"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 30: Kandidimi dhe vlerësimi paraprak i kandidatëve

1Shkolla e Magjistraturës pranon aplikimet për pranimin në formimin fillestar, deri në fund të muajit shkurt të çdo viti.

2Kandidatët paraqesin dokumentacionin e nevojshëm që vërteton përmbushjen e kritereve të parashikuara në nenin 28 të këtij ligji. Nëse dokumentacioni i paraqitur nuk vërteton plotësisht përmbushjen e kritereve, nuk është i plotë, i saktë, ose ka dyshime të arsyeshme për vërtetësinë e tij, Shkolla e Magjistraturës mund të kërkojë informacion ose dokumentacion shtesë nga organet publike ose punëdhënësit e kandidatit.

3Deri në datën 15 mars të çdo viti, Shkolla e Magjistraturës kryen një vlerësim paraprak, nëse kandidati përmbush kriteret e kandidimit, të parashikuara në nenin 28 të këtij ligji.

4Shkolla e Magjistraturës i paraqet Këshillave raportin për rezultatet e vlerësimit paraprak së bashku me dosjet me dokumentet e kandidimit për secilin kandidat. Këshillat mund të japin komente ose kundërshtime jo më vonë se në fund të muajit mars të çdo viti. Shkolla e Magjistraturës miraton raportin e vlerësimit përfundimtar, duke marrë në konsideratë komentet dhe kundërshtimet e bëra, dhe publikon raportin e vlerësimit përfundimtar në faqen e saj zyrtare, duke përfshirë listën e kandidatëve, të cilët plotësojnë kriteret e parashikuara në nenin 28 të këtij.

5Çdo kandidat, i cili nuk është përfshirë në listën e kandidatëve, të cilët plotësojnë kriteret, ka të drejtë të ushtrojë mjetet ligjore të ankimit, të parashikuara në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe aktet nënligjore përkatëse.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi kryesor i nenit 30 është realizimi i informimit të kandidatëve, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e konkurrimit, si edhe konsolidimi i një procesi përzgjedhës me filtra shumë të fortë, bazuar “në kritere transparente, objektive dhe meritokratike” , që premtojnë prurje sa më cilësore të kandidatëve për magjistratë në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës. Me këtë rregullim synohet, nga njëra anë, të informohen aplikantët për rregullat e kandidimit, të cilat kanë të bëjnë me detyrimin për të paraqitur në afatin e caktuar dokumentacionin përkatës që shërben për regjistrim dhe, nga ana tjetër,qartësohet procedura që ndiqet nga Shkolla e Magjistraturës për kryerjen e vlerësimit paraprak lidhur me përmbushjen e kritereve të kandidimit.

      2. Me procedurën që parashikon neni 30 synohet tëgarantohetgjithashtu se, seleksionimi paraprak i kandidaturave është vërtet rrjedhojë e vendimmarrjes së Shkollës së Magjistraturës, por duke bashkëvepruar,sipas rregullimeve që bënligji me dy këshillat, të cilat ndihmojnë në rregullsinë e procesit, nëpërmjet dhënies së opinioneve dhe rekomandimeve për rastet konkrete.

    • 3. Objekti i nenit 30 është që nëpërmjet parashikimit të rregullave procedurale që duhen respektuar, si nga aplikantët, ashtu edhe nga organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, të arrihet të kryet një seleksionim paraprak i kandidaturave të paraqitura, nëpërmjet verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore të kandidimit, të përcaktuara shprehimisht në nenin 28.

      4. Struktura e nenit 30 përcakton hollësisht me afate konkrete të gjitha fazat që ndiqen, duke filluar nga aplikimi, paraqitja e dokumentacionit, verifikimi paraprak i kandidaturave, bashkëveprimi institucional, me qëllim vendimmarrjen, deri në realizimin nëpërmjet procedurave gjyqësore të të drejtës për ankim nga aplikantët e skualifikuar. Pavarësisht se në këtë dispozitë nuk gjendet ndonjë referim në dispozita të tjera, ajo nuk ështëe vetmja dispozitë ligjore që parashikon në mënyrë shteruese rregullat për regjistrimin e konkurrentëve për në provimin e pranimit. Një tjetër ligj që përcakton më hollësisht mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Shkollës së Magjistraturës, është ligji nr. 115, datë 3.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në të cilin parashikohen rregulla për regjistrimin e konkurrentëve .

