"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 41: Të drejtat dhe detyrimet e të emëruarit

1I emëruari duhet të pranojë pozicionin e ofruar në përputhje me nenet 39 dhe 40, të këtij ligji, duke përfshirë:

apozicionin që nuk është deklaruar në preferencat e tij;

bpozicionin e komanduar.

2I emëruari ka të drejtë të ankimojë vendimin për caktimin në pozicion. Ankimi nuk pezullon zbatimin e vendimit. Gjykata kompetente merr vendimin brenda dy javëve nga dita e ankimit. Vendimi i gjykatës kompetente është i formës së prerë.

3Vendimi i Këshillit për caktimin e të emëruarit në pozicion, në përputhje me këtë nen, merr formë të prerë kur:

anuk është depozituar ankim brenda afateve të ankimit;

bështë depozituar ankim sipas afateve dhe gjykata ka vendosur pushimin e çështjes ose rrëzimin e ankimit;

cështë depozituar ankim sipas afateve dhe mbi bazën e tij është dhënë vendim gjyqësor i formës së prerë.

4Në rastet kur gjykata pranon ankimin dhe shfuqizon vendimin e Këshillit, ky i fundit, brenda dy javëve nga njoftimi i vendimit gjyqësor, rishikon vendimin e caktimit në pozicion të të emëruarit, në masën e nevojshme për zbatimin e vendimmarrjes së gjykatës.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i nenit 41 është të garantojë zhvillimin e procedurës së caktimi në pozicion të magjistratit bazuar në meritën dhe aftësinë e tij dhe në respektim të një procesi të rregullt ligjor. Kjo garanci synohet të ofrohet në disa drejtime: nga njëra anë parashikohet e drejtae ankimit të magjistratit ndaj vendimit të këshillit për caktimin në pozicion dhe detyrimi që ka këshilli për të rishikuar vendimin e tij në rast se ankimi ka sukses.
      Nga ana tjetër, neni 41 parashikon detyrimin e magjistratit për të pranuar vendimin e caktimit në pozicion pavarësisht nëse ai përputhet apo jo me preferencat e tij apo nëse është pozicion i përkohshëm i komanduar.
      Pra, në mënyrë të përmbledhur, neni 41 synon ofrimin e mekanizmave konkretë dhe efektivë për të garantuar plotësimin e pozicioneve të lira në gjykata ose prokurori nga këshillat si detyrim kryesor i tyre, si dhe respektimin e së drejtëssë magjistratit për të ushtruar ankim ndaj caktimit në një pozicion me të cilin nuk pajtohet.

    •   1. Subjektet

      2. Neni 41 i drejtohet së pari magjistratit të sapoemëruar, gjë e cila transmetohet që në titullin e kësaj norme. Magjistrati i emëruar sipas kësaj dispozite ka të drejta dhe detyrime, të cilat realizohen në bashkëveprim me veprimet e këshillave. Konkretisht, magjistrati ka detyrimin të pranojë vendimin e këshillit për caktimin në pozicion, pavarësisht se pozicioni nuk bën pjesë mes  preferencave të magjistratit apo nëse ai caktohet në një pozicion të komanduar. Përkundrejt këtij detyrimi, magjistrati ka të drejtë të ushtrojë ankim nëse mendon se vendimi i këshillit nuk respekton kriteret dhe kushtet e nenit 39 dhe 40. Në rast se ankimi ka sukses, këshilli është i detyruar të rishqyrtojë rastin dhe të dalë me një vendim tjetër të caktimit në pozicion. Në të kundërt, magjistrati pranon pozicionin e caktuar në vendimin e këshillit.

      3. Gjithashtu, kjo dispozitë, megjithëse në titull i referohet të drejtave dhe detyrimit që ka magjistrati kundrejt vendimit të këshillave për caktimin në pozicion, ajo i kundrejtohet edhe këshillave, të cilët duhet të vlerësojnë në çdo rast të caktimit në pozicion të magjistratit kushtet dhe kriteret e nenit 39 dhe 40 dhe më pas të dalin me një vendim, i cili të mishërojë vlerësimin objektiv dhe të bazuar në merita të magjistratit në raport me pozicionin ku ai caktohet. Këshillat, nga ana tjetër, kanë detyrimin që nëse ankimi i magjistratit ndaj vendimit të tyre është i suksesshëm, të rishikojnë vendimin e tyre brenda 2 javëve nga vendimi i gjykatës, me qëllim caktimin në pozicion të magjistratit pa vonesa të mëtejshme.


