1. “Ngritja në detyrë” është kalimi nga:
a) një pozicion në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në një pozicion tjetër të një niveli më të lartë;
b) një pozicion i juridiksionit të përgjithshëm civil, penal ose administrativ në një pozicion në një prej gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme;
c) një pozicion si magjistrat, në pozicionin e kryetarit të një gjykate ose prokurorie;
ç) një pozicion i komanduar ose pozicion në skemën e delegimit, në një pozicion të një niveli më të lartë sesa pozicioni i mbajtur para komandimit.
2. Magjistrati ngrihet në detyrë nëse plotëson këto kritere minimale për përvojën profesionale:
a) për pozicionin gjyqtar në gjykatën e posaçme të shkallës së parë për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, magjistrati duhet të ketë ushtruar funksionin jo më pak se shtatë vjet si gjyqtar, nga të cilat të paktën pesë vjet si gjyqtar në fushën e drejtësisë kriminale ose si inspektor në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar;
b) për pozicionin gjyqtar apeli në Gjykatën e Posaçme të Apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, magjistrati duhet të ketë ushtruar funksionin jo më pak se dhjetë vjet si gjyqtar, nga të cilat të paktën pesë vjet si gjyqtar për çështjet penale ose si inspektor në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;
c) për pozicionin prokuror në Prokurorinë e Posaçme, magjistrati duhet të ketë ushtruar funksionin për jo më pak se dhjetë vjet si prokuror, duke përfshirë edhe përvojën si prokuror i komanduar.
3. Për të gjitha pozicionet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, magjistrati duhet të përmbushë edhe kriteret e tjera dhe kushtet e sigurisë, të parashikuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
4. Magjistrati mund të ngrihet në detyrë në pozicione pranë gjykatave ose prokurorive të shkallës së dytë, nëse ka ushtruar funksionin jo më pak se shtatë vjet në shkallën e parë, nga të cilat të paktën pesë vjet në fushën e së drejtës përkatëse të përshtatshme për pozicionin e lirë, duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar.
5. Magjistrati mund të ngrihet në detyrë në pozicione pranë Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, nëse ka ushtruar funksionin jo më pak se trembëdhjetë vjet në nivele më të ulëta, nga të cilat të paktën pesë vjet në fushën e së drejtës përkatëse të përshtatshme për pozicionin e lirë, duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar.
6. Magjistrati mund të ngrihet në detyrë, në pozicionin e kryetarit të gjykatës ose prokurorisë së shkallës së parë ose të dytë, nëse:
a) ka ushtruar funksionin e magjistratit jo më pak se shtatë vjet, gjatë të cilës, të paktën katërvjet në të njëjtën shkallë, duke përfshirë edhe përvojën si magjistrat i komanduar;
b) përmbush treguesit e kërkuar për aftësi organizative dhe drejtuese, të tilla si:
i) përvoja si zëvendëskryetar, kryetar i një seksioni ose magjistrat për çështjet e shtypit;
ii) përvoja në pozicione drejtuese në administratën publike ose të drejtësisë, ose përvoja si anëtar i Këshillit, që ka përfunduar të paktën në tre vjet më parë;
iii) njohuri për strukturat organizative dhe modele të ndryshme të drejtimit, si magjistrat në skemën e delegimit ose inspektor në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;
c) nuk ka qenë anëtar i Këshillit në tre vitet e fundit.