"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 43: Procedura e lëvizjes paralele

1. Në zbatim të nenit 42, pikat 3 dhe 4, të këtij ligji, Këshillat organizojnë, të paktën çdo 3 muaj,
procedurën e lëvizjes paralele për çdo pozicion që:
a) është i lirë;
b) pritet të bëhet i lirë brenda 3 muajve.
2. Këshillat shpallin procedurën e lëvizjes paralele dhe i bëjnë thirrje për të kandiduar magjistratëve, të cilët plotësojnë këto kritere ligjore:
a) magjistrati që ushtron funksionin në gjykatë ose në prokurori të të njëjtit nivel me pozicionin e lirë;
b) magjistrati që ushtron funksionin në gjykatë ose prokurori të një niveli më të ulët dhe është vlerësuar, të paktën dy herë, me vlerësim jo më të ulët se “shumë mirë”, në dy vlerësimet e fundit;
c) magjistrati i komanduar që ka punuar më parë në gjykatë ose prokurori të të njëjtit nivel me pozicionin e lirë;
ç) në lidhje me pozicionet e lira në nivel apeli, magjistrati në skemën e delegimit, që ka përvojë profesionale, sipas parashikimit të nenit 47, të këtij ligji, i cili ka shërbyer për të paktën katër vjet në skemën e delegimit dhe gjatë kësaj periudhe është caktuar, të paktën për një vit, në një pozicion në nivel apeli.
3. Kandidati që ka ushtruar funksionin si anëtar i Këshillit, përjashtohet nga procedura e lëvizjes paralele gjatë kohës së ushtrimit të funksionit si anëtar, si dhe tre vjet pas mbarimit të mandatit.
4. Në zbatim të pikës 2, të këtij neni, shpallja publikohet të paktën në faqen zyrtare të Këshillit dhe duhet të përmbajë informacionin e nevojshëm për pozicionin e lirë, si dhe të përcaktojë:
a) afatin e kandidimit, i cili është të paktën dy javë nga data e shpalljes së procedurës;
b) informacionin dhe dokumentacionin që i bashkëlidhet kandidimit;
c) procedurën e kandidimit dhe vendin e dorëzimit të dokumentacionit.
5. Pas shpalljes së pozicionit të lirë, magjistrati mund të kandidojë për jo më shumë se tre pozicione të lira ose pozicione që priten të bëhen të lira. Nëse magjistrati kandidon për më shumë se një pozicion, ai bën renditjen e tyre sipas preferencës.
6. Magjistrati nuk ka të drejtë të kandidojë në rast se gjatë pesë viteve të fundit nuk ka të paktën një vit përvojë profesionale në fushën përkatëse të së drejtës për pozicionin e lirë ose nëse ka në fuqi një masë disiplinore.
7. Këshillat shqyrtojnë kandidimet dhe rendisin magjistratët që përmbushin kërkesat, sipas rezultateve të mëposhtme:
a) së pari, dy vlerësimet e mëparshme, duke përfshirë edhe ato si magjistrat i komanduar, duke pasur parasysh:
I) që përvoja në pozicionet e komanduara dhe si magjistrat në skemën e delegimit do të konsiderohet një vlerë e shtuar;
II) në rastet e më shumë magjistratëve me të njëjtën nivel vlerësimi, magjistratët brenda grupit të magjistratëve me rezultatet më të larta të vlerësimit do të renditen sipas skemës së pikëve, të përcaktuar nga Këshillat.
b) së dyti, në rast se pas vlerësimit të bërë sipas shkronjës “a”, të pikës 7, të këtij neni, ka më shumë se një magjistrat me pikë më të larta, Këshilli rendit këta magjistratë sipas përvojës profesionale specifike që kërkohet për pozicionin e lirë;
c) së treti, në rast se pas vlerësimit të bërë sipas shkronjës “b”, të pikës 7, të këtij neni, ka më shumë se një magjistrat me pikë më të larta, Këshilli rendit këta magjistratë sipas vjetërsisë si
magjistrat.
8. Në rastet e lëvizjes paralele në gjykatë ose prokurori të shkallës së parë, kur nuk ka kandidime, sipas pikës 7, të këtij neni, procedura e lëvizjes paralele hapet për magjistratët, të cilët nuk janë vlerësuar dy herë. Ata renditen duke u bazuar njëkohësisht:
a) në rezultatin e vlerësimit etik dhe profesional përkatës, sipas pikës 6, të këtij neni;
b) në renditjen në listën e të diplomuarve në Shkollën e Magjistraturës ose në vlerësimin
profesional në rastin e magjistratit të riemëruar sipas nenit 36 të këtij ligji.
9. Në rastet e lëvizjes paralele në gjykatë ose prokurori të shkallës së parë, kur nuk ka kandidime sipas pikës 8, të këtij neni, procedura e lëvizjes paralele hapet për magjistratët, të cilët nuk janë vlerësuar ndonjëherë. Ata renditen sipas pikës 8, shkronja “b”, të këtij neni.
10. Këshillat shpallin pozicione të lira për magjistratët, sipas renditjes së parashikuar në pikat 7, 8 dhe 9, të këtij neni, dhe në përputhje me rregullat e miratuara sipas pikës 12 të këtij neni.
11. Rregullat e nenit 41, pikat 2 deri në 4, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim edhe në këtë nen.
12. Këshillat miratojnë rregulla më të detajuara, të cilat përcaktojnë:
a) kriteret për vlerësimin etik dhe profesional ndërmjet magjistratëve me pikë të barabarta vlerësimi;
b) kriteret për vlerësimin e përvojës profesionale që kërkohet për pozicionin e lirë;
c) procedurën që ndiqet në rastin e pikëve të barabarta;
ç) zbatimin dhe përshtatjen e këtij neni për pozicionet e lira të përkohshme.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i nenit 43 është të garantojë zhvillimin e procesit të lëvizjes paralele, si një nga format e transferimit të magjistratit, duke parashikuar rregulla që adresojnë si nevojat e sistemit të drejtësisë, ashtu edhe të drejtën e magjistratit për ecurinë në karrierë. Bazuar në parimet e parashikuara në nenin 42, ligjvënësi synon që nëpërmjet rregullave kryesisht procedurale në nenin 43, të garantojë qartësi dhe parashikueshmëri për transferimin e magjistratit në procedurën e lëvizjes paralele.

