"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 28: Kriteret e pranimit në formimin fillestar

1Çdo person ka të drejtë të kandidojë në Shkollën e Magjistraturës, për t’u pranuar në formimin fillestar për magjistrat, nëse përmbush njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

aka zotësi të plotë për të vepruar;

bështë shtetas shqiptar;

cka përfunduar, me pikët minimale të përcaktuara nga Shkolla e Magjistraturës, ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, si dhe ka dhënë provimin e shtetit për jurist në Shqipëri, ose ka kryer, me pikët minimale të përcaktuara nga Shkolla e Magjistraturës, studimet universitare për drejtësi në një vend anëtar të Bashkimit Europian dhe ka marrë një diplomë të barasvlershme, e njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave të parashikuar me ligj;

çka të paktën tre vjet përvojë profesionale aktive me kohë të plotë, në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare;

dnuk është dënuar me vendim penal të formës së prerë;

dhnuk është larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi;

enuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;

ënuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;

fnuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete.

Përmbajtja

    • 1.Arritja e objektivit për të siguruar një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe llogaridhënës është një sfidë, të cilën e synon, pikësëpari, vetë mënyra e formulimit të nenit 28. Vendosja që në fazën e regjistrimit për provimin e kandidatëve të disa kushteve ligjore me natyrë objektive, që duhen përmbushur për t’u pranuar në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës, është qëllimi thelbësor i nenit 28. Nëpërmjet një parashikimi të tillë, synohet të sigurohet një prurje sa më cilësore e kandidatëve për magjistratë, qoftë nga pikëpamja profesionale, ashtu edhe e integritetit të tyre moral. Parashikimi i një filtri kaq të fortë për të kandiduar në Shkollën e Magjistraturës i shërben, në radhë të parë, garantimit të një sistemi drejtësie cilësor dhe efektiv, që si një ndër prioritetet kryesore ka përgatitjen e magjistratëve të aftë dhe me integritet profesional e moral.

      2. Dokumenti Analitik i Reformës në Drejtësi ka evidentuar që në fillim se, “krahas nevojës për rritjen e cilësisë së përgatitjes teorike, mungojnë rregullime normative dhe mekanizma institucionalë mbi kriteret dhe procedurat e testimit dhe verifikimit të kandidatëve për t’u pranuar në formimin fillestar, deri në përfundim të tij për sa u përket cilësive të domosdoshme të përvojës jetësore, inteligjencës dhe pjekurisë së duhur njerëzore, si edhe të cilësive të duhura të personalitetit e të integritetit për t’i shërbyer publikut dhe, posaçërisht, për të ushtruar funksionin kushtetues të gjyqtarit.” . Përderisa legjislacioni përpara miratimit të ligjeve të Reformës në Drejtësi kishte mangësi në përcaktimin në përputhje me kërkesat e objektivitetit, meritokracisë, procesit të rregull ligjor dhe transparencës së të gjitha kritereve dhe procedurave të nevojshme për emërimin si gjyqtar e prokuror, u paraqit si një domosdoshmëri ndërhyrja në ligj, nëpërmjet miratimit të ligjeve të reja.

      3. Zhvillimi i karrierës së magjistratëve është një çështje themelore e misionit që kanë organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Pa kryer një rekrutim të kandidatëve për magjistratë mbi një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe bazuar në kritere objektive, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm dhe motivues të karrierës së magjistratëve. Ky zhvillim i karrierës, që nis me procesin e rekrutimit nga Shkolla e Magjistraturës, si një ndër pesë organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, kërkon domosdoshmërish edhe parashikimin e disa kushteve apo kritereve ligjore të nevojshme për të filluar procesin e konkurrimit. Pikërisht, ky është qëllimi kryesor që kanë të gjitha dispozitat ligjore (nenet 28-34), të cilat përfshihen nëKREUN I, të titulluar “REKRUTIMI I KANDIDATËVE MAGJISTRATË”, si pjesë përbërëse e PJESËS III, të titulluar “ZHVILLIMI I KARRIERËS SË MAGJISTRATËVE”.

