe detyrime për të gjithë magjistratët të cilëve kanë të drejtë të përfitojnë pushimet ose leje të paguar ose të papaguar sipas kushteve të përcaktuara në të. Gjithashtu, subjektet përgjegjëse për miratimin e kërkesave për lejet sipas këtij neni janë kryetarët e gjykatave ose të prokurorive ku magjistrati ushtron funksionet si dhe Këshillat.

    • 5. Neni 24 i ka garantuar magjistratëve, që në përputhje me parashikimet e Kodit të Punës, të drejtën për të marrë pushime të tjera dhe lejen prindërore. Pushimet e tjera janë të parashikuara nga neni 96 i Kodit të Punës, i cili i njeh të drejtën punëmarrësit që të marrë 5 ditë pushimi të paguar në rast martese ose në rast vdekjeje të bashkëshortit/bashkëjetuesit, paraardhësve ose pasardhësve të drejtpërdrejtë të tij. Gjithashtu, në rast lindjeje fëmije, bashkëshorti/bashkëjetuesi përfiton 3 ditë pushimi të paguar. Ndërkohë, Kodi i Punës, si pushime të tjera, i njeh punëmarrësve të përfitojnë edhe 30 ditë leje të papaguar në rast sëmundjeje të rëndë të anëtarëve të familjes, bashkëjetuesit, të paraardhësve ose të pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë. Sëmundja duhet të vërtetohet me raport mjekësor.

      6. Ligji për Statusin, për herë të parë, i ka njohur magjistratëve të drejtën për të përfituar lejen prindërore. Leja prindërore ka si qëllim të krijojë për magjistratët kushtet e nevojshme për gjetjen e një rruge të ndërmjetëme ndërmjet detyrimeve që lindin për shkak të detyrës dhe të drejtës për një jetë familjare. Leja prindërore është bërë pjesë e një nga garancitë e vendosura në Kodin e Punës për punëmarrësin si pasojë e transpozimit të direktivës 2010/18/BE, datë 8 mars 2010 për “Zbatimin e Marrëveshjes kuadër të rishikuar për lejen prindërore të lidhur ndërmjet Bussiness Europe, UEAPME, CEEP dhe ETUC dhe që shfuqizon Direktivën 96/34/ KE”.

      7. Sipas nenit 132/1 pika 1 të Kodit të Punës, magjistratët mund të përfitojnë lejen prindërore vetëm pasi të kenë ushtruar funksionin për më shumë se një vit të pandërprerë tek i njejti punëdhënës. Leja prindërore është e papagueshme dhe merret për një periudhë jo më të vogël se 4 muaj, derisa fëmija që ka në ngarkim magjistrati të arrijë moshën 6 vjeç. Sipas parashikimit të Kodit të Punës leja mund të jepet edhe e ndarë, pra jo katër muaj të njëpasnjëshëm, por në çdo rast kohëzgjatja nuk duhet të jetë më pak se 1 javë në vit.

      8. Kodi i Punës vendos një kufi minimal për lejen prindërore, pra magjistratët kanë të drejtë të përfitojnë një periudhë jo më të vogël se katër muaj si pushim i papaguar. Sidoqoftë, Kodi i Punës ka parashikuar që kohëzgjatja e lejes prindërore përcaktohet me marrëveshje me shkrim midis punëdhënësit dhe punëmarrësit. Në mungesë të një marrëveshje, magjjistratët kanë të drejtë që të marrin lejen prindërore për të paktën 4 muaj si pushim i papaguar.