    • 1. Subjektet


      2. Neni 43 i kunddrejtohet këshillave, të cilët, kanë përgjegjësinë të vlerësojnë, periodikisht ose rast pas rasti, nevojën për plotësimin e vendeve të lira në gjykata ose në prokurori me anë të lëvizjes paralele, sipas procedurës së parashikuar në këtë nen. Këshillat kanë detyrimin të kujdesen për respektimin e kushteve dhe parimeve të parashikuara në nenin 42 lidhur me transferimin e magjistratit si dhe të rregullave të hollësishme që parashikon neni 43 për lëvizjen paralele.  
      3. Gjithashtu, neni 43 ka për subjekt edhe magjistratët, të cilët kandidojnë për vendet e lira të shpallura nga këshillat. Këta magjistratë i nënshtrohen rregullave lejuese dhe ndaluese që parashikohen në nenin 43 me qëllim plotësimin e vendeve të lira sipas një renditje të caktuar që respekton parimet e sanksionuara në nenin 42.


      2. Struktura


      4. Neni 43, ashtu si dhe neni 42, është një dispozitë jo tipike, pasi përbëhet nga mjaft pika të cilat parashikojnë një përzierje të rregullave procedurale me rregullime materiale, që do të trajtohen më poshtë. Norma përmban 12 pika, shumica prej të cilave ka nënpika, gjë që nga pikëpamja e teknikës legjislative e ngarkon në një farë mase leximin e dispozitës.   
      5. Neni 43 është neni i dytë i kreut IV “Transferimi”, pjesa III “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve”. Pra, pas caktimit në gjykatën ose prokurorinë apo në një institucion të sistemit të drejtësisë (ILD, MD, GJL etj.) që shënon fillimin e karrierës së tij, magjistrati në mënyrë të natyrshme mund të kërkojë të lëvizë në detyrë përkohësisht ose në mënyrë të përhershme, brenda të njëjtit nivel (pika 2, shkronja “a”). Nga ana tjetër, nevojat e sistemit të drejtësisë për të plotësuar vendet e lira që krijohen herë pas here duhet të adresohen në ligj, me qëllim që i tërë procesi të jetë i qartë dhe i parashikueshëm.
      6. Neni 43 përbëhet nga 12 pika, të cilat parashikojnë disa çështje, si: periodicitetin e lëvizjes paralele, (pika 1) detyrimin për shpalljen e procedurës së lëvizjes paralele dhe mënyrat me të cilat bëhet shpallja (pika 2), procedurën dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët që marrin pjesë në këtë procedurë (pika 2, shkronja “a” deri në “ç”), mënyra dhe kriteret e renditjes së kandidatëve nga këshillat (pikat 7-8), rastet e ndalimit të kandidimit (pika 6), si dhe rastet kur nuk ka kandidime (pika 9) dhe të drejtën për të kundërshtuar gjyqësisht vendimin e renditjes nga këshillat (pika 11), si dhe detyrimin e këshillave për të miratuar rregulla të detajuara për këtë qëllim (pika 12). 
      7. Më në detaje, konkretisht, pika 1 parashikon detyrimin e këshillave që të organizojnë të paktën çdo 3 muaj procedurën e lëvizjes paralele për çdo pozicion që është i lirë ose pritet të lirohet së shpejti (brenda 3 muajve). Pra, ashtu siç është thënë dhe në komentin e nenit 42, këshillat kanë detyrimin të kujdesen për plotësimin sa më parë të vendeve të lira në gjykata ose në prokurori, por gjithsesi ata të paktën një herë në 3 muaj organizojnë procedurën e lëvizjes paralele. Ky është një afat i arsyeshëm me qëllim shmangien e çdo pasoje që mund të vijë nga dinamika e ecurisë në karrierë të magjistratëve (p.sh. vakanca të njëkohshme në një gjykatë të një rrethi gjyqësor të madh), e cila është rikonceptuar tërësisht nga ky ligj. 
