"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 39: Caktimi në pozicion i magjistratit të emëruar

1Brenda muajit qershor të çdo viti, pas përfundimit të procedurave të transferimit paralel dhe ngritjes në detyrë, secili Këshill shpall vendet e lira për të emëruarit.

2Brenda muajit korrik të çdo viti, secili Këshill publikon vendimet e tij për caktimin e të emëruarve në pozicionet e lira për magjistrat.

3Caktimi në pozicion i të emëruarit të sapodiplomuar në Shkollën e Magjistraturës është parësor dhe bazohet në:

arenditjen e tyre në listën e të diplomuarve, sipas nenit 34 të këtij ligji;

bpërmbushjen e preferencave të deklaruara nga të diplomuarit në formimin fillestar, duke e zbatuar, për aq sa është e mundur, në përputhje me shkronjën “a”, pika 3, të këtij neni.

4Pas caktimit të të emëruarve, sipas përcaktimeve të pikës 3, të këtij neni, caktimi i magjistratëve të riemëruar, sipas nenit 36, të këtij ligji, bazohet:

asë pari në rezultatet e vlerësimit të aftësive profesionale, sipas parashikimeve të nenit 49 të këtij ligji;

bsë dyti, në rastin kur ka barazi në aftësitë profesionale, mbizotëron kriteri i përvojës profesionale, duke iu referuar viteve të përvojës në sistemin gjyqësor ose prokurorisë;

csë treti, duke përmbushur preferencat e deklaruara nga magjistratët, në respektim të përcaktimeve të bëra në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, për aq sa gjejnë zbatim.

5I emëruari që caktohet në pozicion në gjykatat administrative, duhet të ketë përvojë pune në të paktën një vit e gjysmë në administratën publike ose të ketë rezultate “shumë të mira” në lëndët e së drejtës administrative në Shkollën e Magjistraturës.

Përmbajtja

    • 1. Neni 39 synon caktimin e magjistratëve të emëruar në pozicionet përkatëse sipas meritës bazuar në arritjet e tyre profesionale, si edhe në nevojat dhe mundësitë objektive që ofron sistemi i drejtësisë. Rregullimi i qartë dhe i shoqëruar me afate strikte, si dhe renditja e kritereve ligjore që duhet të përmbushin magjistratët e emëruar për t’u caktuar në pozicion, ka për qëllim të ofrojë një situatë juridike më të plotë dhe transparente lidhur me fillimin e ushtrimit të detyrës së magjistratit. Ky qëllim bëhet i mundur edhe nga parashikimet e neneve të tjera në vijim, 40 dhe 41, si pjesë e kreut III “Caktimi në pozicion”. Afatet e vendosura në këtë dispozitë kanë si qëllim të përbashkët disiplinimin e këshillave për të mos zgjatur ose vonuar fillimin e ushtrimit të detyrës nga ana e magjistratëve, gjë e cila jo vetëm është demotivuese për magjistratët e sapoemëruar,por sjell efekte negative edhe për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në tërësi.

    • 2. Neni 39, i cili i kushtohet fazës së fundit para fillimit të ushtrimit të detyrës nga magjistrati,parashikon qartësisht afatet dhe kriteret që duhen respektuar nga ana e këshillave gjatë procesit të caktimit të magjistratëve të sapoemëruar në pozicionet e tyre të punës. Vlen të theksohet se termi “caktim në pozicion” është një nga risitë e ligjit. Megjithëse vetë neni 2 i ligjit nuk e parashikon te përkufizimet e tij kuptimin e këtij termi, duke iu referuar konceptit që ai parashikon për termin “i emëruar”, i cili nënkupton të diplomuarin nga Shkolla e Magjistraturës dhe të emëruarin si magjistrat nga këshillat, por nuk është caktuar ende në pozicion , rezulton se caktimi në pozicion vjen përjashtimisht vetëm pas diplomimit dhe emërimit, duke vendosur çdo magjistrat në një gjykatë apo prokurori të caktuar ku do të ushtrojë detyrën. Ndryshe nga legjislacioni i mëparshëm që bashkë me emërimin caktohej edhe pozicioni, kjo dispozitë qartësisht parashikon më vete kriteret dhe afatet e caktimit në pozicion, pasi ka përfunduar procesi i diplomimit dhe emërimit të magjistratëve, duke përmbyllur kështu të gjithë procesin që ndiqet për emërimin fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

