"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 34: Lista e renditjes së kandidatëve magjistratë të diplomuar

1Çdo vit, deri në fund muajit qershor, Shkolla e Magjistraturës publikon listën e kandidatëve magjistratë, të diplomuar në formimin fillestar gjatë atij viti.

2Të diplomuarit renditen në listë, bazuar në rezultatet e provimeve gjatë vitit të parë dhe të dytë, provimit përfundimtar, si dhe vlerësimet gjatë praktikës profesionale.

3Shkolla e Magjistraturës harton dhe publikon kriteret për koeficientët e vlerësimit të praktikës profesionale dhe rezultatet e çdo provimi.

4Të diplomuarit përfshihen përkatësisht në listën e të diplomuarve për kandidatët gjyqtarë dhe në listën e të diplomuarve për kandidatët prokurorë. Kandidatët magjistratë renditen në listën e të diplomuarve në përputhje me pikën 2 të këtij neni.

Përmbajtja

    • 1. Neni 34, i cili është dhe neni i fundit i kreut I, të pjesës III të këtij ligji, synon formimin dhe promovimin e magjistratëve bazuar në parimin e meritokracisë. Ky parim motivues reflektohet që me nisjen e procesit të rekrutimit të kandidatëve për magjistratë pranë Shkollës së Magjistraturës (SHM), gjatë ndjekjes në vazhdim të programit të formimit fillestar trevjeçar dhe deri në diplomimin e tyre. Ai shërben për të evidentuar performancën profesionale gjatë gjithë veprimtarisë dhe karrierës së magjistratit. Matja e suksesit të performancës së shfaqur nga kandidatët për magjistratë gjatë gjithë viteve të ndjekjes së programit të formimit fillestar konkretizohet, sipas pikës 1 të këtij neni, nëpërmjet renditjes,brenda fundit të muajit qershor tëçdo viti, në listën përfundimtare të magjistratëve të diplomuar.

      2. Pika 2 ka si synim të nxjerrë në pah rëndësinë që paraqet për renditjen e kandidatëve për magjistratë kryerja e vlerësimit objektiv, të plotë dhe të paanshëm të tyre. Renditjen e tyre në një listë përfundimtare, nisur nga rezultatet e çdo viti akademik, ku ndërthuren provimet e lëndëve përkatëse, gjatë vitit të parë, me vlerësimin e praktikës paraprofesionale gjatë vitit të dytë dhe të asaj profesionale në vitin e tretë janë instrumente që dëshmojnë për nivelin profesional të arritur dhe për aftësitë e fituara nga kandidatët për magjistratë.

      3. Pika 3 e këtij neni synon të evidentojë rolin e rëndësishëm dhe përgjegjësinë që ka Shkolla e Magjistraturës në procesin e hartimit të një metodologjie shkencore, e cila shërben për vlerësimin sa më objektiv të kandidatëve për magjistratë në procesin mësimor dhe gjatë praktikës profesionale që ata zhvillojnë pranë gjykatave e prokurorive të shkallës së parë, ashtu si edhe procesin transparent që ndiqet prej saj. Pra, jo thjesht hartimi, por bërja publike e kritereve për koeficientet e vlerësimit të praktikës profesionale është fokusi kryesor i këtij rregullimi.

      4. Përfshirja e të diplomuarve në listën përfundimtare, sipas profilizimit që kanë përzgjedhur, që me nisjen e programit të formimit fillestar,shërben edhe si një motivim i fortë për ecurinë e tyre, brenda secilit grup. Për shkak të specifikës që paraqet përzgjedhja e profilit, ligjvënësi ka parashikuar në pikën 4 një listë të veçantë renditje, me synimin për të pasur një konkurrim sa më të drejtë dhe objektiv brenda profilit, gjë që ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e karrierës së tyre.

    • 5. Neni 34rregullon publikimin e listës së kandidatëve magjistratë të diplomuar, renditjen në këto lista, bazuar në rezultatet e provimeve gjatë viteve, kriteret e vlerësimit, si dhe hartimin e listave të veçanta sipas profileve të përzgjedhura prej tyre. Objekt i kësaj dispozite është vendosja e rregullave që garantojnë, mbi bazë meritash, performancën e kandidatëve për magjistratë gjatë viteve të ndjekjes së programit të formimit profesional, gjë që shërben, në radhë të parë, për diplomimin, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës profesionale të tyre. Që në titull që evidenton listën e renditjes së kandidatëve për magjistratë të diplomuar, kjo dispozitë parashikon rregullat që shërbejnë për të evidentuar rezultatet e arritura vit pas viti nga kandidati për magjistrat, përgjatë procesit mësimor trevjeçar, të cilat bazohen në koeficientet e vlerësimit të praktikës profesionale dhe të çdo provimi që vendos Shkolla e Magjistraturës. Në detaje është Rregullorja e Shkollës së Magjistraturës që përcakton mënyrën se si bëhet vlerësimi i kandidatëve për çdo lëndë, procedurat që ndiqen për raste të ankimit ndaj rezultatit të arritur, vetëm në aspektin procedural dhe jo përmbajtjesor, skemën përkatëse të vlerësimit të çdo viti etj.