       

    • 5. Duke qenë se “standardet ndërkombëtare rekomandojnë se personat që janë përgjegjës për trajnimin nuk duhet të jenë drejtpërdrejt përgjegjës për emërimin ose promovimin e gjyqtarëve, ligji parashikon se trajnimi dhe konkursi është një detyrë që i takon Shkollës së Magjistraturës, ndërsa emërimi i magjistratëve i takon Këshillit të Lartë Gjyqësor.” .Mbi gjetjet që evidentohen qartësisht në “Analizën e Sistemit të Drejtësisë” u rekomandua për të pasur një ndarje të qartë ndërmjet rekrutimit që bëhet vetëm nga Shkolla e Magjistraturës dhe zhvillimit të karrierës së magjistratëve, që i përket këshillave respektivë. Tashmë, Shkolla e Magjistraturës konsiderohet si institucioni i parashikuar drejtpërdrejt nga Kushtetuta, nëpërmjet të cilit përgatiten kandidatët e rinj për gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe trajnohen magjistratët e sistemit. Sipas Kushtetutës, gjyqtarë dhe prokurorë janë“shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor… dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës…” . Në referim tëkushtitpërcaktues që lidhet me kryerjen domosdoshmërisht të Shkollës së Magjistraturës, të sanksionuar për herë të parënë ligjin nr. 76, datë 22.7.2016, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, Shkolla e Magjistraturës rezulton të mbetet e vetmja portë hyrëse në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye, është plotësisht e kuptueshme mënyra që ka ndjekur ligjvënësi,duke vendosur disa kushte dhe kritere ligjore, të cilat duhen përmbushur nga kandidatëtdhe që pasohensipas dispozitave në vijim, meprocedurën për zhvillimin e provimit të pranimit dhe me verifikimin e pasurisë dhe të figurës së kandidatëve,përpara fillimit të vitit akademik .

      6. Me rregullimin e bërë në pikën 1 të nenit 30, ligjvënësi ka përcaktuar periudhën konkrete, tej të cilës nuk mund të bëhet aplikimi për t’u regjistruar në konkursin e pranimit për në formimin fillestar. Parashikimi i fundit i muajit shkurt tëçdo viti, si periudha fundore e depozitimit të aplikimeve dhe e të gjithë dokumentacionit të nevojshëm ligjor për përmbushjen e kritereve është padyshim një risi për legjislacionin shqiptar dhe për vetë rregullat e Shkollës së Magjistraturës. Vendosja në pikën 1 të nenit 30 e afatit për paraqitjen e aplikimit dhe për depozitimin e dokumentacionit përkatës është një domosdoshmëri për vijimin e mëtejshëm të procesit, sepse lidhet me afatet e tjera ligjoreqë kërkohet të respektohen nga Shkolla e Magjistraturës .

      7. Pika 2 dhe 3 e nenit 30 parashikojnë periudhën, brenda të cilës duhet tërealizohet procedura e depozitimit të dokumentacionit, por edhe e vlerësimit paraprak të përmbushjes së kritereve të kandidimit. Sipas pikës 2 të këtij neni paraqitja e dokumentacionit të nevojshëm është i kushtëzuar me kriteret e pranimit që kërkohen për t’u pranuar në formimin fillestar, të parashikuara në mënyrë shteruese në nenin 28. Pra, dokumentet që duhet të paraqiten nga aplikantët, të cilat listohen në Rregulloren e Shkollës së Magjistraturës janë të asaj natyre që e krijojnë bindjen se objektivisht aplikanti arrin t’i përmbushë kriteret ligjore .