      8. Pika 2 vendos detyrimin ndaj këshillave për të shpallur procedurën e lëvizjes paralele për magjistratët që plotësojnë këto kritere: a) magjistrati që ushtron funksionin në gjykatë ose në prokurori të të njëjtit nivel me pozicionin e lirë; b) magjistrati që ushtron funksionin në gjykatë ose prokurori të një niveli më të ulët dhe është vlerësuar, të paktën dy herë, me vlerësim jo më të ulët se “shumë mirë”, në dy vlerësimet e fundit; c) magjistrati i komanduar që ka punuar më parë në gjykatë ose prokurori të të njëjtit nivel me pozicionin e lirë; ç) në lidhje me pozicionet e lira në nivel apeli, magjistrati në skemën e delegimit, që ka përvojë profesionale, sipas parashikimit të nenit 47, të këtij ligji, i cili ka shërbyer për të paktën katër vjet në skemën e delegimit dhe gjatë kësaj periudhe është caktuar, të paktën për një vit, në një pozicion në nivel apeli.  
      9. Më tej, pika 3 ndalon kandidimin e magjistratëve që janë anëtarë të këshillave gjatë kohës që ushtrojnë këtë funksion dhe 3 vjet pas përfundimit të mandatit, me qëllim shmangien e rasteve të konfliktit të interesit në kryerjen e detyrës si anëtar i këshillave. Më poshtë do të trajtohet më hollësisht kjo çështje.
      10. Në pikën 4 përcaktohet detyrimi për shpalljen publike të vendeve të lira duke përcaktuar edhe elementet e domosdoshme që duhet të përmbajë akti i shpalljes, si: a) afatin e kandidimit, jo më pak se dy javë nga data e shpalljes së procedurës; b) informacionin dhe dokumentacionin që i bashkëlidhet; c) procedurën e kandidimit dhe vendin e dorëzimit të dokumentacionit.  Informacioni që jepet nga ana e këshillave nëpërmjet shpalljes duhet të ketë të dhëna të tilla si: vendin e lirë dhe periudhën kohore gjatë së cilës është i lirë, afatin brenda të cilit kandidatët duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues, i cili mund të përfshijë vlerësime dhe kualifikime të magjistratit që vërtetojnë përshtatshmërinë e tij me vendin e lirë për të cilin kandidon. Gjithashtu, në aktin e shpalljes duhet të përcaktohen edhe hapat proceduralë që do të ndiqen nga këshillat nga momenti i paraqitjes së kërkesave për lëvizje paralele deri në marrjen e vendimit prej tyre. Është e rekomandueshme që në funksion të transparencës dhe qartësisë së procesit të bëhet i njohur edhe një afat i përafërt ose i parashikueshëm lidhur me përfundimin e këtij procesi.
      11. Pika 5 i njeh mundësinë magjistratit të kandidojë për më shumë se një vend të lirë (deri në 3), nëse shpallen disa vende të lira njëherazi. Në një rast të tillë magjistratit i jepet e drejta të shprehë preferencat e tij për vendet ku kandidon, të cilat merren parasysh nga këshillat gjatë vlerësimit të kandidatëve, nëse një gjë e tillë është e mundur.  
      12. Pika 6 është një normë ndaluese e cila pengon magjistratin të kandidojë nëse: a) ka një masë disiplinore në fuqi dhe b) nuk ka të paktën një vit përvojë profesionale në fushën e së drejtës për të cilën kandidon gjatë 5 viteve të fundit. Ndalimet e parashikuara janë në pajtim me qëllimin që ka në vetvete koncepti i transferimit për t’u dhënë mundësinë e lëvizjes asaj kategorie magjistratësh që kanë mbledhur një përvojë gjatë punës së tyre. Nga ana tjetër, ndalimi i parashikuar pajtohet edhe me konceptin dhe qëllimin e masës disiplinore për sa kohë ajo nuk është parashkruar (shih më poshtë).