         2. Struktura

      4. Neni 41është një dispozitëpjesërisht referuese, pasi evokon procesin e zhvilluar sipas neneve 39 dhe 40 të ligjit, rezultati i të cilave është i detyrueshëm si për këshillat ashtu edhe për magjistratin. Përveç këtij aspekti, neni 41 pjesërisht rregullon edhe disa aspekte procedurale që rrjedhin nga vendimmarrja mbi caktimin në pozicion të magjistratit.   

      5. Neni 41 bën pjesë në kreun III “Caktimi në pozicion”, pjesa III “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve”, i cili vjen pas neneve që parashikojnë diplomimin e magjistratëve, si fazë fillestare e karrierës së tyre (nenet 28-34) dhe dispozitave që parashikojnë emërimin e magjistratëve, si fazë e dytë e karrierës (35-38). Pas përfundimit të këtyre dy fazave dhe marrjes së vendimit të këshillave për caktimin e magjistratit në pozicion të përhershëm (gjykatë, prokurori) apo të përkohshëm (i komanduar në një institucion të sistemit të drejtësisë)(39-40), ligji parashikon dy mundësi: pranimin e pozicionit ose ankimin ndaj vendimit të caktimit në pozicion.

      6.Neni 41 përbëhet nga 4 pika, të cilat parashikojnë në tërësi aspekte të sjelljes së magjistratit dhe të këshillave në raport me caktimin në pozicion si fazë përfundimtare e fillimit të ushtrimit të detyrës prej tij. Konkretisht, pika 1 parashikon detyrimin e magjistratit për të pranuar çdo pozicion të caktuar nga këshilli, edhe në rast se ai: a) nuk është një nga preferencat e shprehura prej tij dhe b) është pozicion i komanduar. 

      7. Pika 2 parashikon afate procedurale dhe efektet juridike të ankimit dhe të vendimit gjyqësor. Ato janë: a) afati 5-ditor i ankimit ndaj vendimit të këshillit dhe b) afati 2-javor brenda të cilit gjykata duhet të marrë vendim lidhur me ankimin. Ndërsa sa i takon efekteve juridike, kjo pikë parashikon se (I) ankimi nuk pezullon zbatimin e vendimit të këshillit dhe se (II) vendimi i gjykatës lidhur me ankimin është i formës së prerë. 

      8. Më tej, pika 3 përcakton rrethanat në të cilat vendimi i këshillit merr formë të prerë. Sipas kësaj pike, këto rrethana janë, kur: a) nuk është depozituar ankim brenda afateve të ankimit; b) është depozituar ankim sipas afateve dhe gjykata ka vendosur pushimin e çështjes ose rrëzimin e ankimit; c) është depozituar ankim sipas afateve dhe mbi bazën e tij është dhënë vendim gjyqësor i formës së prerë. Në rast se një nga këto rrethana vërtetohet, atëherë vendimi i këshillit konsiderohet i formës së prerë. Ligjvënësi ka preferuar të parashikojë shprehimisht rastet kur një vendim merr formë të prerë, megjithëse kushtet kur vendimi gjyqësor merr formë të prerë janë të parashikuara në KPC .

      9. Ndërsa pika 4 vendos një tjetër afat procedural, tashmë për këshillin, të cilët në rast se gjykata pranon ankimin dhe shfuqizon vendimin e tij, këshilli brenda dy javëve nga njoftimi i vendimit gjyqësor, rishikon vendimin e caktimit në pozicion të të emëruarit, në masën e nevojshme për zbatimin e vendimmarrjes së gjykatës. Kjo pikë detyron këshillin të veprojë brenda një afati të shkurtër dhe për aq sa përcakton gjykata me qëllim caktimin në pozicion të magjistratit pa vonesa të mëtejshme (shih më poshtë).