      8. Megjithatë, lidhur me dokumentet që duhet të paraqiten nga kandidatët, ligjvënësi nuk është mjaftuar vetëm me rregullat e parashikuara në nenin 30. Në një tjetër ligj, konkretisht në nenin 262, pika 2 të ligjit nr. 115, datë 3.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikohet se kandidati duhet të dorëzojë, së bashku me dokumentacionin e kërkuar për regjistrim, një deklaratë nëse zgjedh profilin e gjyqtarit ose të prokurorit. Deklarata e zgjedhjes së profilit që paraqitet në momentin e regjistrimit është përcaktuese për vendin që zë kandidati fitues në listën e renditjes përfundimtare, ashtu siçshërben për t’ia dërguar këshillit respektiv dosjen me dokumentet e aplikimit të kandidatit.Shprehja nga konkurrenti që në fazën e regjistrimit e interesit për zgjedhjen e profilit gjyqtar ose prokuror lidhet jo vetëm me rregullin që parashikon ligji për dërgimin e dosjes në këshillat përkatës për dhënien e komenteve ose kundërshtimeve prej tyre, por edhe me përcaktimin në listën e fituesve të numrit të gjyqtarëve e prokurorëve të ardhshëm.

      9. Shkolla e Magjistraturës detyrohet të bëjë verifikimin e plotë dhe të saktë të dokumentacionit të paraqitur nga aplikantët, në kuptim të kritereve ligjore. Çdo dyshim i arsyeshëm që lind për pasaktësi, paplotësi apo pavërtetësi të dokumentacionit të paraqitur, i jep të drejtën Shkollës së Magjistraturës të kërkojë informacion ose dokumentacion shtesë nga organet publike ose punëdhënësit e kandidatit. Raste të tilla mund të paraqiten kur ekzistojnë dyshime mbi saktësinë e dokumentacionit që vërteton plotësimin e kritereve sipas nenit 28, si p.sh., vitet e përvojës profesionale, mesatarja e notave, mosmarrja e ndonjë mase disiplinore etj. Dhënia me ligj e një roli aktiv Shkollës së Magjistraturës,është një tjetër garanci për mënyrën se si kryhet procesi i vlerësimit paraprak, duke mundësuar në këtë fazëkualifikimin e kandidatëveqë përmbushin objektivisht kriteret ligjore, ashtu siç vlen edhe për skualifikimin nga hyrja në provim e atyre,të cilët kanë probleme me ligjin.

      10. Parashikimi i datës 15 mars tëçdo viti si afati, brenda të cilit Shkolla e Magjistraturës kryen verifikimin e përmbushjes së kritereve ligjore,vlerësohet si një afat i arsyeshëm për realizimin e këtij detyrimi ligjor. Deri në plotësimin e këtij afati, grupi i punës, me përbërje nga stafi pedagogjik e administrativ, qëngrihet me urdhër të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës ngarkohet për të verifikuar sipas dokumentacionit të paraqitur nga aplikanti, përmbushjen e të gjitha kritereve që parashikohen nga ligji. Ky verifikim nuk është i vetmi që bëhet ndaj konkurrentëve. Një tjetër verifikim, që lidhet me kontrollin e pasurisë dhe figurës së kandidatit fitues kryhet në vijimësi, deri në fillimin në tetor tëçdo viti të programit të formimit fillestar .

      11. Jo pa qëllim, ligjvënësi ka parashikuar edhe një mundësi tjetër për dhënien e opinioneve apo të kundërshtimeve që lidhen me verifikimin e përmbushjes së kritereve ligjore. Nëpërmjet pikës 4 të nenit 30, ligji ka detyruar Shkollën e Magjistraturës për t’i paraqitur dy këshillave një raport për rezultatet e vlerësimit paraprak, si dhe dosjet me dokumentet e kandidimit për çdo kandidat. Sigurisht që këshillat nuk kanë të drejtën për të konfirmuar apo ndryshuar vendimmarrjen e Shkollës së Magjistraturës për vlerësimin qëajo ka kryer. Mbetet në vlerësimin e Shkollës së Magjistraturës për të analizuar dhe marrë në konsideratë komentet dhe kundërshtimet e paraqitura nga dy këshillat. Pas marrjes së këtyre rekomandimeve Shkolla e Magjistraturës miraton raportin e vlerësimit përfundimtar dhe e publikon në faqen zyrtare duke përfshirë edhe listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore .Pavarësisht se e drejta e këshillave për të dhënë komente ose për të paraqitur kundërshtime mbi vlerësimin e kryer nga Shkolla e Magjistraturës nuk është me efekte të drejtpërdrejta në vendimmarrjen e saj, ajo mbetet si njëlloj kontrolli i tërthortë mbi të gjithëprocesin.

