"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 53: Parimet e komandimit të magjistratëve

1. “Komandim” është lëvizja e magjistratit në një pozicion jomagjistrati në një institucion brenda sistemit të drejtësisë, pozicion i cili është i pajtueshëm me pavarësinë dhe mbajtjen e statusit të tij.
2. “Institucioni në të cilin magjistrati komandohet”, për pozicionin e ndihmësmagjistratit është Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese ose Prokuroria e Përgjithshme; për pozicionet si inspektorë është Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë; dhe për pozicione të tjera janë Këshillat, Ministria e Drejtësisë, Avokatura e Shtetit, Shkolla e Magjistraturës ose çdo institucion tjetër brenda sistemit të drejtësisë dhe përafrimit të legjislacionit.
3. Me përjashtim të rasteve të caktimit në pozicion të sapoemëruarve, magjistratët mund të komandohen vetëm me pëlqimin e tyre.
4. Magjistrati i komanduar ka të njëjtat të drejta dhe detyrime si çdo magjistrat tjetër, me përjashtim kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
5. Magjistrati nuk lejohet të komandohet në ato raste kur:
a) është në një pozicion me mandat të kufizuar;
b) është i komanduar.
6. Periudha e komandimit të magjistratit nuk mund të jetë më shumë se pesë vjet, me përjashtim kur parashikohet ndryshe në ligj.
7. Magjistrati duhet të shërbejë jo më pak se pesë vjet si magjistrat pas përfundimit të periudhës së komandimit.
8. Magjistrati nuk mund të komandohet për më shumë se dhjetë vjet gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës së tij.
9. Përvoja e magjistratit të komanduar nga gjykata ose prokuroria e shkallës së parë në institucionin në të cilin magjistrati komandohet, llogaritet përvojë në profesion në shkallë të parë, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe. Përvoja e magjistratit të komanduar nga gjykata ose prokuroria në shkallë të dytë, institucioni në të cilin magjistrati komandohet llogaritet si përvojë në profesion në shkallë të dytë, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe. Ushtrimi i funksioneve drejtuese në institucionin në të cilin magjistrati komandohet vlerësohet si përvojë drejtuese.
10. Magjistratit të komanduar i bëhet vlerësimi etik dhe profesional nga institucioni në të cilin magjistrati është komanduar, në përputhje me kriteret dhe procedurën që zbatohet për anëtarët e tjerë të këtij institucioni, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe. Nivelet e këtij vlerësimi njihen si nivele vlerësimi në kuptim të këtij ligji.
11. Magjistratit, të cilit nuk i është bërë vlerësimi etik dhe profesional nga institucioni në të cilin magjistrati është komanduar, ka të drejtën të vlerësohet për aftësitë profesionale si kandidat jogjyqtar në Gjykatën e Lartë, sipas parashikimeve të nenit 49, të këtij ligji, për aq sa gjejnë zbatim, me qëllim që të konkurrojë në kushte të njëjta me magjistratët e tjerë për pozicionet e lira.
12. Magjistrati, gjatë komandimit, ka përgjegjësi disiplinore, sipas parashikimeve që zbatohen për anëtarët e institucionit në të cilin magjistrati është komanduar. Në rastet kur institucioni në të cilin magjistrati është komanduar propozon shkarkimin e magjistratit si masë disiplinore, magjistrati i komanduar mund të kërkojë referimin e çështjes te Këshilli. Në këtë rast Këshilli shqyrton çështjen dhe zbaton procedurën disiplinore, sipas parashikimeve të këtij ligji. Institucioni në të cilin është komanduar magjistrati merr pjesë në procedurën disiplinore me të drejtat dhe detyrimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
13. Nëse çështja nuk është referuar në Këshill, institucioni në të cilin është komanduar magjistrati informon Këshillin për çdo vendim të ndërmarrë prej tij ndaj magjistratit të komanduar. Ankimi në gjykatë i vendimit për masë disiplinore të institucionit në të cilin është komanduar magjistrati pezullon zbatimin e vendimit.