    • 10. Ashtu siç është trajtuar edhe në komentet e neneve 39 dhe 40 të ligjit, qëllimi i kreut III është parashikimi i rregullave të detajuara për fazën e fundit të procesit që lidhet me ushtrimin e detyrës së magjistratit. Ky proces jo vetëm duhet të jetë i bazuar në kushte dhe kritere që nxjerrin në pah meritokracinë dhe aftësinë profesionale të magjistratëve, por duhet të jetë i parashikueshëm dhe i qartë për çdo magjistrat të sapoemëruar në respektim të procesit të rregullt ligjor. Pjesë e pandarë e këtij procesi janë edhe të drejtat procedurale dhe afatet brenda të cilave magjistrati mund t’i ushtrojë ato. Në këtë kontekst, neni 41 trajton disa çështje:

      a) “Detyrimi për të pranuar caktimin në pozicion” kundrejt “të drejtës për t’u ankuar ndaj vendimit”

      11. Ashtu siç vihet re që në titull, e konkretizuar më tej në përmbajtjen e nenit 41,ligji e vendos magjistratin njëherazi para detyrimit (pika 1) dhe të drejtës (pika 2) në raport me vendimin për caktimin në pozicion. Detyrimi shtrihet ndaj caktimit në pozicion (neni 39) ose caktimit të përkohshëm në pozicion të komanduar (neni 40), pavarësisht faktit nëse është në pajtim me preferencat e magjistratit. Ky rregullim është një zgjidhje për të mos lënë pa caktuar në detyrë magjistratët e sapoemëruar, duke iu krijuar atyre mundësi që të angazhohen brenda sistemit të drejtësisë deri në krijimin e vendeve të lira në gjykata ose prokurori. Pyetja lind: Nëse pika 1 detyron magjistratin për të mos refuzuar caktimin në një pozicion për të cilin ai nuk ka shprehur preferencë apo në një pozicion të komanduar përkohësisht, atëherë përse pika 2 parashikon të drejtën e ankimit ndaj vendimit të këshillit? A mund të ketë rrethana të tjera të cilat mund të përbëjnë shkak për ankim ndaj vendimit të këshillit për caktimin në pozicion?

      12. Parimisht, e drejta e ankimit ndaj vendimit të një organi administrativ është një e drejtë e njohur nga kuadri ynë kushtetues dhe ligjor. Çdo akt i administratës publike duhet t’i nënshtrohet rishikimit nga një instancë gjyqësore. Kjo dispozitë është tërësisht në përputhje me parimin e kontrollit gjyqësor të gjithë veprimtarisë së organeve të pushtetit publik me qëllim moscenimin e të drejtave themelore të individit . Duke qenë se vendimi i këshillit për caktimin në pozicion është akti me të cilin magjistrati fillon ushtrimin e funksionit të tij si gjyqtar ose prokuror, ai merr një rëndësi të madhe për karrierën e tij të mëtejshme. Mosrespektimi nga ana e këshillit të kushteve, kritereve dhe procedurës për caktimin në pozicion të magjistratit sjell pasoja jo vetëm për karrierën e tij por edhe për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, sipas parimeve mbi të cilat bazohet ligji për statusin e magjistratëve .

      13. Për këtë arsye, e drejta e ankimit i njihet magjistratit pa u kufizuar në rrethin e çështjeve apo aspekteve ku ajo bazohet. Nëse do të bënim një renditje të shkaqeve për të cilat magjistrati mund të bëjë ankim kundër vendimit të këshillit për caktimin e tij në pozicion, nisur nga përmbajtja e neneve 39 dhe 40 të ligjit,ato mund të jenë të tilla që lidhen me përzgjedhjen e gjykatës, prokurorisë apo institucionit ku komandohet magjistrati, proces i cili nuk është bërë në përputhje me procedurën, kushtet e kriteret e parashikuara në nenet 39 dhe 40. Të tilla mund të jenë: caktimi në pozicion i magjistratëve të riemëruar (neni 36) para se të caktohen magjistratët e sapoemëruar (neni 39, pika 4); caktimi në një gjykatë ose prokurori preferenciale i një magjistrati të renditur më ulët në vlerësim; caktimi në një pozicion të komanduar jo në përputhje me vlerësimin dhe preferencën e magjistratit (neni 40); caktimi në pozicion të komanduar ndërkohë që krijohet një vend i lirë në një gjykatë ose prokurori gjatë ose pas marrjes së vendimit të këshillit etj.