      3. Kjo dispozitë është e para e kreut III “Caktimi në pozicion”, pjesa III, “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve”. Ajo vjen natyrshëm pas neneve që parashikojnë diplomimin e magjistratëve, si fazë fillestare e karrierës së tyre (nenet 28-34) dhe dispozitave që parashikojnë emërimin e magjistratëve, si fazë e dytë e karrierës (nenet 35-38). Pas përfundimit të këtyre dy fazave, magjistrati duhet të presë vendimin e këshillave të cilët përcaktojnë konkretisht se në cilën gjykatë ose prokurori do të ushtrojë detyrën magjistrati i emëruar (nenet 39-41).

      4. Struktura e nenit 39 përbëhet nga 5 pika. Pika 1 dhe pika 2 parashikojnë periudhën kohore të vitit në të cilën këshillat shpallin vendet e lira për magjistratët e emëruar (pika 1) dhe vendimet për caktimin e të emëruarve në pozicion (pika 2). Për të parën afati fundor është fundi i muajit qershor, ndërsa për të dytën fundi i muajit korrik.

      5. Pika 3 përcakton dy kriteret bazë mbi të cilat mbështetet caktimi në pozicion, konkretisht, renditja e magjistratëve në listën e të diplomuarve nga Shkolla e Magjistraturës (shkronja “a”) dhe preferencat e shprehura të magjistratit (shkronja “b”).

      6. Pika 4 parashikon kriteret për caktimin në pozicion të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve sipas nenit 36. Në këtë pikë, renditja e bërë në listën e të diplomuarve zëvendësohet me vlerësimin profesional dhe vjetërsinë në detyrë.

      7. Ndërsa pika 5 i kushtohet magjistratëve që caktohen në gjykatat administrative, për të cilët zbatohet një kriter shtesë, përveç atyre të parashikuara në pikën 3 të këtij neni. Ata duhet të kenë një përvojë pune në administratë publike ose të kenë arritur rezultat të lartë në lëndët e së drejtës administrative gjatë formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës.

       

    • 8. Me rregullimin që i është bërë në këtë nen renditjes së të diplomuarve dhe parashikimin e hollësishëm të procedurave konkrete që duhen ndjekur nga këshillat që bëjnë emërimin dhe caktimin në pozicion, neni 39 ofron një siguri për magjistratët se fillimi i ushtrimit të detyrës së tyre garantohet nëpërmjet “objektivitetit, meritokracisë, procesit të rregull ligjor dhe transparencës” . Le të ndalemi te disa aspekte që parashikon kjo normë.

      a)Afati për caktimin në pozicion

      9. Pika 1 dhe 2 parashikojnë afate brenda të cilave këshillat duhet të veprojnë me qëllim caktimin në pozicion të magjistratit. Megjithëse ato i shërbejnë të njëjtit qëllim, midis dy afateve të vendosura ka një dallim në objektin e tyre. Konkretisht, pika 1 i referohet faktit që këshillat, para se të caktojnë në pozicion magjistratët e sapoemëruar, duhet të përfundojnë procesin e transferimit paralel dhe të ngritjes në detyrë. Ky detyrim është vendosur me qëllim që, pas përfundimit të procesit të transferimit paralel dhe ngritjes në detyrë të magjistratëve që plotësojnë kushtet për këtë qëllim, këshillat kanë një pasqyrë reale dhe të plotë për vendet që mbeten në dispozicion për t’u plotësuar nga magjistratët e sapoemëruar. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi, i cili duhet të përfundojë brenda muajit qershor të çdo viti, këshillat shpallin vendet e lira. Vendosja e muajit qershor si afat fundor duhet kuptuar se këshillat mund të procedojnë me transferimet paralele dhe ngritjen në detyrë gjatë gjithë vitit, në varësi të lindjes së nevojës për të plotësuar vendet e lira me anë të transferimit ose ngritjes në detyrë, por brenda qershorit kjo procedurë duhet të ketë përfunduar me qëllim shpalljen e vendeve të lira. Kështu, për transferimet paralele, neni 43 parashikon se këshillat organizojnë procedurën të paktën çdo 3 muaj. Prandaj pika 1 përcakton se maksimalisht brenda qershorit duhet të kenë përfunduar transferimet ose ngritja në detyrë me qëllim që këshillat dhe magjistratët të njihen me vendet e lira për të sapoemëruarit (shih komentin e neneve 43 dhe 47).

