"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 48: Ngritja në detyrë në shkallët më të larta ose të specializuara

1. Pozicionet në Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar plotësohen nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë. Pozicionet në gjykatat e tjera të apelit plotësohen nëpërmjet procedurave të lëvizjes paralele, në përputhje me nenet 42 dhe 43 të këtij ligji.

2. Në rastin kur ka shumë pozicione të lira, të cilat nuk plotësohen me lëvizje paralele, secili Këshill organizon një procedurë ngritje në detyrë për çdo pozicion të lirë, të paktën një herë në çdo tre muaj. Pozicionet plotësohen jo më vonë se tre muaj nga dita e shpalljes së procedurës.

3. Këshillat shpallin procedurën e ngritjes në detyrë dhe bëjnë thirrje që të kandidojë:

a. magjistrati që plotëson kriteret për ngritjen në detyrë, në përputhje me kërkesat e pozicionit të lirë të shpallur;

b. magjistrati i komanduar ose magjistrati në skemën e delegimit që plotëson kriteret për ngritjen në detyrë, në përputhje me kërkesat e pozicionit të lirë të shpallur;

c. juristi i spikatur, sipas përcaktimeve të nenit 49 të këtij ligji.

4. Kandidati që ka ushtruar funksionin si anëtar i Këshillit, përjashtohet nga procedura e ngritjes në detyrë gjatë kohës së ushtrimit të funksionit si anëtar, si dhe tre vjet pas mbarimit të mandatit.

5. Në zbatim të pikës 3, të këtij neni, shpallja publikohet të paktën në faqen zyrtare të Këshillit dhe duhet të përmbajë informacionin e nevojshëm për pozicionin e lirë, si dhe të përcaktojë:

a. afatin e kandidimit, i cili është të paktën dy javë nga data e shpalljes së procedurës;

b. informacionin dhe dokumentacionin që i bashkëlidhet kandidimit;

c. procedurën e kandidimit dhe vendin e dorëzimit të dokumentacionit.

6. Pas shpalljes së procedurës së ngritjes në detyrë, kandidati mund të kandidojë për jo më shumë se tre pozicione të lira ose pozicione që priten të bëhen të lira. Nëse magjistrati kandidon për më shumë se një pozicion, ai bën renditjen e tyre sipas preferencës.

7. Këshilli verifikon kandidatët, sipas parashikimeve të pikave 2 deri në 7, të nenit 32, të këtij ligji.

8. Vetëm kandidatët të cilët kalojnë verifikimin e pasurisë dhe figurës dhe që nuk kanë masa disiplinore në fuqi, pranohen në procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë.

9. Këshillat shqyrtojnë kandidimet dhe rendisin kandidatët që përmbushin kriteret, sipas rezultateve të mëposhtme:

a. së pari, dy vlerësimet e mëparshme, duke pasur parasysh: i) që përvoja në pozicionet e komanduara, si magjistrat në skemën e delegimit, ose si anëtar i Këshillit që i ka mbaruar mandati tre vite përpara kandidimit do të ketë përparësi; ii) në rastet e më shumë kandidatëve me rezultate të njëjta, magjistratët brenda grupit të kandidatëve me rezultatet më të larta të vlerësimit do të renditen sipas skemës së pikëve, të përcaktuar nga Këshilli i Lartë i Gjyqësor; 

b. së dyti, në rast se pas vlerësimit të bërë sipas shkronjës “a”, të pikës 9, të këtij neni, ka më shumë se një kandidat me pikë më të larta, Këshilli rendit këta kandidatë, sipas përvojës profesionale specifike që kërkohet për pozicionin e lirë;

c. së treti, në rast se pas vlerësimit të bërë, sipas shkronjës “b”, të pikës 9, të këtij neni, ka më shumë se një kandidat me pikë më të larta, Këshilli rendit këta kandidatë sipas vjetërsisë si magjistrat ose jurist.

10. Këshillat vendosin të ngrenë në detyrë kandidatët e vlerësuar me pikët më të larta të arritura, sipas procedurës dhe rregullave të parashikuara në pikat 9 dhe 14, të këtij neni. Rregullat e parashikuara në nenin 41, pikat 2 deri në 4, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.

11. Për procedurën e ngritjes në detyrë, për plotësimin e një pozicioni të lirë në Gjykatën e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon me shkrim emërimin e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore, duke arsyetuar përmbushjen e kritereve dhe duke bërë renditjen e kandidatëve, sipas procedurës dhe rregullave të parashikuara në pikat 9 dhe 14 të këtij neni.

12. Propozimi për emërimin është i ankimueshëm. Rregullat e parashikuara në nenin 41, pikat 2 deri në 4, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim. Këshilli bën publik vendimin përfundimtar të propozimit për emërim në faqen e tij zyrtare. Vendimi i këshillave për moscaktimin në detyrë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorinë e Posaçme është i formës së prerë.