      9. Leja prindërore miratohet nga Këshillat pasi është marrë mendimi i gjykatës ose i prokurorisë. Sipas përcaktimeve të nenit 132/1 pika 3 magjistrati duhet të lajmërojë me shkrim Këshillin të paktën dy javë përpara fillimit të lejes prindërore. Këshillat kanë të drejtë që, pasi janë konsultuar edhe me kryetarin e gjykatës ose prokurorisë, të shtyjnë datën e fillimit të lejes, për një kohë jo më të madhe se 6 muaj, për arsye të cilat kanë të bëjnë me nevojat operacionale të gjykatës ose prokurorisë, kur gjyqtari ose prokurori nuk mund të zëvendësohet përkohësisht, kur kjo leje kërkohet njëkohësisht nga shumë gjyqtarë ose prokurorë ose kur pozicioni i punës i gjyqtarit ose i prokurorit është i një rëndësie të veçantë.

      10. Neni 24 ka kryer një rregull të posaçëm edhe të lejeve për qëllime të kualifikimit personal dhe specializime në një institucion trajnimi ose për arsye familjare e shëndetësore për një afat jo më të gjatë se 2 vjet. Magjistratët kanë të drejtë që, për qëllimet e mësipërme, të marrin leje të papaguar deri në dy vjet. Leja mund të merret e gjitha njëherësh, ose në periudha të ndryshme, sipas kërkesës së magjistratit. Sidoqoftë, leja e papaguar, pavarësisht qëllimit dhe periudhave që merret, nuk mund të jetë më e gjatë se 2 vjet, e përllogaritur gjatë gjithë karrierës së magjistratit. Kjo periudhë nuk merret në konsideratë për vjetërsinë në punë ose për efekt të përfitimeve të tjera.

      11. Pra, si më sipër, në rrethin e pushimeve të tjera të parashikuara nga ligji për statusin përfshihen leja në rast të martesës ose vdekjes (neni 96 pika 1 i Kodit të Punës), leja në rast lindjeje fëmije (neni 96 pika 3 i Kodit të Punës), leja në rast të sëmundje të rëndë të anëtarëve të familjes (neni 96 pika 2 i Kodit të Punës), leja prindërore (neni 132/1 i Kodit të Punës) si dhe leja për qëllimet e kualifikimit profesional (neni 24 pika 3 i ligjit për statusin). Nga këto, leja në rast të sëmundje të rëndë të anëtarëve të familjes (deri në 30 ditë), leja për qëllimet e kualifikimit profesional (deri në 2 vjet) dhe leja prindërore (jo më pak se 4 muaj) janë leje të papaguara, ndërkohë që leja në rast të martesës ose vdekjes (deri në 5 ditë) dhe leja në rast të lindje fëmije (deri në 3 ditë) janë leje të paguara. Neni 24 i ka grupuar pushimet e tjera, të ndryshme nga pushimet vjetore, si pushime që rrjedhin nga Kodi i Punës sipas pikës 1 të nenit 24 (pushimet e tjera dhe leja prindërore) dhe pushime që janë të posaçme vetëm për magjistratët, sipas pikës 3 të nenit 24 të ligjit për statusin (leja e papaguar për qëllimet e kualifikimit profesional). Sipas kësaj ndarjeje janë parashikuar edhe organet përgjegjëse për miratimin e lejeve. Lejet e parashikuara në nenin 96 të Kodit të Punës, për të cilat pika 2 e nenit 24 të ligjit për statusin përdor togfjalëshin leja e veçantë, miratohen nga kryetari i gjykatës ose i prokurorisë. Ndërkohë që leja prindërore dhe leja e papaguar deri në 2 vjet miratohen nga Këshillat pasi kanë marrë mendimin e kryetarit të gjykatës ose prokurorisë.