       

    • 4. Neni 28 është një prej dispozitave që ka parashikuar hollësisht kritere të qarta,por edhe objektivisht të matshme për rekrutimin e magjistratëve të ardhshëm të sistemit. I vendosur në krye të pjesës III, të titulluar “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve”, neni 28 përcjell idenë se një karrierë e mirë për magjistratët e sistemit,pikësëpari, fillon nga mënyra e rekrutimit të kandidatëve.Duke listuar të gjitha kriteret qëduhet të plotësojnë për t’u regjistruar kandidatët për magjistratë, nga ato të natyrës profesionale e deri te kriteret morale, dispozita me një objekt të tillë kërkon, ndër të tjera, tëshmangë ndikimin politik në sistem, duke mbajtur sa më larg tij kategori të caktuara që cenojnëpërpara opinionit publik imazhin e dhënies së drejtësisë.

      5. Objekt i këtij neni është listimi në mënyrë shteruese i kushteve ligjore që duhet të përmbushë kandidati për t’u pranuar në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës. Nga ana tjetër, objekt i kësaj dispozite është që, nëpërmjet delegimit të pushtetit normativ tek organe të tjera të parashikuara me ligj,në kuptim edhe të nenit 118 të Kushtetutës, të ngarkohen ato për të rregulluar në mënyrë më të hollësishme kriteret e tjera ligjore, të cilat janë të domosdoshme edhe për specifikën që ka një institucion arsimor.

    • 6. Mbi gjetjet që janëevidentuar në Analizën e Sistemit të Drejtësisë se “Procesi i pranimit në Shkollën e Magjistraturës si dhe emërimi do të bazohet në kritere transparente, objektive dhe meritokratike të tilla, si: kualifikimet, integriteti, aftësitë profesionale dhe pastërtia e gjendjes gjyqësore (mungesa e precedentëve penalë), verifikimi i pasurisë dhe figurës (vetting)” etj., ky rregullim i detajuar që i është bërë nenit 30, duket se e arrin atë që synon.

      7. “Kriteret e pranimit në formimin fillestar” i përdorur si nëntitull për nenin 28 dhe të gjitha rregullat që gjenden të listuara nga nënparagrafi“a” deri te nënparagrafi“f”, në pamje të parë të krijojnë mendimin se përmbushja e tyre të përfshin si kandidat për magjistrat në Shkollën e Magjistraturës. Pikësëpari, me plotësimin e këtyre kritereve nuk pranohesh në formimin fillestar, sepse formimi fillestar i përket një faze të mëvonshme. Në të vërtetë, ato janë rregulla bazë që i shërbejnë, fillimisht,çdo aplikanti për t’u regjistruar në provimin që do të organizojë Shkolla e Magjistraturës për pranimin në formimin fillestar.
      Nga ana tjetër, termi “kritere” i parashikuar qënëtitullin e kësaj dispozite dhe që duhet t’i përmbushë detyrimisht çdo aplikant në momentin e regjistrimit për në provimin e pranimit, nuk rezulton të jetëtermi i përshtatshëm. Termi më i përshtatshëm që do të duhej të ishte parashikuar, në këtë rast, do të ishte “kushte”. Ndërmjet këtyre termave apo koncepteve “kriter” dhe “kushte” ka një dallim thelbësor. Kushtet janë conditiosine qua non, që duhet të ekzistojnë objektivisht dhe nuk janë në diskrecionin e organit për t’u vlerësuar, ashtu siç mund të vlerësohen kriteret ligjore. Për vlerësimin e kushteve mungon gjykimi diskrecionar i organit, në dallim nga kriteret, për të cilat lejohet apo nevojitet të ketë një hapësirë vlerësimi nga vetë organi.

