"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 27: Pensioni i parakohshëm

1. Magjistrati gëzon të drejtën e pensionit të parakohshëm nëse:

a. ka mbushur të paktën moshën 60 vjeç;

b. ka ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 30 vjet, duke përfshirë edhe periudhën e komandimit;

c. nuk është në gjendje të ushtrojë funksionin e tij, për shkak të sëmundjes, të vërtetuar nga komisioni mjekësor i caktimit të aftësisë në punë.

2. Magjistrati që ushtron funksionin në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe Prokurorinë e Posaçme, gëzon të drejtën e pensionit të parakohshëm tre muaj më parë, për çdo vit të ushtrimit të funksionit në këto struktura.

3. Këshillat miratojnë pensionin e parakohshëm të magjistratit, pasi kanë marrë më parë mendimin e kryetarit të gjykatës/prokurorisë.

4. Këshillat miratojnë rregulla më të detajuara, në të cilat përcaktohet:

a. procedura që ndiqet për kërkesat për pension të parakohshëm dhe dokumentacionin mbështetës;

b. rregullat për mënyrën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm dhe përfitimeve të tjera, në rastet kur kërkesa pranohet.

Përmbajtja

    • 1. Neni 27 ka si qëllim të përmirësojë sistemin e kujdesit social për magjistratët në mënyrë që të garantohen përfitime financiare në përputhje me dinjitetin e detyrës së magjistratit edhe në rastet kur nuk janë plotësuar kushtet për pensionin e plotë. Rrjedhimisht, pensioni i parakohshëm është pjesë e sistemit të garancive të parashikuara nga neni 138 i Kushtetutës që kanë si qëllim të sigurojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor.

    • 2. Neni 27 rregullon të drejtën e magjistratit për të përfituar pension të parakohshëm. Subjekt i kësaj dispozite janë vetëm ato magjistratë që kanë mbushur moshën 60 vjeç, kanë ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 30 vite, si dhe ata që për shkak të sëmundjes, nuk janë më në gjendje për të ushtruar funksionin. Gjithashtu, subjekte të kësaj dispozite janë edhe magjistratët gjykatës dhe prokurorisë së posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, të cilët gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm më parë se magjistratët e tjerë.

      3. Neni 27 i ka ngarkuar Këshillave të drejtën për të miratuar kërkesat për pensionin e parakohshëm, në rast se plotësohen kushtet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, si dhe i ka deleguar të drejtën për miratuar rregulla më të detajuara mbi procedurat dhe dokumentet mbështetës për paraqitjen e kërkesës për pension të parakohshëm si dhe rregullat për mënyrën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm. Së fundmi, ka si subjekte të posaçme edhe kryetarët e gjykatave dhe prokurorive të cilët duhet të japin mendimin e tyre përpara marrjes së një vendimi nga Këshillat në rastet kur kërkesa për pension të parakohshëm është paraqitur nga gjyqtarët ose prokurorët që ushtrojnë funksionin në gjykatën ose prokurorinë që drejtohet prej tyre.

    • 4. Pensioni i parakohshëm ka si qëllim të mbrojë magjistratët të cilët nuk mund të përfitojnë pension pleqërie për shkak se nuk kanë mbushur moshën e daljes në pension, por megjithatë, për shkak të sëmundjes nuk janë në gjendje të ushtrojnë funksionet e tyre. Në këtë mënyrë, magjistratëve iu garantohen përfitime financiare në përputhje me dinjitetin e detyrës së tyre, pavarësisht se nuk kanë mbushur moshën e daljes në funksion.

      5. Gjyqtarët e gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme përfitojnë të drejtën të dalin në pension të parakohshëm tre muaj më parë për çdo vit të ushtrimit të funksionit në këto struktura. Si shembull, neni 148/dh i Kushtetutës ka parashikuar një mandat 9 vjeçar të prokurorëve të prokurorisë së posaçme. Rrjedhimisht, këto prokurorë, në përfundim të mandatit të plotë, do të kenë të drejtën të përfitojnë pensionin e parakohshëm kur të mbushin të paktën 57 vjeç e nëntë muaj.

      6. Pensioni i parakohshëm miratohet nga Këshillat pasi të jetë marrë mendimi i kryetarit të gjykatës ose i prokurorisë ku magjistrati ushtron funksionin. Gjithashtu, Këshillat duhet të miratojnë rregulla më të detajuara mbi procedurat dhe dokumentacionin mbështetës që duhet të ketë kërkesa si dhe rregullat për mënyrën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm dhe përfitimeve të tjera.