      6. Pika 1 e nenit 34 ka si prioritet rregullimin në mënyrë të shprehur, të periudhës së diplomimit të kandidatëve për magjistratë, që nuk mund të jetë më vonë se muaji qershor i çdo viti. Përmes këtij rregullimi ligjor strikt, kjo dispozitë ka sanksionuar, në të njëjtën kohë, edhe përfundimin e çdo viti akademik domosdoshmërisht, brenda fundit të muajit qershor. Përcaktimi i këtij afati është i lidhur me fillimin dhe realizimin brenda muajit korrik të procedurës së emërimit si magjistrat, që parashikohet në nenin 35 të këtij ligji.

      7. Mbi rezultatet e arritura në provimet e vitit të parë, të vitit të dytë, në provimin përfundimtar, si edhe mbi vlerësimin e praktikës profesionale të vitit të tretë, kandidatët për magjistratë renditen në një listë përfundimtare, sipas rregullave të vendosura nga Shkolla e Magjistraturës. Pikërisht, detyrimi për një renditje të kandidatëve për magjistratë për çdo vit akademik, si dhe për një renditje përfundimtare, në fund të programit mësimor trevjeçar, rregullohet hollësisht nga pika 2 e kësaj dispozite ligjore.

      8. Pika 3 e këtij neni detyron realizimin nga Shkolla e Magjistraturës të vlerësimit shkencor,të drejtë e objektiv për kandidatët për magjistratë, nëpërmjet nxjerrjes së rezultateve të provimeve për çdo vit akademik,si edhe përcaktimit të kritereve për koeficientet e vlerësimit të praktikës profesionale. Rregullimi që bëhet në këtë paragraf i imponon Shkollës së Magjistraturës hartimin, dhe publikimin e një lloj metodologjie të punës që ndihmon në kryerjen e vlerësimit tërësor të kandidatëve për magjistratë, bazuar në kriteret dhe nivelet e vlerësimit të magjistratëve. Pra, mbetet një detyrim ligjor i Shkollës së Magjistraturës për të normuar këtë veprimtari nëpërmjet akteve të saj rregullatore, të cilat bazohen edhe në praktikat ekzistuese europiane, veçanërisht në Manualin e Trajnimit Gjyqësor (2016) të Rrjetit Europian për Trajnimin Gjyqësor, EJTN) .

      9. Vendosja në dy lista të veçanta renditje të kandidatëve për gjyqtarë dhe për prokuror,bazuar mbi performancën e tyre etike e profesionale gjatë tri viteve akademike, ashtu si edhe renditja në një listë përfundimtare e të diplomuarve, që rregullohet nga pika 4 e nenit 34, është akt me efekt juridik që nxjerr Shkolla e Magjistraturës,që së bashku me aktet e tjera të përcaktuara shprehimisht në nenin 35 të ligjit, i shërbejnë Këshillave, për emërimin e magjistratëve. Është pikërisht renditja e kandidatëve për magjistratë, që sipas nenit 39, pika 3/a, shërben si një ndër treguesit kryesorë për këshillat, që të bëjnë caktimin në pozicion të magjistratit të emëruar. Për këtë arsye,lista e renditjes së kandidatëve merr një vlerë të veçantë juridike.

       

    • 10. Në referim të standardeve të mirënjohura ndërkombëtare që orientojnë për kryerjen e vlerësimit të punës së gjyqtarëve , ashtu edhe në Manualin e Trajnimit Gjyqësor (2016) të Rrjetit Europian për Trajnimin Gjyqësor (EJTN) , neni 34 jep kuptimin për listën e renditjes së kandidatëve për magjistratë nisur nga performanca e tyre, për periudhën kur kryhet kjo renditje, kriteret për koeficientet që shërbejnë për vlerësimin e kandidatëve gjatë provimeve gjatë vitit të parë dhe të dytë, provimit përfundimtar, si dhe të praktikës profesionale gjatë vitit të tretë. 

      11. Duke filluar nga procedura që ndiqet, por edhe kriteret shkencore mbi të cilat realizohet metodologjia e renditjes së kandidatëve për magjistratë, që fillon me fazën e rekrutimit dhe përfundon me diplomimin e tyre në fund të programit trevjeçar, arrihet të kuptohet se sa i rëndësishëm është vlerësimi i drejtë dhe objektiv që bazohet mbi një proces krejtësisht transparent. Ky mbetet si objektivi madhor i nenit 34 dhe që rezulton që në titullin e tij. 

          a) Kuptimi i listës së renditjes së kandidatëve magjistratë të diplomuar

      12. Renditja e kandidatëve për magjistratë është një proces i rëndësishëm,i vendosur nga ligji si një kusht thelbësor për të evidentuar performancën e tyre, nga faza e pranimit e deri në diplomimin në përfundim të programit trevjeçar të formimit fillestar. Kjo renditje pasqyrohet nëpërmjet një liste konkrete, e cila është përcaktuese, si për fillimin e programit mësimor, për diplomimin, por edhe për emërimin e magjistratëve. Lista e renditjes mund të konsiderohet si një akt me efekte të drejtpërdrejta juridike mbi kandidatin.  

