"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 36: Emërimi magjistrat i ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve

1Brenda afatit dyjavor, nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët mund të kandidojnë për t’u riemëruar, pas marrjes së ftesës, në përputhje me përcaktimet në pikën 1, të nenit 39, të këtij ligji. Kërkesa për t’u riemëruar si magjistrat duhet të përcaktojë renditjen preferenciale të tre gjykatave ose prokurorive.

2Brenda afatit njëmujor që nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, Këshillat shqyrtojnë kërkesat e paraqitura për emërim dhe emërojnë magjistrat kandidatët që:

apërmbushin kriteret e shkronjave “a”, “b”, “d”, “dh”, “ë” dhe “f”, të nenit 28, të këtij ligji;

bjanë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës dhe kanë ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 5 vjet në 15 vitet e fundit;

cnuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 viteve të fundit përpara kërkesës për riemërim si magjistrat.

3Brenda afatit njëmujor nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, Këshillat refuzojnë të riemërojnë çdo person që nuk plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 2, shkronja “a”, të këtij neni.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i nenit 36 është rekrutimi si magjistratë i personave qëaktualisht janë jashtë sistemit, por më parë kanë ushtruar funksionin e gjyqtarit ose prokurorit, pasi kanë shprehur vullnetin dhe nëse plotësojnë kushtet dhe kriteret sipas ligjit. Ky parashikim synon t’i mundësojësistemit të drejtësisë përfshirjen brenda tij të të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në mirëfunksionimin e tij, veçanërisht magjistratët me përvojë profesionale.

    • 2. Neni 36 bën pjesë në kreun II “Emërimi i magjistratëve”, i cili është përfshirë në pjesën e III “Zhvillimi i Karrierës së Magjistratëve”. Kjo dispozitë vjen menjëherë pas nenit 35, i cili i kushtohet emërimit të kandidatit magjistrat të diplomuar. Ndërsa neni 36 rregullon rekrutimin e ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve, me kërkesë të këtyre të fundit dhe sipas kritereve të parashikuara në ligj.

      3. Neni 36 përbëhet nga 3 pika. Në pikën 1 është parashikuar mundësia e rekrutimit të kategorisë së ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve sipas parashikimeve që vlejnë edhe për caktimin në pozicion të magjistratit të emëruar (neni 39/1). Për këtë qëllim duhet që personat e interesuar të marrin ftesë dhe të paraqesin kërkesë për t’u caktuar në pozicion, duke parashtruar renditjen preferenciale të gjykatave ose prokurorive. Pika 2 vendos detyrimin për këshillat që brenda afatit njëmujor nga publikimi i listës së të diplomuarve të marrin vendim mbi kërkesat e paraqitura nga ish-magjistratët. Gjithashtu, po në këtë pikë parashikohen kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët. Konkretisht, ata duhet të plotësojnë disa nga kushtet e vendosura për pranimin e kandidatëve në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës (të ketë zotësi për të vepruar, të jetë shtetas shqiptar, të jetë i padënuar penalisht, të mos ketë masa disiplinore në fuqi, të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, të mos ketë qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete ose i sigurimit të shtetit para vitit 1990, nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike gjatë 10 viteve të fundit). Përveç këtyre kushteve ndaluese,ata duhet të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, si dhe të kenë ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 5 vjet gjatë 15 viteve të fundit. Në rast se këto kushte dhe kritere nuk përmbushen, atëherë këshilli refuzon emërimin, brenda afatit njëmujor (pika 3).

      4. Ky parashikim i shërben jo vetëm magjistratëve për t’u përfshirë sërish në sistemin e drejtësisë, por gjithashtu i shërben edhe mirëfunksionimit të sistemit të drejtësisë, i cili duhet të jetë përherë i hapur ndaj të gjithë atyre që shprehin dëshirën për të kontribuar në të. Një zgjidhje e tillë e bën sistemin më fleksibël duke nxitur edhe lëvizjet nga brenda jashtë tij dhe anasjellas pa pasur shqetësimin e humbjes së statusit të magjistratit. Kjo dispozitë merr një rëndësi të posaçme, nëse mbahet parasysh dinamika aktuale e largimeve dhe prurjeve të reja në sistem, si pasojë e zbatimit të ligjit nr.84/2016,“Për rivlerësimin kalimtar”, por edhe largimin e magjistratëve për arsye të ndryshme.