      12. Gjithashtu, ligji ka parashikuar edhe një tjetër procedurë që kontrollon procesin e verifikimit të kryer nga Shkolla e Magjistraturës ndaj aplikantëve, të cilët janë skualifikuar, për arsye të mospërmbushjes sëkritereve ligjore që parashikon neni 28. Sipas pikës 5 të nenit 30, kandidatët që nuk janë përfshirë në listën e kandidatëve të cilët plotësojnë kriteret ligjore, kanë të drejtë të ushtrojnë mjetet ligjore të ankimit. Është Gjykata Administrative e shkallës së parë Tiranë organi që vlerëson përfundimisht ligjshmërinë e procedurës së kryer. Një parashikim ligjor kaq i hollësishëm, ku përfshihen disa organe të cilat vlerësojnë, por edhe kontrollojnë njëri-tjetrin, e bëjnë tepër të vështirë mundësinë për cenimin padrejtësisht të aplikantit nga kandidimi.

    • 13. Procedura e kandidimit dhe e vlerësimit paraprak të kandidatëve nuk ka pasur të njëjtin parashikim ligjor apo edhe nënligjor, që nga koha e krijimit të Shkollës së Magjistraturës. Ajo që nuk ka ndryshuar nga viti 1997, kur u pranuan për herë të parë kandidatët në programin e formimit fillestar, është procedurae konkurrimit me shkrim.Përsa i përket afatit që vendoste ligji për pranimin e aplikimeve, por edhe procedurës që duhej kryer për verifikimin e përmbushjes së kritereve ligjore nga ana e aplikantëve, ajo ndryshoi vetëm me ligjin e vitit 2016.

      14. Si ligjinr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”, ashtu edhe Rregullorja e Brendshme e vitit 1997, mbi të cilën ajo kryente veprimtarinë e saj, nuk parashikonin ndonjë procedurë të veçantë në lidhje me kandidimin. Meqenëse viti akademik, parashikohej të fillonte të hënën e parë të muajit tetor dhe përderisa nuk parashikohej ndonjë procedurë për verifikimin e kritereve të aplikantëve, përjashtimisht pasjes së diplomës së juristit, konkursi i pranimit për në programin e formimit fillestar parashikohej të bëhej gjatë muajit shtator .Për rrjedhojë edhe aplikimet bëheshin, gjatë muajit korrik, sapo studentët përfundonin studimet në fakultetin e drejtësisë dhe diplomoheshin jurist. Hyrja e menjëhershme në konkurrim dhe për rrjedhojë edhe në sistemin e drejtësisë, pa pasur një përvojë të mëparshme profesionale dhe pa kryer një verifikim të hollësishëm të përmbushjes së kritereve ligjore e të aspekteve të integritetit të kandidatit për magjistratë, ndikuan për ndryshimin e këtij modeli.

      15. Pikërisht, mangësitë në legjislacionin ekzistues dhe në mekanizmin institucional “lidhur me kriteret dhe procedurat e testimit dhe të verifikimit të domosdoshëm që duhet të zbatohen për pranimin në karrierë gjyqësore dhe emërimin si gjyqtar ose prokuror të atyre që, përjashtimisht, nuk i nënshtrohen formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, si në aspektin e njohurive profesionale, ashtu edhe në drejtim të cilësive të nevojshme të personalitetit e të integritetit…”, sillnin si nevojë të menjëhershme ndryshimin e ligjit, në këtë aspekt. Mbi këtë konstatim të Analizës së Sistemit të Drejtësisë u vlerësua si një zgjidhje e domosdoshme parashikimi i rregullave më të hollësishme për rekrutimin e kandidatëve për magjistratë, duke u orientuar te verifikimi i profesionalizimit dhe i integritetit të tyre.

