"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 45: Magjistratët në skemën e delegimit

1. Magjistratët në të gjitha shkallët, me të paktën një vit përvojë në funksion, mund të kandidojnë për t’u komanduar në një pozicion, në skemën e delegimit, e cila krijohet në Këshill.

2. Magjistrati shërben në skemën e delegimit jo më shumë se 5 vjet.

3. Magjistrati që kandidon për pozicione në skemën e delegimit, nënshkruan një deklaratë për dhënien e pëlqimit për t’u caktuar në çdo gjykatë ose prokurori.

4. Këshilli cakton magjistratin në skemën e delegimit në bazë të nevojave të një gjykate ose prokurorie:

a. në çdo pozicion të të njëjtit nivel ose të një niveli tjetër, për të cilin magjistrati përmbush kërkesat;

b. në një pozicion në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose Prokurori të Posaçme, nëse magjistrati përmbush kriteret, sipas nenit 47, të këtij ligji, si dhe jep pëlqimin sipas kërkesës së pikës 3, të nenit 47, të këtij ligji.

5. Në pritje për t’u caktuar pranë një gjykate ose prokurorie, sipas parashikimeve të këtij neni, magjistrati në skemën e delegimit shërben në strukturat administrative të Këshillave.

6. Kryetari i gjykatës ose i prokurorisë ka të drejtë t’i kërkojë Këshillit caktimin për një periudhë të caktuar të magjistratit nga skema e delegimit në gjykatën ose prokurorinë përkatëse, duke paraqitur arsyet e nevojës për caktimin e magjistratit dhe të periudhës kohore të kërkuar.

7. Këshilli vlerëson kërkesën brenda 3 ditëve nga marrja e saj. Nëse Këshilli vlerëson se ka nevojë në gjykatën ose prokurorinë respektive, cakton magjistratin nga skema e delegimit, duke vlerësuar njëkohësisht:

a. plotësimin e kërkesave për pozicionin respektiv;

b. disponueshmërinë;

c. përvojën e veçantë profesionale të magjistratëve;

ç. caktimin në mënyrë të barabartë të magjistratëve në skemën e delegimit, në gjykatat apo prokuroritë e largëta.

8. Çdo Këshill miraton rregulla të detajuara për kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e magjistratëve, si dhe kohën e shërbimit për skemën e delegimit.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i kësaj dispozite është të parashikojë mundësinë e qarkullimit të magjistratëve më me lehtësi dhe efiçencë, në rast se krijohen vakanca në sistemin e drejtësisë. Kjo skemë e bën sistemin më fleksibël dhe efiçent për të plotësuar nevojat me gjyqtarë dhe prokurorë në pozicionet e lira duke i shërbyer më mirë qëllimit të dhënies së drejtësisë pa vonesa dhe me cilësi për të gjithë shtetasit.

    • 2. Neni 45 parashikon krijimin e një strukture brenda sistemit gjyqësor dhe prokuroral që funksionon pranë Këshillit duke mundësuar ekzistencën e një numri magjistratësh në dispozicion për të plotësuar vendet vakante në gjykata dhe prokurori që krijohen për shkaqe të ndryshme ligjore. Në këtë kuadër, dispozita normon mënyrën e krijimit dhe funksionimit të skemës së delegimit, vë kritere të cilat duhet të përmbushin magjistratët që të bëhen pjesë e kësaj skeme, mënyrën sesi shërbejnë në këtë skemë gjatë kohëqëndrimit të tyre në këtë skemë, si dhe kritere për caktimin e magjistratëve të skemës së delegimit në pozicionet e lira.

      3. Neni përmban 8 paragrafë të cilët mbulojnë çështje të ndryshme të delegimit. Konkretisht, në pikat 1 dhe 2 jepet kushti i vjetërsisë për magjistratin që dëshiron të hyjë në skemën e delegimit dhe më pas edhe afati brenda të cilit ai mund të kërkojë delegimin pranë një gjykate ose prokurorie. Më tej, jepen procedurat që duhet të ndjekë magjistrati, i cili bën kërkesën formale si dhe procedurat që duhet të ndjekë këshilli përkatës për shqyrtimin e kërkesës për delegim të magjistratit. Në fund, dispozita parashikon edhe detyrimin për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të saj, me qëllim parashikimin e rregullave të detajuara.

    • Kushtet dhe kriteret për të shërbyer në skemën e delegimit. 