      13. Lista e renditjes është produkt i një procedure tepër strikte që hartohet nga Shkolla e Magjistraturës,bazuar mbi një metodologji shkencore. Kriteret që përdoren për renditjen e kandidatëve magjistratë gjatë procesit të rekrutimit të konkurrentëve janë të ndryshme nga ato që përdoren gjatë programit të formimit fillestar. Për më tepër kriteret ndryshojnë edhe nga njëri vit mësimor në tjetrin. Për shkak të specifikës që paraqesin këto faza të edukimit që ndjekin kandidatët për magjistratë, është e kuptueshme se edhe kriteret dhe skema e vlerësimit të tyre nuk mund të jetë e njëllojtë.  
         

          b) Komponentët e vlerësimit gjatë programit të formimit fillestar

      14. Neni 34, ashtu si edhe disa dispozita të ligjit nr. 115, datë 3.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, konkretisht nenet 268, 269 dhe 270, parashikojnë në vija të përgjithshme domosdoshmërinë e kryerjes së vlerësimit të kandidatëve për magjistratë gjatë tre viteve të formimit fillestar, për efekt të renditjes përfundimtare të tyre përpara diplomimit. Rregullat dhe metodologjia që ndiqet, skema e renditjes dhe procedurat më të detajuara që duhen kryer për vlerësimin e komponentëve të vitit të parë dhe të dytë të programit të formimit fillestar, si dhe të provimit përfundimtar gjenden të parashikuara hollësisht në Rregulloren e Shkollës së Magjistraturës .

      15. Vlerësimi i kandidatëve në Programin e Formimit Fillestar është një proces shumë i rëndësishëm, sepse parimi kryesor i përgatitjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm është parimi i meritokracisë. Kjo do të thotë, se emërimi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) i gjyqtarëve dhe prokurorëve që diplomohen do të bëhet në varësi të pikëve që ata marrin dhe të vendit që do të zënë në listën përfundimtare në fund të procesit të formimit fillestar trevjeçar. Programi i Formimit Fillestar shtrihet në tri vite akademike, ku kandidatët vlerësohen për dy vitet e para akademike me rezultatet përkatëse të provimit të çdo lënde e të provimit përfundimtar,si dhe për praktikën profesionale gjatë vitit të tretë.
      I. VLERËSIMI për vitin e parë 

      16. Programi mësimor i formimit fillestar gjatë vitit të parë ka karakter teoriko-praktik dhe synon marrjen e njohurive të thelluara procedurale/materiale, nga jurisprudenca vendase/europiane, aftësimin e kandidatëve për magjistratë në veprimet/hetimet paraprake dhe përgatitjen e seancës e në debatin gjyqësor, si dhe aftësimin e tyre në përgatitjen e akteve dhe marrjen e vendimeve. Vlerësimi i vazhdueshëm qëi bëhet kandidatëve për magjistratë nga Shkolla e Magjistraturës bazohet mbi disa komponentë që lidhen me përgatitjen nga kandidatët të detyrave të kursit/eseve/projekteve për çdo lëndë, me aktivizimin, oratorinë apo logjikën e arsyetimit që shfaqin në diskutimin interaktiv, me mënyrën e diskutimit dhe zgjidhjes së rasteve të praktikës gjyqësore, diskutimet, debati, ushtrimet me gojë, punë e pavarur individuale/grup nën drejtimin e pedagogut, mënyrën e organizimit dhe realizimit të gjyqeve imituese etj. Për rezultatin e çdo lënde, kandidati ka të drejtë të shprehë te pedagogët që e kanë vlerësuar kundërshtimin e tij në aspektin procedural, por jo substancial të vlerësimit. 

      17. Rezultatet e vlerësimit të vazhdueshëm gjatë gjithë vitit akademik, që dalin nga analiza e komponentëve të mësipërm, iu bëhen të njohura kandidatëve për magjistratë, së bashku me provimin përfundimtar të lëndës, nëpërmjet publikimit. Pikërisht, kjo skemë bazohet në vlerësimin e vazhdueshëm gjatë gjithë vitit akademik, si dhe në provimin përfundimtar të lëndës. Të dhënat e nxjerra nga analiza e mësipërme nga pedagogët e çdo lënde dhe të aprovuara nga pedagogu titullar pasqyrohen në Procesverbalin e Vlerësimit të Vazhdueshëm që nënshkruhet nga pedagogu titullar i lëndës dhe Sekretaria Shkencore për Formimin Fillestar .

      II. Vlerësimi për provimin përfundimtar të lëndës 

      18. Shlyerja e çdo provimi nga kandidatët e vitit të parë akademik, në datën e caktuar nga Shkolla e Magjistraturës është i detyrueshëm. Vlerësimi për provimin përfundimtar të çdo lënde bëhet në fund të vitit akademik, ose në fund të semestrit, kur përfundon edhe trajtimi i lëndës. Lidhur me lëndët semestrale mund të bëhet vlerësimi përfundimtar i kandidatëve për magjistratë me detyrë kursi, për një temë me karakter praktik, e cila është e njëjtë për të gjithë. I ndryshëm është provimi përfundimtar i lëndës, i cili bëhet me shkrim dhe i nënshtrohet procesit të sekretimit, me qëllim ruajtjen e objektivitetit në vlerësim. 