Përmbajtja

    • 1. Neni 53 ka si qëllim të ofrojë garancitë për procesin e lëvizjes së magjistratëve në skemën e komandimit. Këto garanci kanë si synim jo vetëm mbrojtjen e statusit të magjistratit gjatë gjithë kohës që ai ka këtë status, por edhe sigurimin e fleksibilitetit të lëvizjes nga një pozicion në një tjetër brenda sistemit të drejtësisë, me qëllim mbledhjen e përvojave të ndryshme nga magjistrati, si dhe plotësimin e nevojave të vetë sistemit të drejtësisë. Nëpërmjet rregullave bazë të parashikuara nga neni 53, të cilat detajohen në nenet vijuese të kreut VI, synohet të zgjerohen mundësitë e magjistratit për të lëvizur brenda sistemit të drejtësisë, jo vetëm në gjykata ose prokurori. Kjo i jep atij jo vetëm sigurinë e ruajtjes së statusit të tij gjatë gjithë periudhës së komandimit, por edhe duke i ofruar mundësinë e promovimit pas kësaj periudhe, e cila konsiderohet si vjetërsi për efekt karriere dhe vlerë e shtuar në procesin e ngritjes në detyrë të magjistratit. Të gjitha këto elemente synojnë ta bëjnë skemën e komandimit sa më tërheqëse dhe elastike për shkëmbimin e përvojave brenda sistemit të drejtësisë.

    • 1. Subjektet


      2. Neni 53 ka për subjekt së pari këshillat, të cilët, bazuar në parimet bazë të parashikuara në këtë dispozitë, kanë përgjegjësinë të vlerësojnë rast pas rasti, me kërkesë të magjistratit ose për shkak të ligjit, kërkesat për komandimin e magjistratëve sipas kreut VI (nenet 53-58). Këshillat kanë detyrimin të kujdesen për respektimin e kushteve dhe kritereve të parashikuara në këtë nen lidhur me komandimin e magjistratit në institucionet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, sipas nevojave të institucioneve ku komandohet magjistrati dhe kërkesës së këtij të fundit.
      3. Gjithashtu, neni 53 ka për subjekt edhe magjistratët, të cilët kërkojnë të komandohen në një nga institucionet e përcaktuara në pikën 2 të tij. Neni 53 në disa pika të tij parashikon të drejta dhe detyrime që magjistrati ka në skemën e komandimit. Përveç këtyre, kjo dispozitë parashikon dhe aspekte të veçanta lidhur me statusin e tij, konkretisht përgjegjësinë disiplinore gjatë periudhës së komandimit, e cila gjen rregullim të posaçëm në këtë dispozitë.
      4. Së fundmi, neni 53 ka për subjekt, ndonëse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, edhe institucionet ku komandohet magjistrati. Konkretisht, institucionet në të cilat magjistrati komandohet dhe konsiderohet ndihmësmagjistrat janë: Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Përgjithshme. Ata komandohen edhe në pozicionin e inspektorit pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Përveç këtyre, magjistratët mund të komandohen edhe për pozicione të tjera pranë Këshillave, Ministrisë së Drejtësisë, Avokaturës së Shtetit, Shkollës së Magjistraturës ose çdo institucion tjetër brenda sistemit të drejtësisë dhe përafrimit të legjislacionit. Të gjitha këto institucione kanë detyrime të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë nen dhe dispozitat e tjera të këtij kreu që lidhen me procedurën e komandimit, me qëllim mbarëvajtjen e tij. 