      b) Shqyrtimi nga gjykata kompetente

      14. Pika 2 parashikon që gjykata kompetente vendos brenda 2 javëve nga paraqitja e ankimit. Pyetjes se cila është gjykatë kompetente që do të shqyrtojë ankimin mund t’i përgjigjemi duke iu referuar ligjit nr.115/2016,“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Sipas shkronjës “a” të paragrafit 1 të nenit 97, KLGJ-ja nxjerr akte administrative individuale për çështje që lidhen me statusin profesional të gjyqtarëve ose zyrtarëve të veçantë të administratës gjyqësore. Duke parë më në detaje nenet 86, 89 dhe 90 të ligjit nr.115/2016 rezulton se çështjet për të cilat KLGJ-ja autorizohet të nxjerrë akte administrative individuale janë ato që lidhen specifikisht me: emërimin; caktimin në pozicion, transferimin; ngritjen në detyrë; komandimin dhe riemërimin; vlerësimin e veprimtarisë etike dhe profesionale; vendosjen e masave disiplinore dhe pezullimin (neni 86); vendimet për kërkesat e gjyqtarëve për trajnimin vazhdues (neni 88 “ç”); vendimet për kërkesat lidhur me aktivitetet jashtë kohës së punës si dhe lejet vjetore ose lejet e posaçme (ligji nr.96/2016 “Për statusin”); emërimin e kancelarit dhe ndihmësit ligjor të gjykatës; marrjen e masave disiplinore ndaj kancelarit dhe ndihmësve (neni 90, pika 1, shkronja “c” e ligjit nr.115/2016) e të tjera aspekte të parashikuara nga këto dy ligje ose edhe ligje të tjera për aq sa lidhet me funksionin e KLGJ-së, sipas parashikimeve të Kushtetutës (shih nenin 97 të ligjit nr.115/2016).

      15. Më tej, neni 100 i ligjit nr. 115/2016 ka parashikuar mundësinë e rishikimit gjyqësor të këtyre akteve, me qëllim riparimin e një mangësie të mundshme materiale ose procedurale në rrugë gjyqësore, kur subjekti i aktit pretendon se ai është në kundërshtim me ligjin ose kushtetutën. Ajo që bie në sy është se fjalia e parë e pikës 1 të këtij neni, ka parashikuar si organ kompetent për kundërshtimin e të gjitha akteve të përmendura më sipër Gjykatën Administrative të Apelit. Përjashtimi i vetëm është rasti kur aktet individuale kanë të bëjnë me vendosjen e masave disiplinore vetëm ndaj gjyqtarëve, të cilat kundërshtohen në GJK .

      16. Nisur nga sa më sipër, gjykata kompetente sipas nenit 41 të ligjit nr.96/2016 është Gjykata Administrative e Apelit, e cila gjykon si shkallë e parë dhe e fundit, duke qenë që vendimi i saj është i formës së prerë.Ky parashikim është në pajtim me kërkesat e procesit të rregullt ligjor, pasi e drejta e ankimit nuk presupozon se duhet të ketë disa shkallë ankimi, mjafton të paktën një instancë gjyqësore për të garantuar kontrollin gjyqësor të akteve të pushtetit publik .

      c) Efektiviteti i ankimit

      17. E drejta thelbësore që parashikon neni 41 për magjistratin e sapoemëruar është ankimi gjyqësor ndaj vendimit të caktimit në pozicion. Për këtë arsye, ligjvënësi ka parashikuar mekanizmat e nevojshëm me qëllim që e drejta e ankimit të jetë efektive jo vetëm për t’i garantuar magjistratit një të drejtë kushtetuese, por edhe për të shmangur çdo shkak që mund të çojë në plotësimin e vendeve vakante në sistemin e drejtësisë dhe fillimin sa më parë të punës nga magjistrati. Në këtë kontekst, neni 41 parashikon:a) afate konkrete dhe të arsyeshme të cilët duhet të respektohen nga magjistrati, gjykata dhe këshilli, b) mospezullimin e zbatimit të vendimit të këshillit (pika 2, fjalia 2), c)formën e prerë të vendimmarrjes së gjykatës (pika 2) dhe të këshillit (pika 3) si dhe ç) mënyrën e veprimit të këshillit në rast të pranimit të ankimit nga gjykata (pika 4).