13. Ngritja në detyrë e gjyqtarit me renditjen më të lartë dekretohet nga Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 136, pika 2, të Kushtetutës.

14. Këshillat miratojnë rregulla më të detajuara, të cilat përcaktojnë:

a. kriteret për etikën dhe veprimtarinë profesionale ndërmjet kandidatëve me pikë të barabarta vlerësimi;

b. kriteret për vlerësimin e përvojës profesionale që kërkohet për pozicionin e lirë;

c. procedurën që ndiqet në rastin e pikëve të barabarta;

ç. zbatimin dhe përshtatjen e parashikimeve të këtij neni për pozicionet e lira të përkohshme.

Përmbajtja

    • 1. Neni ka për qëllim të vendos standarte për mënyrën e vlerësimit e kandidatëve për plotësimin e vendeve vakante përmes procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar (gjykatat e posaçme), dhe në nivel apeli duke u bazuar në parimin e barazisë, në meritën profesionale, të tranparencës dhe objektivitetit në vlerësim.

    • 2. Neni parashikon procedurën që kryhet nga Këshilli për plotësimin e vendeve të lira përmes ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nivel apeli duke parashikuar rregullime të përgjithshme, po edhe të veçanta në lidhje me procedurën e emërimit të Gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë të cilët sipas pikës 1 të nenit 136 të Kushtetutës emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ligji parashikon po ashtu mënyrën e vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve, si dhe të drejtën e ankimit kundër vendimeve të Këshillave.

    • 3. Neni parashikon në pikën 1 se vendet vakante në Gjykatën e Lartë, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në gjykatat e posaçme plotësohen përmes procedurës së ngritjes në detyrë. Ndërkohë pozicionet në gjykatat e tjera të apelit plotësohen fillimisht përmes lëvizjes paralele sipas parashikimeve të nenit 42 dhe 43 të ligjit për statusin. Por konstatohet se ky parashikim nuk është shprehur lidhur me pozicionet e lira në prokuroritë e apelit. Megjithatë nisur nga interpretimi i neneve 42, 43 47 të këtij ligji, mund të arrihet në përfundimin se edhe këto pozicione mund të plotësohen fillimisht përmes lëvizjes paralele. Më pas nëse pozizionet e lira nuk plotësohen përmes lëvizjes paralele sipas pikës 2 të nenit, Këshilli organizon procedurën e ngritjes në detyrë. 

       

      Subjektet që kandidojnë për ngritjen në detyrë. 

      4. Subjektet që caktohen në vendet vakante përmes procedurës së ngritjes në detyrë parashikohen në pikën 3 të nenit dhe janë:

      a) çdo magjistrat qoftë edhe i komanduar apo në skemën e delegimit që plotëson kriteret për ngritjen në detyrë në përputhje me kërkesat e pozicionit të shpallur të lirë.

      b) çdo jurist i spikatur, sipas parashikimit të nenit 49 të ligjit për statusin, pra kur kandidon për vendin vakant si gjyqtar në Gjykatën e Lartë nga radhët e jogjyqtarëve. 

       

      Subjektet që përjashtohen nga procedura e ngritjes në detyrë. 

      5. Subjektet që nuk mund të marrin pjesë në procedurën që zhvillohet me qëllim ngritjen e tyre në detyrë janë: 

      a) sipas pikës 4, magjistrati që ka ushtruar funksionin si anëtar i Këshillit, i cili përjashtohet jo vetëm gjatë kohës që është anëtar i Këshillit por edhe për një periudhë shtesë 3 vjeçare pas mbarimit të këtij mandati. Me këtë rregullim duke pasur parasysh rotacionin e përtëritjes së Këshillave, është shmangur çdo lloj ndikimi që mund të kenë anëtarët e këshillave në përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët mund të ishin ish-kolegët e tyre, si edhe në rastin e lëvizjes paralele të parashikuar në nenin 43 të ligjit për statusin. Kjo do të shmangë një herë e mirë vetëpromovimin e anëtarëve të këshillave, gjë e cila ishte kthyer në një dukuri të zakonshme para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

      b) sipas pikës 8, magjistrati që nuk kalon verifikimin e pasurisë dhe të figurës sipas pikave 2 deri në 7 të nenit 32 të ligjit për statusin, si dhe

      c) magjistrati që ka masë displinore në fuqi. 