      8. Pavarësisht formulimit të përdorur, renditja në nenin 28,në mënyrë të detajuar e kritereve që duhet të plotësojë aplikanti krijon mundësinë për realizimin e një procesi seleksionues dhe mjaft të domosdoshëm për atë kategori konkurrentësh, që nuk arrin t’i plotësojnë ato. Mospasja e zotësisë së plotë juridike për të vepruar apo edhe e shtetësisë shqiptare, siç kërkohet që në nënparagrafin“a” dhe “b” të nenit 28, konsiderohen kushte bazike, pa të cilat nuk është e mundur të vijojë regjistrimi i aplikantit për të marrë pjesë në provimin e pranimit.

      9. Të njëjtën rëndësi kanë edhe kushtet e vendosura në nënparagrafët e tjerë të dispozitës konkrete. Nënparagrafi“c”i nenit 28 vendos, si standarde që duhet të përmbushë aplikanti pikët minimale që përcaktohen nga Shkolla e Magjistraturës, diplomimin e tij në drejtësi, brenda ose jashtë vendit, si dhe dhënien e provimit të shtetit si jurist. Nga tri kushtet që vendos neni 28, vetëm për provimin e shtetit si jurist,në referim të nenit 170 të ligjit nr. 96, datë 6.10.2016,“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkohet përmbushja e tij,vetëm pas hyrjes në fuqi të ligjit që rregullon procedurat e provimit të shtetit.

      10. Përmbushja e kushtit që lidhet me pikët minimale që përcaktohen nga Shkolla e Magjistraturës dhe që janë fituar nga kandidati, gjatë ciklit të dytë të studimeve universitare për drejtësi, brenda e jashtë vendit, është një rregullim, nëpërmjet të cilit ligjvënësi i ka deleguar pushtetin normativ Shkollës së Magjistraturës, për nxjerrjen e akteve nënligjore. Me pozicionin që i është dhënë Shkollës së Magjistraturës, si një ndër pesë organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe, për më tepër, si një organ i parashikuar nga Kushtetuta, në kuptim të konceptit të rezervës ligjore relative, është autorizuar nga ligji për të vendosur me akte nënligjore nivelin e pikëve minimale, si një kusht i domosdoshëm për aplikim.

      11. Mbi këtë delegim legjislativ që është bërë në nënparagrafin“c” të nenit 28, Shkolla e Magjistraturës, në nenin 10/4, nënparagrafi“d” të Rregulloren së saj , me qëllim tërheqjen e kandidaturave sa më cilësore, ka përcaktuar si nivel të pikëve minimale për aplikantin notën mesatare të përgjithshme mbi 8 (tetë), si edhe notën mesatare mbi 8 (tetë) për grupin e lëndëve kryesore . Nga ana tjetër, nisur nga niveli cilësor që kanë studimet universitare në vendet anëtare të Bashkimit Europian, por edhe për të motivuar kandidaturat që kanë kryer këto studime, në Rregulloren e Shkollës është bërë një ponterim i mesatares së tyre. Sipas nenit 10/4, nënparagrafi“d” “për të diplomuarit “Juristë”, në programe në gjuhë të huaj, parashikohet një koeficient vështirësie i barabartë me 1.2, i cili do të ponterojë mesataren e tyre faktike.”

      12. Nënparagrafi“c” ka parashikuar si kusht përfundimin e studimeve me diplomë të nivelit “Master i Shkencave”, duke përjashtuar nga konkurrimi ata që kanë fituar diplomën në programin “Master Profesional”. Ky duket njëkufizim i arsyeshëm,ndërkohë që ka edhe një kufizim tjetër që e kushtëzon përfundimin e studimeve universitare jashtë shtetit në drejtësi, vetëm në një nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Një formulim i tillë, pavarësisht qëllimit të mirëqë ka për të tërhequr kandidatët për magjistratëqë kanë studiuar në një nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, nuk duhet të kufizojëkandidatëttë cilët përfundojnë studimet universitare në vende të tjera, si SHBA, Kanada, Australi, Japoni, Zvicër, Norvegji, apo edhe në Britaninë e Madhe.Një çështje e tillë, megjithëse nuk ka paraqitur ndonjë problem deri mëtani, mbetet për t’u vlerësuar nga organet përkatëse.