      7. Pensioni i parakohshëm i magjistratëve është një lloj i posaçëm pensioni që në çdo rast paguhet nga sistemi i sigurimeve shoqërore në Republikën e Shqipërisë. Marrëdhëniet në fushën e sigurimeve shoqërore rregullohen nga ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar (ligji për sigurimet shoqërore). Ligji për sigurimet shoqërore ka parashikuar që përfitimet që parashikohen nga ky nen, financohen nga fondi i sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, ligji për sigurimet shoqërore parashikon që fondi i sigurimeve shoqërore është i ndarë nga buxheti i shtetit dhe administrohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në këto kushte, rregullat procedurale dhe mënyra e llogaritjes së pensionit të parakohshëm duhet të zbatohen ose të jenë të detyrueshme për t’u zbatuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili do të administrojë kërkesat, si dhe do të kryejë pagesën e përfitimeve nga pensioni i parakohshëm. Për këto shkaqe, është atipike zgjidhja që i ka dhënë ligjvënësi që rregullat e posaçme mbi pensionin e parakohshëm të përcaktohen nga Këshillat. Për të garantuar përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e sigurimeve shoqërore në Republikën e Shqipërisë, Këshillat mund të marrin mendimin paraprak nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

    • 8. Ligji për Statusin ka parashikuar për herë të parë rregulla të ve?anta për pensionimin e ve?antë të magjistratëve. Ky fakt është konfirmuar edhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, ku Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë në faqen 75 shënon “Po kështu legjislacioni nuk parashikon pensione të posaçme invaliditeti për gjyqtarin në rast paaftësie mendore dhe fizike për të vazhduar detyrën, si edhe pensione të posaçme familjare për bashkëshorten dhe fëmijët e gjyqtarit nëse ai humb jetën gjatë karrierës gjyqësore apo edhe gjatë pensionimit”. E njëjta problematikë është konstatuar edhe në diskutimet parlamentare, të dokumentuara në faqen 8 të procesverbalit datë 23.09.2016 të Komisionit të Posa?ëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

    • 9. Neni 27 është në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kështu, Rekomandimi nr. (2010)12 i Komitetit të Ministrave për shtete anëtare për gjyqtarët: pavarësia, eficenca dhe përgjegjësitë, në paragrafin 54 thekson se duhet të ekzistojnë garanci për dhënien e një pagese të arsyeshme në raste sëmundje, leje prindërore, ashtu edhe për pagesën e pensionit, që duhet të jetë në raport të arsyeshëm me nivelin e pagesës që merret gjatë punës. Detyrimi për të përcaktuar me ligj të drejtën e pensionit dhe moshën e pensionit konfirmohet edhe nga paragrafi 11 i Parimeve Bazë mbi Pavarësinë e Gjyqësorit, nga paragrafët 6.3-6.4 të Kartës Evropiane mbi Statusin e Gjyqtarëve, nga paragrafi 61 i Opinionit Nr. 1 (2001) të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, mbi standardet rreth pavarësisë së gjyqësorit dhe palëvizshmërisë së gjyqtarëve dhe në paragrafët 18(a) dhe 18(b) të Deklaratës Singhvi.

  • Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, Rekomandimi CM/Rec (2010) 12 i Komitetit të Ministrave për shtete anëtare për gjyqtarët: pavarësia, efiçenca dhe përgjegjësitë, paragrafi 54, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit në datë 23.05.2017.

    Kongresi i shtatë i Kombeve të Bashkuara për parandalimin e krimit dhe trajtimin e kriminelëve, Milano, Itali 26 gusht – 6 shtator 1985, mbështetur nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën 40/32 të 29 nëntorit 1985 dhe 40/146 të 13 dhjetorit 1985, Parimet Bazë mbi Pavarësinë e Gjyqësorit, paragrafi 11, versioni në gjuhën angleze vizituar për herë të fundit në datë 23.05.2017.

    Këshilli i Evropës, DAJ/DOC (98) 23, Karta Evropiane mbi Statusin e Gjyqtarëve, paragrafi 6.3 dhe 6.4, vizituar për herë të fundit në datë 23.05.2017

    Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë, Opinioni Nr. 1 (2001), mbi standardet rreth pavarësisë së gjyqësorit dhe palëvizshmërisë së gjyqtarëve, paragrafi 61, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit në datë 23.05.2017

    Draft Deklarata Universale mbi pavarësinë e Gjyqësorit (Deklarata e Sighvi), mbështetur nga Nën-Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Diskriminimit dhe Mbrojtjen e Minoriteteve me rezolutën nr. 1989/32, paragrafët 18 (a) dhe 18 (b), versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit në datë 23.05.2017.

  • Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posa?ëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Analizë e Sistemit të Drejtësisë, faqja 75, e vizituar për herë të fundit 23.05.2017

    Procesverbal datë 23.09.2016 për shqyrtimin e projekt-Ligjit për Statusin i Komisionit të Posaçëm  për Reformën në Drejtësi, faqja 8, e vizituar për herë të fundit 23.5.2017.

  • Neni 138 i Kushtetutës. 

    Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

  • Vendim “Për rregulla më të detajuara për procedurën e shqyrtimit të kërkesave të gjyqtarëve për pension të parakohshëm dhe mënyrën e llogaritjes së tij dhe të përfitimeve të tjera”, që duhet të miratohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në bazë të nenit 27 pika 4 të Ligjit për Statusin; 

    Vendim “Për rregulla më të detajuara për procedurën e shqyrtimit të kërkesave të prokurorëve për pension të parakohshëm dhe mënyrën e llogaritjes së tij dhe të përfitimeve të tjera”, që duhet të miratohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bazë të nenit 27 pika 4 të Ligjit për Statusin.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Besmir Beja
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)