      6. Sipas pikës 9 shkronja a) të këtij neni kandidatët që kanë qenë të komanduar dhe kanë përfunduar të gjithë periudhën e komandimit, apo që kanë shërbyer në skemën e delegimit, si dhe anëtarët e këshillit që kandidojnë pas tre vjetësh që u ka mbaruar mandati, kanë përparësi në vlerësim për qëllim të ngritjes në detyrë. Në këtë mënyrë, ligjvënësi ka shprehur vullnetin e tij për të nxitur magjistratët që të mos hezitojnë për të hyrë në skemën e delegimit apo komandimit, duke e konsideruar atë si mundësi të ecurisë në karrierë. 

       

      Procedura e ngritjes në detyrë

      7. Procedura e ngritjes në detyrë bazohet në parimet e transparencës, barazisë, aftësisë dhe përvojës profesionale. Kjo procedurë zhvillohet sipas kësaj radhe: fillimisht këshillat shpallin pozicionin e lirë publikisht të paktën në faqen zyrtate të tyre që duhet të përmbajë: informacionin e nevojshëm për pozicionin e lirë; afatin e kandidimit të paktën dy javë nga shpallja e procedurës; çfarë informacioni dhe dokumentacioni duhet të paraqitet nga kandidati, vendin ku dorëzohet dokumentacioni, si dhe procedurën sesi do të zhvillohet kandidimi. Çdo magjistrat kandidat ka të drejtë të aplikojë deri në 3 vende për pozicione të lira apo që priten të bëhen të lira duke i renditur ato sipas preferencës, siç parashikon pika 6 e këtij neni. 

      8. Pas shpalljes së vendeve vakante, Këshillat marrin vendim dhe ngrenë në detyrë kandidatët e vlerësuar me pikët më të larta të përllogaritura sipas pikës 9 dhe 14 të këtij neni. Në lidhje me kandidatët për pozicionin e vendit vakant në Gjykatën e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor i propozon Presidentit me shkrim, emrin e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore duke arsyetuar përmbushjen e tyre dhe duke bërë renditjen e kandidatëve sipas pikës 9 dhe 14 të këtij neni. Vendimi për propozimin publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Ngritja në detyrë e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë dekretohet nga Presidenti i Republikës sipas nenit 136 pika 2 e Kushtetutës. 

       

      Kriteret për vlerësimin e kandidaturave të ngritjes në detyrë 

      9. Ligji në pikën 9 parashikon se këshillat shqyrtojnë dhe përzgjedhin kandidatin për vendin vakant duke iu referuar vlerësimeve profesionale, etike apo të vjetërsisë midis kandidatëve. Konrketisht, Këshilli merr parasysh dy vlerësime të mëparshme të magjistratit duke marrë në konsideratë përparësinë që ka përvoja si i komanduar, shërbimi në skemën e delegimi dhe qenia anëtar i Këshillit të paktën para 3 vjetësh para kandidimit. Nëse ka më shumë se një kandidat me rezultate të njëjta, atëherë do të renditen sipas skemës së pikëve të përcaktuar nga Këshilli. Neni, në këtë parashikim përmend vetëm Këshillin e Lartë Gjyqësor, por në interpretim tërësor të nenit bëhet fjalë për të dy këshillat që bëjnë vlerësimin e kandidatëve që konkurojnë për ngritjen në detyrë, sipas vendeve vakante të shpallura në nivel apeli, për Gjykatën e Lartë apo Prokurorinë e Përgjithshme, gjykatën e posaçme. Pra edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. 

      10. Ligji ka parashikuar edhe zgjidhjen kur nga vlerësimi i mësipërm rezulton se ka më shumë se një kandidat me pikët më të larta. Në këto raste, Këshilli rendit kandidatët sipas përvojës profesionale të veçantë për vendin vakant. Nëse sërish pas vlerësimit të bërë ka më më shumë se një kandidat me pikë më të larta, atëherë përzgjidhet kandidati sipas vjetërsisë si magjistrat ose si jurist. 

       

      E drejta e ankimit 

      11. Pika 10 dhe 11 e nenit parashikon të drejtën e ankimit të kandidatëve që marrin pjesë në procedurën e ngritjes ndaj vendimit të këshillit. Kjo e drejtë ushtrohet për aq sa gjejnë zbatim parashikimet e nenit 41 pika 2 deri 4 e ligjit për statusin. Në rastin kur Këshilli vendos moscaktimin e magjistratit në gjykata dhe prokuroritë e posaçme, ky vendim është i formës së prerë. 

       

      Rezerva ligjore 

      12. Pika 14 e nenit 48 parashikon kompetencën e Këshillave për të nxjerrë rregulla që rregullojnë zbatimin e këtij neni që kanë lidhje me kriteret për vlerësimin e kandidatëve me pikë të barabarta, me procedurën që ndiqet në rastin e kadidatëve me pikë të barabarta, për vlerësimin e përvojës profesionale që kërkohet për vendin e punës, si dhe për zbatimin dhe përshtatjen e këtij neni për pozicionet e lira të përkohshme.