      13. Kushti që vendoset nënën paragrafin“ç”të nenit 28 për pasjen nga ana e aplikantit të paktën tri viteve përvojë profesionale aktive, me kohë të plotë, është njëtjetër kusht që ligjvënësi ka parashikuar për aplikantët që kërkojnë t’i nënshtrohen provimit të pranimit në formimin fillestar. Pasja e një përvoje profesionale aktive në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare, është një risi që i shërbenmotivimit të kandidaturave për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, pas një eksperience të domosdoshme dhe arritjes së një pjekurienë një moshë që rezulton më e madhe, nga sa ishte më parë, që ndihmon për kryerjen siç duhet të funksionit të magjistratit.

      14. Pavarësisht ndonjë keqkuptimi qëështë krijuar në praktikë lidhur me momentin e llogaritjes së përvojës trevjeçare, qëndrimi i mbajtur nga Shkolla e Magjistraturës, por edhe nga jurisprudenca gjyqësore , kanë konfirmuar fillimin e afatit trevjeçar të përvojës profesionale me përfundimin e ciklit të dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose të një diplome të barasvlershme, e njësuar sipas rregullave ligjore për njësimin e diplomave dhe jo pas marrjes së diplomës të programit “Bachelor”.
      E drejta për të kandiduar në formimin fillestar është e lidhur me kualifikimin si jurist pas përfundimit të studimeve të plota universitare, ashtu siç kërkohet marrja e provimit të shtetit si jurist, pas hyrjes në fuqi të ligjit përkatës. Synimi i ligjvënësit ka qenë edhe për të mos krijuar asnjë diferencim ndërmjet kandidatëve që kanë të drejtë të konkurrojnë për t’u pranuar në formimin fillestar. Nënparagrafi“ç” ka përmendur disa funksione në sistemin e drejtësisë, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë etj., në të cilat kërkohet, si kusht për t’u emëruar, përfundimi i studimeve në programin “Master i Shkencave”. Mbi këtë parashikim që bëhet në nenin 28 të ligjit nr. 96/2016, është edhe formulimi në Rregulloren e Shkollës së Magjistraturës, në të cilin kërkohet që kandidati duhet të ketë “të paktën tre vjet përvojë profesionale aktive me kohë të plotë, pas diplomimit në ciklin e plotë të studimeve universitare…” . Pikërisht fraza “pas diplomimit të ciklit të plotë të studimeve” është në harmoni me vetë qëllimin që ka ligji.

      15. Kushtet e tjera që gjenden të sanksionuara në nënparagrafët“d”,“dh”, “e”,“ë” dhe “f” të nenit 28 të ligjit të cilat lidhen me:
      - mos dënimin me vendim penal të formës së prerë;
      - mos largimin nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe mos pasjen e një mase disiplinore në fuqi;
      - mos qenien anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
      - mos qenien anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;
      - mos qenien bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete etj.,
      janë një garanci që dëshmon për synimin që ka pasur dhe ka reforma në drejtësi, nëpërmjet ligjeve të miratuara, për të pasur një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe llogaridhënës. Duke i ndaluar hyrjen në sistem konkurrentëve që kanë një ndër këto pengesa ligjore, padyshim që jepet një tjetër imazh për drejtësinë e nesërme, por edhe krijohen të gjitha kushtet për të pasur kandidatë me një integritet të lartë profesional dhe moral.