      13. Pika 7 përcakton mënyrën e vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve, nisur nga disa kritere: a) vlerësimet e mëparshme të magjistratit të lidhura veçanërisht me (I) përvojën në pozicionet e komanduara dhe skemën e delegimit të cilat konsiderohen vlerë e shtuar dhe (II) në rast se ka disa magjistratë me të njëjtin rezultat vlerësimi, atëherë renditja e tyre do të bëhet sipas skemës së pikëve të përcaktuara nga këshillat; b) në rast se pas vlerësimit rezulton se ka më shumë se një magjistrat me pikë më të larta, këshilli rendit magjistratët sipas përvojës profesionale specifike që kërkohet për vendin e lirë, c) në rast se sërish rezulton më shumë se një magjistrat me pikë më të larta, atëherë këshilli i jep përparësi vjetërsisë si magjistrat. Në këtë pikë, pra janë parashikuar rrethanat e mundshme që rezultojnë me kandidatë që kanë të njëjtin vlerësim profesional dhe këshilli duhet të zgjedhë midis tyre duke vendosur një kriter objektiv që bën dallimin mes të ngjashmëve ose të barabartëve. Kjo zgjidhje është në pajtim me parimin e meritokracisë si element bazë dhe mbizotërues në karrierën e magjistratëve. 
      14. Ndërsa pika 8 dhe pika 9 parashikojnë situatën kur për vendet e shpallura të lira nëpërmjet lëvizjes paralele në gjykatat e prokuroritë e shkallës së parë nuk ka kandidatë që janë vlerësuar të paktën dy herë. Konkretisht, në pikën 8 parashikohet se mund të kandidojnë magjistratët që nuk janë vlerësuar 2 herë (por duhet të jenë vlerësuar të paktën një herë, nëse i referohemi pikës 9). Në këtë rast, këshillat bazohen në vlerësimin etik dhe profesional ekzistues dhe në renditjen e listës së të diplomuarve nga Shkolla e Magjistraturës (në rastin e magjistratëve të sapoemëruar) ose në vlerësimin profesional që është bërë nga këshilli para emërimit të magjistratëve të riemëruar (shih komentin e nenit 36). Më tej, pika 9 parashikon rastin kur për vendet e lira në gjykatë dhe prokurori të shkallës së parë nuk ka fare kandidime nga kategoritë e mësipërme, atëherë procedura e lëvizjes hapet për magjistratët që nuk janë vlerësuar asnjëherë. Në këtë rast kandidatët vlerësohen sipas listës së renditjes që përgatit Shkolla e Magjistraturës (pika 8, shkronja “b”). 
      15. Në pikën 10 vendoset detyrimi për këshillat që shpallja e vendeve të lira të bëhet sipas renditjes së parashikuar në pikat 7, 8 dhe 9, gjë e cila nënkupton që thirrja së pari u drejtohet magjistratëve që janë vlerësuar të paktën 2 herë (pika 7), së dyti, atyre që janë vlerësuar 1 herë (pika 8) dhe së fundmi u drejtohet magjistratëve që nuk janë vlerësuar asnjëherë (pika 9). Ndjekja e radhës ka të bëjë me përparësinë në plotësimin e vendeve të lira të magjistratëve që kanë përvojë dhe që kanë hyrë më parë në sistem, duke motivuar dhe nxitur ecurinë në karrierë në mënyrë periodike dhe bazuar në kriteret objektive dhe të matshme. 
      16. Ndërsa pika 11 është një normë referuese dhe evokon nenin 41 (pika 2-4), i cili parashikon të drejtën e ankimit të magjistratit ndaj vendimit të këshillit për lëvizjen paralele sipas nenit 43. Këtu përfshihet ankimi ndaj vendimit të mospranimit të kërkesës për lëvizje paralele ose të moscaktimit në atë pozicion të kërkuar apo të preferuar nga magjistrati.
      17. Së fundmi, pika 12 vendos detyrimin për këshillat të parashikojnë rregulla të hollësishme për: a) kriteret e vlerësimit etik dhe profesional mes magjistratëve me pikë të barabarta vlerësimi; b) kriteret për vlerësimin e përvojës profesionale që kërkohet për pozicionin e lirë; c) procedurën që ndiqet në rastin e pikëve të barabarta; ç) zbatimin dhe përshtatjen e këtij neni për pozicionet e lira të përkohshme. 

