"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 42: Parimet e transferimit

  1. “Transferimi” është:
  2. a) lëvizja në mënyrë të përkohshme ose të përhershme nga një pozicion në një gjykatë ose prokurori në një pozicion në një gjykatë ose prokurori tjetër të të njëjtit nivel;
  3. b) caktimi nga një pozicion i komanduar në një pozicion në gjykatë ose në prokurori, i cili është në të njëjtin nivel me pozicionin e mëparshëm;
  4. c) caktimi nga një pozicion i komanduar në një pozicion në gjykatë ose në prokurori të shkallës së parë, nëse magjistrati nuk ka pasur pozicione të mëparshme.
  5. Transferimi bëhet në një pozicion të lirë të përhershëm ose të përkohshëm. Pozicioni është i lirë në mënyrë të përhershme vetëm nëse nuk ka magjistratë me të drejtën për t’u kthyer në atë pozicion. Pozicioni është përkohësisht i lirë kur magjistrati që ka atë pozicion në mënyrë të përhershme, për të paktën 3 muaj, është përkohësisht në pamundësi për të ushtruar funksionin në atë pozicion.
  6. Një pozicion i lirë i përhershëm plotësohet me radhë si më poshtë:
  7. a) nga magjistrati që ka të drejtën për t’u caktuar në një pozicion në nivel apeli;
  8. b) nga magjistrati që transferohet për shkak të papajtueshmërisë ambientale ose për shkak të ndryshimeve në strukturën administrative ose në kompetencën tokësore të gjykatave ose prokurorive;
  9. c) nga magjistrati që transferohet për shkak të lëvizjes paralele;

ç) nga magjistrati që ka të drejtën e ngritjes në detyrë.

  1. Një pozicion i lirë në mënyrë të përkohshme plotësohet nga magjistrati që ka të drejtën për t’u kthyer. Gjatë periudhës, sipas parashikimeve të pikës 2, të këtij neni, pozicioni përkohësisht i lirë plotësohet përkohësisht me radhë si më poshtë:
  2. a) nga magjistrati që ka të drejtën për t’u caktuar në një pozicion në nivel apeli;
  3. b) nga magjistrati që transferohet për shkak të papajtueshmërisë ambientale ose për shkak të ndryshimeve në strukturën administrative ose në kompetencën tokësore të gjykatave ose prokurorive;
  4. c) nga magjistrati që transferohet për shkak të lëvizjes paralele;

ç) nga magjistrati që ka të drejtën e ngritjes në detyrë.

  1. Magjistrati nuk transferohet pa pëlqimin e tij, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
  2. Magjistrati nuk ulet në detyrë pa pëlqimin e tij në një pozicion më të ulët, përveç rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.
  3. Në rastin e transferimit të përkohshëm, magjistrati kthehet në pozicionin e mëparshëm me përfundimin e periudhës së transferimit.
  4. Një gjyqtar nuk lejohet të transferohet në mënyrë të përkohshme ose të përhershme në gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
  5. Në rast të hapjes së pozicioneve të lira në gjykatën e apelit administrativ, procedura e lëvizjeve paralele do të jetë e hapur vetëm për gjyqtarë që kanë punuar për të paktën për pesë vjet në 9 vitet e fundit si gjyqtar në çështjet administrative.

Përmbajtja

    • Qëllimi i nenit 42 është të garantojë se procesi i transferimit të përkohshëm ose të përhershëm të magjistratit, në pozicione të ndryshme brenda të njëjtit nivel ose të barasvlershëm me të, të bëhet jo vetëm sipas nevojave të sistemit të drejtësisë, por edhe në respektim të funksionit të magjistratit. Duke vendosur disa parime bazë, mbi të cilat kryhet transferimi, ligjvënësi synon së pari të disiplinojë këshillat në vendimmarrjen që lidhen me transferimin në pozicione të përhershme ose të përkohshme të magjistratëve sipas rregullave të parashikuara specifikisht dhe procedurave respektive. Së dyti, ai synon të ofrojë siguri, qartësi dhe parashikueshmëri për magjistratin, i cili mund t’i nënshtrohet lëvizjes në pozicion.

