"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 49: Emërimi i kandidatëve jogjyqtarë në Gjykatën e Lartë

1. Një e pesta e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë mund të përzgjidhen mes juristëve të spikatur, që kanë gradë shkencore në drejtësi, me jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës.

2. Kandidatët jogjyqtarë për pozicione në Gjykatën e Lartë duhet:

a. të plotësojnë kriteret e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “d”, “dh”, “ë” dhe “f”, të nenit 28, të këtij ligji;

b. të mos kenë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose në pozicione drejtuese në parti politike, gjatë dhjetë viteve të fundit para kandidimit.

3. Kandidati që ka njohuri të një gjuhe të një shteti anëtar të Bashkimit Europian ka përparësi në vlerësim.

4. Këshilli i Lartë Gjyqësor publikon thirrjen për paraqitjen e kandidaturave, në përputhje me përcaktimet e bëra në pikat 3 dhe 5, të nenit 48, të këtij ligji.

5. Këshilli vlerëson përmbushjen e kritereve, sipas parashikimeve të pikës 2, të këtij neni, dhe verifikon kandidatët, sipas parashikimeve të pikave 2 deri në 7, të nenit 32, të këtij ligji. Kandidatët, të cilët nuk përmbushin kriteret ose nuk kalojnë procesin e verifikimit të pasurisë dhe të figurës, përjashtohen nga kandidimi.

6. Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson aftësitë profesionale të kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore, duke u bazuar në këta tregues:

a. ekspertizën e veçantë të kandidatit në fusha të veçanta të ligjit, sipas kërkesave të shpallura për pozicionin e lirë;

b. vlerësimin e punës së kandidatit, përmes të paktën pesë dokumenteve ligjore, të hartuara nga kandidati gjatë përvojës së tij në profesion gjatë pesë viteve të fundit, si dhe çdo publikim shkencor dhe artikull akademik në fushën e ligjit;

c. rezultatet e studimeve të larta për drejtësi, të programit të formimit fillestar, përvojës në profesion ose çdo trajnimi tjetër;

ç. aftësitë gjuhësore, të treguara nëpërmjet certifikatave dhe gjatë intervistimit.

7. Bazuar në vlerësimin e aftësive profesionale, Këshilli përgatit një listë vetëm me kandidatët e renditur me vlerësimin më mirë mes të gjithë kandidatëve, të cilët merren në pyetje në një seancë dëgjimore, për të marrë informacion lidhur me kriteret e parashikuara në pikën 8 të këtij neni.

8. Këshillat i rendisin kandidatët sipas vlerësimit të aftësive profesionale dhe intervistës, duke iu referuar:

a. së pari rezultateve të vlerësimit të aftësive profesionale, sipas parashikimeve të pikës 6 të këtij neni;

b. së dyti, në rastet e rezultateve të njëjta të vlerësimit të aftësive profesionale, viteve të eksperiencës profesionale të përshtatshme për pozicionin e lirë.

9. Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon me shkrim emërimin e kandidatëve. Propozimi duhet të jetë i arsyetuar në lidhje me përmbushjen e kritereve ligjore prej tyre, si dhe duhet të pasqyrojë renditjen e kandidatëve, sipas kritereve të parashikuara në pikën 8 të këtij neni.

10. Vendimi i propozimit për emërim është i ankimueshëm. Rregullat e parashikuara në nenin 41, pikat 2 deri në 4, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim. Këshilli bën publik vendimin përfundimtar të propozimit për emërim në faqen e tij zyrtare.

11. Gjyqtari me renditjen më të lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 136, pika 2, të Kushtetutës.

12. Këshilli miraton rregulla më të detajuara, të cilat përcaktojnë:

a. kriteret për vlerësimin e përvojës në fusha të veçanta;

b. kriteret dhe procedurën për vlerësimin e aftësive profesionale;

c. procedurën që ndiqet në rastin e pikëve të barabarta.

Përmbajtja

    • 1. Neni ka për qëllim të vendosë standarte duke garantuar një procedurë transparente, objektive, të pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve jo gjyqtarë në Gjykatën e Lartë mbi bazën e vlerësimit të aftësive profesionale, kualifikimeve, integritetit dhe pastërtisë së figurës, në përputhje edhe me kriteret kushtetuese të parashikuara për këtë qëllim.