      19. Sipas Rregullores së Shkollës së Magjistraturës dhe Planit Mësimor që miratohet në fillim të çdo viti akademik nga Këshilli Drejtues, provimi përfundimtar ka peshën kryesore në vlerësimin e përgjithshëm që i bëhet kandidatit për lëndën përkatëse. “Totali i pikëve të vlefshme për vlerësimin e kandidatëve për çdo lëndë në fund të vitit/semestrit do të jetë 100 pikë, nga të cilat, vlerësimi maksimal i vazhdueshëm vjetor do të  jetë 40 pikë, ndërsa vlerësimi maksimal për provimin përfundimtar do të jetë 60 pikë” .Mënyra dhe skema e vlerësimit, si dhe pikavarazhi për secilën pjesë të vlerësimit bëhen të ditura nga pedagogët përgjegjës të lëndëve për kandidatët në fillim të çdo kursi apo lënde, mbështetur në kriteret e vlerësimit/standardet minimale që vendosen në bazë të objektivave të përcaktuara nga Drejtoria dhe Këshilli Pedagogjik.

      20. Kandidatët kanë detyrimin të frekuentojnë rregullisht programin teorik të formimit fillestar. Mungesa e pajustifikuar në më shumë se 10% të programit të një lënde, sjell përjashtimin e kandidatit nga provimi përfundimtar i lëndës në atë vit shkollor. Kandidatët nuk kanë të drejtë të rijapin provime, me qëllim përmirësimin e rezultateve dhe as të shtyjnë provimet për vitin pasardhës. Vetëm në raste tepër të veçanta, që diktohen nga rrethanat dhe për arsye objektivisht të përligjura (si p.sh. në raste sëmundjeje), kandidati mund të shtyjë provimin për vitin pasardhës, pasi të ketë marrë më parë miratimin e Këshillit Pedagogjik të Shkollës . Shtyrja e provimit të lëndës konkrete për vitin pasardhës, së bashku me studentët e tjerë, lidhet me arsyen e mosidentifikimit të provimit të studentit. Kryerja e provimit me të gjithë studentët e vitit pasardhës është për të shmangur çdo pretendim për njëanshmëri në vlerësim.     20. Kandidatët kanë detyrimin të frekuentojnë rregullisht programin teorik të formimit fillestar. Mungesa e pajustifikuar në më shumë se 10% të programit të një lënde, sjell përjashtimin e kandidatit nga provimi përfundimtar i lëndës në atë vit shkollor. Kandidatët nuk kanë të drejtë të rijapin provime, me qëllim përmirësimin e rezultateve dhe as të shtyjnë provimet për vitin pasardhës. Vetëm në raste tepër të veçanta, që diktohen nga rrethanat dhe për arsye objektivisht të përligjura (si p.sh. në raste sëmundjeje), kandidati mund të shtyjë provimin për vitin pasardhës, pasi të ketë marrë më parë miratimin e Këshillit Pedagogjik të Shkollës . Shtyrja e provimit të lëndës konkrete për vitin pasardhës, së bashku me studentët e tjerë, lidhet me arsyen e mosidentifikimit të provimit të studentit. Kryerja e provimit me të gjithë studentët e vitit pasardhës është për të shmangur çdo pretendim për njëanshmëri në vlerësim.     

      21. Komisioni i provimit në çdo lëndë përbëhet nga dy pedagogë, njëri prej të cilëve është titullari i lëndës, ndërsa i dyti përcaktohet me urdhër të brendshëm nga Drejtori i Shkollës. Procesverbali i Provimit përfundimtar nënshkruhet nga Komisioni i Provimit, Sekretaria Shkencore për Formimin Fillestar dhe nga Drejtori i Shkollës. Vlerësimi “pamjaftueshëm” i marrë dy herë radhazi, të paktën në dy lëndë ose në provimin përfundimtar, pas sjell humbjen e së drejtës për vijimin e studimeve në Shkollën e Magjistraturës.  

      22. Rezultati përfundimtar për çdo lëndë dhe pikët në total për çdo kandidat dalin si shumë matematikore e pikëve të marra në vlerësimin e marrë nga Procesverbali i Vlerësimit të Vazhdueshëm dhe pikëve të marra në vlerësimin nga Procesverbali i Provimit Përfundimtar për çdo kandidat. Skema e vlerësimit për çdo vit parashikohet në Rregulloren e Shkollës së Magjistraturës. Sipas planit mësimor të miratuar nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2019-2020, vlerësimi maksimal i vitit të parë rezulton të jetë 2300 pikë, i cili del si rezultat i mbledhjes së pikëve të grupit të lëndëve kryesore, me koeficient vështirësie 1.5 dhe pikëve të grupit të lëndëve të grupit të dytë, me koeficient vështirësie 1 .

      III. Vlerësimi për vitin e dytë

      23. Programi i vitit të dytë në SHM synon që kandidatët për magjistratë të forcojnë dhe thellojnë njohuritë teorike dhe praktike që kanë përvetësuar në vitin e parë, drejt një praktike me karakter vëzhgues dhe pjesërisht aktive. Gjatë këtij viti akademik, ata vendosen në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve. Ata vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme mbi disa komponentë me natyrë teorike e praktike. Në të vërtetë, ajo që identifikohet si “pjesa teorike”, është e lidhur me zhvillimin e disa kurseve, të cilat për nga natyra e tyre janë praktike, si p.sh.: kursi i kriminalistikës, i anglishtes ligjore, i psikologjisë së komunikimit, i shkrimit e arsyetimit ligjor etj. Mënyra e vlerësimit të këtyre kurseve është në funksion të formimit të përgjithshëm të kandidatit. Vlerësimi me pikë që shkon deri në750 pikë , është në varësi të specifikës së çdo kursi, duke përdorur provimin ose forma të tjera vlerësimi. 