      12. Pavarësisht sa më sipër, duhet të vihet në dukje paqartësia që mund të krijohet në zbatimin e dispozitës për shkak të formulimit të nenit 24 pika 4, 5 dhe 6 të Ligjit për Statusin. Dispozitat bëjnë një rregullim të posaçëm të lejes së papaguar por pa bërë dallimin nëse me leje të papaguar i referohen vetëm lejes së papaguar deri në 2 vjet për qëllime kualifikimi profesional apo i referohen edhe lejes në rast të sëmundje të rëndë të anëtarëve të familjes (leje e papaguar deri në 30 ditë) si dhe lejes prindërore (leje e papaguar për jo më pak se 4 muaj). Pra, mund të krijohet paqartësia që në fushën e veprimit të rregullimeve të pikës 4, 5 dhe 6 nuk futet vetëm leja e papaguar deri në 2 vjet, por edhe lejet e papaguara të parashikuara nga Kodi i Punës. Mënyra se si interpretohet ky togfjalësh ndikon në përcaktimin e organit përgjegjës për miratimin e lejes në rast të sëmundje të rëndë të anëtarëve të familjes si dhe nëse lejet e papaguara të parashikuara në Kodin e Punës merren ose jo në konsideratë për vjetërsinë në punë ose për efekt të përfitimeve të tjera.

      13. Struktura e normës dikton një interpretim të ngushtë të togfjalëshit leje e papaguar. Përkatësisht, siç është arsyetuar më sipër, pushimet që rrjedhin nga Kodi i Punës të parashikuara në pikën 1 të nenit 24 gjejnë rregullim të posaçëm në pikën 2 të nenit 24, ndërkohë që leja e papaguar për qëllime kualifikimi profesional është e parashikuar në pikën 3 të nenit 24 dhe pikat pasardhëse parashikojnë rregulla të posaçme vetëm për këtë leje të papaguar. Në këtë kuptim, togfjalëshi leje e papaguar i përdorur në pikën 4, 5 dhe 6 të nenit 24 të ligjit për statusin duhet interpretuar që i referohet lejes së papaguar deri në 2 vjet për qëllime kualifikimi profesional dhe jo çdo leje të papaguar të parashikuar nga Kodi i Punës.

      14. Sipas nenit 24 pika 4, përpara se Këshillat të miratojnë lejen e papaguar për qëllime kualifikimi profesional duhet të marrë në konsideratë nëse leja bie ndesh me interesat kryesorë të funksionit dhe nuk vë në rrezik në tërësi përmbushjen e funksionit me efiçencë dhe në kohë, në gjykatë ose në prokurori. Në çdo rast, ligji ka deleguar Këshillat që të përcaktojnë rregulla më të detajuara për kriteret dhe procedurat e dhënies së lejes së papaguar.

    • 15. Ligji 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor) nuk kishte një rregullim të posaçëm për lejet e veçanta, të ndryshme nga leja vjetore. Sidoqoftë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte miratuar Vendimin nr. 138/3, datë 19.03.2003, i ndryshuar me vendimin 294/4, datë 14.09.2012 që rregullonte lejet jo të zakonshme, afatmesme apo afatgjata, nga ana e gjyqtarëve. Pika 1 e Vendimit parashikonte që nëse një gjyqtar, për një arsye të caktuar do të ketë nevojë për t’u shkëputur përkohësisht nga puna, ai mund të shkëputet për periudha afatmesme apo afatgjata, me leje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si i vetmi autoritet kompetent për një lejim të tillë. Lejet afatshkurtra, deri në 5 ditë pune, jepen nga kryetarët e gjykatave në të cilën ushtron detyrën gjyqtari që kërkon leje. Në rast refuzimi të kërkesës nga kryetari, gjyqtarët mund t’i drejtohen Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kryetarët e gjykatave, kërkesën e tyre për leje afatshkurtra, deri në 5 ditë pune, ia paraqesin Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Leja, sipas vendimit, mund të jepej për arsye shëndetësore, familjare, studimi, specializimi, mbrojtje titujsh shkencore jashtë shtetit ose edhe për arsye të tjera të ngjashme.