    • 2. Neni parashikon kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushin kandidatët jo gjyqtarë për t’u përgjedhur në funkionin e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë, si dhe procedurën që kryhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për këtë përzgjedhje deri në propozimin e kandidatëve për emërim Presidentit të Republikës, sipas pikës 1 të nenit 136 të Kushtetutës. Në tërësinë e tij neni është i ndërtuar në të njëjtën strukturë dhe në disa pika edhe me kritere vlerësimi përmbajtësor të ngjashëm me ato që zbatohen në rastin e ngritjes në detyrë të magjistratëve. Kjo për shkak se midis gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nuk duhet të ketë diferenca të ndjeshme në kualifikimin profesional me qëllim që të mos ndikojë në vendimmarrjen e saj.

    • Subjektet që mund të jenë kandidatë jo gjyqtarë për në GJL 

      3. Bazuar në nenin 136/3 të Kushtetës, pika 1 e nenit 49 ka parashikuar se 1/5 e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë nuk do të jenë gjyqtarë karriere por juristë, të cilët kanë një veprimtari të spikatur, kanë një gradë shkencore, kanë punuar jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë, lektorë, juristë të nivelit të lartë të administratës publike ose në fusha të tjera të së drejtës. Qëllimi i kësaj dispozite është miksimi i përvojave profesionale duke pasur parasysh se GJL është gjykatë ligji dhe ka në funksion unifikimin e së drejtës, pra mënyrën e të kuptuarit dhe të zbatuarit të ligjit. Ky funksion kërkon që qasja ndaj ligjit të mos jetë vetëm në sensin praktik por edhe në atë teorik ose doktrinar. Për këtë arsye, ligjvënësi kushtetues e më pas ai i zakonshëm ka parashikuar një përqindje të caktuar jogjyqtarë në përbërjen e GJK, me qëllim që kjo gjykatë të ketë një horizont më të gjerë dhe aktual mbi zhvillimet më të fundit të së drejtës në përgjithësi, pavarësisht fushave ose nënndarjeve të saj. 

       

      Kriteret që duhet të përmbushin kandidatët jo gjyqtarë 

      4. Neni parashikon kriteret mbi bazë të të cilave duhet të bëhet përzgjedhja dhe renditja e kandidatëve. Mosplotësimi i tyre passjell përjashtimin nga vlerësimi i mëtejshëm profesional. Pra, fillimisht verifikohen kriteret që kanë efekt përjashtues për në fazën tjetër atë të vlerësimit sipas pikëve të aftësive të tyre profesionale.

      5. Sipas pikave 2, 4 të nenit, kriteret përjashtues ose selektues janë: a) kandidati të plotësojë kriteret e parashikuara në shkronjat a, b, d, dh, ë, f të nenin 28 të ligjit për statusin; b) kandidati të mos kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike, gjatë dhjetë viteve të fundit para kandidimit. Kjo kërkesë duhet kuptuar se kandidati nuk ka qenë anëtar i organeve drejtuese të parashikuara në statutin e partisë politike. Ky kriter garanton pavarësinë politike të këtyre kandidatëve; si dhe kriteri tjetër që lidhet me c) verifikimin e pasurisë dhe të figurës sipas pikave 2 deri në 7 të nenit 32 të ligjit për statusin

      6. Sipas pikave 3, 6 të nenit, kriteret vlerësues të aftësive profesionale janë a) ekspertiza e veçantë e kandidatit në fushën e së drejtës për të cilën është shpallur pozicioni vakant; b) vlerësimi i punës përmes të paktën pesë dokumenteve ligjore të hartuara gjatë punës së kryer prej kandidatit në pesë vitet e fundit, c) si dhe çdo publikim shkencor dhe artikull akademik në fushën e ligjit; rezultatet në studime dhe trajnime të ndryshme, përvoja profesionale; ç) aftësia gjuhësore e treguar përmes çerftifikatave dhe intervistimit; d) pasja e njohurive të një gjuhe të një shteti anëtar të Bashkimit Europian është përparësi për kandidatin. 

       

      Procedura e përzgjedhjes së kandidatëve jo gjyqtarë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor 

      7. Neni ka parashikuar disa hapa proceduralë që lidhen me kriterin e transparencës dhe publicitetit, duke filluar me detyrimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të shpallur pozicionin e lirë publikisht të paktën në faqen zyrtate të tij, që do të thotë mund të publikohet edhe në mjetet të tjera të informacionit. Thirrja për vendet vakante për t’u plotësuar në GJL nga jo gjyqtarë duhet të përmbajë informacionin e nevojshëm për pozicionin e lirë, afatin e kandidimit të paktën dy javë nga shpallja e procedurës, të gjitha dokumentet e nevojshme me të cilat duhet të shoqërohet kërkesa nga kandidati, vendi dhe data e fundit për dorëzimin e aplikimit. Gjithashtu, në thirrje bëhet e njihur edhe procedura sesi do të zhvillohet kandidimi, i cili i referohet pikës 4 të nenit dhe pikës 3 dhe 5 të nenit 48 të ligjit për statusin.