      24. Mënyra e vlerësimit të kurseve praktike realizohet përmes aplikimit të disa komponentëve që evidentohen nëpërmjet shfaqjes së aftësive të fituara gjatë pjesëmarrjes në veprimtarinë hetimore e gjyqësore, në gjykatat e prokuroritë e niveleve të ndryshme. Kandidatët për magjistratë vlerësohen nga pedagogët përkatës, për mënyrën e diskutimit të çështjeve hetimore e gjyqësore, për aftësitë e fituara nëpërmjet realizimit të gjyqeve imituese, për performancën e shfaqur gjatë stazhit paraprofesional, për raportet e paraqitura, debatet dhe diskutimet e zhvilluara në sesionet interaktive, të cilat bëhen për çdo lëndë etj.  Vlerësimi i të gjithë komponentëve që mbulojnë pjesën e praktikës bëhet në një procesverbal përfundimtar të nënshkruar nga pedagogët e brendshëm, të ngarkuar me drejtimin e praktikës së vitit të dytë dhe që në total sipas planit mësimor të miratuar është 450 pikë .

      25. Një tjetër komponent që shërben për vlerësimin e kandidatëve për magjistratë gjatë vitit të dytë është përgatitja e një teme me natyrë kërkimore shkencore. Kryerja e analizës teorike dhe me natyrë shkencore mbi një institut a koncept të së drejtës, e ndërthurur me zhvillimin e jurisprudencës gjyqësore, vendase e ndërkombëtare në këtë drejtim,është menduar si një komponent që mund t’i shërbejë formimit të përgjithshëm të kandidatit dhe që ndihmon në avancimin e mëtejshëm të aftësive të tij doktrinore. Temat përzgjidhen nga kandidatët dhe miratohen nga pedagogët e lëndëve. Nëpërmjet temës së përgatitur identifikohen aftësitë e magjistratit në drejtim të shkrimit akademik. Megjithë rëndësinë që ka përgatitja e një teme shkencore, ky komponent është zëvendësuar nga ndryshimet e fundit që i janë bërë Rregullores së SHM-së me shtimin e peshës së disa komponentëve të tjerë me natyrë praktike, siç janë“Klinika e ligjit” apo “Aftësimi i prezantimit të çështjeve në gjyq”, të cilat janë edhe më afër profilit të magjistratit. 

      26. Në përfundim të vitit të dytë  dhe të kurorëzimit të të gjithë programit dyvjeçar të formimit profesional kryhet provimi përfundimtar. Kryerja e një provimi të tillë është risi për formimin profesional. Ai bëhet me shkrim dhe organizohet me katër raste praktike, nga fushat kryesore të së drejtës, siç janë: “E drejta private”, “E drejta penale dhe procedurale penale”, “E drejta administrative materiale dhe e drejta procedurale administrative”, si dhe “E drejta publike” .

      27. Provimi përfundimtar vlerësohet nga një komision i përbërë nga gjashtë anëtarë, nga të cilët katër anëtarë nga radhët e pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm të SHM-së dhe nga një anëtar nga KLGJ-ja dhe KLP-ja. Provimi përfundimtar  bëhet me shkrim, duke iu nënshtruar procesit të sekretimit, me qëllim ruajtjen e objektivitetit.

      28. Vlerësimi total i të gjithë komponentëve të vitit të parë dhe të dytë bëhet me procesverbalin e përgatitur dhe të nënshkruar nga Komisioni i Vlerësimit. Ky vlerësim përfshin një shumatore të 2250 pikëve të  vitit të parë, 1400 pikëve të vitit të dytë, si dhe 200 pikëve të provimit përfundimtar. Në total vlerësimi i dy viteve të para është 3850 pikë . Sipas rregullit të parashikuar në nenin 268, pika 1 të ligjit nr. 115/2016, “Vlerësimi i të gjithë komponentëve të vitit të parë dhe të vitit të dytë, mbi pikët e grumbulluara për çdo lëndë, ose element të programit të formimit fillestar dhe në tërësi, si dhe vlerësimi i provimit përfundimtar që organizohet pas vitit të dytë, bëhen nga komisionet përkatëse dhe Këshilli Pedagogjik, sipas një renditjeje të pikëzuar me 5 shkallë: “shkëlqyeshëm”;“shumë mirë”;“mirë”;“mjaftueshëm”;“pamjaftueshëm”.