    • 16. Shkolla e Magjistraturës e ka filluar veprimtarinë e saj me ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”. Për pranimin në formimin fillestar ligji nuk parashikonte shprehimisht kushte apo kritere, përjashtimisht detyrimit për tëpërfunduar studimet universitare në drejtësi. Sipas nenit 16 të ligjit nr. 8136/1996, kandidatët duhej të paraqisnin kopje të diplomës së juristit, një listë notash të shkollës së lartë si dhe një kërkesë ku të shprehej dëshira e kandidatit për profilin e zgjedhur, si gjyqtar ose prokuror.Mbi kriteret që përcaktonte ligji, Rregullorja e Shkollës së Magjistraturës evidentonte dokumentacionin përkatës që duhej të paraqiste kandidati për efekt të regjistrimit në konkursin e pranimit. Për shkak të mos parashikimit të ndonjë kriteri ligjor, që lidhej me përvojën profesionale, të gjithë konkurrentët ishin studentë të sapodiplomuar në fakultetin e drejtësisë, gjë e cila ndikonte në emërimin në sistem të magjistratëve të rinj me moshë 25 vjeç.

      17. Në vitet e para të fillimit të funksionimit të Shkollës së Magjistraturës nuk kërkohej plotësimi i ndonjë kriteri tjetër të veçantë, ndërkohë që me ndryshimet që u bën në Rregulloren e saj, në vitin 2000, u vendosën disa rregulla të brendshme, të cilat synonin konkurrimin e studentëve me një performancë më të lartë të aspektit profesional. Vendosja e notës mesatare mbi 8 ishte një ndryshim thelbësor, sepse impononte realizimin e një konkurrimi të fortë ndërmjet kandidatëve me rezultate të mira. Me ndryshimet e bëra në Rregulloren e Shkollësu shtuan edhe disa kritere të tjera për pranimin e kandidatëve, duke filluar nga paraqitja e dy rekomandimeve nga pedagogë të shquar me gradë shkencore, rekomandim nga vendi i punës, dëshmi penaliteti, raport mjekësor etj. . Gjithashtu, pjesë e këtyre ndryshimeve ishin edhe përfshirja e testit të inteligjencës në provimin me shkrim, heqja e pikëve në vlerësimin e provimit me gojë, apo mbajtja parasysh e raportit midis meshkujve dhe femrave në pranimin e kandidaturave.

      18. Pas disa ndryshimeve që ju bë në vijimësi Rregullores së Shkollës , ju njoh e drejta e regjistrimit edhe studentëve të diplomuar në fakultetet e drejtësisë jashtë vendit, ndërkohë që paraqitja e rekomandimeve nga pedagogët e shquar me grada shkencore ose nga Këshilli i Fakultetit të Drejtësisë, u konsiderua si një kriter i panevojshëm.

      19. Nga ana tjetër, detyrimi për paraqitjen në momentin e regjistrimit të dëshmisë apo certifikatës së mbrojtjes së gjuhës angleze mbi bazën e testeve ndërkombëtare, si IELTS, TOEFL , ishte një tjetër hap i rëndësishëm që ndihmonte nënjohjen dhe përgatitjen e magjistratëve të rinjme literaturën e huaj dhe jurisprudencën gjyqësore bashkëkohore të gjykatave ndërkombëtare .Përherë të parë, ky kriter i rëndësishëm që dëshmonte për orientimin e qartë të Shkollës së Magjistraturës për të përgatitur magjistratët e të nesërmes, e gjeti parashikimin e vet me vendimin e Këshillit Drejtues në vitin 2011. Sipas këtij vendimi, në nenin 5 të Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës u shtua një paragraf sipas të cilit “Në dosjen personale për regjistrim studentët paraqesin dëshmi të mbrojtjes së gjuhës angleze ose franceze mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare apo kombëtare të certifikuara (akredituara).” .