    •            1. Subjektet


      2. Neni 42 i kunddrejtohet këshillave, të cilët, kanë përgjegjësinë të vlerësojnë nevojën për lëvizjen e magjistratit, periodikisht ose rast pas rasti, sipas nevojave në gjykata ose prokurori. Pavarësisht se dispozita nuk përmend drejtpërdrejt këshillat, ata janë organet e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji për të transferuar magjistratët, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tyre për administrimin e sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë. Në këtë kuptim, duke qenë se këto nevoja plotësohen jo vetëm me caktimin e magjistratëve të sapoemëruar, por edhe me lëvizje të përkohshme ose të përhershme midis gjykatave të të njëjtit nivel, këshillat kanë detyrimin të kujdesen për respektimin e kushteve dhe parimeve të parashikuara në nenin 42 lidhur me transferimin e magjistratit.  

                  2. Struktura


      4. Ndryshe nga shumica e dispozitave ligjore që synojnë të jenë koncize dhe të shkurtra në formulim, neni 42 është një dispozitë jo tipike, pasi është mjaft e detajuar dhe përbëhet nga një numër  pikash të cilat parashikojnë një përzierje të parimeve bazë me rregulla ndaluese. Secila prej 9 pikave përmban një rregull që në vetvete përbën kusht për të vendosur ose jo transferimin e magjistratit nga ana e këshillit. Dispozita përmban kushte ndaluese dhe lejuese njëkohësisht si dhe kritere të posaçme për gjykata dhe prokurori të juridiksioneve të caktuara.   
      5. Neni 42 është neni i parë që hap kreun IV “Transferimi”, pjesa III “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve”, i cili vjen pas kreut III “Caktimi në pozicion”. Pra, pas caktimit në gjykatën ose prokurorinë apo në një institucion të sistemit të drejtësisë, magjistrati mund të kërkojë të lëvizë në detyrë përkohësisht ose në mënyrë të përhershme, brenda të njëjtit nivel, pas thirrjes së bërë nga këshillat. Këtë proces, parimet dhe rregullat bazë të zhvillimit të tij, ka për objekt neni 42.
      6. Neni 42 përbëhet nga 9 pika, të cilat parashikojnë konceptin e transferimit, kushtet e lejimit e ndalimit të transferimit, kuptimin e pozicionit të lirë ku mund të transferohet magjistrati dhe disa kritere të veçanta për gjykatën administrative dhe gjykatën e posaçme për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rëndësia dhe nevoja për këtë rregullim të detajuar imponohet nga fakti se magjistrati nuk duhet të lëvizet gjatë ushtrimit të detyrës së tij, përveç rasteve specifikisht të përcaktuara. Këtu, bën pjesë edhe transferimi në të gjitha format e tij. Çdo lëvizje tjetër e magjistratit që nuk imponohet nga kushtet e transferimit (përjashto ato të uljes në detyrë në kuadër të procedimit disiplinor), bie ndesh me parimin e palëvizshmërisë nga detyra të magjistratit.
      7. Konkretisht, pika 1 parashikon kuptimin e transferimit, i cili përkufizohet si lëvizje dhe përfshin 3 situata: a) lëvizjen nga një gjykatë/prokurori në një gjykatë/prokurori tjetër të të njëjtit nivel; b) lëvizjen nga një pozicion i komanduar në një gjykatë/prokurori të të njëjtit nivel; c) lëvizjen nga një pozicion i komanduar në një gjykatë/prokurori të shkallës së parë nëse magjistrati nuk ka pasur pozicione të mëparshme. 
      8. Pika 2 parashikon mundësinë e transferimit të magjistratit në një pozicion të lirë, në mënyrë të përkohshme ose të përhershme, duke dhënë njëkohësisht edhe përkufizimin e rasteve dhe dallimet midis tyre. 
      9. Më tej, pika 3 përcakton rrethanat dhe kategoria e magjistratëve që caktohen në një pozicion të lirë të përhershëm, konkretisht: a) nga magjistrati që ka të drejtë të caktohet në nivel apeli; b) nga magjistrati që transferohet për shkak të papajtueshmërisë ambientale ose për shkak të ndryshimeve në strukturën administrative ose kompetencën tokësore të gjykatave ose prokurorive; c) nga magjistrati që transferohet për shkak të lëvizjes paralele; ç) nga magjistrati që ka të drejtën e ngritjes në detyrë. 
      10. Ndërsa pika 4 përcakton se në cilat rrethana dhe nga cilët magjistratë plotësohet një pozicion i lirë i përkohshëm, të cilat janë të njëjtat me ato të parashikuara në pikën 3. Dallimi në pikën 4 qëndron te kohëzgjatja e lëvizjes, e cila është e kufizuar dhe plotësohet nga magjistrati që ka të drejtën për t’u kthyer.
      11. Pika 5 dhe pika 6 parashikojnë dy ndalime lidhur me lëvizjen e magjistratit: a) magjistrati nuk transferohet pa pëlqimin e tij, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj  (pika 5) dhe b) magjistrati nuk ulet në detyrë pa pëlqimin e tij, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj  (pika 6). Të dyja këto së bashku janë parime bazë të karrierës së magjistratit që garantojnë ushtrimin e funksionit të tij në përputhje me statusin kushtetues që gëzon (neni 145, pika 1 e Kushtetutës).
      12. Pika 7 garanton në mënyrë të shprehur kthimin e magjistratit në pozicionin e mëparshëm pas përfundimit të periudhës së transferimit. Pikërisht kjo garanci ligjore e bën skemën e transferimit ose të lëvizjes së përkohshme të funksionojë normalisht duke plotësuar kështu nevojat emergjente të krijuara nga mungesa e përkohshme e gjyqtarëve ose prokurorëve në sistemin e drejtësisë.
      13. Ndërsa pika 8 dhe pika 9 sigurojnë statusin e veçantë që kanë gjykatat e posaçme për krimin e organizuar dhe korrupsionin duke mos lejuar transferimin e gjyqtarëve, përkohësisht ose në mënyrë të përhershme, pranë këtyre gjykatave (pika 8), si dhe kushtin e posaçëm për transferimin e përhershëm pranë gjykatës së apelit administrativ, i cili kërkon që gjyqtari të ketë punuar të paktën 5 vjet nga 9 vitet e fundit si gjyqtar që ka gjykuar konflikte të natyrës  administrative (pika 9).