      IV. Vlerësimi në vitin e tretë.

      29. Për shkak të specifikës që paraqet viti i tretë, vlerësimi që i bëhet kandidatit për magjistrat ndryshon ndjeshëm nga ai vlerësim që i është bërë në auditor gjatë dy viteve të programit të formimit fillestar. Vlerësimi i kandidatëve për magjistratë orientohet drejt zotërimit dhe vënies prej tyre në praktikë të aftësive gjyqësore e hetimore të fituara.  Pikërisht, vlerësimi që kryhet prej një trupe të përzgjedhur me magjistratë udhëheqës “është një garanci më shumë se praktika profesionale ndihmon për evidentimin dhe shmangien e mangësive në kompetencat e kandidatëve për magjistratë dhe njëkohësisht orienton për të kuptuar se sa efikase ka qenë udhëheqja në përmirësimin e cilësisë së punës, në sjellje dhe në zhvillimin e aftësive të reja.” .

      30. Magjistrati udhëheqës është i ngarkuar për kryerjen e vlerësimit etik dhe profesional dhe të cilësisë së kandidatëve për magjistratë, me qëllim garantimin e një formimi sa më të mirë të tyre. Kriteret e vlerësimit që përdoren për kandidatin për magjistrat janë të njëjta si edhe për magjistratin. Sipas nenit 269, pika 1 të ligjit nr. 115/2016, që të referon te ligji nr. 96/2016 dhe konkretisht te neni 71 i tij, kriteret e vlerësimit që do të përdoren për kandidatin për magjistrat janë të njëjta me ato të magjistratit. Pikërisht, kritere të tilla që parashikohen në dispozitën e sipërcituar, si aftësitë profesionale, aftësitë organizative, etika dhe angazhimi ndaj vlerave profesionale si dhe aftësitë personale dhe angazhimi profesional do të përdoren edhe për vlerësimin e kandidatit për magjistrat. 

      31. Vlerësimi për secilin kandidat për magjistrat do të bëhet nga tre magjistratë udhëheqës, përkatësisht sipas periudhave katër mujore , në të cilat do të realizojnë praktikën profesionale. Çdo magjistrat udhëheqës do të vlerësojë kandidatin për magjistrat, në bazë të kritereve dhe niveleve të përcaktuara në nenin 33 të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” .
      V. Vlerësimi përfundimtar i kandidatëve për magjistratë

      32. Mbi bazën e rezultateve të provimeve të vitit të parë, të rezultateve të vitit të dytë, të provimit përfundimtar, si dhe të pikëve të praktikës profesionale gjatë vitit të tretë, Këshilli Pedagogjik bën vlerësimin përfundimtar të kandidatëve për magjistratë gjatë tre viteve . Nisur nga sistemi i vlerësimit me 5 shkallë, që parashikohet në nenin 270 të ligjit nr. 115/2016, Këshilli Pedagogjik bën renditjen përfundimtare të tyre me pikë. Mbi këto kritere vlerësimi, ligji nr. 115/2016, në nenin 270 ka përcaktuar edhe kategoritë e vlerësimit të kandidatëve për magjistratë që janë:“a) “shkëlqyeshëm”, në rast të një performance etike dhe profesionale jashtëzakonisht të mirë; b) “shumë mirë”, në rast të një performance etike dhe profesionale mbi mesataren; c) “mirë”, në rast të një performance etike dhe profesionale mesatare; ç) “pranueshëm”, në rast të një performance etike dhe profesionale nën mesataren; d) “i paaftë”, në rast të një performance etike dhe profesionale jashtëzakonisht të dobët”. 

      33. Lista e renditjes që përgatitet nga Këshilli Pedagogjik dhe publikohet në fund të muajit qershor konsiderohet edhe si renditja përfundimtare e magjistratëve të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës. Është kjo listë renditje që i përcillet Këshillit Drejtues të Shkollës, Këshillit të Lartë të Gjyqësorit për kandidatët për gjyqtarë, si dhe Këshillit të Lartë të Prokurorëve, për kandidatët për prokurorë dhe që shërben për fazën tjetër, atë të emërimit si magjistratë në kuptim të nenit 35. 

    • 4. Renditja e kandidatëve magjistratë të diplomuar nuk është një rregullim që bëhet për herë të parë me këtë dispozitë ligjore. Sigurisht që neni 34 ka bërë një rregullim më të hollësishëm të disa aspekteve që lidhen me efektet juridike që krijon lista e renditjes, periudhën, tej të cilës, nuk mund të bëhet diplomimi i magjistratëve, ashtu edhe të detyrimit që vendos për Shkollën e Magjistraturës për të hartuar dhe publikuar kriteret për koeficientet e vlerësimit të praktikës profesionale dhe rezultatet e çdo provimi. Për sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me detyrimin për përgatitjen e listës së fituesve, nivelin me disa shkallë vlerësimi që bën Këshilli Pedagogjik i Shkollës së Magjistraturës, dërgimin e kësaj liste organeve emërtesë për emërimin e kandidatëve për magjistratë, janë rregullime që kanë gjetur parashikimin e tyre në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë” (ligji nr. 8136/1996).