      20. Pas disa ndryshimeve që ju bënëligjitnr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005, mbeti e paparashikuar shprehimisht çështja e kritereve që nevojiteshin për t’u regjistruar për konkursin e formimit fillestar. Konkretisht me ligjin nr. 9414/2005 u hoq paragrafi që parashikonte neni 16 i ligjit të mëparshëm se, kandidatët do të paraqesin “kopje të diplomës së juristit”, një “listë notash të shkollës së lartë”, dhe “një kërkesë ku të shprehet vetë dëshira e kandidatit për profilin e zgjedhur si gjyqtar ose prokuror” .Tashmë, në mënyrë më të hollësishme mbetej përsëri Rregullorja e Shkollës së Magjistraturës akti bazë që parashikonte hollësisht procedurën që do të kryhej dhe dokumentet që duhej të paraqiteshin për pranimin në formimin fillestar.

      21. Vetëm me ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” u përcaktuan në mënyrë të hollësishme kriteret që nevojiten për t’u plotësuar për pranimin në formimin fillestar. Nëpërmjet nenit 28 vendosen kritere shumë të forta, me synimin që në formimin fillestar, të regjistrohen dhe pas konkursit të pranohen kandidatë që objektivisht krijojnë të gjitha mundësitë për të pasur një performancë më të mirë në sistemin e drejtësisë.

    • Asnjë koment
  • Opinioni i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, nr. 17 (2014) "Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit",

    Opinioni nr. 4 i CCJE, mbi trajnimin e duhur fillestar dhe vazhdues të gjyqtarëve në nivel kombëtar dhe europian.

     

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf; 

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

    Procesverbal datë 24.6.2016 i Komisionit të Posaçëm  për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf

  • Kushtetuta:

    Neni 136/a i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
    Neni 148/ç i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

    Ligji:

    Neni 170 i ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;
    Ligji nr. 115, datë 3.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

     

  • Vendimi nr. 4, datë 14.10.2000 i Bordit të Drejtimit të Shkollës së Magjistraturës.

    Vendimi nr. 4, datë 14.10.2000 i Bordit të Drejtimit të Shkollës së Magjistraturës.

    Vendimi i datës 3.9.2003 i Bordit të Drejtimit të Shkollës së Magjistraturës.

    Vendimi nr. 19, datë 21.6.2011 i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. 

    Neni 10/4, nënparagrafi“d” i Rregullores së Shkollës së Magjistraturës.

    Neni 10, nënparagrafi“f”i Rregullores së Shkollës së Magjistraturës.

  • A. Vendime gjyqësore

    Vendimi nr.1389(80-2019-1438), datë 23.4.2019 i Gjykatës Administrative të shkallës së parë.

    B. Vendime të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës

    Vendimi nr.4, datë 14.10.2000 i Bordit të Drejtimit të Shkollës së Magjistraturës.

    Vendimi i datës 3.9.3003 i Bordit të Drejtimit të Shkollës së Magjistraturës.

    Vendimi nr.19, datë 21.6.2011 i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

     

  • Asnjë koment
  • A. Ligje

    Ligji nr.9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji nr. 96/2016,“Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”.


    B. Akte nënligjore

    Vendimi nr.4, datë 14.10.2000 i Bordit të Drejtimit të Shkollës së Magjistraturës.

    Vendimi i datës 3.9.3003 i Bordit të Drejtimit të Shkollës së Magjistraturës.

    Vendimi nr. 19, datë 21.6.2011 i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

    Neni 10/4, nënparagrafi“d” i Rregullores së Shkollës së Magjistraturës, miratuar me vendimin nr. 1, datë 31.1.2017 të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës (ndryshuar me vendimin nr. 2, datë 29.1.2019).

    Neni 10, nënparagrafi“f” i Rregullores së Shkollës së Magjistraturës, miratuar me vendimin nr. 1, datë 31.1.2017 të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës (ndryshuar me vendimin nr. 2, datë 29.1.2019).

     

Sokol Sadushi, ,
Sokol Sadushi