      2. Struktura


      5. Neni 53 “Parimet e komandimit të magjistratëve” është neni i parë i kreut VI “Komandimi”, të pjesës III “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve”. Në mënyrë kronologjike të zhvillimit të karrierës, pas rregullimit të emërimit dhe caktimit në pozicion, parashikimit të transferimit, ku përfshihet lëvizja paralele, lëvizja në skemën e delegimit dhe transferimi i përkohshëm, si dhe pas kreut që i kushtohet ngritjes në detyrë, ligji parashikon procedurën e komandimit, i cili është një formë tjetër e lëvizjes po jo në një gjykatë ose prokurori në pozicionin e gjyqtarit ose të prokurorit, por tashmë në një pozicion ndihmësmagjistrati ose në administratën civile të institucioneve të sistemit të drejtësisë.
      6. Neni 53 nga pikëpamja e natyrës së parashikimeve, është një dispozitë mikse, e cila përmban koncepte, parime dhe rregulla lejuese dhe ndaluese, si dhe në disa raste edhe me karakter procedural. Neni përbëhet nga 13 pika, të cilat përmbledhtazi i kushtohen kuptimit të konceptit “komandim” dhe “institucioni ku komandohet magjistrati”, rasteve të ndalimit të komandimit, afati i komandimit, llogaritja e përvojës gjatë komandimit për efekt të karrierës, mënyra dhe organi i vlerësimit gjatë komandimit, si dhe rregullimet lidhur me përgjegjësinë disiplinore.
      7. Kështu, pika 1 jep konceptin e “komandimit”, i cili konsiderohet si lëvizje e magjistratit në një pozicion jomagjistrati brenda sistemit të drejtësisë. Ky pozicion jomagjistrati duhet të jetë në pajtim me pavarësinë e magjistratit dhe statusin e tij. Pra, magjistrati që komandohet, megjithëse nuk do të ushtrojë detyrën e gjyqtarit ose prokurorit në institucionin ku do të komandohet, ai do të mbajë një pozicion që pajtohet me statusin dhe  pavarësinë e tij. 
      8. Nisur nga sa më lart, pika 2 e këtij neni parashikon shprehimisht institucionet dhe pozicionet ku magjistrati mund të komandohet. Ato janë Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese ose Prokuroria e Përgjithshme, ku magjistrati do të ushtrojë detyrën e ndihmësmagjistratit. Neni 2, shkronja “h” e ligjit për statusin jep kuptimin e ndihmësmagjistratit, i cili është gjyqtar i komanduar për të ndihmuar gjyqtarët në GJL, GJK, si dhe prokurori i komanduar për të ndihmuar PP-në. Veprimtaria e tyre përfshin në veçanti, kryerjen e kërkimit ligjor dhe përgatitjen e opinioneve me shkrim për çështje ligjore materiale ose procedurale. Më tej, institucionet ku mund të komandohet magjistrati janë Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në pozicionin inspektor; Këshillat, Ministria e Drejtësisë, Avokatura e Shtetit, Shkolla e Magjistraturës ose çdo institucion tjetër brenda sistemit të drejtësisë dhe përafrimit të legjislacionit. Në institucionet e fundit pozicioni ku komandohet magjistrati mund të ketë emërtim të ndryshëm, por rëndësi ka që ai të ruajë pavarësinë e tij (p.sh. të mos mbajë pozicione politike) si dhe të ruajë statusin e tij. 
      9. Në pikën 3 vendoset një parim i rëndësishëm, ndalimi i komandimit pa pëlqimin e magjistratit, me përjashtim të rastit kur magjistrati i sapoemëruar caktohet në pozicion, që është emërimi fillestar. Në këtë rast caktimi është i përkohshëm dhe magjistrati merr pjesë në radhën më të parë të caktimit në pozicion (shih komentin e nenit 40). Një parim tjetër që zë vend në pikën 4 është gëzimi i të drejtave dhe detyrimeve të magjistratit të komanduar njëlloj sikur të ishte gjyqtar ose prokuror, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj. Rastet përjashtimore mund të jenë të lidhura me pozicionin e tij, por që në çdo rast nuk mund të jenë të tilla që të prekin pavarësinë e tij, pasi një gjë e tillë bie ndesh me konceptin e komandimit, sipas pikës 1 të këtij neni. Këtu mund të përmendim faktin se ai nuk merr vendime, nuk merr pagën e gjyqtarëve të Gjykatës ku komandohet etj.