    •    1. Subjektet 

       5. Subjekt i kësaj dispozite është ish-magjistrati që paraqet kërkesë për t’u emëruar sërish në funksionin që ka mbajtur më parë. Gjithashtu, subjekt është edhe këshilli përkatës që ka kompetencën të bëjë emërimin ose ta refuzojë kërkesën, nëse kushtet dhe kritere te vendosura nuk përmbushen nga subjekti. Për efekt të qartësisë dhe kuptimit të ligjit, vlen të bëhet një dallim midis subjekteve që prek ky rregullim dhe atyre që përfshihen në rregullimin e nenit 166 të këtij ligji. Të dyja këto nene kanë për subjekt ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë që u jepet mundësia për t’u riemëruar si të tillë. Dallimi midis dy dispozitave është së pari se neni 36 është dispozitë e përhershme,ndërsa neni 166 është dispozitë kalimtare. Si të tillë, qëllimi i secilit prej tyre është të përfshijë dy kategori paksa të ndryshme: neni 36 synon emërimin e atyre ish-magjistratëve që dalin nga sistemi pas hyrjes në fuqi të ligjit, ndërsa neni 166 synoi “të hapë një derë” për ata ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë që kishin dalë nga sistemi para hyrjes në fuqi të ligjit dhe mes tyre kishte edhe persona që nuk ishin diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës. Gjithashtu, neni 166 parashikon një marzh më të relaksuar (vetëm 3 vjet pa kufizim periudhe) sesa neni 36 (të paktën 5 vjet në 15 vitet e fundit). Madje në nenin 166 parashikohet mundësia e emërimit edhe të atyre magjistratëve që nuk kanë përfunduar shkollën e magjistraturës, por kanë ushtruar funksionin e gjyqtarit për 9 vjet në Gjykatë të Lartë, Gjykatë Kushtetuese ose Gjykatë Ndërkombëtare (shih komentin e nenit 166), me qëllim mos lënien e këtyre pak gjyqtarëve të kualifikuar jashtë sistemit të drejtësisë, në rast se një gjë e tillë kërkohej prej tyre dhe kushtet e tjera plotësoheshin. Për këtë arsye, neni 166 kërkonte që këta ish-magjistratë nëse dëshironin të përfshiheshin në sistem duhej të kalonin procesin e rivlerësimit kalimtar, sipas ligjit 84/2016, ashtu si dhe gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë . 
         

           2. Kushtet e përgjithshme dhe të posaçme të emërimit

      6. Siç u përmend edhe më lart, pika 1 e nenit 36 synon të hapë një mundësi për të gjithë ata persona që më parë kanë ushtruar detyrën e gjyqtarit ose të prokurorit, por për arsye të ndryshme, përveç masës disiplinore ose dënimit penal, kanë dalë nga sistemi i drejtësisë. Të interesuarit për t’u emëruar bëjnë kërkesë në këshill brenda dy javëve nga data e publikimit të listës së të diplomuarve. Caktimi i afatit duke iu referuar publikimit të listës së të diplomuarve lidhet me të njëjtin parashikim që ka dhe neni 35, pika 2 e ligjit. Në kërkesë duhet të shprehet edhe preferenca për tre gjykata ose prokurori ku dëshiron të emërohet kërkuesi. Preferenca mund të shprehet jo vetëm në lidhje me vendndodhjen gjeografike të gjykatës apo prokurorisë, por edhe të nivelit ose juridiksionit të tyre (shih komentin e nenit 35). Megjithatë, në marrjen parasysh të preferencave të shprehura duhen zbatuar rregullat përkatëse (shih komentin e nenit 39 dhe 49 të ligjit).