      10. Nga ana tjetër, pika 2 e nenit 39 vendos muajin korrik si afat fundor për caktimin në pozicion të magjistratit. Pra, brenda një muaji nga shpallja e vendeve të lira duhet të merret vendimi i caktimit në pozicion të çdo magjistrati të sapoemëruar. Ky afat është i arsyeshëm dhe objektiv duke pasur parasysh se vlerësimet e magjistratit të sapodiplomuar janë marrë në shqyrtim jo vetëm nga lista e përgatitur nga Shkolla e Magjistraturës (SHM) por edhe nga Këshillat gjatë emërimit, sipas nenit 35 të ligjit. Çdo vonesë në këtë proces do të sillte pasoja jo vetëm për magjistratin i cili pret të caktohet sa më parë në pozicion pas emërimit, por edhe për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë që ka nevojë për punën e tyre. Për marrjen e statusit “i diplomuar” ligji kërkon përmbushjen e kritereve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me vlerësimin e kandidatëve për magjistratë në programin e formimit fillestar, për të gjithë komponentët e vitit të parë e të dytë , si edhe të praktikës profesionale të vitit të tretë . Ndërkohë, për emërimin magjistrat, neni 35 kërkon jo vetëm vlerësimin nga Shkolla e Magjistraturës me diplomën e përfundimit të saj, por kalimin edhe të një pragu mbi mesataren e vlerësimit. Në këtë kontekst, këshillat nuk bëjnë vlerësim fillestar të magjistratëve me qëllim caktimin e tyre në pozicion, por vetëm i referohen listës së renditjes nga shkolla dhe preferencave të paraqitura nga të sapodiplomuarit, për aq sa është e mundur.

      b)Përparësia në caktimin në pozicion të magjistratëve

      11. Pika 3 vendos detyrimin për këshillat që ta konsiderojnë si parësor caktimin në pozicion të të emëruarit të sapodiplomuar, gjë e cila shpjegon edhe vendosjen e afateve në pikat 1 dhe 2. Përparësia e këtij procesi ka të bëjë me pritshmërinë e sistemit të drejtësisë për magjistratët e rinj, duke marrë parasysh pozicionet e lira që krijohen vazhdimisht nga lëvizjet e magjistratëve brenda sistemit, por edhe me motivimin e magjistratëve të rinj për të kontribuuar në sistem pas një procesi të gjatë të formimit të tyre për këtë funksion. Por, ky detyrim nuk shprehet vetëm në vendosjen e afateve, por edhe në faktin se caktimi në pozicion i ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve sipas nenit 36 duhet të bëhet vetëm pasi ka përfunduar caktimi në pozicion i të sapodiplomuarve. Kjo radhë preference shprehet edhe në pikën 4 të nenit 39, ku vendoset përparësia në emërim e magjistratëve të rinj pastaj procedohet me caktimin e magjistratëve të riemëruar, pra kategoria e ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve përfshihen edhe ata që nuk janë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, por kanë ushtruar detyrën e gjyqtarit ose prokurorit sipas ligjit të kohës (shih komentin e nenit 36).

      12. Pika 3 dhe 4 parashikojnë gjithashtu edhe kriteret përkatëse mbi bazë të të cilave bëhet caktimi në pozicion përkatësisht i të sapodiplomuarve (pika 3) dhe i të riemëruarve (pika 4). Këto kritere mbajnë parasysh të përbashkëtat dhe dallimet midis këtyre dy kategorive: për të dyja kategoritë është relevante preferenca e tyre e shprehur, e cila merret parasysh aq sa është e mundur dhe në përputhje me kriterin e renditjes profesionale. Dallimi qëndron në vlerësimin profesional, ku për të parët parashikohet renditja në listën e të diplomuarve të përgatitur nga Shkolla (sipas nenit 34, pika 3), ndërsa për të dytët vlen vlerësimi profesional i kryer (sipas nenit 49, pika 4). Në rastin e magjistratëve të riemëruar, kur vlerësimi profesional është i njëjtë për disa persona, vjetërsia në profesion si gjyqtar ose prokuror është vendimtar në renditje me qëllim caktimin në pozicion (pika 4, shkronja “b”).