      18. Më konkretisht, lidhur me afatet neni 41 parashikon: (I) 5 ditë për paraqitjen e ankimit nga magjistrati (pika 2, fjalia 1); (II) 2 javë për shqyrtimin e ankimit nga gjykata(pika 2, fjalia 3) dhe (III) 2 javë për rishqyrtimin e çështjes nga këshilli në rast se ankimi pranohet (pika 4). Afati 5-ditor për paraqitjen e ankimit ndaj vendimit të këshillit për caktimin në pozicion sipas nenit 39 dhe 40 mungonte në variantin e parë të ligjit nr.96/2016 dhe u shtua me ligjin nr. 48/2019, i cili e plotësoi dhe e ndryshoi atë si pasojë e vendimmarrjes së GJK-së, që shfuqizoi disa dispozita të ligjit nr.96/2016 . Afatet e njëjta të vendosura si për shqyrtimin gjyqësor ashtu edhe për rishikimin e vendimit nga këshilli kur ankimi pranohet nga gjykata premtojnë për një proces të shpejtë dhe të efektshëm. Ky afat fillon nga data e njoftimit të vendimit të gjykatës (pika 4).

      19. Përveç afateve, siç u tha më lart, ligji ka parashikuar dhe mospezullimin e vendimit të këshillit pavarësisht paraqitjes së ankimit (pika 2, fjalia 2). Si rregull, paraqitja e ankimit gjyqësor passjell pezullimin e ekzekutimit . Megjithatë, ligji mund të parashikojë rastet kur akti administrativ fillon të ekzekutohet kur ankimi nuk ka efekt pezullues . Duke qenë që afatet e ankimit dhe të shqyrtimit gjyqësor janë mjaft të shkurtra, mospezullimi i vendimit të këshillit nuk mendohet të sjellë ndonjë pasojë të rëndë apo të pariparueshme për interesin publik ose për magjistratin.

      20. Mekanizmi i tretë që parashikon neni 41 në funksion të efektivitetit të ankimit është dhënia formë të prerë vendimit të gjykatës (pika 2, fjalia 4) dhe vendimit të këshillit (pika 3). Në rastin e parë ligjvënësi ka njohur të drejtën e ankimit vetëm në një instancë gjyqësore (shih më lart te nënndarja “b”), ndërsa në rastin e dytë, forma e prerë lidhet me: (I) mosushtrimin e ankimit; (II) pushimin ose rrëzimin e ankimit nga gjykata dhe (III) shqyrtimin e ankimit dhe dhënien e një vendimi të formës së prerë nga gjykata. Në rast se ndodhemi para këtyre kushteve, vendimi i këshillit është i ekzekutueshëm.

      21. Së fundmi, neni 41 parashikon edhe rastin kur ankimi i magjistratit pranohet nga gjykata dhe këshilli duhet të rishikojë vendimin e tij. Referuar pikës 4 të këtij neni, këshilli brenda dy javëve nga njoftimi i vendimit gjyqësor, rishikon vendimin e caktimit në pozicion në masën e nevojshme për zbatimin e vendimmarrjes së gjykatës. Togfjalëshi që përdor ligjvënësi për të përcaktuar hapësirën rishikuese të këshillit pas vendimmarrjes së gjykatës ka të bëjë me vlerësimin që këshilli duhet të bëjë me qëllim zbatimin e vendimit gjyqësor. Duke u bazuar në pjesën arsyetuese dhe dispozitivin e vendimit të gjykatës, këshilli reflekton duke ndryshuar pjesërisht ose tërësisht vendimin e tij. Kështu p.sh.nëse gjykata ka shfuqizuar pjesën e vendimit të këshillit ku përcaktohet gjykata ose prokuroria ose institucioni tjetër i sistemit të drejtësisë ku caktohet magjistrati, apo gjykata ka gjetur të pabazuar apo të pamjaftueshëm arsyetimin lidhur me mospasjen e vendeve të lira aty ku është shprehur preferenca e magjistratit, këshilli do të rishikojë vendimin e tij në përputhje me këto aspekte. E rëndësishme është që nga vendimi i rishikuar i këshillit të mos vijnë të njëjtat pasoja për magjistratin e emëruar si nga vendimi i kundërshtuar gjyqësisht. Rishikimi i vendimit të këshillit duhet të reflektojë në çdo rast vendimin e gjykatës në tërësinë e saj, përndryshe cenohet thelbi i ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë.

       

    • I njëjtë si te neni 39 dhe 40.

    • Asnjë koment
  • I njëjtë si te neni 39 dhe 40.             

  • Asnjë koment
  • Kushtetuta:

    Neni 147/a, 149/a.

    Ligji për Statusin:

    nenet 39, 40.

    Ligji për Qeverisjen:

    nenet 90, 97, 100.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Sadushi
Sokol Sadushi