"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 37: Betimi

1"Magjistrati, para fillimit të ushtrimit të funksionit, bën betimin si më poshtë: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”. "

2Betimi i magjistratit bëhet me një ceremoni publike.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i nenit 37 është i dyanshëm: së pari ai synon të përcaktojë një moment formal të fillimit të ushtrimit të detyrës nga magjistrati, pas emërimit të tij nga organi kompetent, sipas nenit 35 të ligjit. Është pikërisht momenti i bërjes së betimit në një ceremoni publike që shënon fillimin e mandatit të tij si gjyqtar ose prokuror, duke përmbyllur kështu procesin e emërimit të tij me deklarimin e formulës së betimit. Së dyti, magjistrati i emëruar para se të fillojë të ushtrojë detyrën shfaq edhe një herë publikisht gatishmërinë dhe përkushtimin e tij në kryerjen e saj nëpërmjet përsëritjes së formulës në këtë dispozitë, e cila në vetvete nuk është gjë tjetër veçse mishërimi i detyrimit që ka magjistrati për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, si çdo shërbyes tjetër publik.

       

    • 2. Neni 37 bën pjesë në kreun II “Emërimi i magjistratëve”, i cili është përfshirë në pjesën e III “Zhvillimi i Karrierës së Magjistratëve”. Kjo dispozitë vjen menjëherë pas neneve që parashikojnë procedurën e emërimit të magjistratit të diplomuar (nenet 35 dhe 36) sipas kritereve të parashikuara në këtë ligj. Kjo dispozitë mbyll formalisht procesin e emërimit dhe të fillimit të ushtrimit të detyrës nga magjistrati.

      3. Neni 37 përbëhet nga 2 pika. Në pikën 1 është parashikuar detyrimi i magjistratit për të bërë betimin para fillimit të ushtrimit të detyrës, si dhe formula përkatëse që duhet të thuhet publikisht nga magjistrati. Ndërsa pika 2 përcakton se betimi i magjistratit duhet bërë në një ceremoni publike. Në tërësi mund të thuhet se kjo dispozitë nuk ka ndonjë veçori të ndryshme nga parashikimet e tjera ligjore që lidhen me betimin e funksionarëve publikë para marrjes së detyrës. Thuajse të njëjtën formulë betimi duhet të përsërisin funksionarët për të cilët është parashikuar detyrimi për t’u betuar publikisht, para fillimit të ushtrimit të detyrës.

       

    •              1. Subjektet1. Subjektet

      4. Subjekt i kësaj dispozite është magjistrati, i cili, pasi është emëruar si i tillë, duhet të bëjë betimin publikisht me qëllim fillimin e ushtrimit të detyrës. Në nenin 37 në fakt, nuk parashikohet organi para kujt kryhet betimi, por nëse i referohemi nenit 61, pika 2 të këtij ligji, aty parashikohet se mandati fillon ditën kur bëhet betimi para Presidentit të Republikës. Megjithatë, pika 1 e nenit 61 lidhet me subjekte të përcaktuara, konkretisht: gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm dhe prokurori i prokurorisë së posaçme. Pyetja që lind është: A betohen të gjithë magjistratët para Presidentit të Republikës apo vetëm gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, apo vetëm subjektet e nenit 61, pika 1?Pyetja ngrihet për dy arsye: e para ka të bëjë me faktin se neni 37 nuk parashikon organin para të cilit bëhet betimi i magjistratit. E dyta lidhet me parashikimin e nenit 36, të ligjit nr. 97/2016,“Për prokurorinë” që përcakton se Prokurori i Përgjithshëm para fillimit të detyrës bën betimin para Kuvendit të Shqipërisë. Për të pasur një qëndrim të unifikuar për të gjithë magjistratët, përveç rastit kur rregullimi i ndryshëm bëhet shprehimisht në ligj, bazuar edhe në kuptimin e termit “magjistrat”, që jepet në nenin 2 shkronja “gj” të ligjit për statusin, ku përfshihen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët me përjashtim të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë mund të thuhet se të gjithë magjistratët duhet ta bëjnë betimin para Presidentit, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm, që e bën betimin para Kuvendit. Arsyeja e përjashtimit të këtij të fundit qëndron në faktin se, ndryshe nga gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë, ai zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e KLP-së dhe është e natyrshme që betimi të bëhet para organit të emërimit .