      13. Në fakt, megjithëse renditja në listën e të diplomuarve dhe preferenca e deklaruar klasifikohen si kritere të ndara në pikën 3 dhe 4 të nenit 39 me qëllim orientimin e këshillave për caktimin në pozicion të magjistratëve, është e nevojshme të theksohet se ato janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Ecuria e magjistratit dhe niveli profesional i arritur në përfundim të studimeve pranë Shkollës së Magjistraturës pasqyrohet te renditja përfundimtare dhe si e tillë ndikon përmbushja e preferencës në përzgjedhjen e tre gjykatave apo prokurorive gjatë periudhës së emërimit. Në këtë kuptim, lista e renditjes së kandidatëve magjistratë të diplomuar sjell efekte të drejtpërdrejta juridike për magjistratin pasi këshilli merr parasysh renditjen preferenciale.

      14. Renditja preferenciale që bëhet nga i diplomuari për tre gjykatat ose prokuroritë ku kërkon të emërohet është e kushtëzuar, pikësëpari,(I) me shprehjen prej tij të interesit nëpërmjet kërkesës që paraqitet brenda afatit dyjavor nga publikimi i listës së të diplomuarve;(II) me vendin që ai ka zënë në listën përfundimtare, si edhe (III) me përmbushjen e kritereve të emërimit në nivelet e vendosura nga normat konkrete ligjore. Është e kuptueshme se shprehja e preferencës për gjykatat apo prokuroritë e renditura prej të emëruarit do të kushtëzohet edhe me mundësitë që paraqiten në sistem lidhur me vendet e lira të shpallura nga këshillat. Pozicioni që ata zënë në listën e renditjes përfundimtare nga Shkolla e Magjistraturës do të shërbejë për të përzgjedhur gjykatat e prokuroritë ndërmjet atyre vendeve që këshillat kanë shpallur të lira. Kjo është një zgjidhje ligjore e arsyeshme që motivon çdo kandidat për magjistrat për të synuar arritjen e rezultateve sa më të larta në programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës (shih për më tepër komentin e nenit 35).

      15. Pika 5 e nenit 39 parashikon edhe një kriter tjetër lidhur me përparësinë në caktimin në pozicion, pavarësisht nëse bëhet fjalë për magjistratin e sapoemëruar apo të riemëruar. Ky kriter ka të bëjë me juridiksionin e gjykatës ku ai kërkon të caktohet. Konkretisht, për t’u caktuar në pozicionin e gjyqtarit të gjykatës administrative, i emëruari duhet të ketë përvojë të paktën një vit e gjysmë në administratën publike, ose të jetë vlerësuar “shumë mirë” në lëndët e së drejtës administrative në Shkollën e Magjistraturës. Pozicionet në administratën publike do të konsiderohen ato që përfshihen në ligjin nr. 90/2012,“Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” .Përvoja prej një viti e gjysmë në administratë i referohet periudhës para pranimit në Shkollë, ndërsa vlerësimi në lëndët e së drejtës administrative lidhet me rezultatet e arritura në shkollë. Ky kriter është në funksion të nevojës për të pasur gjyqtarë të specializuar në çështje të së drejtës administrative për shkak të përvojës jo të gjatë që ka gjykimi administrativ në vend.

    • 16. Rregulla për emërimin e kandidatëve magjistratë të diplomuar gjendeshin të parashikuara në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës të Republikës së Shqipërisë". Megjithatë, në dallim nga parashikimi që bëhej në këtë ligj dhe që bazohej në vendosjen e rregullave të përgjithshme, që përcaktonin vetëm nivelet e vlerësimit profesional të kandidatëve për magjistratë, rregullimi në ligjin nr. 96, datë 6.10.2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“ (ligji nr. 96/2016), është shumë më i plotë. Neni 35 e paraqet shumë më të detajuar procesin që ndiqet për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Renditja e kritereve ligjore që duhet të përmbushen nga të diplomuarit dhe që vlerësohen nga SHM dhe nga disa organe të tjera, si dhe të gjithë hapat proceduralë që ndiqen deri në vendimmarrjen përfundimtare nga këshillat krijojnë një panoramë shumë të qartë të këtij procesi transparent, objektiv dhe meritokratik. Më parë, me emërimin e magjistratit bëhej njëkohësisht edhe caktimi në gjykatën apo prokurorinë ku do të ushtronte detyrën.