    • 18. I tërë kreu IV që lidhet me transferimin, llojet, parimet dhe procedurat lidhur me të, vjen në këtë ligj më i qartë dhe më i strukturuar se më parë. Neni 43, i cili i kushtohet procedurës së lëvizjes paralele, si një nga format kryesore të transferimit, përmban disa çështje që vlen të trajtohen. Për lehtësi orientimi dhe kuptimi ato janë grupuar si më poshtë: 18. I tërë kreu IV që lidhet me transferimin, llojet, parimet dhe procedurat lidhur me të, vjen në këtë ligj më i qartë dhe më i strukturuar se më parë. Neni 43, i cili i kushtohet procedurës së lëvizjes paralele, si një nga format kryesore të transferimit, përmban disa çështje që vlen të trajtohen. Për lehtësi orientimi dhe kuptimi ato janë grupuar si më poshtë: 


      a) Koncepti dhe kriteret e lëvizjes paralele  

      19. Është me rëndësi të jepet fillimisht kuptimi i “lëvizjes paralele”, duke qenë se ky koncept jepet që në titull të nenit. Megjithëse nuk jepet ndonjë përkufizim për lëvizjen paralele, nisur nga përmbajtja e nenit 42 që shpjegon transferimin, si dhe nga kriteret e vendosura në nenin 43, pika 2, mund të thuhet për shembull se “lëvizja paralele” kupton lëvizjen e një magjistrati nga një gjykatë/prokurori e një rrethi gjyqësor te një gjykatë/prokurori e një rrethi tjetër gjyqësor (shkronja “a”). Ky është rasti klasik, por neni 43 parashikon dhe raste të tjera të barasvlershme me të. Konkretisht, konsiderohet lëvizje paralele edhe kur magjistrati i komanduar, që ka punuar më parë në gjykatë ose prokurori, lëviz në një gjykatë/prokurori të të njëjtit nivel me pozicionin para komandimit (shkronja “c”). Gjithashtu, përfshihet në konceptin e lëvizjes paralele edhe rasti kur magjistratët që kanë shërbyer për të paktën 4 vjet në skemën e delegimit, nga të cilat 1 vit duhet të ketë qenë në pozicion apeli, nëse vendi i lirë për të cilin kandidon është në nivel apeli (shkronja “ç”). Pra, mund të thuhet se lëvizja paralele është kalimi/transferimi në pozicione të të njëjtit nivel ose të barasvlershme me të. Kjo nënkupton edhe të kundërtën, pra që te koncepti i transferimit nuk përfshihen lëvizjet që konsiderohen si ngritje në detyrë (nenet 47-52) apo komandimi (nenet 53-58). Edhe pozicionet e lira në gjykatat e apelit, përveç gjykatës së apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar plotësohen nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele (shih nenin 48, pika 1).
      20. Nisur nga referenca që bën pika 1 te neni 42, pika 3 dhe 4, lëvizja paralele mund të bëhet si në vendet e lira të përkohshme ashtu edhe në vendet e lira të përhershme. Dallimi mes tyre jepet nga neni 42, duke përcaktuar edhe kriteret mbi bazë të të cilave vendi konsiderohet i lirë në mënyrë të përkohshme ose të përhershme. Në pikat 3 dhe 4 të nenit 42 janë dhënë sipas radhës kategoritë e magjistratëve që kanë të drejtë të transferohen në pozicionet e përkohshme dhe të përhershme. Në fakt, edhe pika 2 e nenit 43 ka vendosur disa kritere të tjera për kandidatët që mund të plotësojnë vendet e lira. Kriteret shtesë synojnë pjesërisht të vendosin përparësinë në lëvizje mes kategorisë së magjistratëve - p.sh. kategoria që ushtron detyrën në të njëjtin nivel gjykate/prokurorie me vendin e lirë (shkronja “a”), apo magjistratët e komanduar që kanë punuar më parë në të njëjtin nivel me vendin e lirë (shkronja “c”) - dhe pjesërisht me kontributin dhe arritjet e magjistratit gjatë detyrës, - p.sh. vlerësimi profesional “shumë mirë” jo më pak se dy herë (shkronja “b”) apo shërbimi jo më pak se 4 vjet në skemën e delegimit, nga të cilat 1 vit në pozicion apeli (shkronja “ç”). Përzierja e kritereve profesionale me një radhë të caktuar në përparësi për disa kategori magjistratësh është një ndërthurje pozitive që synon të garantojë transparencë dhe meritokraci në procesin e transferimit të magjistratëve. Për këtë arsye, kjo normë nuk ka vetëm karakter procedural, por edhe material.    