      10. Pika 5 përmban dy raste kur nuk lejohet komandimi i magjistratit: a) pozicioni ku komandohet është me mandat të kufizuar dhe b) magjistrati është sakaq i komanduar. Rasti i parë ka të bëjë me pozicione për të cilat parashikohet afat i kufizuar për ushtrimin e detyrës. Të tilla mund të jenë qenia gjyqtar në Gjykatën e Lartë ose Prokuror i Përgjithshëm. Ndërsa lidhur me rastin e dytë, ligji ndalon komandimin gjatë periudhës që magjistrati është i komanduar, pra duke qenë në një pozicion të komanduar nuk mund të komandohesh në një pozicion tjetër. Ky ndalim lidhet ngushtë me përcaktimin e pikës 7 të këtij neni, sipas të cilës, magjistrati duhet të shërbejë jo më pak se 5 vjet si magjistrat pas përfundimit të periudhës së komandimit. Pra, nisur nga fakti që komandimi është i përkohshëm dhe nuk mund të zgjasë aq sa të zbehë funksionin primar të magjistratit, është e arsyeshme që pas një periudhe 5-vjeçare në një pozicion jomagjistrati, të kthehet sërish në ushtrimin e funksionit të tij si gjyqtar ose prokuror. Jo pa qëllim, këtyre parashikimeve u shtohet edhe ai i pikës 6 që përcakton se periudha e komandimit nuk mund të jetë më shumë se 5 vjet, si rregull. Përjashtimet në ligj duhet të jenë të shprehura dhe të justifikuara. Arsyeja për këtë parashikim ka të bëjë me faktin se magjistrati duhet të ushtrojë detyrën si i tillë në pozicionin që caktohet si gjyqtar ose prokuror dhe të mos kalojë një periudhë të gjatë në komandim, ku ai nuk ushtron detyrën e tij parësore. Gjithsesi, me gjithë rastet përjashtimore, periudha e komandimit nuk mund të kalojë 10 vjet gjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës së magjistratit, sipas pikës 8 të këtij neni.
      11. Pika 9 është një nga parashikimet më të rëndësishme që i jep vlerë komandimit. Ajo përcakton shkallën e vlefshmërisë së përvojës së mbledhur gjatë komandimit duke e ndarë sipas niveleve të caktuara. Konkretisht, nëse magjistrati komandohet nga shkalla e parë, përvoja e tij llogaritet si përvojë në shkallë të parë. Ndërsa, nëse magjistrati komandohet nga shkalla e dytë, përvoja do të llogaritet si përvojë në shkallë të dytë, me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon ndryshe. Jo vetëm kaq, por pika 9 përcakton që nëse magjistrati ka pasur funksion drejtues në institucionin ku është komanduar, atëherë kjo llogaritet si përvojë drejtuese, që vlen për rastin kur magjistrati kandidon për kryetar gjykate ose prokurorie, sipas kritereve për ngritjen në detyrë (shih komentin e nenit 47).
      12. Më tej, pika 10 i kushtohet vlerësimit të magjistratit gjatë periudhës së komandimit, i cili duhet të bëhet nga institucioni ku është komanduar. Skema e vlerësimit e përdorur do të jetë e njëjta që përdoret nga institucioni përkatës për funksionarët e tij, përveç rasteve kur parashikohet shprehimisht ndryshe nga ligji. Ndërsa pika 11 rregullon rastin kur magjistrati i komanduar nuk është vlerësuar nga institucioni përkatës. Vlerësimi i tij do të bëhet nga këshillat sipas kritereve të vlerësimit që përdoren për kandidatët jogjyqtarë në GJL, sipas nenit 49 të këtij ligji. Kjo zgjidhje është gjetur me qëllim që magjistrati i cili nuk është vlerësuar gjatë komandimit të mos pengohet për t’u përfshirë në konkurrimin për pozicionet e lira, të cilat kanë si kriter pasjen e dy vlerësimeve pozitive (shih nenin 47). 
      13. Së fundmi, pikat 12 dhe 13 trajtojnë një çështje mjaft të rëndësishme për karrierën dhe statusin e magjistratit të komanduar: përgjegjësinë disiplinore gjatë komandimit. Si rregull, pika 12 parashikon se magjistrati përgjigjet disiplinarisht para institucionit ku ai komandohet dhe i nënshtrohet rregullave të parashikuara prej tij. I vetmi përjashtim është në rast se shkelja e magjistratit është e tillë që passjell shkarkimin e tij dhe magjistrati e referon çështjen në këshill. Në këtë rast këshilli shqyrton çështjen dhe zbaton procedurën disiplinore përkatëse, ku merr pjesë edhe institucioni përkatës në rolin e ILD-së. Ndërsa pika 13 parashikon rastin kur çështja nuk i referohet këshillit, atëherë institucioni ku është komanduar magjistrati informon këshillin për çdo vendim të ndërmarrë ndaj magjistratit. Ky i fundit ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të institucionit që cakton masën disiplinore. Ankimi pezullon zbatimin e vendimit deri në shqyrtimin e tij nga gjykata.  