      17. Përpara miratimit të ligjit nr. 96/2016, procesi i emërimit të kandidatëve për magjistratë kalonte në dy faza. Me përfundimin e vitit të dytë në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës dhe pas vlerësimit që kryente Këshilli Pedagogjik, bëhej një emërim provizor i kandidatëve për magjistratë. Sipas profileve të zgjedhura kandidatët për magjistratë caktoheshin përkohësisht nga Presidenti i Republikës, me propozimin, përkatësisht, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm , për të kryer stazhin profesional si gjyqtarë dhe prokurorë. Pas përfundimit të stazhit profesional, që përmbyllte edhe vitin e tretë të programit të formimit fillestar, ligji parashikonte “emërimin përfundimtar të tyre në vendet vakante, në përputhje me shkallën e vlerësimit të tyre nga shkolla” .

      18. Me ndryshimet që pësoi legjislacioni, në kuadër të reformës në drejtësi ndryshoi, jo vetëm mënyra e zhvillimit dhe e vlerësimit të praktikës profesionale të vitit të tretë, por edhe procedura e emërimit të kandidatëve për magjistratë. Me ligjin nr. 96/2016 u zëvendësua procedura e emërimit provizor si gjyqtar e prokuror gjatë stazhit profesional të vitit të tretë, me procedurën e caktimit të kandidatëve për magjistratë në pozicionin e ndihmësit ligjor pranë magjistratit. Vetëm pas përfundimit të programit trevjeçar të formimit fillestar, vlerësimit përfundimtar të kandidatëve,në bazë të 5 niveleve që parashikon neni 270 i ligjit nr. 115/2016, si edhe diplomimit e renditjes së tyre në listën përfundimtare, mund të bëhet emërimi si magjistrat i të diplomuarve.

      19. Nga analiza dhe krahasimi që i bëhet rregullimit ligjor aktual me atë të mëparshëm, konstatohet një dallim thelbësor ndërmjet statusit të të diplomuarit nga Shkolla e Magjistraturës, të emëruarit dhe caktimit në pozicion të magjistratit. Ky dallim qëndron si te statusi i ndryshëm që mban kandidati për magjistrat gjatë vitit të tretë,si edhe te mënyra e përfitimit të pagës dhe e të drejtave të tjera. Sipas ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”të vitit 1996 (i shfuqizuar)dhe ndryshimeve të mëvonshme nuk kërkohet diplomimi si kusht për t’u emëruar provizorisht si magjistrat dhe për të filluar ushtrimin e funksionit të gjyqtarit e prokurorit. Arsyeja kryesore qëndron te zgjidhja që bënte ligji, sipas të cilit, pas përfundimit të vitit të dytë dhe ende pa u diplomuar kandidatët për magjistratë emëroheshin provizorisht si magjistratë. Ata e fillonin ushtrimin e funksionit si gjyqtar a prokuror gjatë kohës që kryenin programin fillestar në Shkollën e Magjistraturës dhe paguheshin si magjistratët e sistemit, pa asnjë ndërprerje. Ata vijonin ta ruanin statusin e gjyqtarit a prokurorit, ashtu si edhe pagën e përfitimet e tjera, edhe pas diplomimit në përfundim të vitit të tretë, pavarësisht mos emërimit përfundimtar . Ky rregullim ligjor me dy lloje emërimesh ndryshoi pas miratimit të ligjit nr. 96/2016.