      16. Me miratimin e ligjit nr. 96, datë6.10.2016, “Përstatusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe të ligjit nr. 115, datë3.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ndryshoi si periudha për paraqitjen e aplikimeve për kandidatët qëdo të regjistroheshin për konkursin e pranimit nëformimin fillestar, ashtu edhe procedura e verifikimit të përmbushjes së kritereve të kandidimit.
      Procesi i rekrutimit të kandidatëve për magjistratë kërkonte tashmë, jo vetëm një verifikim më të hollësishëm të dokumentacionit që vërtetonte përmbushjen e kritereve për kandidim, përpara hyrjes në provim, por edhe një verifikim të pasurisë dhe të figurës së kandidatëve. Ky proces e afronte në kohëfillimin e procedurës së aplikimit, nga muaji shtator që parashikohej mëparë, në muajin janar tëçdo viti. E gjithë periudha që i paraprin fillimit të vitit akademik në muajin tetor, i shërben organeve përkatëse për përmbushjen e detyrimeve të tyre ligjore për realizimin e procesit të verifikimit për kandidatët për magjistratë.

      17. Gjithashtu, përfshirja së bashku me Shkollën e Magjistraturës edhe e organeve të tjera në procedurën e verifikimit të përmbushjes së kritereve nga ana e kandidatëve u realizua me ligjet nr. 96/2016 dhe nr. 115/2016. Përpara miratimit të këtyre ligjeve, procedura e vlerësimit paraprak të kandidatëve ishte tepër e thjeshtë, duke u mjaftuar procesi i rekrutimit të kandidatëve për magjistratë, kryesisht, në vlerësimin profesional që bëhej gjatë procedurës së konkurrimit dhe gjatë viteve akademike. Ndryshimet e ligjit sollën një kontroll shumë më të rreptë të kandidaturave, që në fazën e aplikimeve, bazuar “në kritere transparente, objektive” , por edhe përpara fillimit të vitit akademik dhe regjistrimit përfundimtar të tyre si kandidat për magjistratë në Shkollën e Magjistraturës, në kritere “meritokratike të tilla, si: kualifikimet, integriteti, aftësitë profesionale dhe pastërtia e gjendjes gjyqësore (mungesa e precedentëve penalë), verifikimi i pasurisë dhe figurës (vetting) .

       

    • Asnjë koment
  • Opinioni i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, nr. 17 (2014) "Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit".

     Opinioni nr. 4 i CCJE, mbi trajnimin e duhur fillestar dhe vazhdues të gjyqtarëve në nivel kombëtar dhe europian.

     

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf;

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

    Procesverbali datë 24.6.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf

     

  • Kushtetuta:

    Neni 136/a i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
    Neni 148/ç i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

    Ligje

    Ligjinr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”.
    Neni 262 i ligjit nr. 115, datë 3.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
    Ligji nr. 96, datë 6.10.2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

     

  • Neni 11 i Rregullores së Shkollës së Magjistraturës, miratuar me vendimin nr.1 të Këshillit Drejtues, datë 31 janar 2017.

  • Vendimi i datës 31.1.2019 i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, “Për raportin e vlerësimit të kandidatëve për magjistratë që kanë aplikuar për pranimin në formimin fillestar për vitin akademik 2019-2020.”
    http://www.magjistratura.edu.al/#1021
    http://www.magjistratura.edu.al/#1300

  • Asnjë koment
  • A. Ligje

    Ligjinr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”.

    B. Akte nënligjore

    Rregullorja e Brendshme e vitit 1997 e Shkollës së Magjistraturës.
    Rregullorja e Shkollës së Magjistraturës, miratuar me vendimin nr. 1, datë 31.1.2017 të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

     

Sokol Sadushi,
Sokol Sadushi