      7. Pika 2 parashikon kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë kjo kategori për t’u emëruar në detyrë, ato i ndajmë në dy grupe: a) kushte të përgjithshme (neni 28) dhe b) kushte të posaçme. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojnë të gjithë magjistratët që të bëhen pjesë e sistemit të drejtësisë janë ato të parashikuara në nenin 28, me përjashtim të pikës “c” dhe “ç” të tij. Këto dy pika lidhen me përfundimin e studimeve të larta sipas pikëve të caktuara nga Shkolla e Magjistraturës (shkronja “c”) si dhe me pasjen e përvojës minimale 3-vjeçare para kandidimit për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës(shkronja “ç”). Arsyeja përse këto kushte nuk vlejnë për kategorinë e subjekteve të nenit 36 është fakti se prezumohet që ata i plotësojnë ato për sa kohë që kriteri minimun i vjetërsisë si magjistrat është 5 vjet (pika 2, shkronja “b”). Kushtet e tjera janë të njëjta për të gjithë magjistratët dhe kanë të bëjnë me elemente të integritetit moral dhe etik (mosqenia i dënuar, moslargimi nga detyra për shkaqe disiplinore, mosqenia bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit para 1990-ës ose agjent i shërbimeve sekrete), si dhe me paanshmërinë politike (mospasja e funksioneve politike në administratën publike ose në parti politike)(Shih komentin e nenit 28).

      8. Ndërsa për sa i takon kushtit të posaçëm, të parashikuar në pikën 2 vlen të theksohet se personat që paraqesin kërkesë për t’u kthyer në sistem jo vetëm duhet të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, por duhet të kenë ushtruar funksionin e gjyqtarit ose të prokurorit të paktën për 5 vjet gjatë një periudhe jo më të largët se 15 vitet e fundit(shkronja “b”). Arsyeja e parashikimit të minimumit të vjetërsisë prej 5 vjetësh si gjyqtar ose prokuror në 15 vitet e fundit lidhet së pari me nevojën për të ripranuar në sistem atë kategori që de facto ka ushtruar funksionin e gjyqtarit/prokurorit dhe jo vetëm të jetë diplomuar si magjistrat nga Shkolla e Magjistraturës dhe nuk është emëruar si i tillë ose nuk e ka ushtruar për një kohë të arsyeshme (të paktën 5 vjet) këtë funksion. E kundërta nuk do të sillte ndonjë vlerë të shtuar në sistem, por do të ngrinte pikëpyetje ose dyshime sa i takon seriozitetit të angazhimit dhe përkushtimit të magjistratit në ushtrimin e detyrës. Së dyti, kohështrirja e përvojës si magjistrat deri në 15 vitet e fundit duket se është një kufizim i arsyeshëm për të mos pasur një shkëputje aq të gjatë sa të humbë lidhja me zhvillimet aktuale në sistemin e drejtësisë dhe kuadrin ligjor në fuqi që duhet të zbatojë magjistrati. Në ushtrimin e funksionit të magjistratit është i rëndësishëm jo vetëm motivimi personal, por edhe ai profesional i cili duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm (nenet 3, 4 lidhur me vlerat themelore në ushtrimin e funksionit të magjistratit dhe neni 5 lidhur me formimin e vazhduar). Pikërisht këto objektiva duket se i përmbush pika 2 e nenit 36 në kriteret e vendosura. 

      9. Lidhur me kushtin për të mosqenë i angazhuar në parti politike apo të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike, ky është tashmë një standard i vendosur për të gjitha funksionet në sistemin e drejtësisë, i cili ka edhe rregullim specifik kushtetues dhe jo vetëm ligjor (shih komentin e nenit 136 të Kushtetutës). Ky kriter megjithëse jo i shtrirë pas në kohë është parashikuar edhe për kandidatë që pranohen në Shkollën e Magjistraturës (neni 28, shkronja “e”).