      4. Skema e delegimit krijohet në Këshill dhe magjistrati që të bëhet pjesë e skemës së delegimit duhet të plotësojë kriteret e mëposhmte:

      a) t’i përkasë çdo shkalle të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë dhe të ketë ushtruar funksionin për të paktën 1 vit;

      b) të lëshojë deklaratën për dhënien e pëlqimit për t’u caktuar në çdo gjykatë ose prokurori. 

       

      Kohëzgjajta në skemën e delegimit. 

      5. Sipas pikës 2 së këtij neni, magjistrati caktohet në skemën e delegimit për një periudhë jo më shumë se 5 vjet. Pra, nuk parashikohet një periudhë minimum për kohën e caktimit në skemën e delegimit, prandaj mbetet detyrë e Këshillit të përcaktojë kritere të detajuara për kohën minimale të qëndrimit në skemën e delegimit sipas pikës 8 të këtij neni. 

       

      Kriteret për caktimin e magjistratëve të skemës së delegimit në pozicionet e lira. 

      6. Skema e delegimit shërben për të plotësuar nevojat me magjistratë në çdo gjykatë ose prokurori në të gjitha nivelet për pozicione të lira në mënyrë të përkohshme duke u pasur parasysh si më poshtë: a) magjistrati të plotësojë kërkesat ligjore të pozicionit vakant; b) magjistrati të plotësojë kriteret e veçanta ligjore dhe të jap pëlqimin sipas parashikimit të nenit 47 të Ligjit për Statusin në rast se pozicioni vakant i përket Gjykatës së Posaçme për Gjykimin e Veprave Penale të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Gjykata e Posaçme) ose Prokurorisë së Posaçme. Pra, në rastin e Gjykatave të Posaçme vetëm skema e delegimit shërben për të plotësuar vendet përkohësisht të lira duke qenë se nuk lejohet tranferimi i gjyqtarëve sipas pikës 8 të nenit 42 të Ligjit për Statusin; c) gjatë kohës që magjistrati nuk caktohet në një pozicion për të ushtruar funksionin në një gjykatë apo prokurori, shërben në strukturat administrative të Këshillit. Në këtë mënyrë, ligji krijon fleksibilitet që për nevoja të tij këshilli të angazhojë magjistratët e skemës së delegimit gjatë përiudhës që nuk caktohen përkohësisht në pozicion magjistrati, duke e bërë këtë skemë në këtë mënyrë efiçente. 

       

      Procedura e delegimit. 

      7. Skema e delegimit funksionon mbi bazën e një procedure të parashikuar në pikat 6 dhe 7 të këtij neni. Fillimisht kryetari i gjykatës ose prokurorisë i paraqet këshillit përkatës kërkesën për caktimin e magjistratit nga skema e delegimit. Kërkesa duhet të përmbajë arsyet për caktimin e magjistratit dhe periudhën gjatë së cilës magjistrati do të ushtrojë detyrën në pozicionin e deleguar. Këshilli vlerëson kërkesën brenda 3 ditëve nga marrja e saj. Për këtë vlerësim Këshilli mban parasysh njëkohësisht elementët si vijon:

      a) përvojën profesionale të magjistratit në kuptim të plotësimit të kërkesave për pozicionin ku do caktohet;

      b) disponueshmërinë e magjistratit që do caktohet duke pasur parasysh të gjitha ato rrethana që ndikojnë në mundësinë e magjistratit për t’u caktuar në pozicionin që ka nevojë gjykata apo prokuroria.

      c) përvojën profesionale të magjistratit në fushën e së drejtës që i përket pozicionit vakant.

      d) barazinë në caktimin e magjtsratit në gjykatat apo prokuroritë e largëta. 

       

      Rezerva ligjore. 

      8. Në pikën 8 ky nen parashikon kompetencën e Këshillave përkatës për të miratuar rregulla me qëllim përcaktimin në mënyrë më të detajuar të kritereve dhe procedurën për përzgjedhjen e magjistratëve, si dhe kohën e tyre të shërbimit në skemën e delegimit.

    • 9. Kjo ëshë një risi në legjislacionin shqiptar që e bën sistemin gjyqësor dhe të prokurorisë më efikas dhe fleksibël, pasi krijon mundësinë që pranë Këshillave të krijohet një strukturë për të plotësuar vendet vakante përkohësisht të lira që krijohen në sistem.

    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Neni 47 pika 3 e ligjit nr. 96.2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”

    Neni 42 pika 8 e ligjit nr. 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Manjola Xhaxho
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)