    • 14. I tërë kreu VI, që i kushtohet “Komandimit” parashikon kushtet dhe kriteret e përgjithshme për t’u komanduar, si dhe dy raste të veçanta të komandimit të cilat paraqesin specifikë. Për rastet e tjera, zbatohen rregullat e përgjithshme të nenit 53 dhe 58, si dhe ato të miratuara nga këshillat për këtë qëllim.  14. I tërë kreu VI, që i kushtohet “Komandimit” parashikon kushtet dhe kriteret e përgjithshme për t’u komanduar, si dhe dy raste të veçanta të komandimit të cilat paraqesin specifikë. Për rastet e tjera, zbatohen rregullat e përgjithshme të nenit 53 dhe 58, si dhe ato të miratuara nga këshillat për këtë qëllim.  


      a) Rastet e veçanta të komandimit 

      15. Megjithëse pika 2 e nenit 53 parashikon një sërë institucionesh ku mund të komandohet magjistrati, rastet më tipike dhe më të zakonshme të komandimit janë ato ku magjistrati është më pranë funksionit të tij. Të tilla janë: Gjykata e Lartë (GJL), Gjykata Kushtetuese (GJK), Prokuroria e Përgjithshme (PP) dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD). Në dy gjykatat e para dhe në PP, të komanduarit konsiderohen ndihmësmagjistratë, duke i përshtatur me natyrën e punës që ata do bëjnë sipas përcaktimit të ligjit . Ndërsa kur komandohen tek ILD-ja, ata konsiderohen inspektorë, pasi kryejnë detyrat e inspektorit gjatë gjithë periudhës së komandimit. Për rastet e tjera, ligji nuk ka përdorur terminologjinë e pozicionit që mund të komandohet magjistrati, me qëllim që të mos kufizojë pozicionet e komandimit në këto institucione, të cilat në çdo rast duhet të jenë në pajtim me funksionin e magjistratit (pika 1). 
      16. Funksioni i ndihmës magjistratit pranë GJL-së dhe GJK-së është parashikuar shprehimisht edhe në rregullime të tjera ligjore, ku specifikohet natyra e punës së tyre dhe ruajtja e statusit të magjistratit gjatë kohës së komandimit, gjë që theksohet edhe në pikën 4 të nenit 53. Konkretisht, në nenin 34 të ligjit nr.98/2016, “Për pushtetin gjyqësor”, parashikohet ngritja dhe funksionimi i Njësisë së Shërbimit Ligjor si veprimtari këshilluese dhe ndihmëse në procesin vendimmarrës të GJL-së. Kjo njësi përbëhet nga këshilltarë ligjorë, shumica e të cilëve përbëhet nga ndihmësmagjistratë të komanduar (pika 3 e nenit 34). Po kështu, neni 14/a i ligjit nr.8577/2000, të ndryshuar, “Për GJK-në”, parashikon gjithashtu ngritjen dhe funksionimin e Njësisë së Shërbimit Ligjor, i cili ka të njëjtin funksion dhe përbërje si ajo pranë GJL-së (pika 2). Një parashikim të ngjashëm ka edhe neni 209, pika 1 e ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes”, sipas të cilit jo më pak se gjysma e inspektorëve pranë ILD-së janë magjistratë të komanduar nga KLGJ-ja ose KLP-ja.
      17. Komandimi në këto pozicione i magjistratit është një nga mekanizmat për ta bërë më fleksibël sistemin në lëvizjen e magjistratit gjatë karrierës së tij, me qëllim marrjen e përvojave në nivele dhe juridiksione të ndryshme. Gjithashtu, edhe për institucionet ku magjistrati komandohet është me interes të ketë prurje të reja në mënyrë periodike dhe me përvojë të ndryshme nga ajo e stafit të qëndrueshëm që ato kanë. Për ta bërë sa më tërheqës komandimin në këto institucione, në pikën 9 është parashikuar që periudha e komandimit llogaritet si përvojë në profesion në shkallë të parë ose të dytë, në varësi të nivelit të gjykatës/prokurorisë ku magjistrati ka ushtruar detyrën para komandimit. Përveç kësaj, përvoja e komandimit konsiderohet edhe si vlerë e shtuar në rastet e vlerësimit nga këshillat për plotësimin e vendeve të lira nëpërmjet lëvizjes paralele (shih komentin e nenit 43, pika 7, shkronja “a”). 
      18. Këto rregullime vlejnë për rastet kur komandimi bëhet pranë institucioneve të përmendura në pikën 2, të nenit 53, me përjashtim të rastit kur magjistrati komandohet në pozicionin e inspektorit pranë ILD-së. Në këtë rast, përvoja si inspektor konsiderohet si magjistrat i ngritur në detyrë në GJL (neni 55, pika 3), gjë që është e arsyeshme po t’i referohemi kushtit të caktimit të tyre në pozicionin e komanduar si inspektor në ILD, i cili kërkon që magjistratët që komandohen në ILD të përmbushin kushtet dhe kriteret për t’u emëruar magjistratë në GJL dhe PP (neni 55, pika 1). Ky parashikim është në pajtim me rolin dhe misionin që ka ILD-ja për hetimin disiplinor dhe propozimin e masës disiplinore ndaj magjistratëve të të gjitha niveleve .  
      19. Dallimi midis kushteve që duhet të plotësojë magjistrati dhe vlerës që ka përvoja në pozicionin e ndihmësmagjistratit në GJL, GJK, PP nga njëra anë dhe inspektorit të ILD-së nga ana tjetër ka të bëjë me rolin dhe hapësirën vendimmarrëse që kanë këto pozicione. Në pozicionin e ndihmësmagjistratit në GJL, GJK dhe PP, ai ka rol këshillues dhe ndihmës, ndërsa si inspektor në ILD, ai kryen hetime administrative dhe përgatit projektvendimet të cilat kërkojnë miratimin e ILD-së dhe në rast se nuk kthehen prej këtij të fundit ato konsiderohen përfundimtare dhe sjellin efekte për procesin e hetimit . Vlen të përmendet që megjithëse ligji kërkon plotësimin e kushteve për t’u zgjedhur gjyqtar në GJL ose PP, trajtimi financiar i tyre gjatë kohës që janë të komanduar si inspektor pranë ILD-së është i barabartë me gjyqtarin e gjykatës së apelit , ndërsa i ILD-së barazohet me gjyqtarin e GJL-së . 