      8. Pas shpalljes së vendeve vakante, Këshilli i Lartë Gjyqësor verifikon nëse kandidatët plotësojnë kriteret sipas parashikimit të pikës 2 të këtij neni. Këshilli i Lartë Gjyqësor bën njëkohësisht verifikimin e pasurisë dhe të figurës sipas pikave 2 deri në 7 të nenit 32 të ligjit për statusin. Pas plotësimit të kritereve të pikës 2 të këtij neni dhe verifikimit të pasurisë dhe të figurës, nëse kandidati i plotëson ato, kalon në vlerësimin i aftësive profesionale. Këshilli i Lartë Gjyqësor bën vlerësimin e aftësisë profesionale, aftësitësë gjuhësore, dhe njohjen e gjuhës së huaj të një vendi anëtar të Bashkimit Europian. Më tej, pas vlerësimit të aftësive profesionale Këshilli i Lartë Gjyqsor përgatit një listë ku rendit kandidatët me vlerësimin më të mirë, me të cilët zhvillon seancë dëgjimore për të marrë informacion në lidhje me kriteret profesionale sipas pikës 6 të këtij neni. Pas përfundimit të kësaj faze, Këshilli i Lartë Gjyqësor bën renditjen e kandidatëve. Nëse ka më shumë se një kandidat me të njëjtin vlerësim të aftësive profesionale atëherë ata renditen mbi bazën e eksperiencës profesionale të përshtatshme për pozicionin e lirë.

      9. Në fund të procesit të renditjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor i propozon me shkrim Presidentit të Republikës emrin e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore duke arsyetuar në çdo rast përse këta kandidatë janë më të mirët. Vendimi për propozimin publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Kandidati me renditjen më të lartë emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë prej Presidentit të Republikës, sipas nenit 136 pika 2 i Kushtetutës. 

       

      E drejta e ankimit 

      10. Pika 10 e nenit parashikon të drejtën e ankimit të kandidatëve ndaj vendimit të propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kjo e drejtë ushtrohet për aq sa gjejnë zbatim parashikimet e nenit 41 pika 2 deri 4 e ligjit për statusin. 

       

      Rezerva ligjore 

      11. Pika 12 e nenit 49 parashikon kompetencën e Këshillave për të nxjerrë rregulla që rregullojnë zbatimin e këtij neni që kanë lidhje me kriteret për vlerësimin e përvojës në fusha të veçanta, kritere dhe procedurën për vletësimin e aftësive profesionale, me procedurën që ndiqet në rastin e kadidatëve me pikë të barabarta.

    • 12. Dispozita është risi pasi më parë kandidaturat për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë përzgjidheshin sipas procedurës dhe kritereve të parashikuar në nenet 3 deri 4/5 të ligjit nr. 8588/2000 “Për organizimin e dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” sipas ndryshimeve të vitit 2014 që nuk u zbatuan asnjëherë në praktikë. Para 2014 nuk kishte procedura të hartuara në drejtim të përzgjedhjes së kandidatëve. Më tej mes kandidatëve nenit 136 të Kushtetutës emërohej anëtari i Gjykatës së Lartë nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit përmes procedurave dhe kritereve vlerësuese profesionale të paqarta dhe të pamjaftueshme për të garantuar tranparencë dhe objektivitet në përzgjedhjen. Kështu ligji i ri garanton pavarësinë e sistemit gjyqësor duke parashikuar Këshillin e Lartë Gjyqësor si organin që kryhen procedurën dhe vlërësimin e kandidatëve jo gjyqtarë për t’u caktuar si magjistratë në Gjykatën e Lartë, përmes procedurave të qarta, hollësishme, transparente, objektive dhe që bazohen në meritë, aftësi profesionale e integritet moral në përzgjedhjen e kandidatëve.

    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Neni 136 pika 1 e Kushtetutës

    Neni 136 pika 2 e Kushtetutës

    Neni 28 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Neni 3 deri 4/5 të ligjit nr. 8588/2000 “Për organizimin e dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”

    Neni 136 i Kushtetutës se Republikës së Shqipërisë para ndryshimeve të vitit 2016.

Manjola Xhaxho
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)