      16. Neni 51 i ligjit 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (ligji për organizimin e prokurorisë) kishte të parashikuar që për nevoja të veçanta, vetjake ose familjare, prokurori ka të drejtë të përfitojë leje të papaguar deri 20 ditë në muaj, por jo më tepër se 30 ditë në vit. Gjithashtu, në raste martesash ose vdekjesh brenda familjes, kur është konsumuar koha e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, prokurori ka të drejtë të përfitojë deri në 10 ditë leje. Neni 51 rregullonte edhe lejen për nevoja të kualifikimeve dhe të specializimeve profesionale. Sipas pikës 3 prokurori kishte të drejtë të kërkojë leje të papagueshme dhe ruajtjen e vendit të punës deri në një vit.

      17. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë në faqen 77 konstaton se ligji nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor) nuk parashikonte shprehimisht kushtet e posaçme të ushtrimit të së drejtës së gjyqtarit për të kërkuar shkëputje dhe leje të pagueshme për motive të ndjekjes së programeve të profilizimit profesional brenda dhe jashtë vendit, për përgatitjen dhe mbrojtjen e gradave shkencore, si edhe të lejeve të papagueshme për motive të caktuara. Rregullimi i të drejtës për leje jo të zakonshme për gjyqtarët kryhej nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD). Nga ana tjetër, 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (ligji për organizimin e prokurorisë) i njihte prokurorëve të drejtën e lejes për raste të veçanta.

    • 18. Neni 24 i Ligjit për Statusin bën pjesë tek grupi i dispozitave mbi pagën dhe përfitimet e magjistratëve janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, që kërkojnë pagesën e magjistratit në përputhje me dinjitetin e detyrës dhe rëndësinë e përgjegjësive të tij. Për më shumë informacion mbi dokumentet ndërkombëtare, referohu tek informacioni i dhënë në rubrikën “Legjislacioni Ndërkombëtar” për Nenin 11 të Ligjit për Statusin.

  • Kongresi i shtatë i Kombeve të Bashkuara për parandalimin e krimit dhe trajtimin e kriminelëve, Milano, Itali 26 gusht – 6 shtator 1985, mbështetur nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën 40/32 të 29 nëntorit 1985 dhe 40/146 të 13 dhjetorit 1985, Parimet Bazë mbi Pavarësinë e Gjyqësorit, paragrafi 11, versioni në gjuhën angleze http://www.ohchr.org/EN/ProfessionalInterest/Pages/IndependenceJudiciary.aspx, vizituar për herë të fundit në datë 08.05.2017. 

    Direktiva 2010/18/BE, datë 8 mars 2010 për Zbatimin e Marrëveshjes kuadër të rishikuar për lejen prindërore të lidhur ndërmjet Bussiness Europe, UEAPME, CEEP dhe ETUC dhe që shfuqizon Direktivën 96/34/ KE

  • Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posa?ëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Analizë e Sistemit të Drejtësisë, faqe 77 në http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip.pdf, e vizituar për herë të fundit 08.05.2017. 

    Procesverbal datë 23.09.2016 për shqyrtimin e projekt-Ligjit për Statusin i Komisionit të Posaçëm  për Reformën në Drejtësi, faqja 7, http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_23.09.2016.pdf, e vizituar për herë të fundit 08.5.2017.

  • Neni 96 dhe 132/1 i Kodit të Punës.

  • Vendim i Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për rregulla më të detajuara për kriteret dhe procedurat për dhënien e lejes së papaguar të gjyqtarëve”, që duhet miratuar bazuar në pikën 6 të nenit 24. 

    Vendim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për rregulla më të detajuara për kriteret dhe procedurat për dhënien e lejes së papaguar të prokurorëve”, që duhet miratuar bazuar në pikën 6 të nenit 24.

  • Vendimi nr. 31, datw 02.12.2009 të Gjykatës Kushtetuese, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Pushtetin Gjyqësor, paragrafi 2, faqe 7.

  • Asnjë koment
  • Neni 51 i ligjit 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. 

    Vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 138/3, datë 19.03.2003, i ndryshuar me vendimin 294/4, datë 14.09.2012.

Besmir Beja
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)