1. Mandati i Kryetarit të gjykatave dhe prokurorive të tjera, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm, është tre vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Mandati i kryetarit të Prokurorisë së Posaçme është tre vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje.
2. Jo më vonë se 6 muaj përpara mbarimit të mandatit të parë, kryetari i gjykatës ose prokurorisë me të drejtën e rizgjedhjes, mund të kandidojë për një mandat të dytë. Kur kryetari nuk kandidon për një mandat të dytë brenda afatit të përcaktuar, konsiderohet që ka dhënë dorëheqjen si kryetar në fund të mandatit.
3. Kur kryetari në detyrë kandidon për riemërim, i nënshtrohet verifikimit të pasurisë dhe figurës nga Këshilli përkatës, jo më vonë se tre muaj para mbarimit të mandatit të parë, sipas rregullave të parashikuara në pikat nga 2 deri në 7, të nenit 32, të këtij ligji.
4. Kryetari riemërohet për një mandat tjetër vetëm nëse kalon me sukses verifikimin, sipas parashikimeve të pikave 2 deri në 7, të nenit 32, të këtij ligji, dhe nëse vlerësimi për veprimtarinë si kryetar dhe magjistrat, është të paktën “shumë mirë”.
5. Këshilli merr vendim jo më vonë se tre muaj nga mbarimi i mandatit të kryetarit.
6. Në rastin kur kryetari jep dorëheqjen ose kur nuk i pranohet kërkesa për një mandat tjetër, Këshilli publikon shpalljen për vendin e lirë për pozicionin e kryetarit për kandidatët që i plotësojnë kriteret e ngritjes në detyrë, jo më vonë se tre muaj nga mbarimi i mandatit të kryetarit në detyrë.
7. Thirrja për aplikim u drejtohet magjistratëve në gjykatën ose prokurorinë përkatëse. Në rast se në gjykatën ose prokurorinë përkatëse, një pozicion bëhet në mënyrë të përhershme i lirë nga dy muaj përpara mbarimit të mandatit të kryetarit deri në tre muaj pas mbarimit të tij, thirrja për kandidim i drejtohet çdo magjistrati që plotëson kriteret për kryetar. Në rastin e Prokurorisë së Posaçme thirrja për kandidim për kryetar u drejtohet vetëm prokurorëve të kësaj prokurorie.
8. Në zbatim të pikës 7, të këtij neni, shpallja publikohet të paktën në faqen zyrtare të Këshillit dhe duhet të përmbajë informacionin e nevojshëm për pozicionin e lirë, si dhe të përcaktojë:
a. afatin e aplikimit, i cili është të paktën dy javë nga data e shpalljes;
b. informacionin dhe dokumentacionin që i bashkëlidhet aplikimit;
c. procedurën e aplikimit dhe vendin e dorëzimit të dokumentacionit.
9. Këshilli përkatës vlerëson në rast se kandidati i plotëson kriteret të parashikuara në pikën 6 të nenit 47. Ai kryen verifikim, sipas parashikimeve të pikave 2 deri në 7, të nenit 32, të këtij ligji. Kandidatët, të cilët nuk plotësojnë kriteret e vendosura nga ligji ose nuk kalojnë me sukses verifikimin e pasurisë dhe të figurës, përjashtohen nga kandidimi.
10. Këshilli shqyrton aplikimet dhe rendit kandidatët që përmbushin kriteret, sipas rezultateve të mëposhtme:
a. së pari dy vlerësimet e mëparshme. Në rastet e më shumë kandidatëve me të njëjtën nivel vlerësimi, magjistratët brenda grupit të kandidatëve me rezultatet më të larta të vlerësimit renditen sipas skemës së pikëve, të përcaktuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor;
b. së dyti, në rast se pas vlerësimit të bërë sipas shkronjës “a”, të pikës 10, të këtij neni, ka më shumë se një kandidat me pikë më të larta, Këshilli rendit këta kandidatë, sipas përvojës profesionale specifike që kërkohet për pozicionin e lirë;
c. së treti, në rast se pas vlerësimit të bërë sipas shkronjës “b”, të pikës 10, të këtij neni, ka më shumë se një kandidat me pikë më të larta, Këshilli rendit këta kandidatë sipas vjetërsisë si magjistrat.
11. Këshilli cakton në funksionin e kryetarit kandidatin më të mirë të listuar. Rregullat e parashikuara në nenin 41, pikat 2 deri në 4, për caktimin e të emëruarve të rinj në pozicion aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.
12. Këshillat miratojnë rregulla më të detajuara, të cilat përcaktojnë:
a. kriteret për vlerësimin etik dhe profesional ndërmjet magjistratëve me pikë të barabarta vlerësimi;
b. kriteret për matjen e aftësive organizative dhe drejtuese;
c. procedurën që ndiqet në rastin e rezultateve të barabarta.