    • 14. I tërë kreu IV që lidhet me transferimin, prezanton më qartë dhe në mënyrë më të strukturuar se më parë konceptin e transferimit dhe elemente të veçanta të lidhura me të. Këtu do të ndalemi në disa prej çështjeve kryesore që trajton kjo dispozitë:


      a) Transferimi i përhershëm v. Transferimit të përkohshëm 15. Pika 1 e nenit 42 na njeh me përkufizimin e transferimit, i cili duhet kuptuar si një lëvizje, e përkohshme ose përhershme, nga një gjykatë/prokurori/pozicion i komanduar në një gjykatë/prokurori i të njëjtit nivel ose nëse nuk ka pasur pozicion të mëparshëm, në gjykatën/prokurorinë e shkallës së parë. Pra, nga ky përkufizim kuptohet që transferimi mund të jetë i përkohshëm ose i përhershëm dhe brenda të të njëjtit nivel. Lidhur me kohëzgjatjen e lëvizjes, nëse është e përkohshme apo e përhershme, i referohemi më tej pikave 2, 3 dhe 4. Ndërsa për nivelin e gjykatës/prokurorisë/pozicionit të komanduar zbatohen pikat 5 dhe 6 si dhe nenet në vijim (43-48) për aq sa gjejnë zbatim.