       

      b) Rregullat e renditjes së kandidatëve dhe rasti përjashtimor


      21. Neni 43, në pikën 7, parashikon renditjen e kandidatëve sipas rezultateve që arrijnë bazuar në dy vlerësimet e mëparshme të magjistratit (shkronja “a”). Ky është elementi kryesor i renditjes, i cili merr parasysh dhe i jep vlerë të shtuar përvojës së magjistratit në skemën e delegimit dhe të komandimit. Për të pasur një renditje sa më objektive, si dhe për të përcaktuar kandidatin me pikë më të larta kur vlerësimi për disa prej tyre rezulton i barabartë, atëherë në pikën 7 janë parashikuar dy mundësi për të bërë dallimin mes tyre. Konkretisht: a) përvoja profesionale specifike që kërkohet për pozicionin e lirë (shkronja “b”) dhe b) vjetërsia në detyrë si magjistrat (shkronja “c”), specifikisht sipas kësaj radhe, janë dy elemente që bëjnë dallimin nëse pikëzimi sipas shkronjës “a” rezulton i njëjtë mes dy ose më shumë kandidatëve. Rregullat për pikëzimin e kandidatëve si dhe renditjen e tyre kur rezultojnë me pikë të barabarta miratohen nga këshillat, sipas parimeve dhe radhës së vendosur nga pika 7 e nenit 43.    22. Neni 43 ka parashikuar procedurën për dy raste kur nuk ka kandidime sipas pikës 7. Rasti i parë (pika 8) ka të bëjë me situatën kur për vendet e shpallura të lira është në gjykatat ose prokuroritë e shkallës së parë (jo për gjykatat e apelit), dhe magjistratët nuk janë vlerësuar të paktën 2 herë gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës në këtë pozicion. Vlerësimi i magjistratëve sipas pikës 8 do të bëhet duke u bazuar në vlerësimin profesional dhe etik që bën vetë këshilli dhe në listën e renditjes që ka bërë Shkolla e Magjistraturës. Rasti i dytë (pika 9) rregullon situatën kur për vendet e lira në gjykata ose prokurori të shkallës së parë paraqiten vetëm kandidatë që nuk janë vlerësuar asnjëherë. Në këtë rast, vlerësimi i tyre i parë, i cili është vendimtar për renditjen, bëhet nga këshilli, sipas rregullave të parashikuara në këtë nen, por edhe në rregullat e posaçme që ai duhet të miratojë mbi këtë bazë (pika 12, shkronjat “a” dhe “b”).

       
      c) Rastet e ndalimit të kandidimit


      23. Ashtu si neni 42, pikat 5 dhe 7, edhe neni 43 ka parashikuar rastet e ndalimit të kandidimit për vendet e lira. Konkretisht, pika 3 e nenit 43 parashikon ndalimin e kandidimit të magjistratit që është anëtar i këshillave jo vetëm gjatë kohës që ushtron funksionin e anëtarit, por edhe 3 vjet pas përfundimit të mandatit. Kjo zgjidhje ligjore synon të parandalojë situatat e konfliktit të interesit në ushtrimin e detyrës, si një nga mangësitë më serioze të vërejtura para reformës në drejtësi të vitit 2016, ku anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (organi që i parapriu KLGJ-së) merrnin vendime për transferimin apo ngritjen në detyrë gjatë kohës që ushtronin detyrën si anëtarë të tij. Pika 3 garanton ushtrimin e detyrës së anëtarit të këshillave në përputhje me misionin kushtetues që ata kanë për të mirë administruar sistemin e drejtësisë, të shkëputur nga interesat personale. 
      24. Rasti i dytë i ndalimit lidhet me mospasjen gjatë pesë viteve të fundit  të paktën një vit përvojë në fushën përkatëse të së drejtës që lidhet me vendin e lirë të shpallur. Si përvojë në fushën përkatëse do të thotë p.sh. që gjyqtari të ketë gjykuar çështje të fushës ose lëndës për të cilën po kandidon ose të ketë qenë pjesë e një seksioni të caktuar gjatë kohës që ka ushtruar detyrën si gjyqtar. Lidhur me këtë pikë mund të thuhet se kjo është një kusht i arsyeshëm kur bëhet fjalë për fusha specifike të së drejtës ose kur magjistrati ka një mungesë përvoje në fushën për të cilën kandidon. Një rast i tillë mund të jetë kur një gjyqtar i çështjeve familjare kërkon të transferohet në seksionin e çështjeve tregtare, apo një prokuror i krimeve kundër personit kërkon të transferohet në seksionin e krimeve ekonomike etj. Gjithashtu, ndalohen të kandidojnë magjistratët gjatë kohës që kanë masë disiplinore në fuqi (pika 6). Edhe ky ndalim synon t’u japë përparësi në lëvizje magjistratëve që ushtrojnë me përgjegjshmëri dhe korrektesë funksionin e tyre. Pas përfundimit të afatit të shuarjes së masës disiplinore, magjistrati ka të drejtë të kandidojë sërish (shih nenin 150 të këtij ligji). 