                  2.Karakteri formal i betimit dhe rëndësia e tij

      5. Betimi i një funksionari publik është një akt formal, i cili ka elemente që përcaktojnë formalitetin e tij: a) bërja e tij në një ceremoni publike dhe b) zhvillimi i tij pasi ka përfunduar procesi i emërimit/zgjedhjes. Betimi është akti i fundit formal që përmbyll procesin e marrjes dhe fillimit të ushtrimit të mandatit kushtetues. Kryerja e këtij detyrimi solemn është parashikuar thuajse për të gjitha funksionet kushtetuese, me qëllim deklarimin e marrjes përsipër dhe zbatimit të të gjitha përgjegjësive që lidhen me ushtrimin e detyrës . Betimi, si akt formal që shënon fillimin e ushtrimit të detyrës, nuk ka për qëllim të certifikojë ligjshmërinë e emërimit apo të zgjedhjes, pasi ky proces i është lënë organeve kompetente të ngarkuara me këtë detyrë. Dallimi midis marrjes/fitimit të mandatit dhe fillimit të ushtrimit të tij është trajtuar edhe nga GJK-ja në jurisprudencën e saj, e cila ka theksuar se:“Betimi është një akt që shërben për të deklaruar vullnetin, gatishmërinë, bindjen dhe vendosmërinë e mëtejshme të deputetit të mandatuar për të ushtruar funksionin e përfaqësuesit në Kuvendin e ri, në përputhje me rregullat e parashikuara për këtë qëllim. Betimi nuk është kusht për të bërë të vlefshëm mandatin e deputetit, pasi këtë e ka bërë komisioni zgjedhor, i cili e ka shpallur atë fitues nga votat e marra prej zgjedhësve. Ky parashikim është bërë edhe për raste të tjera të fillimit të detyrës si p.sh. nga Presidenti i Republikës, gjyqtarët etj.” . Pra, nisur nga formulimi kushtetues dhe interpretimi i GJK-së, akti formal i betimit është momenti nga i cili fillon ushtrimi i mandatit, i cili nuk fitohet nëpërmjet betimit, por nga procesi i zgjedhjes ose emërimit nga organi i emërtesës, konkretisht nga emërimi i magjistratit nga KLGJ-ja. 

      6. Pavarësisht karakterit formal, betimi sjell pasoja ligjore për magjistratin. Nëpërmjet thënies së formulës së betimit para një organi tjetër publik dhe solemnisht ai deklaron se angazhohet për të ushtruar detyrën e tij në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore. Kjo nënkupton se magjistrati është i detyruar të betohet para se të fillojë ushtrimin e mandatit dhe organi i ngarkuar nga kushtetuta për të pranuar betimin nuk ka të drejtë ta refuzojë atë, pasi betimi obligon magjistratin të zotohet para publikut se do t’i shërbejë interesit të tij sipas ligjit .Rrjedhimisht, organi publik që pranon betimin nuk mund të bëhet pengesë për fillimin e ushtrimit të funksionit publik nga ana e magjistratit, por ai ka detyrimin ta pranojë betimin. Nga ana tjetër, në rast se magjistrati refuzon të bëjë betimin, indirekt refuzon të marrë detyrën, si rrjedhim nuk fillon ushtrimin e saj. Në këtë rast pasoja është humbja e mandatit të fituar si pasojë e emërimit/zgjedhjes. Ky është funksioni kryesor i betimit . 

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Ligji për statusin: neni 61, pika 2.

    Ligji për prokurorinë: neni 36.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Sadushi
Sokol Sadushi