      16. Pra, që të vendoset transferimi duhet që të ekzistojë një pozicion i lirë, i cili mund të jetë: (I) i përkohshëm ose (II) i përhershëm. Pika 2 jep kuptimin e pozicionit të lirë të përhershëm, i cili krijohet vetëm në rast se nuk ka magjistratë me të drejtën për t’u kthyer në atë pozicion. Nisur nga ky përcaktim, lëvizja e përhershme e një magjistrati ndodh vetëm nëse vendi është i lirë dhe nuk plotësohet nga magjistrati i cili është i komanduar për një periudhë të caktuar kohe dhe pas përfundimit do të kthehet në pozicionin e tij. Ky lloj transferimi ose lëvizje mban parasysh dhe të drejtën/detyrimin e magjistratit për t’u kthyer në pozicionin e tij pas përfundimit të periudhës së komandimit, pozicion i cili pavarësisht se mund të plotësohet përkohësisht gjatë kohës që ai është i komanduar, mbetet në dispozicion të magjistratit të komanduar (neni 53 dhe 57). Këtu përjashtim bëjnë magjistratët e sapoemëruar, të cilët nuk janë caktuar ende në pozicion (shih nenin 39 dhe 40). Transferimi i përhershëm bëhet në formën e lëvizjes paralele, p.sh. nga gjyqtar i apelit Vlorë në gjyqtar i apelit Durrës (shih nenin 43).


      17. Ndryshe nga transferimi i përhershëm, lëvizja në një pozicion të lirë të përkohshëm krijohet kur magjistrati në atë pozicion është në pamundësi për të ushtruar funksionin përkohësisht, për të paktën 3 muaj. Kjo pamundësi mund të krijohet për disa arsye, të cilat i gjejmë jo në këtë nen, por në nenin 59, pika 2 të ligjit “Caktimi i përkohshëm”. Për të kuptuar më mirë situatat në të cilat krijohet pozicioni i përkohshëm po i përmendim këtu. Ato janë: a) komandimi i magjistratit; b) ngritja në detyrë me mandat të kufizuar; c) leja prindërore ose leja e papaguar dhe ç) arsye të tjera të parashikuara në ligj, të tilla si ndjekja e studimeve apo trajnimeve jashtë vendit. 


      18. Në pikat 3 dhe 4 jepen kategoritë e magjistratëve, sipas radhës, që kanë të drejtë të transferohen në pozicionet e përkohshme dhe të përhershme. Konkretisht, radhën për plotësimin e pozicioneve të përhershme e kanë: a) magjistrati që ka të drejtë të caktohet në nivel apeli; b) magjistrati që transferohet për shkak të papajtueshmërisë ambientale ose për shkak të ndryshimit të strukturës administrative, c) magjistrati që transferohet sipas lëvizjes paralele dhe ç) magjistrati që ka të drejtën e ngritjes në detyrë (pika 3). Edhe pika 4 përcakton të njëjtat kategori të magjistratëve sipas të njëjtës radhë për lëvizjen e përkohshme. Dallimi midis pikës 3 dhe 4 qëndron te parashikimi i përparësisë që ka magjistrati i komanduar për t’u kthyer në pozicionin e lirë të përkohshëm, gjë e cila përbën dallimin thelbësor me pozicionin e lirë të përhershëm.   
      b) Ndalimi i transferimit dhe transferimi “me kusht” 


      19. Neni 42 përveç koncepteve të lëvizjes së përkohshme dhe të përhershme, ka parashikuar edhe dy rregulla kryesore që duhen mbajtur parasysh pavarësisht llojit të transferimit: ndalimin e transferimit dhe transferimin me kusht. Rastet e ndalimit të transferimit janë tre: (I) ndalimi i transferimit pa pëlqim; (II) ndalimi i uljes në detyrë pa pëlqim dhe (III) ndalimi i transferimit te gjykatat e posaçme për veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Ndërsa transferimi me kusht ka të bëjë me lëvizjen paralele në gjykatën e apelit administrativ. 


      20. Së pari, pika 5 ndalon transferimin e çfarëdo kohëzgjatjeje nëse nuk është marrë paraprakisht pëlqimi i magjistratit. Pra, si në rastin e lëvizjes së përkohshme ose të përhershme, magjistrati duhet të shprehë më parë pëlqimin e tij për këtë lëvizje. Megjithatë, ligji ka parashikuar disa raste në të cilat lëvizja e përkohshme ose e përhershme e magjistratit vendoset edhe pa dakordësinë e tij: a) kur transferimi vendoset si masë disiplinore ndaj magjistratit; b) kur pozicioni i magjistratit suprimohet për shkak të ndryshimeve në strukturën administrative ose kompetencën tokësore të gjykatave ose prokurorive; c) për shkak të mungesave të përkohshme të magjistratëve që nuk mund të plotësohen nga magjistratët në skemën e delegimit (shih nenin 44, pika 1) . 