      20. Periudha pas diplomimit të kandidatëve për magjistratë, që përkon me fundin e muajit qershor të çdo viti dhe që pasohet me procedurën e emërimit si magjistrat mund të rezultojë më e zgjatur në kohë, nisur nga problematika që mund të krijohen nga shpallja e vendeve të lira në sistem. Sidoqoftë, legjislacioni i mëparshëm dhe ai aktual krijojnë hapësirat e mundshme që, në mungesë të vendeve të lira, kandidatit për gjyqtar a prokuror t’i jepet mundësia për t’u sistemuar në një pozicion tjetër brenda sistemit të drejtësisë (shih komentin e nenit 40). Sipas nenit 20 të ligjit të vitit 1996, “Kandidati për gjyqtar në raste të tilla, me pëlqimin e tij, mund të vendoset në detyrën e ndihmës gjyqtarit ose në administratën gjyqësore, deri në krijimin e vendit vakant”. Me ndryshimet që ju bënë kësaj dispozite me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005, “Kandidati për gjyqtar ose prokuror, në mungesë të vendeve të lira, me pëlqimin e tij, mund të punojë në administratën gjyqësore, në atë të prokurorisë, në Ministrinë e Drejtësisë ose si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në hapjen e vendit për gjyqtar ose prokuror.” Konkretisht, sipas nenit 40, pika 1 të ligjit 96, në rast se nuk arrihet të bëhej caktimi në pozicion brenda muajit korrik të çdo viti për arsye se “numri i kërkesave për t’u caktuar në pozicion është më i madh se numri i vendeve të lira për magjistrat, Këshillat e caktojnë të emëruarin në një pozicion të komanduar në një institucion”.

    • Asnjë koment
  • Opinioni i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, nr. 17 (2014) "Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit".

    Opinioni nr. 4 i CCJE-së, mbi trajnimin e duhur fillestar dhe vazhdues të gjyqtarëve në nivel kombëtar dhe evropian.

    Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), “Mbi vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë, dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit”.
    www.csm.it/documents/46647/0/Opinion+No.+17+%282014%29.pdf/f596c4a8-7019-47e1-9b35-14551977b471

     

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf;

    Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë,
    reformanedrejtesi.al/sites/default/files/draft_strategjia_versioni_shqip.pdf

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

    Procesverbal datë 24.6.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf

  •  Kushtetuta:

    Neni 147/a, 149/a.

    Ligji për Statusin:

    nenet 34, 35, 36, 43, 49.

     

  • Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 25, datë 14.1.2020, “Për shpalljen e pozicioneve të lira për gjyqtarët e emëruar më datë 9.1.2020
    klgj.al/wp-content/uploads/2020/02/Vendim-Nr.25-dat%C3%AB-14.01.2020-Per-shpalljen-e-pozicioneve-t%C3%AB-lira-p%C3%ABr-t%C3%AB-em%C3%ABruarit-n%C3%AB-Janar-2020.pdf

    Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 122, datë 5.3.2020, “Për fillimin e procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të rekrutimit si gjyqtar të kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar, që pritet të diplomohen në vitin akademik 2019-2020”,
    klp.al/category/vendime-akte-administrative/

    Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 52, datë 29.1.2020, “Përcaktimin në pozicion të gjyqtarit të emëruar H.B”.
    klgj.al/wp-content/uploads/2020/01/Vendim-Nr.52-dat%C3%AB-29.02.2020-P%C3%ABr-caktim-n%C3%AB-pozicion-t%C3%AB-gjyqtarit-Hazbi-Balliu-1.pdf

    Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 56, datë 29.1.2020, “Përcaktimin në pozicion të gjyqtarit të emëruar Xh.L”
    /klgj.al/wp-content/uploads/2020/01/Vendim-Nr.56-dat%C3%AB-29.01.2020-P%C3%ABr-caktim-n%C3%AB-pozicion-t%C3%AB-gjyqtarit-Xhevdet-Lika-1.pdf

    Vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, 38-11.2.2020, “Për emërimin si prokuror dhe caktimin në detyrë të z.Florian Boriçi,
    klp.al/wp-content/uploads/2020/02/Vendim-nr-38-11.02.2020.pdf

    Rregullore e Shkollës së Magjistraturës, Aneksi 10 “Për vlerësimet e kandidatëve për magjistratë në formimin fillestar”, të Rregullores së Shkollës së Magjistraturës.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Ligji nr. 8136, datë 31.7.1996,“Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”: nenet 14, shkronja “c”; 19, 20.

     

Sokol Sadushi
Sokol Sadushi