    • 13. Ligji (i mëparshëm) nuk parashikon shprehimisht, me rregulla të mjaftueshme dhe të qarta, se ngritja në detyrë (promovimi) ka të bëjë vetëm me rastet e “transferimit” të gjyqtarit nga detyra aktuale e tij në një gjykatë më e ulët në një gjykatë më të lartë, në një gjykatë të fushës së veçantë të të njëjtit nivel, si dhe me rastet e caktimit të tyre në funksionet drejtuese të gjykatave. Deri më sot, vendimet e KLD-së lidhur me ngritjen në detyrë të gjyqtarëve nuk janë as subjekt i verifikimit të brendshëm administrativ dhe as i ankimit ndaj tyre në rrugë gjyqësore nga gjyqtarët e interesuar, ndonëse në komunitetin e gjyqtarëve janë shfaqur në vazhdimësi pakënaqësi për këto çështje”, faqe 11 pe¨r ngritjen ne¨ detyre¨, ligji (i ri) pe¨rcakton kritere objektive profesionale dhe merite si dhe procedura te¨ qarta dhe te¨ unifikuara duke vendosur kritere minimale pe¨r pe¨rvoje¨n profesionale te¨ magjistrate¨ve te¨ cile¨t ke¨rkojne¨ te¨ promovohen ne¨ Gjykatat ose Prokurorite¨ e karriere¨s.[1]

       

      [1] Relacioni shoqërues i Ligjit Nr. 96/2016, faqja 4.

    • Asnjë koment
  • 14. Neni ofron garancitë e standardeve ndërkombëtare, sipas të cilave magjistratët gëzojnë të drejtën për t’u promovuar mbi bazë të procedurave tranparente, objektive dhe mbi vlerat e tyre profesionale, të integritet dhe të meritës.

    15. Këshilli i Evropës, Karta Evropiane Mbi Statusin e Gjyqtarit dhe Memorandumit Shpjegues, Strasburg, 8-10 Korrik 1998, pika 4.1, When it is not based on seniority, a system of promotion is based exclusively on the qualities and merits observed in the performance of duties entrusted to the judge, by means of objective appraisals performed by one or several judges and discussed with the judge concerned. Decisions as to promotion are then pronounced by the authority referred to at paragraph 1.3 hereof or on its proposal, or with its agreement. Judges who are not proposed with a view to promotion must be entitled to lodge a complaint before this authority. https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=DAJ/DOC(98)23&Language=lanAlbanian&Ver=original&Site=true e vizituar për herë të fundit më 14.05.2015

    16. Këshilli i Evropërs, Opinion nr.1 i Këshillit Këshillimor për Gjyqtarët Evropian (CCJE) për Vëmendjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për Standardet lidhur me Pavarësinë e Gjyqësorit dhe palëvizshmërinë e Gjyqtarëve, 2001, (3) Seniority should not be the governing principle determining promotion. Adequate professional experience is however relevant, and pre-conditions related to years of experience may assist to support independence (paragraph 29), https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CCJE(2001)OP1&Sector=secDGHL&Language=lanEnglish&Ver=true e vizituar për herë të fundit më 14.05.2015

    17. Konferenca e 7-të Bienale të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Azisë dhe Paqësorit, Deklarata e Beijing mbi Parimet e Pavarësisë së Gjyqësorit në Rajonin Lawsia, të ndryshuar, Manila, 1997, pikat 17, Promotion of judges must be based on an objective assessment of factors such as competence, integrity, independence and experience, 103.4.122.119/beijing-statement.htm e vizituar për herë të fundit më 14.05.2015 (hyperlink)

    18. Shoqata Ndërkombëtare e Pavarësisë Gjyqësore dhe Paqes Botërore (JIWP), Deklarata universal e Pavarësisë së Gjyqsorit, 1993, pikat 2.14 dhe 2.17, 2.14 a) There is no single proper method of judicial selection provided it safeguards against judicial appointments for improper motives. b) Participation in judicial appointments by the Executive or Legislature is consistent with judicial independence, so long as appointments of judges are made in consultation with members of the judiciary and the legal profession or by a body in which members of the judiciary and the legal profession participate. Posting, Promotion and Transfer 2.17 Promotion of a judge shall be based on an objective assessment of the candidate's integrity and independence of judgment, professional competence, experience, humanity and commitment to uphold the rule of law. Article 2.14 shall apply to promotions. https://drive.google.com/file/d/0B9IcntdtvWj2Tmk5SWtZS3k0MFU/view e vizituar për herë të fundit më datë 14.05.2017

  • Neni 136 pika 1 e Kushtetutës

    Neni 136 pika 2 e Kushtetutës

    Nenet 34, 36, nenit 41 pika 2 deri 4, 47 pika 4 e ligjit nr. 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Manjola Xhaxho
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)