      21. Së dyti, pika 6 parashikon ndalimin e uljes në detyrë pa pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj. Në fakt, duke iu referuar sërish nenit 44 që parashikon transferimin pa pëlqim, të njëjtat situata mund të jenë të zbatueshme edhe për uljen në detyrë. Kështu, si dhënia e masës disiplinore, ndryshimi i strukturës administrative apo kompetencës tokësore, si dhe mungesa e përkohshme e magjistratëve në skemën e delegimit, mund të rezultojnë në lëvizjen e magjistratit në një pozicion më të ulët se ai që kishte para transferimit. Në këtë kontekst, transferimi pa pëlqim mund të ketë si pasojë në mjaft raste uljen në detyrë për shkak të ligjit. Kjo gjë nuk ndalohet nga ligji, por konsiderohet si rast përjashtimor i lejuar prej tij. Çështja e transferimit të magjistratëve pa pëlqim ka qenë objekt shqyrtimi gjyqësor edhe më parë. Ligji i mëparshëm parashikonte se transferimi i gjyqtarëve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tyre, përveçse kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të sistemit gjyqësor . Ky rregullim ka qenë i parashikuar edhe në nivel kushtetues . Gjithashtu, në ligjin “e vjetër” transferimi parashikohej si një nga masat disiplinore që merrej ndaj gjyqtarit . Kjo krijoi një situatë të paqartë ligjore, pasi i njëjti veprim, pra transferimi, i cili nuk lejohej të vendosej pa pëlqimin e gjyqtarit, zbatohej edhe për nevojat e organizimit të pushtetit gjyqësor edhe si masë disiplinore, ku pëlqimi nuk kërkohej.

      22. Për këtë arsye, çështja përfundoi për gjykim në Gjykatën Kushtetuese (GJK), e cila vlerësoi se Kushtetuta e ka trajtuar transferimin si një mjet të nevojshëm që mund të përdoret vetëm me pëlqimin e gjyqtarit ose për nevojat e riorganizimit të sistemit gjyqësor (për të cilin nuk është e domosdoshme marrja e pëlqimit të tij). Ndërsa ligji e parashikonte transferimin si masë disiplinore, duke zgjeruar kuptimin e kushtetues të transferimit sipas nenit 147 të Kushtetutës. Për këtë arsye, parashikimi ligjor binte ndesh me Kushtetutën. GJK-ja, në këtë vendim i rekomandoi Kuvendit të vlerësojë nëse do ta mbajë “transferimin” si masë disiplinore apo do ta zëvendësojë me ndonjë masë tjetër dhe nëse Kuvendi do të modifikonte qëndrimin e tij, duke përcaktuar se transferimi si masë disiplinore ka karakter të përkohshëm e se duhet të parashkruhet me kalimin e një afati të arsyeshëm ligjor . Në ndërhyrjet e mëvonshme, në reflektim të vendimit të GJK-së, Kuvendi e zëvendësoi termin “transferim” me “dërgim”, kur bëhej fjalë për të njëjtën masë disiplinore, atë të uljes në detyrë, që sot parashikohet gjithashtu në nenin 44, pika 1, shkronja “a” dhe neni 105, pika 1, shkronja “ç” . Pra, çështja e transferimit pa pëlqim ndër vite ka pësuar një përmirësim sa i takon parashikueshmërisë së tij në lidhje me shkaqet dhe kohëzgjatjen, duke bërë dallimin midis lëvizjes në një detyrë tjetër për nevojat e sistemit të drejtësisë dhe lëvizjes për shkak të dhënies së një mase disiplinore (shih nenin 44 dhe 105).