      b) Rastet dhe shkaqet e ndalimit të komandimit
      20. Ashtu si dhe në rregullimet lidhur me transferimin, edhe këtu ligji ka parashikuar rastet në të cilat komandimi nuk lejohet ose kushtëzohet nga disa rrethana të caktuara. Konkretisht, rastet e ndalimit absolut janë: a) kur magjistrati është komanduar gjithsej 10 vjet gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës së tij (pika 8); b) kur magjistrati është në periudhë komandimi (pika 5, shkronja “b”); c) kur magjistrati është në pozicion me mandat të kufizuar (pika 5, shkronja “a”). Të gjitha këto ndalime janë në funksion të disiplinimit të procesit të komandimit me qëllim që ai të bëhet për nevojat e sistemit dhe gjithashtu t’i shërbejë dhe rritjes profesionale të magjistratit. Çdo përpjekje për të transformuar komandimin në një mekanizëm që mundëson ose passjell largimin e magjistratit nga funksioni i tij kryesor për një periudhë të paarsyeshme kohe, apo lëvizjen e pakontrolluar nga një pozicion në një pozicion tjetër të komanduar nuk është në pajtim me konceptin e komandimit.
      21. Po kështu, në këtë frymë, ligji ka vendosur edhe disa kushte për lejimin e komandimit. Kështu p.sh. pika 3 vendos detyrimin për marrjen e pëlqimit të magjistratit para komandimit, me përjashtim të rastit kur ai caktohet rishtazi në detyrë në një pozicion të komanduar (shih nenin 40). Gjithashtu, magjistrati nuk mund të komandohet për një periudhë më shumë se 5 vjet me përjashtim kur ligji parashikon ndryshe (pika 6), por në çdo rast jo më shumë se 10 vjet gjatë gjithë karrierës së tij (pika 8). Pas përfundimit të komandimit magjistrati duhet të shërbejë të paktën 5 vjet si magjistrat, për t’u komanduar sërish (pika 7).  