      35. Konkretisht, me krijimin e Shkollës së Magjistraturës, sipas rregullave të ligjit të vitit 1996, është sanksionuar parimi i meritokracisë, si një ndër parimet kryesore që motivon kandidatët për magjistratë për zhvillimin e tyre në karrierë. Që me nisjen e procesit të rekrutimit të kandidatëve për magjistratë, gjatë programit të formimit fillestar që ndjekin për çdo vit akademik,ashtu si edhe në përfundim të tij, renditja e kandidatëve për magjistratë (apo “lista e fituesve” që përdorej si term në ligjin e mëparshëm),shërben si garanci për një vlerësim sa më objektiv të performancës së tyre. Sipas nenit 19 të ligjit nr. 8136/1996 (tashmë të shfuqizuar), “në përfundim të periudhës së veprimtarisë teorike si dhe të stazhit paraprofesional, kandidatët emërohen provizorisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas vlerësimit të këshillit pedagogjik”. Pikërisht, ky vlerësim që bënte Këshilli Pedagogjik, sipas një renditje me pikë, ishte një tregues i rëndësishëm i nivelit të aftësive profesionale të fituara nga kandidatët për magjistratë dhe që shërbente njëkohësisht edhe si një indikator në procesin e emërimit të tyre.

      36. Pavarësisht terminologjisë së ndryshme që ka me rregullimin aktual, renditja si një proces i detyrueshëm që shërben për vlerësimin e kandidatëve, si dhe lista përkatëse e kësaj renditje, gjendej e parashikuar edhe në legjislacionin e mëparshëm. Megjithëse kishte një formulim jo të njëllojtë nga titullimi i nenit 34, përmbajtja nuk ndryshonte. Konkretisht, në nenin 20 të ligjit të vitit 1996 përdorej termi “listë e fituesve”, ndërsa në ndryshimin që iu bë ligjit në vitin 2005 u përdor fraza “të dhënat e procesit të vlerësimit”. Në të dy rastet e sipërcituara,dokumentacioni përkatës që prodhohej nga Këshilli Pedagogjik,merrte të njëjtën vlerë juridike dhe i dërgohej organeve emërtesë për të kryer emërimin e kandidatëve për magjistratë. Konkretisht në nenin 20 të ligjit nr. 8136/1996 thuhej: “Drejtori i Shkollës listën e fituesve ia dërgon për emërim përfundimtar Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi grumbullon të dhënat e nevojshme për secilin kandidat, bën emërimin përfundimtar të tyre në vendet vakante sipas shkallës së vlerësimit të tyre nga Shkolla e Magjistraturës.” Ndërsa në ligjin e ndryshuar të vitit 2005, në nenin 20 parashikohej: “Drejtoria e shkollës i dërgon Presidentit të Republikës të dhënat e procesit të vlerësimit për të bërë emërimin përfundimtar të tyre në vendet vakante, në përputhje me shkallën e vlerësimit të tyre nga Shkolla, pas propozimeve të bëra, përkatësisht, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për gjyqtarët dhe nga Prokurori i Përgjithshëm për prokurorët.”.

      37. Lidhur me vlerësimin e kandidatëve për magjistratë, legjislacioni i mëparshëm nuk bënte asnjë dallim me rregullimin aktual, për organin që ngarkohej me përmbushjen e këtij detyrimi. Këshilli Pedagogjik ishte dhe mbetet organi kryesor, që kryen vlerësimin e kandidatëve për magjistratë gjatë tre viteve të formimit të tyre profesional. Sipas nenit 19 të ligjit të vitit 1996: “Në përfundim të periudhës së veprimtarisë teorike si dhe të stazhit paraprofesional, kandidatët emërohen provizorisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas vlerësimit të këshillit pedagogjik. Vlerësimi bëhet në katër shkallë:
      a) pamjaftueshëm;
      b) mjaftueshëm;
      c) mirë;
      d) shumë mirë.
      Kandidatët që marrin vlerësimin pamjaftueshëm nuk i nënshtrohen procesit të emërimit provizor.”

      38. Ndryshimi që solli ligji nr. 9414, datë 20.5.2005 në krahasim me parashikimin e ligjit të vitit 1996 lidhet vetëm me shkallët e vlerësimit të kandidatëve për magjistratë. Sipas nenit 19 të ligjit të vitit 1996 vlerësimi nga Këshilli Pedagogjik bëhej me 4 shkallë, ndërsa në ligjin e vitit 2005 vlerësimi bëhet me 5 shkallë dhe konkretisht:
      a) shkëlqyeshëm;
      b) shumë mirë;
      c) mirë;
      ç) mjaftueshëm;
      d) pamjaftueshëm.
      Të njëjtin formulim të ligjit të vitit 2005 e gjejmë edhe në nenin 268 të ligjit nr. 115/2016.

      39. Në legjislacionin e vitit 1996, por edhe në atë të vitit 2005 e 2014, me përjashtim të parashikimit të datës 30 qershor si datë e përfundimit të vitit akademik, nuk gjendej e parashikuar shprehimisht periudha e fundit të qershorit si periudha tej të cilës nuk mund të bëhej diplomimi i kandidatëve për magjistratë. Neni 34 i ligjit nr. 96 ka vendosur këtë rregull strikt që detyron Shkollën e Magjistraturës të përfundojë procesin mësimor, por edhe Këshilli Pedagogjik të kryejë vlerësimin përfundimtar trevjeçar, brenda fundit të muajit qershor. Arsyeja e këtij parashikimi lidhet me mospasjen e një shkëputje në kohë të magjistratëve nga periudha e diplomimit e deri në emërimin e tyre, ashtu si edhe me respektimin e një afati tjetër që parashikon ligji, për emërimin dhe caktimin në pozicion të magjistratëve të rinj nga këshillat, brenda muajit korrik të çdo viti.