      23. Së treti, pika 8 ndalon tërësisht, pa parashikuar rast përjashtimor, transferimin e përkohshëm ose të përhershëm në gjykatat e posaçme. Ka mjaft dispozita në këtë ligj, por edhe në ligje të tjera të sistemit të drejtësisë, që trajtojnë në mënyrë të veçantë si gjyqtarët ashtu edhe prokurorët e  gjykatës së posaçme dhe prokurorisë së posaçme. Arsyeja për këtë gjendet te rregullimi kushtetues që kanë këto organe, parashikim i cili lidhet me ofrimin e garancive më të mëdha që i janë dhënë kësaj strukture për të qenë e pavarur nga politika, por edhe brenda vetë sistemit të drejtësisë të mos ketë përpjekje për të ndërhyrë në efikasitetin e tyre . Kështu p.sh. megjithëse edhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme emërohen nga KLGJ-ja, ata mund të shkarkohen vetëm me vendim të marrë me 2/3 e anëtarëve të Këshillit. Kjo shumicë e cilësuar në vendimmarrjen për shkarkimin e tyre është një nga garancitë që ka në ushtrimin e detyrës kjo kategori gjyqtarësh. Gjithashtu, ky parashikim kushtetues erdhi edhe si nevojë e kufizimit që i bëhet sferës private të personave që do të përfshihen në këtë strukturë, së bashku me familjarët e tyre, siç trajtohet më poshtë. Parashikimi në Kushtetutë i kësaj strukture me garancitë e posaçme që ofron kuadri ligjor është kusht për mirëfunksionimin e saj pa hasur në pengesa që mund të vijnë si pasojë e ndryshimeve të shpeshta të legjislacionit . Nisur nga këto parashikime, ndalimi i transferimit të gjyqtarëve në gjykatat e posaçme me të drejtë ka gjetur shprehje në nenin 42, pasi rregullimet dhe statusi i tyre është i ndryshëm nga pjesa tjetër e gjyqtarëve. Përveç kësaj, pozicionet në gjykatat e posaçme plotësohen nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, ashtu si për Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, gjë e cila nuk përfshihet në lëvizjet e parashikuara në nenin 42 (shih nenin 48, pika 1).  


      24. Së fundmi, neni 42 parashikon edhe një rast që mund të konsiderohet si transferim “me kusht”. Pika 9 parashikon që për plotësimin e pozicioneve të lira në gjykatën e apelit administrativ procedura e lëvizjeve paralele do të jetë e hapur vetëm për gjyqtarë që kanë punuar të paktën për pesë vjet në 9 vitet e fundit si gjyqtarë në çështjet administrative. Kushti i vendosur në këtë rast për një gjykatë të juridiksionit të posaçëm (administrativ) dhe i shkallës së dytë (apeli) lidhet me pasjen e përvojës në gjykimin e çështjeve administrative, për një kohë të paktën 5 vjet në 9 vitet e fundit. Duke qenë se gjyqtarët administrativë caktohen në detyrë nëse kanë pasur rezultate shumë të mira në lëndët e së drejtës administrative (neni 39, pika 5), atëherë gjyqtarët që mund të konkurrojnë për në gjykatën e apelit administrativ do të jenë nga gjyqtarët administrativë të shkallës së parë. Gjyqtarët e juridiksionit civil ose penal nuk mund të krijojnë përvojën e vendosur si kusht nga pika 9 e nenit 42, prandaj dhe nuk mund të marrin pjesë në procedurën e lëvizjes paralele. Kjo gjë mund t’i shërbejë specializimit dhe ngritjes së sistemit të karrierës së gjyqtarëve të këtij juridiksioni, gjë e cila është e nevojshme në Shqipëri, por nga ana tjetër mund të ngushtojë rrethin e gjyqtarëve që mund të plotësojnë vendet e lira në gjykatën e apelit, pasi kohëzgjatja e përvojës lidhet me gjykimin e çështjeve administrative dhe jo me kontribute të tjera (p.sh. njohje e thelluar për shkak të specializimeve ose përvojë në administratën publike apo mësimdhënie etj.).   