      c) Vlerësimi dhe përgjegjësia disiplinore gjatë komandimit


      22. Dy elemente mjaft të rëndësishme për ecurinë në karrierë të magjistratit, vlerësimi dhe përgjegjësia disiplinore, kanë gjetur rregullim të ndryshëm nga ai i zakonshëm, duke ia përshtatur situatave të ndryshme që mund të krijohen gjatë periudhës së komandimit. Konkretisht, lidhur me vlerësimin, pika 10 parashikon se vlerësimi për magjistratin e komanduar bëhet nga institucioni ku komandohet dhe sipas rregullave dhe procedurave që zbatohen për anëtarët e këtij institucioni. Pra, ndihmësmagjistrati i komanduar në GJL dhe në PP do të vlerësohet sipas skemës së vlerësimit që zbatohet për vlerësimin e gjyqtarëve të GJL-së dhe të PP-së, të miratuar nga këshillat përkatës. Ndërsa për ndihmësmagjistratët e komanduar në GJK, nisur nga fakti që gjyqtarët e kësaj Gjykate nuk vlerësohen, ata do të vlerësohen sipas rregullave që zbatohen për këshilltarët ligjorë jomagjistratë të Njësisë së Shërbimit Ligjor ku ushtrojnë detyrën edhe magjistratët e komanduar. Në rast se magjistratit të komanduar nuk i bëhet vlerësimi, pika 11 parashikon mundësinë e vlerësimit të tij nga këshilli, sipas nenit 49, i cili parashikon vlerësimin për kandidatët jogjyqtarë për në GJL, për aq sa ato gjejnë zbatim. Ky parashikim, pavarësisht problematikës që mund të nxjerrë në zbatim për shkak se skema e vlerësimit të kandidatit jo gjyqtar për GJL-në përmban shumë elemente dhe jo të gjitha mund të jenë të aplikueshme për magjistratin e komanduar, është i rëndësishëm për këtë të fundit, pasi i nevojitet për ecurinë e tij në karrierë, ngritjen në detyrë ose lëvizjen paralele për të cilën kërkohet pasja e të paktën 2 vlerësimeve pozitive (shih nenet 43 dhe 47). 
      23. Ndërsa lidhur me përgjegjësinë disiplinore të magjistratit gjatë periudhës së komandimit (pika 12), ligjvënësi ka bërë një përjashtim duke ia lënë këtë proces institucionit ku është komanduar magjistrati, me përjashtim të rastit kur masa e propozuar për shkeljen është shkarkim nga detyra. Në këtë rast, magjistrati mund të kërkojë referimin në këshillin përkatës, i cili zbaton rregullat për procedimin disiplinor sipas këtij ligji. Pavarësisht se çështja i referohet këshillit, institucioni që ka propozuar masën disiplinore merr pjesë në procedim duke ushtruar të drejtat dhe detyrimet e organit të hetimit disiplinor, duke zëvendësuar kështu ILD-në. Në rast se çështja nuk i referohet këshillit, atëherë institucioni ku është komanduar magjistrati informon këshillin për çdo vendim të marrë, sipas pikës 13. Kundër këtij vendimi magjistrati mund të ushtrojë ankim me efekt pezullues ndaj zbatimit të vendimit. Kjo zgjidhje e ligjvënësit duhet parë në bashkëpunim edhe me rregullimin e bërë në nenin 56, pika 5 e ligjit, ku parashikohet se ndihmësmagjistrati i komanduar në GJL dhe PP ka përgjegjësi disiplinore dhe vlerësohet sipas dispozitave të këtij ligji. Pra, rrethi i institucioneve që mund të zhvillojnë vetë procedimin disiplinor pa ia referuar këshillit janë: GJK, ILD, Ministria e Drejtësisë, Avokatura e Shtetit etj. Këtu mund të shfaqet një problem i natyrës kushtetuese. Duke qenë se në ligjin dhe rregulloren e GJK-së zënë vend rregullimet e posaçme për përgjegjësinë disiplinore të këshilltarëve ligjorë ku bëjnë pjesë dhe ndihmësmagjistratët e komanduar, si dhe nisur nga fakti që është një gjykatë e pavarur, madje dhe caktuar me ligj për të shqyrtuar ankimet kundër vendimeve të këshillave për shkarkimin e magjistratëve, parashikimet e pikës 12 dhe 13 të nenit 53 mund të mos jenë problematike. Ndërsa në rastin e vendosjes së masave disiplinore nga institucionet e tjera, madje edhe shkarkimin e magjistratit, nëse ky i fundit nuk e referon në këshill çështjen, zgjidhja ligjore e këtyre dy pikave nuk duket se është në pajtim me nenin 140, pika 2 të Kushtetutës, sipas të cilit gjyqtari shkarkohet nga KLGJ-ja, dhe nenit 148/d, pika 2, që parashikon shkarkimin e prokurorit nga KLP-ja. Përgjegjësia disiplinore duhet të jetë e njëjtë në të gjitha nivelet dhe institucionet ku komandohet magjistrati. Ligjvënësi duhet të kishte marrë parasysh parashikimin e bërë nga ai vetë që magjistrati ruan statusin e tij, pavarësisht pozicionit brenda sistemit të drejtësisë. Statusi nuk përfshin vetëm trajtimin financiar por edhe garancitë për palëvizshmërinë nga detyra. Në këtë kuptim, ligji mund të parashikonte zhvillimin e procedurës disiplinore për hetimin dhe mbledhjen e fakteve dhe provave por jo marrjen e vendimit të dhënies së masave disiplinore, sidomos të shkarkimit të gjyqtarit nga institucione të tjera përveç gjykatave.