    • 25. Para miratimit të këtij ligji, transferimi ka qenë i parashikuar për dy raste: a) transferimi i gjyqtarit për nevoja të organizimit gjyqësor dhe b) transferimi si masë disiplinore e dërgimit të gjyqtarit nga 1 deri në 2 vjet në një gjykatë të të njëjtit nivel jashtë rrethit gjyqësor ku gjyqtari ka emërimin e tij. Në ligjin nr.8436, datë 28.12.1998, “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” përdorej i njëjti term “transferim”, si në rastin kur ndodheshim para transferimit me pëlqimin e gjyqtarit ashtu edhe në rastin kur parashikohej si masë disiplinore ndaj gjyqtarit. Gjykata Kushtetuese (GJK) këtë gjë e gjeti të papajtueshme me nenin 147 të Kushtetutës, i cili parashikonte ndalimin e transferimit pa pëlqimin e gjyqtarit, gjë e cila nuk mbahej parasysh nga ligji në rastin e transferimit si masë disiplinore. Për të bërë dallimin midis dy instituteve, ligjvënësi, në reflektim të vendimit nr.21, datë 7.6.2007 të Gjykatës Kushtetuese, me miratimin e ligjit nr.9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin dhe funksionim e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përdori termin “dërgim” në rastin e masës disiplinore. Gjithashtu, në ndryshim nga ligji i mëparshëm koncepti i dërgimit si masë disiplinore kishte karakter të përkohshëm, duke përcaktuar afatin nga 1 deri në 2 vjet.


      26. Përveç, jurisprudencës së GJK-së, në ndihmë vijnë edhe gjetjet e Analizës së Sistemit të Drejtësisë që evidentuan probleme lidhur me statusin, karrierën dhe sistemin e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve, konkretisht: (I) qartësimi dhe kodifikimi (përmbledhja në një ligj të vetëm) i dispozitave që lidhen me statusin e gjyqtarit; (II) kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë, procedurat e emërimit dhe të transferimit të tyre, procedurat e promovimit, procesi disiplinor, rastet e largimit nga detyra dhe të gjitha elementet e tjera të statusit); (III) garantimi se procesi i emërimit dhe promovimit të gjyqtarëve do të bazohet në kritere transparente, objektive dhe meritokratike, të tilla si: kualifikimet, integriteti, aftësitë profesionale dhe pastërtia e figurës. Ligji i mëparshëm nuk parashikonte procedura të qarta dhe të mjaftueshme, objektive e transparente për krijimin, shpalljen dhe plotësimin e vendeve vakante në gjykata, të cilave KLD-ja duhet t’u përmbahet në procesin e plotësimit të vendeve vakante në gjykata nëpërmjet transferimit të gjyqtarëve të interesuar nga gjykatat e tjera të të njëjtin nivel. Transferimi i përhershëm i gjyqtarëve shpesh ngatërrohej me promovimin. Kuadri ligjor nuk është i qartë në lidhje me kompetencat ndërmjet MD-së dhe KLD-së për transferimin e procedurave standarde për përcaktimin e numrit optimal të gjyqtarëve për çdo gjykatë .


      27. Me miratimin e ligjit nr.96/2016 koncepti i transferimit sërish u ridimensionua duke dhënë fillimisht konceptin e tij, pra që përfshin si lëvizjet e përkohshme ashtu edhe ato të përhershme, por rrethanat në të cilat ato ndodhin, kushtet që duhen plotësuar dhe kategoritë e magjistratëve që marrin pjesë në to ose ndalohen të përfshihen tashmë janë të detajuara dhe të qarta. Për këtë ndihmon jo vetëm parashikimi i nenit 42, por edhe nenet në vijim, 43-48 dhe 53-62, ku parashikohen të gjitha lëvizjet e magjistratit, brenda të njëjtit nivel, ngritje në detyrë, caktime të përkohshme, delegim apo komandim.