    • 25. Para miratimit të këtij ligji, transferimi ka qenë i parashikuar për dy raste: a) transferimi i gjyqtarit për nevoja të organizimit gjyqësor dhe b) transferimi si masë disiplinore e dërgimit të gjyqtarit nga 1 deri në 2 vjet në një gjykatë të të njëjtit nivel jashtë rrethit gjyqësor ku gjyqtari ka emërimin e tij. Në ligjin nr.8436, datë 28.12.1998, “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” përdorej i njëjti term “transferim”, si në rastin kur ndodheshim para transferimit me pëlqimin e gjyqtarit ashtu edhe në rastin kur parashikohej si masë disiplinore ndaj gjyqtarit. GJK-ja këtë gjë e gjeti të papajtueshme me nenin 147 të Kushtetutës, i cili parashikonte ndalimin e transferimit pa pëlqimin e gjyqtarit, gjë e cila nuk mbahej parasysh nga ligji në rastin e transferimit si masë disiplinore. Për të bërë dallimin midis dy instituteve, ligjvënësi, në reflektim të vendimit nr.21, datë 7.6.2007 të Gjykatës Kushtetuese, me miratimin e ligjit nr.9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin dhe funksionim e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përdori termin “dërgim” në rastin e masës disiplinore. Gjithashtu, në ndryshim nga ligji i mëparshëm, koncepti i dërgimit si masë disiplinore kishte karakter të përkohshëm, duke përcaktuar afatin nga 1 deri 2 vjet.


      26. Përveç, jurisprudencës së GJK-së, në ndihmë vijnë edhe gjetjet e Analizës së Sistemit të Drejtësisë që evidentuan probleme lidhur me statusin, karrierën dhe sistemin e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve, konkretisht: (I) qartësimi dhe kodifikimi (përmbledhja në një ligj të vetëm) i dispozitave që lidhen me statusin e gjyqtarit; (II) kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë, procedurat e emërimit dhe të transferimit të tyre, procedurat e promovimit, procesi disiplinor, rastet e largimit nga detyra dhe të gjitha elementet e tjera të statusit); (III) garantimi se procesi i emërimit dhe promovimit të gjyqtarëve do të bazohet në kritere transparente, objektive dhe meritokratike, të tilla si: kualifikimet, integriteti, aftësitë profesionale dhe pastërtia e figurës.


      27. Me miratimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, koncepti i transferimit sërish u ridimensionua duke dhënë fillimisht konceptin e tij, pra që përfshin si lëvizjet e përkohshme ashtu edhe ato të përhershme, por rrethanat në të cilat ato ndodhin, kushtet që duhen plotësuar dhe kategoritë e magjistratëve që marrin pjesë në to tashmë janë të detajuara dhe të qarta . Për këtë ndihmon jo vetëm parashikimi i nenit 42, por edhe nenet në vijim, 43-48 dhe 53-62, ku parashikohen të gjitha lëvizjet e magjistratit, brenda të njëjtit nivel, ngritje në detyrë, caktime të përkohshme, delegim apo komandim.

    • Asnjë koment
  • 28. Në Kartën Europiane për Statusin e Gjyqtarëve, si dhe në Kartën Universale të Gjyqtarëve bëhet dallimi midis transferimit kur kërkohet pëlqimi i gjyqtarit dhe marrjes së masës disiplinore. Në Kartën Europiane për Statusin e Gjyqtarëve është evidentuar se një gjyqtar që ushtron funksionin në një gjykatë, në parim nuk mund të caktohet në një tjetër zyrë gjyqësore, madje as nëpërmjet ngritjes në detyrë, pa dhënë lirisht pëlqimin e tij. Përjashtim nga ky rregull lejohet vetëm kur transferimi parashikohet dhe është shprehur si sanksion disiplinor, në rastet e një ndryshimi të ligjshëm të sistemit gjyqësor dhe në rastet e caktimit të përkohshëm të gjyqtarit për të përforcuar një gjykatë fqinje me kohëzgjatje maksimale të përcaktuar rigorozisht nga ligji, pa cenuar aplikimin e dispozitës së paragrafit 1.4, paragrafit 3.4 të Kartës. Gjithashtu, edhe në nenin 8 të Kartës Universale të Gjyqtarëve parashikohet se transferimi duhet të jetë me pëlqimin e gjyqtarit, përveçse në rastin e masës disiplinore. Masa disiplinore e dërgimit të gjyqtarit në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel me kohë të përcaktuar parashikohet edhe në legjislacionin e disa vendeve të tjera demokratike, si Gjermani, Çeki, Slloveni, Poloni, Sllovaki. Në një vështrim krahasues në legjislacionin e këtyre vendeve, parashikohet se transferimi përveçse për nevojat e organizimit të drejtësisë mund të jepet edhe si masë disiplinore kur gjyqtari ka kryer shkelje disiplinore të tillë që justifikojnë këtë masë.