    • 24. Referuar gjetjeve të Analizës së Sistemit të Drejtësisë ishin evidentuar probleme lidhur me statusin, karrierën dhe sistemin e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve, prandaj me reformën në drejtësi synohej të arrihej: (I) qartësimi dhe kodifikimi (përmbledhja në një ligj të vetëm) i dispozitave që lidhen me statusin e gjyqtarit; (II) parashikimi i kritereve të përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë, procedurat e emërimit dhe të transferimit të tyre, procedurat e promovimit, procesi disiplinor, rastet e largimit nga detyra dhe të gjitha elementet e tjera të statusit); (III) garantimi se procesi i emërimit dhe promovimit të gjyqtarëve do të bazohet në kritere transparente, objektive dhe meritokratike, të tilla si: kualifikimet, integriteti, aftësitë profesionale dhe pastërtia e figurës. Me miratimin e ligjit nr.96/2016 koncepti i komandimit u ridimensionua duke dhënë fillimisht konceptin e tij dhe kushtet e kriteret për t’u komanduar, si dhe institucionet e komandimit .
      25. Ligji i mëparshëm rregullues për pushtetin gjyqësor parashikonte lëvizjen e përkohshme të gjyqtarëve në institucione të tjera, por jo në masën dhe qartësinë që konceptohet sot nga ligji “komandimi”. Gjyqtarët, me kërkesën e institucioneve e pëlqimin e tyre, si dhe me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mund të shërbejnë për një afat deri në 3 vjet në strukturat e Ministrisë së Drejtësisë, të administratës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndihmës ligjor ose këshilltar i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të gjykatës së apelit, prokuror, pedagog ose drejtor në Shkollën e Magjistraturës. Në përfundim të këtij afati, gjyqtarët ktheheshin në vendin e mëparshëm të punës. Periudha e shërbimit njihet si periudhë vjetërsie në profesion si gjyqtar, për efekt të pagës dhe të karrierës profesionale . I njëjti parashikim ka qenë edhe në ligjin për prokurorinë .

    • Asnjë koment
  • Nuk ka standarde ndërkombëtare për komandimin e magjistratëve, përveç detyrimit për të ruajtur pavarësinë e tyre, si pjesë e statusit.

  • Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”,
    https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/Relacioni-1.pdf

    Procesverbali i shqyrtimit të projektligjit Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në komisionin parlamentar ad hoc 2016, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_23.09.2016.pdf

  • Kushtetuta: Neni 147/a, 149/a

    Ligji për Statusin: nenet 2, shkronja “h”, 43, 47, 54-58.

    Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nenet 194, 198, 210, 214.
    Ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, neni 34.

    Ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”, neni 14/a.

  • Vendimi nr.322, datë 17.9.2020 i Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për rihapjen e procedurës së komandimit në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga radhët e gjyqtarëve”, botuar në: http://klgj.al/wp-content/uploads/2020/09/VENDIM-NR.-322-DAT%C3%8B-17.09.2020-P%C3%8BR-RIHAPJEN-E-PROCEDUR%C3%8BS-S%C3%8B-KOMANDIMIT-N%C3%8B-ZYR%C3%8BN-E-INSPEKTORIT-T%C3%8B-LART%C3%8B-T%C3%8B-DREJT%C3%8BSIS%C3%8B.pdf
    Vendimi nr.70, datë 7.2.2020 i KLGJ-së “Për kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve” http://klgj.al/wp-content/uploads/2020/02/Vendim-Nr.70-dat%C3%AB-07.02.2020-P%C3%ABr-ngritjen-n%C3%AB-detyr%C3%AB-t%C3%AB-gjyqtar%C3%ABve-dat%C3%AB-07.02.2020.pdf
    Vendimi nr. 263, datë 21.11.2019, “Për rregullat plotësuese të vlerësimit të gjyqtarëve”.

    Vendimi nr.264, datë 21.11.2019, “Metodologjia e pikëzimit me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të gjyqtarit”.

    Vendimi nr.102, datë 5.7.2019, “Mbi kriteret e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve jogjyqtarë dhe procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë”.

    Vendimi nr.209, datë 11.10.2019, “Metodologjia për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve jogjyqtarë për në Gjykatën e Lartë”.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • A. Ligje

    Neni 28 i ligjit nr. 9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.Neni 25, 44 i ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.Neni 20, 21 i ligjit nr. 8588, datë 15.3.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”.Neni 14 i ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”.Neni 14, 15, 16 i ligjit nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Sokol Sadushi
Sokol Berberi