      10. Pika 3 e këtij neni parashikon kompetencën e këshillit, që brenda një muaji nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, të refuzojë emërimin në rast se nuk plotësohen kriteret e parashikuara në pikën 2, shkronja “a” të këtij neni. Vlen të theksohet se qëllimi i kësaj pike është të detyrojë këshillin që brenda një afati sa më të shpejtë (një muaj) të vlerësojë nëse kërkuesi i plotëson apo jo kushtet e përgjithshme për të qenë magjistrat, pa kaluar te kriteret e tjera të shkronjave “b” dhe “c”, të cilat duhen verifikuar vetëm nëse rezulton se kushtet e përgjithshme të shkronjës “a” janë të plotësuara. Ky rregullim është në funksion të efektivitetit të punës së këshillit për të mos shpenzuar kohë të panevojshme në verifikimin e të gjitha kritereve nëse ato të përgjithshme nuk plotësohen. Në rast se kushtet e shkronjës “a” janë të plotësuara atëherë këshilli verifikon më tej pasjen e përvojës të paktën 5-vjeçare në 15 vitet e fundit dhe të mos pasjes së funksioneve politike në administratë publike apo parti politike gjatë 10 viteve të fundit. Në rast se të gjitha këto kushte e kritere plotësohen nga kandidatët, atëherë këshilli procedon sipas nenit 39.

      11. Në bazë dhe për zbatim të nenit 36 të KLGJ-së ka miratuar vendimin lidhur me përcaktimin e rregullave të hollësishme për: a) Verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë; b) për emërimin dhe ngritjen në detyrë të kandidatëve gjyqtarë; c) për riemërimin e kandidatëve ish-gjyqtarë dhe ç) për emërimin e kandidatëve gjyqtarë dhe jo gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Në përfundim të vlerësimit sipas kësaj procedure, KLGJ-ja vendos emërimin ose refuzimin e kërkesës së subjektit duke dhënë në çdo rast edhe arsyet ku bazohet vendimi .Parashikim i ngjashëm është bërë edhe nga KLP-ja për prokurorët .

    • Çështja e rekrutimit të ish-gjyqtarëve ka qenë parashikuar edhe në ligjin e mëparshëm për pushtetin gjyqësor. Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte të drejtë të emëronte deri në 10% të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve persona, të cilët kanë punuar më parë gjyqtarë dhe përmbushin kriteret për të qenë gjyqtarë, me përjashtim të përfundimit të Shkollës së Magjistraturës . Përveç faktit të mospasjes së detyrimit për t’u diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, ligji nuk vendoste asnjë kriter tjetër kufizues, si kohëzgjatja apo periudha gjatë së cilës kandidati për gjyqtar të kishte ushtruar detyrën më parë. Ligji për statusin, bazuar edhe në parashikimin kushtetues , nuk parashikon asnjë mundësi rekrutimi të gjyqtarëve që nuk kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, përveçse përjashtimit të përcaktuar specifikisht dhe ngushtë në nenin 166, që lidhet me ata që kanë ushtruar funksionin e gjyqtarit të GJK-së, GJL-së ose gjykatë ndërkombëtare (aktualisht vetëm GJEDNJ dhe të tillë janë vetëm 2 gjyqtarë) për një periudhë 9-vjeçare. Duke qenë që neni 166 është dispozitë kalimtare dhe shërbente për një periudhë të kufizuar pas hyrjes në fuqi të ligjit, ajo nuk do të ketë më efekt në të ardhmen. Në këtë kontekst, mundësia e rekrutimit të gjyqtarëve që nuk janë diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës është inekzistente .

    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • www.parlament.al/Files/ProjektLigje/Relacioni-1.pdf, fq.10

  • Ligji për statusin: nenet 28, 35, 39, 49.

  • Vendimi nr. 75, datë 23.5.2019 i Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë, për zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve dhe për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”.

    Vendimi nr.171, datë 27.9.2019 i Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin, emërimin si magjistrat dhe caktimin në pozicion të kandidatëve për prokurorë, si dhe për zhvillimin e karrierës së prokurorëve”.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Sadushi
Sokol Sadushi