    29. CDL-AD(2015)007, opinion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe Drejtorisë së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit për ligjin për gjyqësorin dhe statusin e gjyqtarëve dhe amendamentet për ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë të Ukrainës, http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2015)007-e

    30. Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të KE-së (94) 12 për pavarësinë, efiçencën dhe rolin e gjyqtarëve: Recommendation (94)12 of the Committeeof Ministers on the Independence, Efficiency and Role of Judges, https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CM/Rec(2010)12&Language=lanEnglish&Ver=original&BackColorInternet=C3C3C3&BackColorIntranet=EDB021&BackColorLogged=F5D383&direct=true.

    31. Opinioni nr. 1 i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë: Për standardet lidhur me pavarësinë e gjyqësorit dhe palëvizshmërinë e gjyqtarëve.

    32. Parimet bazë për pavarësinë e gjyqësorit miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së, 1985: https://www.un.org/ruleoflaw/blog/document/basic-principles-on-the-independence-of-the-judiciary/.

    33. Parimet e sjelljes gjyqësore, Bangalore 2002 https://www.un.org/ruleoflaw/blog/document/the-bangalore-principles-of-judicial-conduct/.

    34. Raport i Komisionit të Venecias për pavarësinë e pushtetit gjyqësor,
    pjesa I “Pavarësia e gjyqtarëve”, 12-13 mars 2010, https://rm.coe.int/1680700a63.

  • 35. Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, fq. 11: “Magjistrati nuk transferohet pa pëlqimin e tij/saj, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në projektligj. Gjithashtu, magjistrati nuk transferohet pa pëlqim në gjykata të një shkalle më të ulët se gjykata në të cilën magjistrati ushtron funksionet. Magjistrati gëzon të drejtën të marrë pagën më të lartë, gjatë periudhës së transferimit. Projektligji nuk lejon transferimin e përkohshëm ose të përhershëm të gjyqtarëve të Gjykatës së antikorrupsionit dhe krimit të organizuar. Pozicionet e lira në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Apelit administrativ nuk do të plotësohen nëpërmjet procedurave të lëvizjeve paralele, por me procedurën e ngritjes në detyrë. Projektligji parashikon në mënyrë shteruese rastet përjashtimore të transferimit të magjistratëve pa pëlqimin e tyre, për shkaqe disiplinore, për shkaqe që lidhen me suprimimin e pozicionit të magjistratit si rezultat i ndryshimeve në strukturën administrative ose në kompetencën tokësore të gjykatave ose prokurorive, bazuar në kritere objektive dhe transparente, për shkak të krijimit të marrëdhënieve familjare që çojnë në papajtueshmëri ambientale ose për shkak të mungesave të përkohshme të magjistratëve në gjykata dhe prokurori.” https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/Relacioni-1.pdf

    36. Procesverbali i shqyrtimit të projektligjit Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në komisionin parlamentar ad hoc 2016, sipas përmbajtjes së publikuar online nga Kuvendi i Shqipërisë http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_23.09.2016.pdf

  • Kushtetuta: Neni 147/a, 149/a

    Ligji për Statusin: nenet 43-48, 53-62.

  • Asnjë koment
  • Vendime të GJK-së: nr.57/2016; nr.21/2007.

  • Asnjë koment
  • A. Ligje
    B. Akte nënligjore

Sokol Sadushi
Sokol Berberi