      40. Një tjetër ndryshim që paraqet rregullimi aktual nga rregullimi i mëparshëm ligjor është edhe kompetenca e kufizuar e Këshillit Pedagogjik të Shkollës së Magjistraturës për të mos vlerësuar kandidatët për magjistratë për të tri vitet akademike. Ky është një rregullim që parashikohet shprehimisht në nenin 33 të ligjit nr. 96/2016, por që vlen të përmendet edhe për efektet që sjell në nenin 34. Ndryshe nga rregullimi që bëhet në dispozitat e ligjit aktual, ku vlerësimi për praktikën profesionale gjatë vitit të tretë bëhet vetëm nga magjistratët udhëheqës, sipas legjislacionit të mëparshëm kjo ishte një kompetencë e Këshillit Pedagogjik. Sipas nenit 20 të ligjit të vitit 2005: “Vlerësimi përfundimtar i kandidatëve bëhet nga Këshilli Pedagogjik, në bazë të rezultateve teorike dhe praktike të stazhit”, ndërsa në nenin 33, pika 6 të ligjit nr. 96/2016: “Magjistrati udhëheqës bën vlerësimin etik dhe profesional të secilit kandidat magjistrat, duke u bazuar në kriteret dhe nivelet e vlerësimit, të përcaktuara në këtë ligj.”.

    • Asnjë koment
  • Opinioni i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, nr. 17 (2014) "Mbi vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit".

    Opinioni nr. 4 i CCJE-së, mbi trajnimin e duhur fillestar dhe vazhdues të gjyqtarëve në nivel kombëtar dhe europian.

    Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), “Mbi vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë, dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit”.
    www.csm.it/documents/46647/0/Opinion+No.+17+%282014%29.pdf/f596c4a8-7019-47e1-9b35-14551977b471

    EJTN Handbook on Judicial Training Methodology in Europe (2016), With the support of the European Union, www.ejtn.eu/Documents/EJTN_JTM_Handbook_2016.pdf

    Projektide mbi organizimin dhe vlerësimin e aktiviteteve të mentorimit gjatë praktikës profesionale në vitin e tretë të trajnimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës”, hartuar nga Euralius, datë 27 shtator 2018.

     

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf;

    Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë,
    reformanedrejtesi.al/sites/default/files/draft_strategjia_versioni_shqip.pdf

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

    Procesverbal datë 24.6.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf

     

  • Kushtetuta:

    Ligji:

    Neni 35 i ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    Neni 33, pika 6 i ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    Neni 71 i ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    Neni 268 i ligjit nr. 115, datë 3.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

    Neni 269 i ligjit nr. 115, datë 3.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

    Neni 270 i ligjit nr. 115, datë 3.11.2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

     

  • Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 37, datë 28.2.2019, “Për praktikën profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës.

    www.klgj.al/wp-content/uploads/2019/10/Vendim-Nr.37-dat%C3%AB-28.02.2019-P%C3%8BR-PRAKTIK%C3%8BN-PROFESIONALET%C3%8B-KANDIDAT%C3%8BVE-P%C3%8BR-MAGJISTRAT%C3%8B-T%C3%8B-SHKOLL%C3%8BS-S%C3%8B-MAGJISTRATUR%C3%8BS.pdf

    Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 73, datë 20.2.2020, “Për një ndryshim në vendimin nr. 112, datë 9.7.2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i ndryshuar.

    www.klgj.al/wp-content/uploads/2020/02/Vendim-Nr.73-dat%C3%AB-20.02.2020-P%C3%8BR-NJ%C3%8B-NDRYSHIM-N%C3%8B-VENDIMIN-NR.-112-DAT%C3%8B-09.07.2019-T%C3%8B-K%C3%8BSHILLIT-T%C3%8B-LART%C3%8B-GJYQ%C3%8BSOR.pdf

    Vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nr. 136, datë 12.7.2019, “Për praktikën profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës për periudhën korrik 2019-qershor 2020. www.klp.al/wp-content/uploads/2019/07/Nr.136-Dat%C3%AB-12.07.2019.pdf

    Neni 32, pika 2 i Rregullores së Shkollës së Magjistraturës.

     

     

  • Vendime të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës

    Aneksi 10 “Për vlerësimet e kandidatëve për magjistratë në formimin fillestar”, në Rregulloren e Shkollës së Magjistraturës, ndryshuar me vendimin nr.23, datë 23.10.2017 të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

    Plani mësimor për formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës (viti i parë akademik 2019 – 2020), miratuar nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës me vendimin nr.23, datë 23.10.2017.

     

  • Asnjë koment
  • Neni 14, shkronja “c” i ligjit nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”.

    Neni 19 i ligjit nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë” (ndryshuar me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005).

    Neni 20 i ligjit nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë” (ndryshuar me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005).

    Neni 19 i ligjit nr. 9414,  datë  20.5.2005, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”.

    Neni 19/1 i ligjit nr. 9414,  datë  20.5.2005, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”.

    Neni 20 i ligjit nr. 9414,  datë  20.5.2005, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”.

     

Sokol Sadushi
Sokol Sadushi