    • Asnjë koment
  • 28. Në Kartën Europiane për Statusin e Gjyqtarëve, si dhe në Kartën Universale të Gjyqtarëve bëhet dallimi midis transferimit kur kërkohet pëlqimi i gjyqtarit dhe marrjes së masës disiplinore. Në Kartën Europiane për Statusin e Gjyqtarëve është evidentuar se një gjyqtar që ushtron funksionin në një gjykatë, në parim nuk mund të caktohet në një tjetër zyrë gjyqësore, madje as nëpërmjet ngritjes në detyrë, pa dhënë lirisht pëlqimin e tij. Përjashtim nga ky rregull lejohet vetëm kur transferimi parashikohet dhe është shprehur si sanksion disiplinor, në rastet e një ndryshimi të ligjshëm të sistemit gjyqësor dhe në rastet e caktimit të përkohshëm të gjyqtarit për të përforcuar një gjykatë fqinje me kohëzgjatje maksimale të përcaktuar rigorozisht nga ligji, pa cenuar aplikimin e dispozitës së paragrafit 1.4, paragrafit 3.4 të Kartës. Gjithashtu, edhe në nenin 8 të Kartës Universale të Gjyqtarëve parashikohet se transferimi duhet të jetë me pëlqimin e gjyqtarit, përveçse në rastin e masës disiplinore. Masa disiplinore e dërgimit të gjyqtarit në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel me kohë të përcaktuar parashikohet edhe në legjislacionin e disa vendeve të tjera demokratike, si Gjermani, Çeki, Slloveni, Poloni, Sllovaki. Në një vështrim krahasues në legjislacionin e këtyre vendeve, parashikohet se transferimi përveçse për nevojat e organizimit të drejtësisë mund të jepet edhe si masë disiplinore kur gjyqtari ka kryer shkelje disiplinore të tillë që justifikojnë këtë masë.

    29. CDL-AD(2015)007, opinion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit për ligjin për gjyqësorin dhe statusin e gjyqtarëve dhe amendamentet për ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë të Ukrainës, http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2015)007-e

    30. Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të KE-së (94) 12 për pavarësinë, efiçencën dhe rolin e gjyqtarëve: Recommendation (94)12 of the Committeeof Ministers on the Independence, Efficiency and Role of Judges, https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CM/Rec(2010)12&Language=lanEnglish&Ver=original&BackColorInternet=C3C3C3&BackColorIntranet=EDB021&BackColorLogged=F5D383&direct=true.

    31. Opinioni nr. 1 të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë: Për standardet lidhur me pavarësinë e gjyqësorit dhe palëvizshmërinë e gjyqtarëve.

    32. Parimet bazë për pavarësinë e gjyqësorit miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e KB, 1985: https://www.un.org/ruleoflaw/blog/document/basic-principles-on-the-independence-of-the-judiciary/.

    33. Parimet e sjelljes gjyqësore, Bangalore 2002 https://www.un.org/ruleoflaw/blog/document/the-bangalore-principles-of-judicial-conduct/.

    34. Raport i Komisionit të Venecias për pavarësinë e pushtetit gjyqësor,
    pjesa I “Pavarësia e gjyqtarëve”, 12-13 mars 2010, https://rm.coe.int/1680700a63.

  • 35. Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, “Projektligji nuk lejon transferimin e përkohshëm ose të përhershëm të gjyqtarëve të Gjykatës së antikorrupsionit dhe krimit të organizuar. Pozicionet e lira në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Apelit administrativ nuk do të plotësohen nëpërmjet procedurave të lëvizjeve paralele, por me procedurën e ngritjes në detyrë.” https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/Relacioni-1.pdf

    36. Procesverbali i shqyrtimit të projektligjit Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në komisionin parlamentar ad hoc 2016, sipas përmbajtjes së publikuar online nga Kuvendi i Shqipërisë http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_23.09.2016.pdf

  • Kushtetuta: Neni 147/a, 149/a

    Ligji për Statusin: nenet 41, 42.

  • Vendimi nr.320, datë 17.9.2020 i KLGJ-së “Për kriteret dhe procedurat e lëvizjes paralele të gjyqtarëve”

    http://klgj.al/wp-content/uploads/2020/09/VENDIM-NR.-320-DAT%C3%8B-17.09.2020-P%C3%8BR-KRITERET-DHE-PROCEDURAT-E-L%C3%8BVIZJES-PARALELE-T%C3%8B-GJYQTAR%C3%8BVE.pdf

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Sadushi
Sokol Berberi